Indi muskulor (1): Llojet e muskujve, llojet e fibrave muskulore

Muskujt; llojet e muskujve, llojet e fibrave muskulore

Muskujt kanë funksionin që të tkurren dhe të lëshohen (relaksohen). Rezultati i këtyre veprimeve është lëvizja.

Gjenden tre lloje muskujsh:

  • Muskuj të vijëzuar apo skeletikë
  • Muskuj të lëmuar
  • Muskul kardiak (i zemrës)

Muskujt skeletikë janë të fiksuar në kocka. Muskujt e vijëzuar (skeletikë) prodhojnë lëvizje dhe janë nën kontroll të vullnetshëm. Muskujt e vijëzuar (skeletikë) përbëjnë rreth 36% të masës trupore të femrës dhe 42% të masës trupore të mashkullit.

Muskujt e lëmuar (e përbrendshëm) gjenden në muret e organeve të brendshme. Për shembull: në traktin tretës, në muret e enëve të gjakut, më murin e mitrës tek femra etj.

Muskuli i zemrës formon zemrën. Miokardi (grupe të specializuara qelizash të tij) ka aftësinë e jashtëzakonshme që të tkurret e lëshohet në mënyrë të vetvetishme, edhe nëse hiqet nga trupi dhe vendoset në një ambient adeguat.

Muskujt e përbrendshëm dhe ai kardiak nuk janë nën kontroll të vullnetshëm.

Muskujt e lëmuar tkurren më ngadalë se muskujt e vijëzuar, por tkurrja (kontraktimi) i tyre zgjat më shumë. Muskulatura e lëmuar është përgjegjëse për lëvizjet peristaltike të traktit tretës. Po ashtu është përgjegjës për për lëvizjet e mitrës dhe të tubave të saj. Edhe kurrja e mureve të enëve të gjakut që rregullojnë fluksin e gjakut rregullohet nga muskulatura e lëmuar.

Në ndryshim nga muskuli i vijëzuar, muskuli i lëmuar përbëhet nga qeliza njëbërthamëshe. Këto qeliza përmbajnë disa fibrila të cilat kanë një orientim të çrregullt hapsinor, pra nuk janë të organizuara sipas një modeli, sikundër tek muskuli skeletik. Kështu, nuk mund të identifikohen vijzime transversale. Gjithsesi, muskuli i lëmuar përmban proteina tkurrëse si ato të muskulit të vijëzuar; aktinë dhe miozinë. Po ashtu, për t’u tkurrur kërkon ATP.

Ndërtimi i një fibre muskulore

Ndërtimi i një fibre muskulore

Të gjithë muskujt skeletikë janë të rrethuar nga një membranë lidhore fibroze – epimizi. Epimizi lëshon shtresa indi lidhor në brendësi të muskulit, të quajtura perimiz. Perimizi “degëzohet” vazhdimisht duke rrethuar njëra pas tjetrës, tufa fibrash muskulore gjithnjë e më të vogla derisa rrethon çdo fibër muskulore veças. Kjo është e veshur nga një shtresë kolagjeni e quajtur endomiz.

Fibra muskulore është elementi bazë funksional i muskulit. Fibra muskulore është e përbërë nga qeliza muskulore apo miociti. Miocitët janë qeliza cilindrike, që ndonjëherë arrijnë gjatësinë e vet muskulit, dhe që përmbajnë disa bërthama të shpërndara në periferinë e qelizës. Çdo fibër muskulore ka në brendësi të vet nënnjësi cilindrike të quajtira miofibrila.

Ka dy lloje miofibrilash – të kuqe dhe të bardha. Fibrat e kuqe janë më të pasura me mioglobinë dhe përmbajnë më shumë glikogjen, mitokondri dhe enzima oksidativë, krahasuar me fibrat e bardha. Tkurrja e fibrave të kuqe është e ngadaltë por e zgjatur në kohë.

Fibrat e bardha kanë më pak mioglobinë, glikogjen dhe mitokondri; tkurrja e tyre është e shpejtë por më pak e zgjatur në kohë.

[Lexo dhe: Indi muskulor është specializuar për tkurrje]

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

———————————————————————————

Reklama

Muskuli, llojet e muskujve, klasifikimi i muskujve

Muskuli, llojet e muskujve, klasifikimi i muskujve

Indi muskulor përfaqëson përbërësin indor më të bollshëm të trupit të njeriut, duke zënë rreth 50% të peshës trupore tek njeriu i pjekur.

Funksioni kryesor i indit muskulor është tkurrja, gjatë të cilës muskuli zhvillon forcë dhe shkurtohet duke lëvizur një ngarkesë dhe prodhuar punë mekanike.

Muskujt janë përgjegjës për, pothuajse, çdo lloj lëvizje që ndodh në organizmin tonë: nga ato më të dukshmet, si të ecurit, të vrapuarit apo frymëmarrja, e deri tek ato më pak të dukshmet, si shtytja e përmbajtjes së zorrëve apo gjakut në enët e gjakut, lëvizja okulare apo shprehja e fytyrës.

Aktiviteti muskular është thelbësor për ruajtjen e shumë funksioneve jetësore, si qarkullimi i gjakut, frymëshkëmbimi, tretja dhe thithja e ushqimeve, dhe për shumë funksione të tjera që – edhe pse jo jetësore – kanë një rëndësi të madhe, si ruajtja e drejtqëndrimit, lokomocioni, të folurit etj.

