Origjina e qytetërimit minoik – origjina e Agamemnonit

Origjina e qytetërimit minoik – origjina e Agamemnonit

Një grup shkencëtarësh amerikanë dhe grekë përdorën analizën e ADN-së mitokondriale të mbetjeve skeletike minoike, për të përcaktuar origjinën e  paraardhësve të mundshëm  të këtyre popujve antikë.

maska e agamemnonitRezultatet u botuan, para disa ditësh, në revistën Nature Communications, dhe sugjerojnë se qytetërimi minoik ka lindur 5,000 vite më parë në Kretë, nga një popullatë ancestrale neolitike që kishte mbërritur në rajon rreth 4,000 më përpara. Studimi tregon edhe se, popullata neolitike që qëndron në origjinë të minoikëve, është e njëjta që u ka dhënë origjinë popujve të tjerë modern europianë.

Diçka mbi mitokondritë dhe mtADN

Mitokondritë janë organele qelizore, që kanë funksionin e centraleve energjitike të qelizave, dhe përmbajnë ADN (mtADN).
ADN-ja mitokondriale mund të trashëgohet vetëm në linjën mëmësore, pra nga nëna, kjo sepse, kur qeliza vezë bashkohet me spermatozoidin (pllenimi) mitokondritë e këtij të fundit nuk derpëtojnë në brendësi të vezës.
Kështu mitokondritë e organizmit të ri që do të zhvillohet, janë të gjitha nga ana e nënës.

Kërkuesit shkencorë kanë analizuar mostra të ADN-së të përftuara nga 37 skelete të gjetura në një shpellë në Kretë, që datojnë 4.400-3.700 vite më parë. Këto mostra ADN-je janë krahasuar me sekuenca të ADN-së mitokondriale të 135 popullatave njerëzore të lashta dhe moderne.

Analiza e polimorfizmave të ADN-së mitokondriale e kryer duke përdorur dy metoda të ndryshme, për më tepër të aplikuara në dy laboratorë të ndryshëm, dhe kalkulimi i mëpasshëm i distancave gjenetike, treguan se, banorët aktualë të ishullit janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të minoikëve të lashtë. Gjithashtu u përjashtua mundësia  e origjinës veriafrikane.

Për shumë kohë ekzistonte bindja se kultura minoike kishte origjinë veriafrikane, me shumë mundësi Egjiptiane, nga një migrim i kohëve më të vona.

File:Snake Goddess Crete 1600BC.jpg

Perëndesha e gjarpërinjve – Wikipedia

Origjina e bindjes se qytetërimi i parë i madh i lindur në tokë europiane kishte origjinë veriafrikane i përket fillimeve të shekullit të kaluar, kur sër Arthur Evans zbuloi mbetjet e tempullit të Knosit. Evans-i kishte vëzhguar ngjashmëri të ndryshme mes artit minoik dhe atij egjiptian. Dalloi se, varret rrethore të banorëve të parë të anës jugore të Kretës ishin të ngjashme me varret e ndërtuar nga banorët e brigjeve libiane (të Libisë). Duhet thënë se ka patur edhe teorira të tjera  mbi origjinën e qytetërimit minoik, deri edhe një që fliste për zhvillim autokton, të pavarur.

Rikthehemi tek rezultatet e studimit në fjalë. Nga analiza rezulton se ka një afinitet të lartë gjenetik me popullatat europiane neolitike dhe moderne, veçanërisht me grekët e ishullit Eubea e të Peloponezit. Themeluesit e qytetërimit minoik, pra, duket se. janë pasardhësit e bujqve të parë indoeuropianë të neolitikut, të cilët mbërritën në Kretë gjatë migrimit përmes Anatolisë e më pas u përhapën në tërë Europën.

  • Hughey, J. R. et al. A European population in Minoan Bronze Age Crete.Nat. Commun. 4:1861 doi: 10.1038/ncomms2871 (2013).

© Rinstinkt 2013

————————————————————————

Reklama

Frymëshkëmbimi qelizor aerobik

Frymëshkëmbimi qelizor aerobik – Glikoliza, Formimi i Acetil CoA, Cikli i Krebsit, Transporti i elektroneve dhe kemiosmoza

Reaksionet kimike të frymëshkëmbimit aerobik të glukozit grupohen në katër stade. Tek eukariotët, faza e parë (Glikoliza) ndodh në citozol, dhe stadet e tjera ndodhin në brendësi të mitokondrive.

Në një pjesë të mirë të baktereve dhe archea-ve këto reaksione kryhen në citozol në bashkëveprim me membranën qelizore, në mungesë të organeleve si mitokondritë.

1-Glikoliza

Gjatë glikolizës, një molekulë glukozi me gjashtë atome karboni kthehet në dy molekula me nga tre atome karboni secila, të njohura si molekula piruvati. Një pjesë e energjisë së glukozit kapet në formën e dy lloj transportuesëve, ATP-së dhe NADH-së. ATP-ja e transferon energjinë duke transferuar një grup fosfat. NADH-ja është një molekulë e reduktuar e cila e transferonë energjinë duke transferuar elektrone si pjesë e një atomi hidrogjen.

2-Formimi i acetil koenzimës A

Çdo molekulë piruvati hyn në mitokondri dhe oksidohet në një grup dy-karbonësh (acetat) aë kombinohet me koenzimën A, duke formuar acetil koenzimën A (Acetil CoA). Gjatë këtij stadi prodhohet NADH, dhe lëshohet dioksid karboni si produkt mbetje.

