Linfangjioma cistike (Higroma cistike)

Linfangjioma cistike (Higroma cistike)

Linfangjioma cistike është një gjendje patologjike që prek pothuaj ekskluzivisht të porsalindurit, me një lokalizim të ndryshueshëm por që më shpesh prek pjesën latero-cervikale.

Linfangjioma cistike lind si pasojë e një keqformimi të sistemit linfatik dhe përbëhet nga një tërësi formacionesh cistike (me lobuj të shumtë) me mure të holla, me vëllim të ndryshueshëm dhe që shpesh janë në komunikm me njëra tjetrën. Nuk është malinj por ka një prirje për të infiltruar strukturat anatomike rrethuese si për shembull ezofagun, trakenë apo enët kryesore të gjakut në rajonin e qafës.

Këto ciste mund të jenë makroskopike (në këtë rast emërtimi më i përshtatshëm është Higroma Cistike), ose mund të jenë keqformime mikroskopike.

linfangjioma cistike, i porsalndur, i prekur në pjesën e poshtëme të gojës

I porsalindur me një linfangjiomë cistike në rajonin e poshtëm të gojës (nënmandibular)

Në 90% të rasteve prekin fëmijët me moshë nën 2 vjeç; në rajonin e kokës dhe të qafës.

Këto keqformime të sistemit linfatik mund të jenë të bashkëlindura, pra me një prapavijë të fortë gjenetike (në këtë rast shpesh të asociuara me sindromën e Turner-it) por edhe mund të jenë të fituara.

Higroma cistike (apo linfangjioma cistike) bëhet evidente në lindjen e bebes apo në javët e para të jetës, si një enjtje, fryrje (tumefacion) me vëllim variabël nga rasti në rast, shpesh goxha e madhe; konsistemca e masës është elastike; jo e dhimbshme gjatë prekjes.

Pra, prek kryesisht rajonin e kokës, qafës, dhe më specifikisht atë nënmandibular (nën nofullën e poshtme). Në disa raste masa mund të shtrihet dhe të ketë penetruar edhe në mediastinum apo në sqetull.

Nga ana histologjike linfangjioma cistike është zakonisht një masë me natyrë beninje, me rritje të ngadaltë. Por ndonjëherë mund të ndodhë që masa, papritur, të rritet në vëllim – shpesh në shoqërim të një infeksioni të rrugëve të ajrit – dhe të jetë shkak për probleme të frymëmarrjes, sepse mund të shtypi trakenë (në këtë rast mund të nevojtet një trakeostomi urgjente).

Diagnoza bëhet nëpërmjet ekzaminimit histopatologjik nga ana e anatomopatologut.

Trajtimi: parashikohet heqja kirurgjikale që në momentet e para, pra edhe në moshë fare të vogël. Masa është mirë që të hiqet totalisht, megjithëse kjo nuk është gjithnjë e mundur për shkak se shpesh, siç e përmenda, infiltron struktura anatomike jetësore. Ndërhyrja është goxha e vështirë sidomos në rastet kur linfangjioma në shtrirjen e vet intereson edhe struktura nervore, në të cilat raste duhet treguar kujdes – dhe është mirë që të përdoret një stimulues nervor për të dalluar nervat nga pjesa tjetër.
Drenazhi i linfangjiomave jep vetëm një lehtësim të përkohshëm.

Higroma cistike mund të trajtohet me një ilaç sklerozant – OK-432 – nëpërmjet një injeksioni në brendësi të vetë masës. Ky apo edhe të tjerë agjentë sklerozantë shkatërrojnë qelizat endoteliale të enëve linfatike duke eliminuar shkakun që në rrënjë.

 

Advertisements