Prekja që të lë pa ndërgjegjje

Prekja që të lë pa ndërgjegjje

Një rast klinik na paraqet një diçka të veçantë mbi ndërgjegjjen dhe substratin e saj fiziko-trunor. Bëhet fjalë për disa neurokirurgë që duke stimuluar një rajon të caktuar të trurit të pacientit të vet e kanë parë këtë të fundit të humbasi papritur vetëdije.

Siç e thashtë rasti klinik është i veçantë, meqënëse neurkokirurgët shumë rrallë kanë mundësi të stimulojnë drejtëpërdrejtë koren trunore të pacientëve me anë të impulseve elektrike. Kjo jo sepse do t’i shkaktonte ndonjë dhimbje pacientit  – truri nuk ka receptorë ndijorë të dhimbjes – por për arsye kyesisht etike.

Pacienti tek i cili është vëzhguar dukuria në fjalë, pra e të humburi të vetdijes pas stimulimit elektrik të një zone të caktuar të kores së trurit, gjendej në shtratin e sallës operatore meqë duhej të operohej nga një tumor (glioma).

Rutina e punës së neurokirurgëve kërkon që fillimisht të realizohet një hetim funksional i zonës përqark indit tumoral që do të pritet nga bisturi i neurkirurgut. Përse bëhet kjo?, do të pyes ndodkush. Kjo bëhet sepse, duke i dhënë kores trunore të pacientit impulse të vogla elektrike shihet edhe reagimi i pjesëve përkatëse të trupit, të cilat i kanë neuronet përgjegjës në atë zonë të caktuar trunore (të kores trunore).

Pacienti qëndron i ulur, nën anestezi rajonale, ndërsa pas tij neurokirurgu pickon me impulse elektrike sipërfaqen e trurit; mëpastaj kirurgu pret se si do të reagojë pacienti, duke kërkuar nga ky i fundit informacione të mëtejshme, kur është e nevojshme.

Në rastin klinik pacienti “dha” një përgjigje të veçantë. Gjatë ndërhyrjes eksploruese  (awake surgery) kur neurokirurgët stimuluan lëndën e bardhë nën zonën PCC (Posterior Cingulate Cortex) në krahun e majtë të trurit, ndërgjegjja (vetdija) e pacientit u shkëput nga bota e jashtme.

Ilustrim nga rasti klinik - PCC, Posterior Cingulate Cortex -  (shiko bibliografinë)

Ilustrim nga rasti klinik – PCC, Posterior Cingulate Cortex – (shiko bibliografinë)

Mësojmë se, fenomeni është koherent me vëzhgime të mëparshme të rasteve të ngjashme, që tregojnë një humbje të plotë të ndërgjegjjes të lidhur me çaktivizimin funksional të zonës së kores trunore të emërtuar PCC – në pacientë në koma, në gjendje vegjetative, epilepsie apo anestezie.

Pacienti, më pas, e përshkroi gjendjen e vet si atë të gjumit. Ky pohim i pacientit, thonë autorët, sugjeron se nuk ka patur një shkëputje të plotë të vetdijes, por vetëm një tëhuajëzim nga bota e jashtme dhe ruajtje e një gjendjeje minimale. Megjithatë, shtojnë sërisht autorët, ky pohim i pacinetit duhet pranuar dhe interpretuar me rezerva meqë mund të jetë edhe rezultat i një krijimi të pavullnetshëm.

Studime të ndryshme neurofiziologjike dhe të neuroimazherisë tregojnë se korja trunore mediale posteroparietale luan një rol parësor në proceset e lidhura me ndërgjegjen, si tek pacientët me çrregullime të vetdijes si tek subjektet e shëndetshëm.

