Infertiliteti (jopjelloria) në çift

Infertiliteti / jopjelloria në çift

Jopjelloria përkufizohet nga O.B.SH. si një sëmundje. Përgjithësisht raportet seksuale të pambrojtura në çift shpienë në ngjizje në 50% të rasteve brenda 3 muajve, në 75% të rasteve brenda 6 muajve dhe në 90% të rasteve brenda 1 viti. Pra brenda vitit të parë pjesa më e madhe e çifteve janë në gjendje që të mbeten shtatëzanë.

Për të optimizuar mundësinë për një shtatëzani çiftet duhet që të kryejnë raporte seksuale të shpeshta në ditët që i paraprijnë lëshimit të vezës/ovulit, pra ovulacionit apo ovulimit. Zakonisht ovulimi ndodh në mes të ciklit menstrual, pra në mes të periudhës që ka si fillim ditën e parë të ciklit aktual dhe ditën e parë të ciklit vijues.

Jopjelloria nuk është vetëm një problematikë femërore, por prek edhe meshkujt.

Infertiliteti/jopjelloria mund të shkaktohet nga probleme me spermën (rreth 30-35% e rasteve), probleme me ovulimin (20% e rasteve), probleme me tibat e Fallopit dhe me anomali të pelvisit (30%), probleme me mukusin e qafës së mitrës (rreth 5%), apo me faktorë të tjerë të pa identifikuar (10%).

Konsumi i lartë i kafeinës apo i duhanit ndikon negativisht tek fertiliteti/pjelloria; pra nuk këshillohet të konsumohen.

Diagnoza e jopjellorisë/infertilitetit kërkon një vlerësim të plotë të të dy partnerëve; ky vlerësim ka kuptim të bëhet vetëm pas një viti provash për të rënë shtatëzanë.
Vlerësimi (apo vizita nga mjeku) mund dhe duhet të bëhet më parë në rast se: 1. femra ka më shumë se 35 vjeç, 2. femra ka një cikël menstrual pak të shpeshtë (më pak se nëntë gjatë vitit), 3. femra paraqet anomali të mitrës, të tubave të Fallopit apo të vezoreve, 4. apo kur mjekët kanë identifikuar apo kur dyshohen probleme në spermën e mashkullit.

Duhet theksuar se mosha është një faktor i rëndësishëm sidomos për femrën, sepse me kalimin e moshës shtatëzania bëhet më e vështirë dhe rreziku për ndërlikime rritet. Për më tepër sa më e lartë mosha e femrës aq më pak kohë kihet në dispozicion për të zgjidhur probleme jopjellorie përpara menopauzës.

Trajtimi i infertilitetit/jopjellorisë
Pasi gjendet shkaku, trajtohet shkaku. Ndonjëherë janë të nevojshme ilaçet, herë të tjera janë të nevojshme teknikat e fertilizimit të asistuar. Rëndësi kanë edhe masat e ndërmarra për të zvogëluar stresin.

Ndër ilaçet e përdorura tek femra janë ilaçet për stimulimin e maturimit dhe të lëshimit të vezëve, të ashtuquajturit ilaçe të pjellorisë, si për shembull Klomifeni, Letrozoli dhe gonadotropinat njerëzore.

Fekondimi in vitro

Tek teknikat e fertilizimit të asistuar bëjnë pjesë inseminimi intra-uterin (brenda mitrës) në të cilin paraprakisht tek mahskulli seleksionohen vetëm spermatozoidet më aktive që mëpastaj futen drejtëpërdrejtë në mitrën e femrës.

Fekondimi in vitro, parashikon stimulimin e vezoreve, marrjen e vezëve të pjekura, fekondimin me spermën në kulturë (in vitro), rritjen e embrioneve në kulturë dhe mëpastaj implantin/mbjelljen e një apo më shumë embrionëve në mitrën e femrës.

Nëse nuk arrihet në një gjendje shtatëzanie pas 3 vitesh tentativash apo pas 2 vitesh trajtimit për infertilitetin/jopjellorinë, mundësitë për shtatëzani janë tepër të pakëta.

© Rinstinkt Blog

Metoda e Ovulimit Billings

Metoda e Ovulimit Billings

Shenjat e pjellorisë tek femra

Pjelloria e një femre varet nga procesi i ovulimit dhe zgjat derisa veza qëndron në jetë.
Shenja më e rëndësishme/kryesore e pjellorisë, që shfaqet pikërisht gjatë ditëve të ovulimit, është prania e mukusit, elastik, transparent, fluid, si ujë (i ngjashëm me të bardhën e vezës, albuminës).
Ky lloj mukusi tregon se një femër po ovulon, pra është pjellore.

