Simon Baron-Cohen; Diferenca neuroanatomike mes trurit mashkullor dhe trurit femëror

Diferenca neuroanatomike mes trurit mashkullor dhe trurit femëror

[…]

Përpara së gjithash unë fillova duke parë neuroanatominë, për të parë se çfarë po na thotë neuroshkenca rreth trurit të mashkullit dhe femrës. Nëse merrni grupe vajzash dhe grupe djemsh dhe, për shembull, i vendosni ata në skanera Rezonance Magnetike (MRI) për të parë trurin, ju do të shikoni diferenca në mesatare. Merrni idenë se sekset janë identike nga qafa e sipër, edhe pse ata janë shumë qartësisht të ndryshëm nga qafa e poshtë: neuroshkenca po na thotë se kjo ide është veçse një mit, se aty ka diferenca, qoftë edhe në terma të vëllimit trunor dhe numrit të lidhjeve mes qelizave nervore në tru, në strukturën e trurit, mesatarisht, mes meshkujve dhe femrave.

E them këtë me kujdes sepse është ende një fushë që është e prirur për keqkuptime dhe keqinterpretime, por thjeshtë po u jap disa shembuj të gjetjeve që kanë dalë prej fushës së neuroshkencës në diferencat mes dy sekseve; gjendet se truri i mashkullit, mesatarisht, është rreth tetë (8) përqind më i gjerë se truri i femrës. Po flasim për një diferencë volumetrike (në vëllim). Nuk do me thënë medoemos ndonjëgjë, por është thjeshtë një fakt që gjendet në mënyrë konsistente. E gjejmë këtë diferencë që prej pikës më të hershme kur foshnjet mund të vendosen nën skaner, kështu që disa prej studimeve janë në fëmijë të moshës dy javëshe.

Gjendet gjithashtu se nëse shikojmë në indin post-mortem (pas vdekjes), duke parë trurin njerëzor në terma të indit post-mortem, gjejmë se truri mashkullor ka më shumë lidhje, më shumë sinapse mes qelizave nervore. Është rreth një tridhjetë (30) përqind diferencë mesatarisht mes mashkullit dhe femrës. Këto diferenca janë atje.

Diferenca e dytë më e madhe mes meshkujve dhe femrate ka të bëjë me sa shumë materie/substancë gri dhe materie/substancë të bardhë ne shikojmë tek truri: se meshkujt kanë më shumë substancë/materie gri dhe më shumë substancë/materie të bardhë sesa ka truri i femrave, mesatarisht duke folur. Substanca e bardhë, për të qenë konçizë, ka kryesisht të bëjë me lidhjet mes pjesëve të ndryshme të trurit. Substanca gri ka të bëjë më shumë me trupat qelizorë (trupat e neuroneve) në tru. Por, këto difereca ekzistojnë. Pastaj, kur sondojmë/hetojmë pak më tej, gjejmë se aty ka diferenca mes trurit mashkullor dhe trurit femëror në lobe të ndryshme, në lobin frontal (ballor), në lobin temporal, në terma të sa shumë substancë/materie gri dhe të bardhë ka aty.

Mund gjithashtu të disektojmë trurin për të parë në rajone specifike. Disa prej jush mund të kenë dëgjuar për rajone si amigdala, të cilën njerëzit e mendojnë si një lloj qendre të emocioneve, që priret të jetë më e gjerë në turin mashkullor sesa në atë femëror, sërisht, në mesatare (mesatarisht, kur konsiderohen grupe femrash dhe meshkujsh në agregat). Është edhe një rajon tjetër që shfaq një motiv/model të kundërt, më i gjerë tek femrat sesa tek meshkujt: planum-i temporal, një zonë e përfshirë në gjuhë (të folur). Këto diferenca strukturore ekzistojnë, dhe unë fillova t’i shikoja këto diferenca në terma të neuroanatomisë, sepse mendova se të paktën këto janë diferenca që janë të rrënjosura në biologji, dhe aty mund të ketë më pak horizont për mosmarrëveshje rreth këtyre diferencave qëndrore/themelore.