3-Cikli i acidit citrik

Grupi acetat i acetil koenzimës A (Acetil CoA) kombinohet me një molekulë me katër atome karboni (oksalacetati-n) për të formuar një molekulë me gjashtë atome karboni (citrati-n). gjatë ciklit, citrati riciklohet në oksalacetat, dhe dioksidi i karbonit lirohet si produkt mbetje, i panevojshëm. Energjia kapet në formën e ATP-së dhe të përbërjeve të reduktuara me përmbajtje të lartë energjie NADH-së dhe FADH2-shit.

4-Transporti i elektroneve dhe kemiosmoza

 Elektronet e hequr (shkëputur) nga molelula e glukozës gjatë stadeve të mëparshëm, transferohen nga NADH-ja dhe FADH2-shi derjt një vargu përbërjesh akseptore të elektrone ve. Ndërsa elektronet kalojnë nga një ekseptor tek tjetri një pjesë e energjisë së tyre shfrytëzohet për të transportuar jone hidrogjen (protone) nëpërmjet membranës së brendshme miitokondriale, duke formuar kështu një gradient protonesh (protonik). Gjatë procesit të njohur si kemiosmozë, energjia e gradientit të protoneve përdoret për të prodhuar ATP.

 

Pjesa më e madhe e reaksioneve tëë përfshira në frymëshkëmbimin qelizor aerobik janë të një prej tre llojeve: dehidrogjenime, dekarboksilime, dhe ato të cilat futen tek reaksionet përgatitore.

Reaksionet e dehidrogjenimit janë reaksione në të cilat nga substrati largohen dy atome hidrogjeni dhe transferohen  tek NAD+ apo FAD.

Reaksionet e dekarboksilimit janë reaksione në të cilat një pjesë e grupit karboksilik largohet nga molekula substrat në formën e dioksidit të karbonit. Dioksidi i karbonit që nxjerrim në çdo frymënxjerrje vjen nga reaksionet e dekarboksilimit të ndodhin në qelizat tona.

Pjesa tjetër e reaksioneve janë reaksione pregatitore në të cilat molekulat u nënshtrohen riorganizmeve dhe ndryshimeve të tjera në mënyrë të tillë që të mund t’u nënshtrohen dehidrogjenimeve dhe dekarboksilimeve të tjera.

© Rinstinkt 2013

—————————————

Histori e shkurtër e Eukariotëve

Histori e shkurtër e Eukariotëve

Prova nga paleontologjia tregojnë se qelizat e para eukariote u shfaqën në Tokë rreth 2 miliardë vite më parë. Disa qeliza të fosilizuara, që duken si alga të kohëve moderne apo protozoarë, janë gjetur në sedimente rreshpore në Kinë, Rusi dhe Australi dhe datojnë nga 850 milion në 950 milion vite më parë.

Biologët kanë zbuluar prova bindëse që sugjerojnë se qelizat eukariote kanë evoluar nga organizma prokariotë me anë të një simbioze brendaqelizore. Qelizat e para eukariote ishin rezultati i takimit të sy qelizave prokariote që shkrihen me njëra-tjetrën. Kjo ngjarje mund të ketë ndodhur kur një qelizë prokariote më e madhe ka gëlltitur një qelizë prokariote më të vogël duke e mbajtur atë të gjallë, pra duke mos e vrarë. Pas miliona vitesh, ky kombinim evoluoi në një partneritet që u sillte të mira të dyja njësive. Disa nga qelizat e vogla prokariote ngecën brenda këtyre qelizave në evoluim e sipër dh eu shndërruan në organele qelizore, karakteristikë e qelizave eukariote. Shembulli klasik është ai i mitokondrive.

Ndoshta, eukariotët e parë primitivë ishin mikroorganizma njëqelizorë, që me kalimin e kohës filluan të jetonin në grupime të përhershme duke formuar koloni. Me evoluimin e mëtejshëm disa nga këto qeliza u specializuan, duke u përshtatur për të kryer një funksion të veçantë që sillte avantazhe për të tërë koloninë, si lokomocioni, ushqyerja apo riprodhimi. Organizmat shumëqelizorë kompleks evoluan  kur qelizat e kolonisë e humbën aftësinë për të jetuar të veçuara nga njëra-tjetra, pra mënjanë kolonisë. Edhe pse një organizëm shumëqelizor është i përbërë nga shumë qeliza, ai nuk është thjesht një grumbull qelizash si ato të kolonisë.  Në të kundërt, përbëhet nga grupime të ndryshme qelizore, që nuk mund të jetojnë të pavaruara nga pjesa e mbetur e organizmit. Grupimet qelizore në organizmat shumëqelizorë që kanë funksione specifike quhen inde, dhe grupet e indeve formojnë organet.

Organele qelizore: Mitokondritë

Mitokondritë janë sistemet energji-prodhuese të qelizës, ku nëpërmejt fosforilimit oksidativ formohen molekula të ATP-së. Mitokondritë janë të rrethuara nga një membranë e jashtme dhe nga një membranë e brendshme;kjo e fundit organizohet në disa palosje apo përthyerje karakteristike.
Midis dy membranave ekziston një hapësirë karakteristike, ku gjenden disa molekula dhe enzima me rëndësi të veçantë për jetesën qelizore.
Hapësira e brendshme e mitokondrive është e ndarë në disa kompartimente apo reparte. Brenda mitokondrive ka enzima, koenezima, ujë, fosfate dhe molekula të tjera që janë të nevojshme për frymëmarrjen qelizore.
Mendohet se origjina evolutive e mitokondrive vjen nga disa baktere të lashta të cilat duke infektuar vazhdimisht entitet e para protoqelizore u shkrinë me këto, duke u kthyer në organele brendaqelizore. Aktualisht mendohet se këto baktere antikë ishin mjaftë të ngjashme me bakteret që sot futen tek Ricketsia.