Kontrolli mikrobik në kohët e lashta

Kontrolli mikrobik në kohët e lashta

Asnjë nuk e di me siguri se kur filluan njerëzit që të aplikonin metoda për kontrollin e mikroorganizmave, por ndoshta zbulimi dhe përdorimi i zjarrit në kohët prehistorike ishte pika e fillimit.

Tani, jemi në dijeni të të dhënave që përshkruajnë metoda të thjeshta të kontrollit të sëmundjeve të ushtruara nga qytetërime (civilizime) që kanë jetuar disa mijëra vite më parë. Dimë gjithashtu se njerëzit e lashtë nuk kishin as idenë më minimale rreth mikrobeve që shkaktonin sëmundje, por kishin një sërë besimesh; kishin aftësi në vëzhgimin e fenomeneve natyrore dhe ndonjëherë edhe pak fat. Ky kombinim bëri që njerëzit e lashtë të krijonin metoda të thjeshta dhe shpesh të rrezikshme që dhanë ndihmesën e tyre në kontrollin e mikroorganizmave.

Ilustrim i veshjes mbrojtëse të përdorur nga doktorët e 1700-ës për të shmangur ekspozimin ndaj viktimave të murtajës. Pjesa sqep-ngjashme e kapuçit përmbante parfume për të dhënë njëfarë mbrojtjeje nga erërat e kqija dhe nga thithja e “ajrit të keq”.

Kriposja, tymosja, regjia në uthull, tharja e ushqimeve dhe ekspozimi i tyre dhe i veshjeve ndaj dritës së diellt ishin praktika mjaft të përhapura në kohët e lashta.

Egjiptianët tregojnë një sofistikim të veçantë dhe të kuptuar të dekompozimit (prishjes), saqë arritën të krijonin metoda si balsamimi apo mumifikimi i trupave. Egjiptianët kryenin edhe filtrimin e veës dhe ujit.

Grekët e lashtë dhe Romakët, digjnin veshjet dhe trupat gjatë epidemive, dhe ujin e mbanin në enë bakri apo argjendi.

Ushtria e Aleksandrit të Madh zjente ujin që pinte dhe digjnin mbetjet. Djegia e squfurit për të tymosur shtëpitë dhe lyerja e trupit me squfur datojnë, edhe këto, në këtë periudhë.

Gjatë epidemisë së madhe të Murtajës në Mesjetë, ishte e zakonshme djegia e trupave në gropa masive, djegia e veshjeve të viktimave të murtajës dhe ndezja e drurëve aromatikë në shtëpitë e të sëmurëve me besimin se  tymrat do të luftonin sëmundjen.

Në kërkimin e dëshpëruar për njëfarësoj mbrojtjeje, të mbijetuarit vishnin roba të veçanta dhe i lyenin trupat e tyre me barëra, parfume dhe uthull.

Këto përpjekje duken arkaike (të lashtuara), por sot duket se ndonjë efekt e kanë patur. Djegia e drurëve lëshon formaldeid i cili mund të ketë vepruar si disinfektant; barërat, parfumet dhe uthulla përmbajnë substanca antimikrobike. Pra çdonjëra nga këto metoda të hershme, edhe pse të papërpunuara, shpuri në ndërtimin e themeleve të kontrollit mikrobik që ekziston (edhe) sot.

© Rinstinkt, 2012

—————————————————————————————-

Pesë llojet kryesore të mikroorganizmave.

Pesë llojet kryesore të mikroorganizmave

 

Bakteret: Mycobacterium tuberculosis, një bakter në formë cilindri (bacil). Zmadhuar 15,500 herë. (Mikobakteri është agjenti etiologjik i tuberkulozit.)

Mycobacterium tuberculosis

Kërpudhat: Thamnidium, një kërpudhë filamentoze. Zmadhuar 400 herë. (Kërpudha nuk kanë quahen vetëm ato me formë çadre!)

Thamnidium

Algat: Spirogyra (filamenti), Diatometë (qelizat e arta). Zmadhuar 500 herë. (Algat janë edhe mikroskopike.)

Spirogyra dhe Diatome

Viruset: Herpes simplex (shkaktar i herpesit apo ulçerës së ftohtë). Zmadhuar 100,000 herë. (Ky “entitet” kaq i vogël është në gjendje të sjellë probleme të konsiderueshme, sidomos kur mbrojtjet tona imunitare janë të dobëta.)

Herpes simplex

Protozoarë: një çift Vorticella-sh. Zmadhuar 500 herë.

Vorticella

————————————————————————————–

Mikrobiologji: Bacillus anthracis dhe sëmundja e Plasjes

Bacillus anthracis

Morfologjia mikroskopike

Bacil i gjerë, gram-pozitiv, shpesh i pranishëm në vargje të gjatë. Qelizat  kanë formë blloku me endospore që zhvillohen në qendër të qelizës bakterore.

Bacillus anthracis – morfologji e Bacillus anthracisit, mikrobit të plasjes

Identifikimi i Bacillus anthracis

Me anë të reaksionit të Gramit dhe formimit të endosporeve. Bacillus-i është aerobik, ndërsa Clostridium-i është një anaerob strikt. Për të dalluar (diferencuar) Bacillus anthracis-in nga anëtarët e tjerë të gjinisë përdoren teste biokimike dhe fiziologjike.

