Infertiliteti (jopjelloria) në çift

Infertiliteti / jopjelloria në çift

Jopjelloria përkufizohet nga O.B.SH. si një sëmundje. Përgjithësisht raportet seksuale të pambrojtura në çift shpienë në ngjizje në 50% të rasteve brenda 3 muajve, në 75% të rasteve brenda 6 muajve dhe në 90% të rasteve brenda 1 viti. Pra brenda vitit të parë pjesa më e madhe e çifteve janë në gjendje që të mbeten shtatëzanë.

Për të optimizuar mundësinë për një shtatëzani çiftet duhet që të kryejnë raporte seksuale të shpeshta në ditët që i paraprijnë lëshimit të vezës/ovulit, pra ovulacionit apo ovulimit. Zakonisht ovulimi ndodh në mes të ciklit menstrual, pra në mes të periudhës që ka si fillim ditën e parë të ciklit aktual dhe ditën e parë të ciklit vijues.

Jopjelloria nuk është vetëm një problematikë femërore, por prek edhe meshkujt.

Infertiliteti/jopjelloria mund të shkaktohet nga probleme me spermën (rreth 30-35% e rasteve), probleme me ovulimin (20% e rasteve), probleme me tibat e Fallopit dhe me anomali të pelvisit (30%), probleme me mukusin e qafës së mitrës (rreth 5%), apo me faktorë të tjerë të pa identifikuar (10%).

Konsumi i lartë i kafeinës apo i duhanit ndikon negativisht tek fertiliteti/pjelloria; pra nuk këshillohet të konsumohen.

Diagnoza e jopjellorisë/infertilitetit kërkon një vlerësim të plotë të të dy partnerëve; ky vlerësim ka kuptim të bëhet vetëm pas një viti provash për të rënë shtatëzanë.
Vlerësimi (apo vizita nga mjeku) mund dhe duhet të bëhet më parë në rast se: 1. femra ka më shumë se 35 vjeç, 2. femra ka një cikël menstrual pak të shpeshtë (më pak se nëntë gjatë vitit), 3. femra paraqet anomali të mitrës, të tubave të Fallopit apo të vezoreve, 4. apo kur mjekët kanë identifikuar apo kur dyshohen probleme në spermën e mashkullit.

Duhet theksuar se mosha është një faktor i rëndësishëm sidomos për femrën, sepse me kalimin e moshës shtatëzania bëhet më e vështirë dhe rreziku për ndërlikime rritet. Për më tepër sa më e lartë mosha e femrës aq më pak kohë kihet në dispozicion për të zgjidhur probleme jopjellorie përpara menopauzës.

Trajtimi i infertilitetit/jopjellorisë
Pasi gjendet shkaku, trajtohet shkaku. Ndonjëherë janë të nevojshme ilaçet, herë të tjera janë të nevojshme teknikat e fertilizimit të asistuar. Rëndësi kanë edhe masat e ndërmarra për të zvogëluar stresin.

Ndër ilaçet e përdorura tek femra janë ilaçet për stimulimin e maturimit dhe të lëshimit të vezëve, të ashtuquajturit ilaçe të pjellorisë, si për shembull Klomifeni, Letrozoli dhe gonadotropinat njerëzore.

Fekondimi in vitro

Tek teknikat e fertilizimit të asistuar bëjnë pjesë inseminimi intra-uterin (brenda mitrës) në të cilin paraprakisht tek mahskulli seleksionohen vetëm spermatozoidet më aktive që mëpastaj futen drejtëpërdrejtë në mitrën e femrës.

Fekondimi in vitro, parashikon stimulimin e vezoreve, marrjen e vezëve të pjekura, fekondimin me spermën në kulturë (in vitro), rritjen e embrioneve në kulturë dhe mëpastaj implantin/mbjelljen e një apo më shumë embrionëve në mitrën e femrës.

Nëse nuk arrihet në një gjendje shtatëzanie pas 3 vitesh tentativash apo pas 2 vitesh trajtimit për infertilitetin/jopjellorinë, mundësitë për shtatëzani janë tepër të pakëta.

© Rinstinkt Blog

Reklama

Seleksioni seksual

Seleksioni seksual

Seleksioni seksual është një tip seleksioni natyror që vepron mbi suksesin për t’u riprodhuar. Aftësia e kafshëve për të konkurruar për partnerët është e ndryshueshme.

Individët e dhuntuar me ndonjë avantazh të trashëgueshëm, si për shembull meshkujt me përmasa më të mëdha, kanë më shumë mundësi për t’u çiftëzuar dhe për të transmetuar gjenet e veta në gjeneratat e mëpasshme; si pasojë, kjo karakteristikë avantazhuese me kalimin e kohës shndërrohet në një karakteristikë më të përhapur brenda popullatës.
Kështu selsksioni seksual rezulton në avantazhin riprodhues të disa individëve përkundrejt anëtarëve të tjerë të species/llojit të vetë dhe të seksit të vetë (në këtë rast mashkull).

një dyshe drerës të kuq duke konkurruar për zotërimin e një femre

Një dyshe (meshkujsh) drerësh të kuq duke konkurruar për zotërimin e një femre. (Credit: Encyclopedia Britannica)

Suksesi riprodhues i një mashkulli varet nga sa femra arrin të fekondojë.
Suksesi riprodhues i një femre varet nga sa vezë ajo mund të prodhojë gjatë jetës së vetë riprodhuese, nga cilësia e spermatozoidëve që e fekondojnë dhe nga mbijetesa e pasardhësve deri në moshën e tyre riprodhuese.