Teoria e Empatizimit-Sistematizimit formuluar nga Simon Baron-Cohen

Fola pakëz për neuroanatominë, por në terma të psikologjisë, gjithashtu ka edhe aty diferenca mes sekseve që janë raportuar. Në mesatare, femrat e zhvillojnë empatinë në një ritëm më të shpejtë sesa meshkujt. Unë vazhdoj të përdor fjalën “në mesatare” sepse asnjë nga këto gjetje nuk i aplikohet të gjitha femrave apo të gjithë meshkujve. Ne thjeshtë i shikojmë këto diferenca të shfaqen kur krahasojmë grupe meshkujsh dhe grupe femrash. Empatia duket se zhvillohet më shpejtë tek vajzat, dhe në kontrast, tek djemtë duket se ka një shtysë më të fortë për të sistematizuar. Unë përdor fjalën “sistematizuar/sistemizuar” që ka të bëjë me përpjekjen për të gjetur se si punojnë sistemet, të magjepsurit me sistemet. Dhe sistemet mund të marrin një varietet formash të ndryshme. Mund të jetë një sistem mekanik, si një kompjuer; mund të jetë një sistem natyror, si moti; mund të jetë një sistem abstrakt, si matematika; por djemtë duket se kanë një interes në informacionin sistematik. Unë po ballafaqoja këto dy procese psikologjike krejt të ndryshme, empatinë dhe sistematizimin. Dhe kjo është sa larg shokova, dhe kjo tanimë ishte 11 vite më para.

[…]

 

Burimi (shkëputur prej): TESTOSTERONE ON MY MIND AND IN MY BRAIN – A Conversation With Simon Baron-Cohen (Arkivuar)

Reklama

Tabula rasa

Tabula rasa

Për shkak të disa impenjimeve të jetës personale nuk kam mundur të trajtoj siç duhet disa tema pikante, të cilat përndryshe janë mjaft të rëndësishme, sipas pikëvështrimit tim.

Sibyl with Tabula Rasa - Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Sibyl with Tabula Rasa – Diego Velázquez (Credit: Wikipedia)

Një nga këto ka të bëjë me mënyrën e konceptimit të mendjes, nga shoqëria njerëzore në përgjithësi, e nga shoqëria shqiptare në veçanti meqë në vijim do të jap nja dy shembuj emblematikë që ilustrojnë këtë tentakulë obskurantiste që tenton gjithnjë e më shumë të zgjerojë fushën e vet të influencës.

Ekziston një nocion humanist i mendjes së njeriut, sikur kjo të ishte njëfarë faqe e bardhë ku mund të shkruhet, fshihet e rishkruhet ex novo gjithë përmbajtja e individit, pra sjellja e individit dhe entiteti individ në terma të kulturës dhe të mësimit (tabula rasa – latinisht).

Por çfarë thotë kjo tezë mbi mendjen njerëzore?

Sipas tezës së tabula rasa-s (parafrazim): qeniet njerëzore janë të ndryshme nga kafshët e tjera, në disa aspekte. Para së gjithash sepse kafshët e transmetojnë të gjithë informacionin mes tyre, apo një pjesë të mirë të informacionit, në mënyrë gjenetike, pra pa praninë e komunikimit simbolik; kështu komunikimi mes kafshëve është në pjesën më të madhe i lindur, gjenetik, ndryshe nga ai njerëzor i cili realizohet nëpërmjet çdo lloj komunikimi simbolik. Për më tepër që, njerëzit – thotë teza tabula rasa – janë të lirë nga çdo llojë ngërçi apo kufizimi natyror.

Kështu, më tej, njerëzit nuk janë asfare të ndikuar nga substrati fizik trunor, i cili trashëgohet në mënyrë gjenetike. Sipas tabula rasas dhe një pjese të mirë të të ashtuquajturve humanistë, përbmajtja e medjes së njeriut rezulton të jetë vetëm e vetëm (!) një produkt i proceseve kulturore apo historike, duke e anashkaluar tërësisht përbërësen fizike të mendjes, pra substratin fizik mbi të cilin kjo zhvillohet (sikundër hardware-i i një kompjuteri), tanimë të gjithënjohur.