Muskuli mund të konsiderohet si një motor biologjik që prodhon punë mekanike duke përdorur energjinë kimike që vjen nga hidroliza e adenozinë-trefosfatit (ATP). Natyrisht sikundër në të gjithë motorat, shndërrimi i një forme energjie në një tjetër nuk kryhet me rendiment 100% dhe kështu një pjesë e energjisë kimike të ATP-së përfundon në formë nxehtësie. Prodhimi i nxehtësisë është i nevojshëm për ruajtjen e temperaturës trupore dhe përbën kësisoj një funksion shtesë të rëndësishëm të indi t muskulor.

Muskulatura kardiake, mikroskopi elektronike – © 2009 Dennis Kunkel Microscopy, Inc.

Tipat e ndryshëm të muskujve që gjenden në organizmin tonë, janë specializuar në vazhdën e evolucionit, në kryerjen e funksioneve ndonjëherë edhe mjaft të ndryshme mes tyre. Kështu, muskulatura skeletike është përgjegjëse për lëvizjet trupore të vullnetshme, muskulatura kardiake (e zemrës) është përgjegjëse për shtytjen e gjakut në enët (e gjakut), ndërsa muskulatura e lëmuar është e përfshirë në funksionet përbrendësore (e përbrendshme) të pavullnetshme.

Muskujt që gjenden tek njeriu mund të klasifikohen sipas një kriteri strukturor në muskuj të lëmuar dhe muskuj të vijëzuar. Këta të fundit mund të ndahen, nga ana e tyre, në muskuj skeletik dhe muskuj kardiak (të zemrës).

Muskujt e vijëzuar ia detyrojnë emërtimin e vet organizmit jashtëzakonisht të rregullt të materialit tkurrës brendaqelizor që u jep qelizave të këtij lloji muskuli një vijëzim të dukshëm me mikroskop optik (me dritë).

Këtij klasifikimi mund t’i shtohet edhe një lloj tjetër klasifikimi, që mbështetet mbi mënyrën e aktivizimit të tkurrjes muskulore. Muskujt që mudn të aktivizohen në mënyrë rë ndërgjegjshme, si muskujt skeletikë, bëjnë pjesë tek muskulatura e vullnetshme: këta muskuj aktivizohen nga sistemi nervor qëndror me anë të fibrave motore në përgjigje të një dëshire (vullneti) të ndërgjegjshëm. Shumë prej muskujve të lëmuar janë muskuj të pandërgjegjshëm (të pavullnetshëm), dhe veprimi (aktivizimi) i tyre kontrollohet (shpesh në rrugë reflekse) nga sistemi nervor autonom në përgjigje, pra, të ndonjë lloj stimuli. Edhe muskuli kardiak (i zemrës) mund të përfshihet tek muskulatura e pavullnetshme, duke qenë se aktiviteti i këtij muskuli nuk varet nga vullneti.

© Rinstinkt, Shkurt 2013

——————————————————————————————————–

Stomaku

Stomaku është i pozicionuar në anën  e majtë, menjëherë nën diafragmë, dhe është pjesërisht i mbrojtur (mbuluar) nga brinjët. Stomaku ka pak a shumë formë fasuleje, me një lakesë të vogël dhe një lakesë të madhe. Ndahet në tre pjesë: fundi, trupi dhe pjesa pilorike.

Stomaku punon si rezervuar për ushqimin. Pjesa e jashtme e stomakut përbëhet nga tre shtresa muskuli të lëmuar: një shtresë gjatësore, një shtresë qarkore dhe një shtresë e pjerrët (oblikue). Këto tre shtresa muskujsh kanë funksionin e përzjerjes së ushqimit me lëngun gastrik dhe shpërndarjen e tij në duodenum. Veshja mukoze thith ujin dhe glukozin për në gjak. Gjendrat gastrike tahisin (sekretojnë) rreth 1-2 litra lëng gastrik në ditë. Lëngu gastrik përmban enzima si lipaza dhe pepsinogjeni, të cilat prodhohen nga qelizat peptike. Lipaza fillon thyerjen e lyrave; pepsinogjeni shndërrohet në pepsinë në prani të acidit klorhidrik. Pepsina fillon thyerjen kimike të proteinave në substanca më të thjeshta si peptonët. Acidi klorhidrik ka rolin e vrasësit të baktereve. Në mënyrë që të parandalojë vet-tretjen nga acidi klorhidrik, qelizat mukoze tahisin (sekretojnë) mucinë, që mbron sipërfaqen e stomakut.

Stomaku është nën kontroll hormonal dhe nervor. Kur ushqimi mbërrin në stomak, qelizat gastrike fillojnë tahitjen e gastrinës. Gastrina vepron mbi  mbi qelizat e stomakut  për të rritur tahitjen e lëngut gastrik. Pas lënies së kohës së duhur për tretje, fillon tkurrja e muskujve të stomakut duke krijuar lëvizjet peristaltike. Këto lëvizje valë-ngjashme e shtyjnë ushimin drejtë pjesës pilorike të stomakut. Sfinkteri pilorik hapet dhe ushqimi shtyhet drejt zorrën së hollë (duodenumit).

 

Rinstinkt 2011

———————————————————————–