Hipertrofia kardiake

Hipertrofia kardiake

Një shpjegim për hipertrofinë kardiake

Hipertrofia kardiake (lustrim) - Mund të shihet trashësia e ekzagjeruar e murit të barkushes së majtë (struktura në të djathtë të pamjes).

Hipertrofia kardiake (lustrim) – Mund të shihet trashësia e ekzagjeruar e murit të barkushes së majtë (struktura në të djathtë të pamjes).

Me hipertrofi kardiake kihet parasysh një rritje e përmasave të miociteve, që janë qelizat muskulore të zemrës, që si korolar në fund shkakton një rritje të përmasave dhe/ose peshës së zemrës.

Hipertrofia kardiake, varet nga sintetizimi i proteinave të reja; pra sintetizimi i sarkomerëve shtesë, dhe mund të ndodh në një sërë fenomenesh fiziologjikë apo patologjikë. Ndër këto fenomene janë: rritja e presionit të gjakut, për shkaqe hipertensioni sistemik apo të ndonjë stenoze të aortës, rritja e vëllimit të gjakut, apo rritje e stimujve nga mesazherë molekularë që nxisin aktivizimin e receptorëve beta-adrenergjikë.

Në varësi të stimulit, apo më mirë të them shkakut, dallohen disa forma hipertrofie kardiake.
Hipertrofia e shkaktuar nga rritja e presionit të gjakut e cila ka si karakteristikë të vetën rritjen e  trashësisë së murit të zemrës. Kjo ndodh sepse sarkomerët e rinj që sintetizohen vendosen në paralel me ata ekzistuesit, duke zgjeruar prerjen tërthore të miociteve.

Në hipertrofinë e shkaktuar nga rritja e vëllimit të gjakut, karakteristika qëndron në faktin se sarkomerët e neosintetizuar vendosen në seri me ata që tashmë ekzistojnë. Si pasojë trashësia e miociteve në këtë rast mund ose jo të jetë e rritur.

Thënë këto, mënyra më e mirë për të vlerësuar një hipertrofi nuk është trashësia e murit të zemrës sesa pesha e gjithë organit, meqë siç e shpjegova më lartë mund të ketë raste hipertrofie në të cilat rritja e trashësisë nuk vihet re për shkak të shpërndarjes fiziologjik-ngjashme të proteinave të neosintetizuara.

————————————————————-

Reklama

Elektrokardiogrami (EKG)

Elektrokardiogrami (EKG)

Elektrokardiogrami dokumenton efektet elektrike që ndodhin në zemër gjatë fazave të aktivitetit të saj.

Ndryshimet patologjike që godasin muskulin kardiak shkaktojnë ndryshime edhe në aktivitetin elektrik të zemrës, të cilat ndryshime janë specifike për sëmundjen që i ka shkaktuar.

Themelet e funksionimit të elektrokardiogramit

Gjurmë elektrokardiografke normale.

Siç dikush mund të jetë në dijeni, ekziston një deferencë potenciali midis pjesës së jashtme dhe asaj të brendshme të membranës qelizore kardiake, që i detyrohet akumulimit të ngarkesave negative në faqen e brendshme të membranës plazmatike dhe të ngarkesave pozitive në faqen e jashtme të saj (potenciali i qetësisë).

Për efekt të ndonjë stimuli elektrik krijohet një inversion i shpërndarjes  së këtyre ngarkesave (depolarizimi), i cili pasohet, në përfundim të stimulit, nga rivendosja e gjëndjes së qetësisë (ripolarizimi).

Shuma e aktivitetit elektrik të të gjitha qelizave kardiake përshkruhet nga një “vektor”, që fiziologjikisht është i orientuar nga lartë poshtë dhe nga e djathta në të majtë. Boshti elektrik që përputhet me boshtin imagjinar të zemrës.

Aktiviteti elektrik i zemrës regjistrohet në mënyra të ndryshme nga elektrodat e regjistrimit, në varësi të pozicionit të vendosjes së tyre në raport me vektorin elektrik.

