Detektimi i hershëm i kancerit (1): Pap Testi

Detektimi i hershëm i kancerit (1): Pap Testi

Testi i Papanikolaut dhe kanceri i qafës së mitrës

Kanceri… le ta përkufizojmë këtë si një entitet biologjik, si një qelizë e mëpastaj një grup qelizash që rriten pa ndonjë kontroll mbi ciklin qelizor.

Kanceri në rastet më të mira rezulton në rritjen e një mase qelizore të kufizuar, pra të ashtuquajturit tumore beninj. Ndonjëherë tjetër këto qeliza pa kontroll mbi ciklin e vet qelizor mund edhe të përftojnë karakteristika si invaziviteti apo metastazizimi, e në këto raste flitet substancialisht për tumore malinj apo kancere.

Kur kanceri, pra tumori malinj, kapet në fazat e hershme të zhvillimit të vet, pra përpara se të migrojë nëpër rajone të tjera të trupit, masat kurative priren të jenë relativisht më të larta krahasuar me rastet kur kanceri kapet në fazë të vonë.

testi i Papanikolaut - Në të majtë një Pap Test normal, ku shihen qeliza relativisht uniforme në masë dhe formë, me bërthama sferike normale. Në të djathtë një Pap Test jo-normal, me qeliza që shfaqin një ndryshueshmëri të lartë në madhësi dhe në formë, me bërthama relativisht të zmadhuara në krahasim me përmasën e vet qelizave.

Testi i Papanikolaut – Në të majtë një Pap Test normal, ku shihen qeliza relativisht uniforme në masë dhe formë, me bërthama sferike normale. Në të djathtë një Pap Test jo-normal, me qeliza që shfaqin një ndryshueshmëri të lartë në madhësi dhe në formë, me bërthama relativisht të zmadhuara në krahasim me përmasën e vet qelizave.

Kështu, mbi këto të dhëna, prej kohësh janë bërë e bëhen akoma tentativa për gjetjen e teknikave të hetimit (screening-ut) të cilat mund ta detektojnë kancerin në një stad të hershëm.

Një nga këto teknika apo procedura hetimi të popullatës (screening) është Pap Testi, që përdoret për detektimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Pap Testi u zhvillua në fillim-vitet 1930-të nga George Papanicolau, nga i cili ka marrë edhe emrin.

Arsyeja logjike që qëndron pas kësaj procedure, për të cilën do të them diçka më poshtë, është se pamja mikroskopike e qelizave kanceroze është mjaft e ndryshme nga ajo e qelizave normale e kështu mund të realizohet përdallimi mes këtyre dy “tipologjive” fenotipike.

Kështu nëpërmjet Pap Testit, pra vetëm falë ekzaminimit të një numri të vogël qelizash, mund të bëjmë një diagnozë kanceri.

Pap testi realizohet duke marrë disa mostra nga sekrecionet vagjinale të femrës dhe ekzaminimi i tyre nën mikroskop.

Nëse qelizat e vëzhguara nën mikroskop shfaqin karakteristika të pazakonta – si për shembull bërthama të mëdha dhe të çrregullta apo ndryshueshmëri të theksuar në përmasat dhe format qelizore – kjo është një shenjë se kanceri mund të jetë i pranishëm, dhe lind nevoja për kryerjen e testimeve të mëtejshme, për ta konfirmuar apo refuzuar këtë përfundim apo më mirë të themi tezë paraprake.

Meqnënse Pap testi mundëson detektimin e kancerit të qafës së mitrës në stadet e veta më të hershëm, kjo procedurë edhe pse mjaft e thjeshtë, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së shumë pacienteve.

[]

 

[Nëse postimi të pëlqeu, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————–

Fëmijët e Hënës – Individët me xeroderma pigmentosum

Fëmijët e Hënës – Individët me xeroderma pigmentosum

Sëmundja xeroderma pigmentosum

Për herë të parë lidhja mes riparimit jo të saktë të ADN-së dhe predispozitës ndaj kancerit u vu re në një sëmundje të rrallë të trashëgueshme të quajtur xeroderma pigmentosum. Individët që trashëgojnë këtë gjendje janë aq shumë të ndjeshëm ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit (radiacionit ultravjollcë) saqë ekspozimi për pak minuta ndaj dritës së diellit është i mjaftë për të shkaktuar djegie të rënda të lëkurës dhe kancer të lëkurës.

Duke qenë se këta individë (me xeroderma pigmentosum) janë të sigurt nga rrezet e diellit, për ta të dëmshme, vetëm gjatë natës – pra mund të dalin vetëm natën – ata janë quajtur edhe “fëmijët e hënës”. Për këta fëmijë (individë) aktivitetet argëtuese fillojnë në orare të ndryshme nga ato të fëmijëve të tjerë. Aktiviteti i fëmijëve me xeroderma pigmentosum fillon në perëndim dhe zhvillohet gjatë natës. Shkencëtarë të NASA-s kanë zhvilluar dhe dizenjuar një kostum (hapsinor) special që u siguron mjaftueshëm mbrojtje nga rrezet e diellit fëmijëve me xeroderma pigmentosum në mënyrë që të mund të luajnë jashtë edhe gjatë ditës.

Shkencëtarë të NASA-s kanë zhvilluar dhe dizenjuar një kostum (hapsinor) special që u siguron mjaftueshëm mbrojtje nga rrezet e diellit fëmijëve me xeroderma pigmentosum në mënyrë që të mund të luajnë jashtë edhe gjatë ditës.

Ndjeshmëria apo predispozita ndaj kancerit të lëkurës, që është vula (apo shenja) e xeroderma pigmentosum-it, mund të lidhet me defekte të trashëguara në riparimin e ADN-së.

Dihet se rrezatimi ultravjollcë mund të shkaktojë dëme tek molekulat e ADN-së duke lehtësuar formimin e dimerëve të pirimidinës – që do të thotë formimi i lidhjeve kovalente mes bazave pirimidike që gjenden afër njëra-tjetrës. Nëse nuk riparohen, këto mutacione mund të shpien në zhvillimin e kancerit. Një mënyrë për të riparuar dëmtimin – pra dimerët e pirimidinave – është nëpërmjet  excision repair-it, një proces riparimi i ADN-së që përdor një sërë enzimash për të prerë rajonin e dëmtuar dhe për ta mbushur boshllëkun me sekuencën korrekte të nukleotideve.

Në fundvitet 1960, u raportua se qelizat nga shumica e individëve me xeroderma pigmentosum  ishin të paafta për të kryer excision repair–in (riparimin me anë të largimit). Si pasojë, akumuloheshin mutacione të vazhdueshme të ADN-së duke rezultuar më pas në lindjen e kancerit.

Defektet  e trashëguara nga fëmijët me xeroderma pigmentosum në riparimin e ADN-së shpien në probabilitete për shfaqjen e kancerit deri 2000 herë më të larta se normalisht. Individët e prekur e zhvillojnë kancerin mesatarisht në moshën 8 vjeçare. Mosha mesatare e zhvillimit të kancerit të lëkurës tek individët normal është 60 vjeç.

Përtej impaktit më të lartë të kancerit të lëkurës, defektet në riparimin e ADN-së tek fëmijët me xeroderma pigmentosum shkaktojnë një rritje deri në 20 herë të riskut për leuçemi dhe kancere të trurit, të mushkërive të gjirit, mitrës dhe testikujve (testeve).

 

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————-