Zgjedhje alternative: Përse duhet të jemi kundër ‘mjekësisë’ jo konvencionale

Zgjedhje alternative: Përse duhet të jesh kundër terapive mjekësore jo konvencionale…

Shpesh dëgjojmë të flitet për mjekësinë alternative apo praktika të tjera, sikur këto të ishin në të njëjtin plan efikasiteti, cilësie, sigurie me atë çka ofron mjekësia ‘zyrtare’, ajo shkencore e bazuar në fakte.
Këto praktika alternative është gabim të quhen ‘mjekësi alternative’ sepse ky emërtim veçse u jep legjitimitet që përndryshe nuk do ta kishin. Ato njihen me terma të ndryshëm, si komplementare apo përplotësuese, jo-ortodokse, integrative, mjekësi popullore etj. Por të gjitha këto i referohen praktikave që nuk konsiderohen si mjekësi konvencionale (mjekësia konvencionale është ajo e praktikuar dhe pranuar nga komuniteti mjeko-shkencor).

Aty futen praktikat që kanë të bëjnë me marrjen e barnave bimore, me trajtimin nga një kiropraktikues, agopunktura, aromaterapia, shërimet popullore, homeopatia etj. Janë pra praktika që përfshijnë qindra filozofi apo më saktë qasje dhe procedura të ndryshme, dhe që në pjesën e stërmadhe të rasteve janë të bazuara në ndonjë ideologji të vjetër, të ngurtë dhe dogmatike.

Black-and-white sketch by Cedric Hohnstadt of a Snake Oil Salesman, inspired by the Pose Drawing Sparkbook

Pjesa më e madhe e këtyre ‘terapive’ nuk janë të bazura në asnjë fakt shencor, dhe shpesh nuk i qëndrojnë dot as një hetimi të thjeshtë logjik për mënyrën e supozuar të funksionimit apo efektshmërisë. Për më tepër një pjesë e këtyre praktikave alternative nuk plotësojnë as kushtet më minimale të sigurisë dhe ndonjëherë japin efekte anësore të rrezikshme.

Një shqetësim tjetër është se, shpesh, njerëzit që drejtohen për nga përdorimi i këtyre terapive alternative ndaj mjekësisë konvencionale, anashkalojnë rrugëtimin normal, optimal, pra të këshilluar të trajtimit të gjendjes së tyre. Pra nuk shkojnë të vizitohen herët duke përfituar nga benefitet e një trajtimi të bazuar në faktet dhe kërkimin shkencor, por i drejtohen këtyre trajtimeve alternative, dhe kështu vetëm sa vonojnë kurimin apo shërimin e gjendjes së tyre. Rasti më emblematik që ndoshta e kanë dëgjuar të gjithë ishte ai i një prej themeluesve të kompanisë Apple, S. Jobs, i cili sado që vuante nga kanceri pankreatik – një sëmundje kjo me vdekshmëri relativisht të lartë – refuzoi trajtimin mjekësor ‘zyrtar’ dhe bëri një zgjedhje alternative. Natyrisht që S Jobs vdiq, dhe për të qenë intelektualisht të ndershëm me gjasa do vdiste edhe nëse do zgjidhte trajtimin mjekësor konvencional, por ndoshta do të kishte jetuar më gjatë, më mirë, e ndoshta edhe do të ishte shëruar plotësisht.

Sidosi, asnjë nuk mund t’i ndalojë njerëzit nëse duan të përdorin këto praktika alternative. Mendoj se është një fenomen që duhet të kufizohet sa më shumë të jetë e mundur, dhe i ftojë lexuesit që t’i bëjnë vetes këto pyetje kur i qasen një trajtimi alternativ, për çfarëdolloj problemi që të jetë…

  1. Siguria dhe efektshmëria. Mos përdorni asnjëherë produkte apo praktika që mund t’ju shkaktojnë dëme, dhe që nuk ju garantojnë benefite apo të mira kur ju i përdorni. Për shembull, shesh thuhet se disa ilaçe vijnë nga bimët, kështu që nuk ka gjë të keqe të konsumosh preparate bimore. Kjo është e gabuar për dy arsye themelore: së pari preparatet bimore nuk përmbajnë vetëm principin aktiv të veçuar që do të përmbante një ilaç i nxjerrë nga e njëta bimë, por do të ketë edhe produkte të tjera, që ndoshta janë të dëmshme kur konsumohen. Dhe së dyti, sepse ndonjëherë këto preparate bimore nuk përgatiten mirë apo nuk ruhen mirë, shpesh duke zhvilluar myk apo kërpudha (mikroskopike) që lëshojnë toksina të cilat janë të dëmshme.