Në mënyrë të thjeshtuar, aktiviteti elektrik do të regjistrohet mbi letrën e elektrokardiografit si në përthyerje pozitive në rast se elektroda pozicionohet përballë vektorit elektrik; ndërsa do të regjistrohet (vizatohet) si një përthyrje negative në rast se elektorda e elektrokardiografit pozicionohet në mënyrë të kundërt me drejtimin e vektorit elektrik. Pozicionet e ndërmjetme do të regjistrojnë përthyerje më pozitive ose më negative në varësi të pozicionit të tyre përkundrejt drejtimit të vektorit elektrik të zemrës.

Derivacionet periferike të elektrokardiogramit

Derivacionet periferike të gjymtyrëve emërtohen: I, II, III, AVR, AVL, AVF.

Këto derivacione përftohen duke i pozicionuar elektrodat mbi krahun e djathtë, krahun e majtë dhe këmbën e majtë. Këmba e djathtë konsiderohet elektrikisht neutrale.

Këto derivacione përshkruajnë gjashtë linja imagjinare që intersekohen mes tyre në qendër të gjysmëkraharorit të majtë.

Çdonjë nga derivacionet eksploron, në planin ballor, një krah të ndryshëm të zemrës.

Derivacionet periferike të elektrokardiogramit (EKG)

Derivacionet periferike të elektrokardiogramit (EKG)

Nga figura dhe nga sa u tha më sipër mbi vektorin kardiak, rezulton qartë se aktiviteti elektrik i regjistruar nga III, AVF, II, I dhe AVL do të “vizatohet” si një përthyerje pozitive apo të priret për nga pozitiviteti. Ndërsa në elektrodën AVR, duke qenë e kundërt me aksin elektrik, do të duket një përthyerje negative.

Derivacionet e kraharorit të elektrokardiogramit

Derivacionet e kraharorit janë gjashtë dhe emërtohen V1, V2, V3, V4, V5, V6. Ato e eksplorojnë zemrën në një plan horizontal, imagjinar, që e pret trupin në dy pjesë.

“Valët” elektrike të elektrokardiogramit

Siç u tha, aktiviteti elektrik i zemrës regjistrohet në EKG nën formën e valëve; çdo valë përket me një fazë të mirëpërcaktuar të aktivitetit mekanik të muskulit kardiak.

Aktiviteti elektrik i zemrës lind ritmikisht në (nga) një organel i pozicionuar në veshoren (atriumin) e djathtë (pace-maker-i fiziologjik).

Valët fiziologjike që regjistrohen nga EKG-ja emërtohen: P, Q, R, S, T.

Elektrokardiogrami - Gjurmë normale.

Elektrokardiogrami – Gjurmë normale.

Vala P përfaqëson aktivitetin elektrik që lidhet me tkurrjen e të dy atriumeve; valët Q, R dhe S përshkruajnë një kompleks që përket me sistolën ventrikulare; vala T përket me ripolarizimin e ventrikujve (barkusheve).

Vala Q zakonisht është shumë e vogël, pothuajse pikë; prania e një vale Q të dukshme (thellimi i valës) është shenjë e një episodi të mëparshëm nekroze.

Letra e milimetruar e elektrokardiografit

Përgjithësisht, elektrokardiografi regjistron aktivitetin elektrik kardiak mbi letër të milimetruar. Letra e milimetruar e elektrokardiografit përbëhet nga një seri kuadratësh çdonjë brinjë e të cilëve është 5 mm.

Çdo krah i nja kuadrati, nga ana e vetë, është i ndarë nga linja të njëpasnjëshme, me një interval prej 1mm.

Një ndarje e tillë milimetrike mundëson matjen e dy aspekteve themelore të gjurmës elektrokardiografike: kohëzgjatjen (kohën) e valëve, sipas boshtit horizontal, dhe voltazhin e tyre sipas boshtit vertikal.

Koha varet nga shpejtësia me të cilën letra rrëshket normalisht mbi elektrokardiograf. Me shpejtësi standard, çdo krah i kuadratëve më të mëdhenj përket me një interval kohor prej 0.2 sek. Ndërsa çdo ndarje milimetrike e letrës së EKG-së përket me një kohë prej 0.04 sek.