Por përse lindi dhe u përhap një tezë e tillë?

Modeli i trumpetuar nga tabula rasa lindi gjatë ‘900-s, kryesisht, si një teori që i kundërvihej njëfarë mënyre të perceptimit të evolucionit; si një tentativë për të kundërshtuar evolucionizmin i cili perceptohej (gabimisht) si i drejtuar për tek H. sapiensi, me njëfarë determinizmi gjenetik kushtetues.

Për më tepër edhe në kundërshtim me konceptimin e shtrembëruar letraresk-filozofik të evolucionit në vitet ‘900, një evolucion jo-darvinian, jo kritik, jo shkencor. Evolucioni ishte i shrembëruar nga fryma letrare-filozifike, e vetëquajtur humaniste, por që në të vërtetë po tjetërsonte një dije të rëndësishme të njerëzimit, duke i dhënë këtij të fundit një tezë të errët, me pasoja obskurantiste, si tabula rasa, mbi të cilën gjatë historisë janë ngritur dhe vazhdojnë të qëndrojnë influente në disa vende, disa pseudoshkenca (të një pseudo-intelektualizmi të pashoq).

Kështu, evolucioni ishte ortogjenetik, apo thënë ndryshe bergsonian, e që përkiste në fund të fundit me mbijetesën e më të përshtatshmit, e kuptuar kjo mbietesë si një përmirësim i vazhdueshëm, i orientuar drejtë një shkalle gjithnjë e më të madhe ndërlikimi. (Në të vërtetë nuk është kështu. “Mbi të qenit Njeri”)

Natyrisht, asokohe kishte edhe nga ata që e njihnin mirë evolucionin dhe implikimet që ky kishte mbi perceptimin e fenomeneve të jetës, por duhet thënë se ishin të paktë, të pa-zë, përballë turmës së të vetquajturve intelektualë letrarë.

Tabula rasa përqafohet menjëherë nga shkencat sociale, nga antropologët shoqërorë dhe kulturorë; bëhet kështu një tezë që shërben si model standard për zhvillimin e këtyre.

Fatkeqësisht, përhapja e këtij modeli të rrejshëm të mendjes njerëzore, implikon ndër të tjera edhe një rezufim foshnjërak – pa mundësi dialogimi – të substratit fiziologjik, funksional, evolutiv të trurit e mëpastaj mendjes si rezultante e aktivitetit elektriko-kimik.

Tabula rasa është sot e diskredituar; përballë avancimeve të biologjisë evolutive, e ngritur mbi një lloj kërkimi shkencor darvinian. Biologjia evolutive zbulonte dhe evidentonte njëra pas tjetrës modele të evolucionit mbi Tokë; zbulonte dhe demarkonte kufijë gjithnjë e më të imtë mes asaj çka është kulturë e çka jo.

Tabula rasa, e lindur nga spekulimet letrare-filozofike të një lloj të caktuar mbi procesin evolutiv, u mbyll në vetvete, e papenetrueshme nga kritikat biologjike e shkencore… duke përfunduar në shterpësi.

Sot, në fund, modeli antropologjik i tabula rasas është thyer, së pari nga gjenetika e popullatave e cila arrin t’i mbajë larg leximet dhe deformimet reciste të të dhënave; mëpastaj nga zbulimet shencore, të psikologjisë zhvillimore, etologjisë konjitive etj.

Tabula rasa është analizuar mirë nga Steven Pinker, i cili ndër të tjera identifikon edhe anët e errëta të këtij deformimi me origjinë letraro-humaniste të natyrës së mendjes, mbi kushtetutën e të cilës, fatmirësisht për të gjithë ne, sot flet vetëm shkenca. (Perifrazim nga Pinker: tabula rasa, me pretendimin e një boshllëku të lënë nga natyra, e mbushi zbrazëtinë me interpretime që i vinin përshtat regjimeve totalitare [pasojat dihen]).

[Përshkrimi i mësipërm e citon Pinkerin vetëm për sa i përket çështjes në fjalë; jo për të tjera koncepte, për të cilat nuk po shprehem aspak.]

© mbi tekstin Rinstinkt

———————————————————————————-