Duhet, si përfundim, të bëhet një dallim mes seleksionit intra-seksual (brenda-seksual) dhe seleksionit inter-seksual (ndër-seksual).

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues tek mashkulli përbëhet nga:

  • Organet seksuale parësore
  • Organet seksuale dytësore

Organet seksuale parësore janë testikujt (testet). Organet seksuale dytësore përfaqësohen nga epididimi, vas deferensi, fshikëza seminale, gjëndrat bulbouretrale, gjëndra e prostatës, penisi.

Testikujt janë gonadet mashkullore dhe, si gonadet femërore, kanë dy funksione kryesore: prodhimi i qelizave spermatike apo spermatozoidëve dhe hormoneve mashkullore. Çdo testikul ka një formë rrumbullakore, dhe përbëhet nga koka, trupi dhe bishti. Çdo testikul ka në brendësi të tij (apo është i përbërë) shumë lobtha. Çdo lobth përmban 1-3 tubuj seminiferë. Të gjithë tubujt seminiferë bashkohen për të formuar rete testis-in.

Testikujt përmbajnë:

  • Qelizat e Sertolit
  • Qelizat intersticiale të Leydigut

Dy testikujt janë të rrethuar nga epididimi, i cili vazhgon me vas deferens-in. Testikujt ndodhen në skrotum.

Testikujt prodhojnë qeliza gjerminale dhe hormone seksuale mashkullore. Gjatë pubertetit indi testikular bëhet i ndjeshëm ndaj hormoneve të prodhuar nga hipofiza. Kështu, LH-ja situmulon tahitjen (sekretimin) dhe lëshimin e testosteronit. Testosteroni futet në qarkullimin e gjakut dhe mbërrin indet e trupit, ku shkakton shfaqjen dhe ruajtjen e organeve dhe tipareve seksuale dytësore. Testosteroni kontrollon rritjen e qimeve në fytyrë, në sqetulla, bark dhe në zonën pubike. Testosteroni stimulon zgjerimin e  laringut dhe  trashjen (apo thellimin) e zërit. Është përgjegjës edhe për zhvillimin e muskujve dhe eshtrave (kockave).

FSH-ja stimulon prodhimin e spermatozoidëve nga testikujt. Prodhimi i spermatozoidëve kryhet me anë të një procesi të quajtur spermatogjenezë. Qelizat e para që prodhohen në tubujt seminiferë janë spermatogonet, që janë të vendosur në membranën bazale të tubujve. Këto qeliza ndahen vazhdimisht dhe disa prej tyre largohen nga bazamenti duke u përdalluar në spermatocitë parësorë (primarë). Spermatocitët parësorë i nënshtrohen ndarjes së parë mejotike për të prodhuar dy spermatocitë dytësorë, çdonjëri me 22 autozome dhe një kromozom seksual X ose Y; çdonjëri nga 23 kromozomet përbëhet nga dy kromatide.

Spermatocitët dytësorë i nënshtrohen ndarjes së dytë mejotike dhe diferenciohen në dy spermatide, çdonjëri me një numër haploid kormozomesh tek. Spermatidët zhvillohen në qeliza spermatike – spermatozoidët – pa ndarje të mëtejshme. Që të kryhet i tëtë procesi i spermatogjenezës duhen 8 deri në 9 javë. Qelizat e Sertolit mbështesin dhe ushqejnë spermatozoidët gjatë zhvillimit. Qelizat intersticiale të Leydigut prodhojnë hormonin seksual mashkullor – testosteronin. Testosteroni kalon në qarkullimin e gjakut dhe kontrollon aktivitetin e të gjithë organeve seksuale dytësore.

Organet seksuale dytësore të mashkullit kanë funksionin e transferimit të spermatozoidëve nga mashkulli tek femra. Nga testikujt, ku prodhohen, spermatozoidët lëvizin nëpër vas deferens-in. Vas deferens-i është një dukt apo tub i ngushtë muskulor i cili tkurret për të shtytur spermatozoidët drejt uretrës. Në epididimit dhe vas deferens spermatozoidët maturohen dhe rrisin pjellorinë e tyre. Vas deferesi së bashkë me  arteriet, venat dhe nervat formojnë kordën spermatike.

Korda spermatike  (dukti spermatik, më saktë) drejtohet rreth pjesës së pasme të fshikëzës së urinës ku bashkohet me duktin e fshikëzës seminale. Pastaj kalon nëpër gjëndrën e prostatës dhe takohet me uretrën. Uretra mashkullore është rrugëkalimi i përbashkët i spermës dhe urinës. Dy fshikëzat seminale prodhojnë një sekrecion që ndihmon në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe gjallërisë së spermatozoidëve. Gjendra e prostatës dhe gjëndrat bulbouretrale prodhojnë dhe sekretojnë lëng lubrifikues. Të gjitha lëngjet seminale derdhen në uretër. Muskujt e uretrsë tkurren për të nxjerrë jashtë spermën. Gjatë ejakulacionit penisi nxjerr jashtë 2-4 ml lëng seminal, i cili përmban qindra milionë spermatozoide.

Spermatozoidët që nuk ejakulohen degjenerojnë (prishen, apo shkatërrohen).

Lexo edhe: Sistemi riprodhues femëror

© mbi tekstin, Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————