Çdo kompleks elektrik ka një kohëzgjatje të vetën, fiziologjike. Normalisht intervali P-R nuk duhet të jetë më i madh se 5mm, pra 0.20 sek., ndërsa kompleksi QRS nuk duhet të kaloj të 3 mm, pra 0.12 sek.

Koncepte për të vlerësuar gjurmën elektrokardiografike

Parametrat themelorë që duhen vlerësuar në një EKG janë: Frekuenca, Ritmi dhe Aksi (boshti).

Frekuenca – vlerësohet si cikle/minutë. Në kushte fiziologjike frekuenca kardiake, siç u tha më lartë, përcaktohet nga nyja seno-atriale, me një frekuencë pre 75 rahjesh/min. Rritja e frekuencës quhet takikardi, ndërsa zvogëlimi i frekuencës së rahjeve të zemrës bradikardi.

Ritmi – shpreh vijimin e rregullt (rregullshmërinë) e impulsit elektrik , i cili transmetohet nëpër muskulin kardiak. Impulsi i gjeneruar nga nyja seno-atriale përhapet në të dy atriumet si valë depolarizimi (vala P). Stimuli përçohet mëpastaj tek nyja atrio-ventrikulare ku ndalet për 1/10 e sekondit (intervali P-Q). Më pas impulsi kalon në dy degëzimet e tufës së Hisit, të majtën dhe të djathën duke shkaktuar depolarizimin e barkusheve (ventrikujve) – kompleksi QRS. Pason vala e ripolarizimit ventrikular T.

Aksi (boshti) – boshti përket me drejtimin e valës depolarizuese. Boshti elektrik është shuma e të gjithë vektorëve të pjesshëm të depolarizimit të muskulit kardiak (vektor mesatar), dhe është i orientuar poshtë dhe në të majtë të pacientit.

Ndryshime të orientimit të boshtit elektrik të zemrës, japin informacione të rëndësishme mbi gjendjen e muskulit kardiak. Për shembull, në rast hipertrofie boshti do të spostohet drejt krahut të hipertrofizuar. Në rast nekroze boshti elektrik do të jetë spostuar në krah të kundërt me zonën nekrotike.

Duke patur parasysh sa u tha më lartë mbi drejtimin e vektorit të depolarizimit dhe pozicionimin e derivacioneve prekordiale, kuptohet se në kushte normale, pra me bosht të orientuar normalisht, vala e depolarizimit ventrikular (QRS) do të rezultojë pozitive në derivacionin I. Përndryshe nëse rezulton negative, do të thotë se aksi kardiak ka devijuar në të djathtë.

I njëjti arsyetim vlen edhe për derivacion AVF. Në prani të kompleksit QRS pozitiv vektori është orientuar normalisht. Në prani të një kompleksi QRS negativ vektori kardiak është i devijuar djathtas lartë ose majtas lartë.

Pra, entiteti i saktë i devijimit të boshtit kardiak përftohet nga vështrimi i njëkohësishëm i kompleksit QRS në derivacionin I dhe AVF.

Alteracione të elektrokardiogramit në rast infarkti të miokardit

Infarkti miokardiak ndodh kur një arterie koronare fillon të bbllokohet duke privuar ng afurnizimi me gjakk një pjesë të indit kardiak.

Pjesa e infarktuar, e privuar nga gjaku, është elektrikisht neutrale dhe nuk mund të përcjellë impulse elektrike. Ndryshimet elektrokardiografike që verifikohen gjatë një infarkti, janë pra të ndërlidhura pazgjidhshmërisht me ndryshimet e përcjelljes dhe progresionit të vektorit elektrik.

Triada klasike në rast infarkti është e përbërë nga: Iskemia, Dëmtimi, Nekroza. Çdonjërës prej tre ngjarjeve të mësipërme i përket një ndryshim specifik i gjurmës së EKG-së.

Iskemia, pra zvogëlimi i fluksit të gjakut, karakterizohet nga inversioni i valës T me krahë simetrikë.  Ky fenomen patologjik prek pothuajse gjithnjë ventrikujt, kështu që këto ndryshime janë veçanërisht të dukshme tek derivacionet e kraharorit, të cilat “shikojnë” ventrikujt (barkushet).