  2. Cilësia e shërbimit dhe ekspertiza e praktikuesit të metodës alternative. Shpesh këto praktika apo trajtime alternative jepen nga individë që edhe pse nukkanë ndonjë kualifikim të veçantë, i lejojnë vetes të bëjnë pohime të ekzagjeruara mbi efikasitetin, sigurinë dhe benefitet e produkteve apo shërbimeve që shesin. Ndaj është një gjë e mirë nëse gjykoni me vëmendje ndaj trajnimit, kualifikimit dhe kompetencës së atij/asaj që po ju shet këto produkte/shërbime.

  3. Diskutoni me mjekun tuaj. Mjekët dhe mjekësia konvencionale natyrisht që nuk bën dot mrekullira. Por është mirë që qasja e parë të jetë gjithnjë ndaj mjekut, qoftë edhe për të marrë informacion të përgjithshëm rreth problemit që keni.


© Rinstinkt blog 2020

Homeopatia funksionon… si placebo!

Homeopatia: mit dhe legjendë (3)

Si prodhohet një mjekim homeopatik?

Por homeopatia funksionon… apo jo?

Nëse do t’i binim shkurt, do të thoshim me patjetër se JO, homeopatia nuk funksionon!

Pak digresion: çfarë është dhe si funksionon shkenca?

  • Shkenca është tërësia e njohjeve që janë përftuar me një proces metodik dhe sistematik, me qëllim arritjen në përshkrimin, e saktë dhe objektiv të realitetit të gjërave dhe të ligjeve që i rregullojnë.
  • Larg të qenit perfekte, sheknca nuk mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe nuk është në gjendje të demonstrojë të vërteta absolute. Por as nuk ka arrogancën që të demonstrojë të vërteta absolute. Në fakt, edhe pse bëhen vazhdimisht gabime, shkenca pranon korrigjimin duke shpënë në progresin e vet shkencës dhe si pasojë të teknikës dhe të shoqërisë njerëzore.

Ndërsa homeopatia, në të kundërt, nuk është e aftë të përshkruajë objektivisht mënyrën (hipotetike) sipas së cilës “funksionon” dhe është de facto kundër çdo progresi. Homeopatia bazohet mbi traditën e ideve të viteve 1800 të themelues-profetit të vet, Hahnemann-it. Që prej asaj kohe nuk ka ndryshuar asgjë, ndërsa shkenca “zyrtare” ka bërë hapa të mëdha duke dyfishuar jetëgjatësinë mesatare të shumë personave.

Duke aplikuar metodën shkencore ndaj homeopatisë dilet në përfundimin se ajo nuk funksionon! S’ka sesi!

Metoda shkencore, e aplikuar në Biologji dhe Mjekësi, konsiston në kryerjen e studimeve që janë statistikisht të vlefshme dhe të përsëritshme. Një studim shkencor, duhet që nëse përsëritet nga të tjerë kërkues shkencorë (sipas disa kushtesh përcaktuara) të jap të njëjtat rezultate.

Kur homeopatia ka kërkuar që t’i njihet vlefshmëria e vet nga shkenca, ka dështuar sepse të gjitha studimet serioze dhe të detajuara të kryera në dhjetëvjeçarët e fundit nuk kanë treguar asgjë prej gjëje mbi vlefshmërinë e saj. Disa studime të tjerë, që në pamje të parë sillnin “prova” pro homeopatisë, treguan më pas se vuanin nga përsëritshmëria (pra nuk mund të replikoheshin “me sukses”, duke nxjerrë të njëjtat përfundime, nga kërkues të tjerë), pra s’vlenin asnjë grosh! Për më tepër që nuk arrinin “të mbijetonin” ndaj analizës së revistave mjeko-shekncore më prestigjoze.

Disa prova? Ja:

Thelbësore dhe përmbyllëse, konkluzive (deri në provimin e të kundërtës), janë meta-analizat (pra, analizat e të dhënave), e kryera nga revista mjekësore më prestigjoze në botë, The Lancet-i.

Në 2006-ën,The Lancet, pas një analize të vëmendshme të studimeve më të mira mbi homeopatinë, dha sentencën: “When the analysis was restricted to large trials of higher quality, the odds ratio was 0.88 (95% CI 0.65-1.19) for homoeopathy (eight trials) and 0.58 (0.39-0.85) for conventional medicine (six trials)”.

Are the clinical effects of homoeopathy placebo effects? Comparative study of placebo-controlled trials of homoeopathy and allopathy.

Pra rezultatet nga mjekimet homeopatike qëndronin në intervalin 0,65-1,19 ndërsa ato të mjekësisë konvencionale ishin 0,39-0,85.

Homeopatia rezulton të jetë statistikisht e përputhshme me efektin placebo (efekt që arrihet duke u dhënë pacientëve “ujë”, duke bërë gjoja se po iu jepet një ilaç).

Dikush do të pyeste sërisht: pra homeopatia nuk funksionon?

Jo, funksionon, dhe funksionon mirë, por ka të njëjtën efektshmëri me efektin placebo. Vetëm fakti i të marrit të një kure dhe vullneti për të qenë më mirë na jep predispozitën pozitive për të patur një kurim efektiv.