Habitati i Bacillus anthracis

Si forma vegjetative ashtu edhe formimi i endosporeve ndodhin në dhe. Sporet mund të përhapen në ujë, në bimë dhe në trupat e kafshëve. Pjesa më e madhe e infeksioneve njerëzore ndodhin në punëtorë që merren me qimet e kafshëve apo produkteve që vijnë prej tyre.

Faktorët e virulencës

Qelizat janë të mbuluara nga një kapsulë e trashë që inhibon fagocitëzën. Bacillus anthracis, gjithashtu, prodhon ekzotoksina që shkaktojnë vdekjen e makrofagëve. Në makrofagun që është duke vdekur, lizozomet lëshojnë përmbajtjen e tyre duke shpënë në trombozën e kapilarëve, shok kardiovaskular dhe vdekje të shpejtë.

Infeksionet kryesore/Sëmundja

Plasja e lëkurës (antraksi i lëkurës) është forma më e pëhapur dhe më pak e rrezikshme e infektimit dhe realizohet kur sporet e Bacillus anthracis-it futen në lëkurën e dëmtuar. Rritja e bakterit vihet re si një puçrrizë (papulë) nekrotike. Pa trajtim mjekësor vdekshmëria mund të arrijë deri në 20%.

Antraksi mushkëror mund të ndodh kur, një numër relativisht i vogël (8,000 – 50,000) sporash, thithet dhe rritet në mushkëri. Trajtimi antibiotik duhet të filloj përpara se të arrihet përqëndrimi kritik i toksinës (helmit); përndryshe vdekshmëria mund të kalojë në mbi 99%.

Antraksi gastrointestinal ndodh kur sporet gëlltiten. Zakonisht ndjek një simptomatologji e ngjashme me atë mushkërore.

Kontrolli dhe trajtimi i sëmundjes së Plasjes

Për plasjen (antraksin) ekziston një vaksinë, që përdoret nga personeli ushtarat dhe nga ata që kanë profesione me risk të lartë për tu prekur nga antraksi. Vaksina ka mjaft efekte anësore.

 

©Rinstinkt, 2012, mbi tekstin

————————————————————————————————–

Pamje klinike e lebrës lebromatoze

Pamje klinike e lebrës lebromatoze; infektimi i hundës, buzëve dhe harkut të vetullave prodhon deformime të moderuara të fytyrës, tipike të lebrës.

Pamje klinike e lebrës lebromatoze; infektimi i hundës, buzëve dhe harkut të vetullave prodhon deformime të moderuara të fytyrës, tipike të lebrës.

Mikrobiologji: Mycobacterium leprae dhe Gërbula (lebra)

Mycobacterium leprae

 

Morfologjia mikroskopike

Shkopinj acidorezistentë.

Identifikimi

Është i rrallë duke qenë se izolimi laboratorik i Mycobacterium leprae-s është i vështirë që të kryhet. Sëmundja e Hansen-it (Leproza apo Gërbula) diagnostikohet nëpërmjet kombinimit të ekzaminimit mikroskopik të dëmtimeve, të historisë së pacientit dhe simptomatologjisë,  veçanërisht humbjes së ndjeshmërisë së lëkurës.

Habitati

Rezervuarët kryesorë të Mycobacterium leprae-s janë njeriu dhe armadilot, por transmetimi nga armadilot tek njerëzit nuk është treguar asnjëherë.

Faktorët e virulencës

Mycobacterium leprae nuk është shumë virulent. Që të kryhet infektimi duhet të ketë disa faktorë ndihmës si defekte në rregullimin e qelizave T, shëndet i përgjjithshëm i dobët, ushqyerja jo e duhur dhe mbajtje kontakti të gjatë me individë leprotikë.

Infeksionet kryesore/Sëmundja

Shumica e njerëzve që ekspozohen ndaj Mycobacterium leprae-s nuk zhvillojnë sëmundje. Tek ata që e zhvillojnë, sëmundja shfaqet pas një periudhe inkubacioni prej disa vitesh e ndjekur nga shenjat e para të lebrosjes, dëmtime të vogla me pika që shfaqen në trung ose në ekstremitete. Lebrosja lebromatoze është forma më e rëndë e sëmundjes së shkaktuar nga Mycobacterium leprae. Kjo formë shkakton deformime të indeve të trupit, kryesisht në lëkurë dhe sipërfaqet mukoze.

Kontrolli dhe trajtimi

Kontrolli i Mycobacterium leprae-s bazohet në kapjen e hershme të individëve të infektuar, kemioprofilaksinë e individëve të shëndetshëm që qëndrojnë në kontakt me lebrosët dhe izolimin e pacientëve me lebër (gërbulë). Terapia kryhet me shumë drogëra njëkohësisht duke qenë se shfaqen gjithnjë e më shumë trajta rezistente të bakterit. Terapia është më e efektshme nëse fillohet përpara se bakteri të ketë dëmtuar nervat  apo indet e tjerë.

© Rinstinkt, 2012, mbi tekstin

—————————————————————————————-