Elektrokarddiogrami (EKG) - Valë iskemike, inversion i valës T

Elektrokarddiogrami (EKG) – Valë iskemike, inversion i valës T

Nëse ngjarja iskemike nuk zgjidhet, vetvetisht apo farmakologjikisht, mbërrihet në një Dëmtim të muskulit kardiak. Ndryshimi elektrokardiografik në rast dëmtimi të miokardit karakterizohet nga mbiçnivelimi mbikonveks i traktit ST.

Elektrokardiogrami (EKG) Vala në rast dëmtimi.

Elektrokardiogrami (EKG) Vala në rast dëmtimi.

Nekroza, pra vdekja e indit të interesuar nga ngjarja infarktuale, karakterizoheet nga shfaqja e valëve Q. Të cilat valë janë zakonisht të padukshme, shumë të vogla, pothuajse pikë-ngjashme. Valla Q, që të jetë patologjike duhet të prezantoj një gjerësi prej 1mm ose të jetë sa 1/3 e kompleksit QRS.

Elektrokardiogrami - Valë në rast nekroze të muskulit kardiak

Elektrokardiogrami – Valë në rast nekroze të muskulit kardiak

© Rinstinkt, mbi tekstin.

———————————————————————————————————-

Indi muskulor (1): Llojet e muskujve, llojet e fibrave muskulore

Muskujt; llojet e muskujve, llojet e fibrave muskulore

Muskujt kanë funksionin që të tkurren dhe të lëshohen (relaksohen). Rezultati i këtyre veprimeve është lëvizja.

Gjenden tre lloje muskujsh:

  • Muskuj të vijëzuar apo skeletikë
  • Muskuj të lëmuar
  • Muskul kardiak (i zemrës)

Muskujt skeletikë janë të fiksuar në kocka. Muskujt e vijëzuar (skeletikë) prodhojnë lëvizje dhe janë nën kontroll të vullnetshëm. Muskujt e vijëzuar (skeletikë) përbëjnë rreth 36% të masës trupore të femrës dhe 42% të masës trupore të mashkullit.

Muskujt e lëmuar (e përbrendshëm) gjenden në muret e organeve të brendshme. Për shembull: në traktin tretës, në muret e enëve të gjakut, më murin e mitrës tek femra etj.

Muskuli i zemrës formon zemrën. Miokardi (grupe të specializuara qelizash të tij) ka aftësinë e jashtëzakonshme që të tkurret e lëshohet në mënyrë të vetvetishme, edhe nëse hiqet nga trupi dhe vendoset në një ambient adeguat.

Muskujt e përbrendshëm dhe ai kardiak nuk janë nën kontroll të vullnetshëm.

Muskujt e lëmuar tkurren më ngadalë se muskujt e vijëzuar, por tkurrja (kontraktimi) i tyre zgjat më shumë. Muskulatura e lëmuar është përgjegjëse për lëvizjet peristaltike të traktit tretës. Po ashtu është përgjegjës për për lëvizjet e mitrës dhe të tubave të saj. Edhe kurrja e mureve të enëve të gjakut që rregullojnë fluksin e gjakut rregullohet nga muskulatura e lëmuar.

Në ndryshim nga muskuli i vijëzuar, muskuli i lëmuar përbëhet nga qeliza njëbërthamëshe. Këto qeliza përmbajnë disa fibrila të cilat kanë një orientim të çrregullt hapsinor, pra nuk janë të organizuara sipas një modeli, sikundër tek muskuli skeletik. Kështu, nuk mund të identifikohen vijzime transversale. Gjithsesi, muskuli i lëmuar përmban proteina tkurrëse si ato të muskulit të vijëzuar; aktinë dhe miozinë. Po ashtu, për t’u tkurrur kërkon ATP.

Ndërtimi i një fibre muskulore

Ndërtimi i një fibre muskulore

Të gjithë muskujt skeletikë janë të rrethuar nga një membranë lidhore fibroze – epimizi. Epimizi lëshon shtresa indi lidhor në brendësi të muskulit, të quajtura perimiz. Perimizi “degëzohet” vazhdimisht duke rrethuar njëra pas tjetrës, tufa fibrash muskulore gjithnjë e më të vogla derisa rrethon çdo fibër muskulore veças. Kjo është e veshur nga një shtresë kolagjeni e quajtur endomiz.