Mukusi i qafës së mitrës

  • Rregullon pjellorinë, duke lejuar apo mohuar kalimin e spermatozoidëve nga vagina për në mitër.
  • Bllokon spermatozoidët që nuk janë të aftë për pllenim; pra kryen njëfarë seleksionimi të spermatozoidëve më të lëvizshëm/fuqishëm.
  • Në periudhën pjellore lehtëson kalimin e spermatozoidëve dhe i mban ata të gjallë e të lëvizshëm. (Spermatozoidët e ngecur në qafën e mitrës, mund të mbijetojnë nga 3-5 ditë, të ushqyer nga mukusi.)

Metoda Billings

Metoda e Billings-it është një nga metodat natyrore të rregullimit të pjellorisë së femrës dhe më tej të çiftit me ndihëm e partnerit. Metoda e Billings-it bazohet mbi ovulimin, dhe emërtohet edhe me siglën BOM (Billings Ovulation Method). Metoda aplikohet duke monitoruar pjellorinë, me identifikimin e ditëve pjellore dhe ditëve jopjellore gjate çdo cikli menstrual pavarësisht nëse ky i fundit është i rregullt ose jo.

Kjo metodë e kontrollit të natyrshëm të pjellorisë ka një efikasitet apo efektshmëri të ngjashme me atë të përdorimit të pilulës estro-progestinike. Me një IP prej 0,07-0,5.

Metoda e Billings-it bazohet mbi perceptimin e një ndjenje lubrifikimi, njomjeje, lagështie, të vulvës në afërsi të ovulimit – procesit fiziologjik të lëshimit të një veze nga vezotet e femrës.
Pikërisht gjatë ditëve në afërsi të ovulimit femra ka në vaginë një ndjesi lagështie/njomësie që shkaktohet nga përbërja e veçantë që ka mukusi i qafës së mitrës gjatë kytëre ditëve.

Zakonisht mukusi i qafës së mitrës është i dendur, duke luajtur roolin e një tape që ka si funksion kryesor atë të “izolimit” të zgavrës së mitrës nga vagina. Vagina vetë ka një florë bakterore rezidente, që mukusi i qafës së mitrës nuk e lejon të kalojë sipër.

Disa ditë para se të ndodh ovulimi – lëshimi nga vezorja i një qelize vezë – mukusi fillon e hollohet, duke marrë një konsistencë ujore, më të rrjedhshme, më fluid, e duke shkaktuar kësisoj ndjesinë e të lagurit. Dita e fundit në të cilën kihet ndjenja e lagështisë, merr emrin “dita e pikut”, dhe i përket momentit të pjellorisë maksimale të femrës. Deri sa ndjenja e të lagurit vazhdon, piku nuk ka mbërritur akoma. Dita e pikut dallohet a posteriori, një ditë më pas, kur mukusi që zbret nga qafa e mitrës fillon e bëhet më konsistent, pra më pak i rrjedhshëm, fluid, e më pak i njomë.

Ovulimi ndodh zakonisht një ditë pas ditës së pikut. Gjithsesi ovulimi mund të verifikohet në një interval, tre ditë para e dy ditë pas ditës së pikut. Dita e pikut i referohet ditës kur mukusi ka patur rrjedhshmërinë më të madhe.

Pra,  periudha potenciale e pjellorisë shkon nga fillimi i ndjesisë së të lagurit e deri në tre ditë pas ditës së pikut. Në këtë periudhë kohore mund të kërkohet/realizohet shtatëzania.

 Regjistrimi i një cikli

Gruaja është në gjendje që nëpërmjet vëzhgimit të mukusit; vëzhgimit të mënyrës se si ai ndryshon, dhe regjistrimit të tij, të njohë ditë pas dite në cilën fazë të ciklit menstrual gjendet. Informacionet e përftuara kësisoj mbi pjellorinë e vet, femra mund t’i shfrytëzojë për të arritur një shtatëzani (ose për të mos e patur atë) gjatë ciklit menstrual të rregullt ose jo të rregullt, gjatë ushqimit me qumësht gjiri, e gjatë perimenopauzës.

Lexo dhe: * Sistemi riprodhues femëror  * Cikli menstrual

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

———————————————————————————————————–