Fibra muskulore është elementi bazë funksional i muskulit. Fibra muskulore është e përbërë nga qeliza muskulore apo miociti. Miocitët janë qeliza cilindrike, që ndonjëherë arrijnë gjatësinë e vet muskulit, dhe që përmbajnë disa bërthama të shpërndara në periferinë e qelizës. Çdo fibër muskulore ka në brendësi të vet nënnjësi cilindrike të quajtira miofibrila.

Ka dy lloje miofibrilash – të kuqe dhe të bardha. Fibrat e kuqe janë më të pasura me mioglobinë dhe përmbajnë më shumë glikogjen, mitokondri dhe enzima oksidativë, krahasuar me fibrat e bardha. Tkurrja e fibrave të kuqe është e ngadaltë por e zgjatur në kohë.

Fibrat e bardha kanë më pak mioglobinë, glikogjen dhe mitokondri; tkurrja e tyre është e shpejtë por më pak e zgjatur në kohë.

[Lexo dhe: Indi muskulor është specializuar për tkurrje]

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

———————————————————————————

Muskuli, llojet e muskujve, klasifikimi i muskujve

Muskuli, llojet e muskujve, klasifikimi i muskujve

Indi muskulor përfaqëson përbërësin indor më të bollshëm të trupit të njeriut, duke zënë rreth 50% të peshës trupore tek njeriu i pjekur.

Funksioni kryesor i indit muskulor është tkurrja, gjatë të cilës muskuli zhvillon forcë dhe shkurtohet duke lëvizur një ngarkesë dhe prodhuar punë mekanike.

Muskujt janë përgjegjës për, pothuajse, çdo lloj lëvizje që ndodh në organizmin tonë: nga ato më të dukshmet, si të ecurit, të vrapuarit apo frymëmarrja, e deri tek ato më pak të dukshmet, si shtytja e përmbajtjes së zorrëve apo gjakut në enët e gjakut, lëvizja okulare apo shprehja e fytyrës.

Aktiviteti muskular është thelbësor për ruajtjen e shumë funksioneve jetësore, si qarkullimi i gjakut, frymëshkëmbimi, tretja dhe thithja e ushqimeve, dhe për shumë funksione të tjera që – edhe pse jo jetësore – kanë një rëndësi të madhe, si ruajtja e drejtqëndrimit, lokomocioni, të folurit etj.

Muskuli mund të konsiderohet si një motor biologjik që prodhon punë mekanike duke përdorur energjinë kimike që vjen nga hidroliza e adenozinë-trefosfatit (ATP). Natyrisht sikundër në të gjithë motorat, shndërrimi i një forme energjie në një tjetër nuk kryhet me rendiment 100% dhe kështu një pjesë e energjisë kimike të ATP-së përfundon në formë nxehtësie. Prodhimi i nxehtësisë është i nevojshëm për ruajtjen e temperaturës trupore dhe përbën kësisoj një funksion shtesë të rëndësishëm të indi t muskulor.

Muskulatura kardiake, mikroskopi elektronike – © 2009 Dennis Kunkel Microscopy, Inc.

Tipat e ndryshëm të muskujve që gjenden në organizmin tonë, janë specializuar në vazhdën e evolucionit, në kryerjen e funksioneve ndonjëherë edhe mjaft të ndryshme mes tyre. Kështu, muskulatura skeletike është përgjegjëse për lëvizjet trupore të vullnetshme, muskulatura kardiake (e zemrës) është përgjegjëse për shtytjen e gjakut në enët (e gjakut), ndërsa muskulatura e lëmuar është e përfshirë në funksionet përbrendësore (e përbrendshme) të pavullnetshme.

Muskujt që gjenden tek njeriu mund të klasifikohen sipas një kriteri strukturor në muskuj të lëmuar dhe muskuj të vijëzuar. Këta të fundit mund të ndahen, nga ana e tyre, në muskuj skeletik dhe muskuj kardiak (të zemrës).

Muskujt e vijëzuar ia detyrojnë emërtimin e vet organizmit jashtëzakonisht të rregullt të materialit tkurrës brendaqelizor që u jep qelizave të këtij lloji muskuli një vijëzim të dukshëm me mikroskop optik (me dritë).

Këtij klasifikimi mund t’i shtohet edhe një lloj tjetër klasifikimi, që mbështetet mbi mënyrën e aktivizimit të tkurrjes muskulore. Muskujt që mudn të aktivizohen në mënyrë rë ndërgjegjshme, si muskujt skeletikë, bëjnë pjesë tek muskulatura e vullnetshme: këta muskuj aktivizohen nga sistemi nervor qëndror me anë të fibrave motore në përgjigje të një dëshire (vullneti) të ndërgjegjshëm. Shumë prej muskujve të lëmuar janë muskuj të pandërgjegjshëm (të pavullnetshëm), dhe veprimi (aktivizimi) i tyre kontrollohet (shpesh në rrugë reflekse) nga sistemi nervor autonom në përgjigje, pra, të ndonjë lloj stimuli. Edhe muskuli kardiak (i zemrës) mund të përfshihet tek muskulatura e pavullnetshme, duke qenë se aktiviteti i këtij muskuli nuk varet nga vullneti.

© Rinstinkt, Shkurt 2013

——————————————————————————————————–

Arteriet koronare dhe venat kardiake

Arteriet dhe venat koronare

Duke qene se zemra nuk pushon kurrë se pompuari gjak për pjeset e tjera te trupit, ajo punon me shumë se dhe me fort se çdo muskul tjeter i trupit, keshtu qe ka nevoje për me shumë gjak se çdo pjese tjeter e trupit (se çdo muskul tjeter i trupit).

Zemra (si pompe) e furnizon veten e saj (si muskul) me ane te dy arterieve kornare, te djathtes dhe te majtes, te cilat lindin nga aorta, pothuajse menjehere mbi valvulen gjysmehenore te (vet) aortes. Pasi lindin nga aorta ato pershkojne thellimin atrio-ventrikular duke u drejtuar ne faqen diafragmatike (te poshtme, te mbeshtetur mbi diafragme) te zemres.

Faqja e përparme e zemres ku paraqiten skematikish arteriet koronare në lindjen e tyre nga baza e Aortës.

Te dyja arteriet koronare shtrihen ne thellime jashtë muskulit kardiak dhe ndahen ne një sistem enesh me te vogla dhe kapilaresh te cilet furnizojne fibrat e muskulit te zemres me gjak. Pasi e kanë lene oksigjenin qe transportonin ne kapilarë, gjaku udheton me ane te venave koronare dhe drenohet drejteperdrejte ne atriumin (veshoren) e djathtë, ku bashkohet (perzihet) me gjakun venoz te pjeses tjeter te trupit.

Kur zemra (muskuli i zemres) është duke punuar (për nevojat e trupit) me shumë se zakonisht, arteriet koronare zgjerohen për te ritur prurjen e gjakut (oksigjenit) për muskulin e zemres. Gjatë aktivitetit fizik te rende (ekstrem!) rrjedha e gjakut ne keto enë rritet deri ne 5-6 herë. Sa me e mire te jetë gjendja fizike e një individi, aq me i larte është “rendimenti” (efikasiteti) me te cilin zemra e tij perdor gjakun qe ka ne dispozicion.

Kur prurja me gjak nuk është e mjaftueshme për te ngopur kerkesat e muskulit te zemres për oksigjen, lende ushqyese dhe për te larguar mbetjet metabolike, zemra “vuan”, sikundër muskujt e tjere mund te ndjejne dhumbje nga mbingarkesa me pune.

Mungesa e oksigjenit stimulon qelizat nervore duke rezultuar ne dhimbje te kraharorit (angina pectoris). Gjithsesi, ne ndryshim nga muskujt e tjere te organizmit, zemra nuk mund te ndaloje për te pushuar, te pakten jo pa patur pasoja shkaterruese.

 

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————————————————