© Rinstinkt 2014

Bibliografia:

  • Herbet G, Lafargue G, de Champfleur NM, Moritz-Gasser S, le Bars E, Bonnetblanc F, & Duffau H (2014). Disrupting posterior cingulate connectivity disconnects consciousness from the external environment. Neuropsychologia, 56C, 239-244 PMID: 24508051

 ——————————————————————————–

Reklama

Ndërgjegjja (3) – Përmbledhje

Ndërgjegjja (1); Ndërgjegjja (2)

Ndërgjegjja (3) – Përmbledhje

Përmbledhje

  • Të dhëna klinike dhe eksperimentale tregojnë se substrati i ndërgjegjes qëndron në një rrjet të shpërndarë elementësh të ndërlidhur në kontekstin e sistemit talamus-kore trunore.
  • Të tjera struktura nervore, si truthi (truri i vogël) rrugët motore, rrugët ndijore dhe bërthamat e bazës, nuk duket se janë të nevojshme që të manifestohet ndërgjegjja.
  • Nga ana fenomenologjike, çdo eksperiencë (që kryhet apo perceptohet kur jemi të vetdijshëm) është jashtëzakonisht informative, në kuptimin që lind nga një repertor gjëndjesh jashtëzakonisht të mëdha, dhe në të njëjtën kohë është e integruar, në kuptimin që përjetohet si një dhe e pandarë.
  • Sipas teorisë së informacionit të integruar, një sistem fizik është i vetdijshëm (i ndërgjegjshëm) në masën në të cilën është në gjendje të integroj informacion (që kësisoj përbën një sistem njësor, të bashkuar, unitar, që ka në dispozicion një numër të madh gjendjesh të mundshme).
  • Arkitektura e lidhjeve në sistemin talamus–kore trunore, që karakterizohet nga bashkë-ekzistenca e specializimit dhe integrimit funksional, lejon integrimin e sasive të mëdha të informacionit.
  • Arkitektura e strukturave të tjera nervore, mes të cilave truthi (truri i vogël), rrugët ndijore, rrugët motore dhe bërthamat e bazës, nuk lejojnë (aspak) arritjen (apo krijimin) e niveleve të larta të informacionit të integruar.
  • Aftësia e sistemit talamus-kore trunore për të integruar sasi të mëdha informacioni varet, përveç arkitekturës së lidhjeve ndërneuronale, nga disa parametra neurofiziologjikë dhe mund të reduktohet fortësisht gjatë disa gjendjeve si gjumi apo epilepsia.
  • Koha e vetdijes (ndërgjegjjes), në mënyrë eksperimentale, përputhe me kohën që rezulton teorikisht e nevojshme për integrimin nervor të informacionit të thithur.

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

———————————————————–

Ndërgjegjja (2) – Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Ndërgjegjja (1)

Ndërgjegjja (2) – Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Shkruajta, në shkrimin e mëparshëm, mbi veti, anatomike, fiziologjike e klinike që janë themelore për ekzistencën e eksperiencës së ndërgjegjshme. Bazuar në këto veti, dhe të tjera – të cilat unë i kam përmendur vetëm në mënyrë të kithët – është zhvilluar një teori që është në gjendje të jap një vizion sistematik të raportit mes trurit dhe nëdrgjegjjes(vetdijes).

Ndërgjegjja si aftësi për të integruar informacion

Sipas teorisë së sinformacionit të integruar, një sistem fizik është i ndërgjegjshëm (vetdijshëm) në masën me të cilën është i aftë të integrojë informacione. Ky përkufizim lind nga studimi i vetive të dy karakteristikave thelbësore të ndërgjegjjes, saqë ndonjëherë as që merren parasysh kur flitet për një gjë të tillë.

integrim informacioni1-Eksperienca e ndërgjegjshme është e pasur me informacion në kuptimin që është e difencuar, pra që repertori i mundshëm i gjendjeve të ndryshme të vetdijes është jashtëzakonisht i larmishëm. Për shembull, kur shikojmë qiellin blu, përjashtojmë një sërë gjendjesh të tjera alternative (si të kuq, të portokalltë, të errët, sikur jemi në një dhomë të mbyllur, në kinema, apo sikur po shohim një diapozitiv etj.).

2-Eksperienca e ndërgjegjshme është e integruar, në kuptimin që çdo gjendje e vetdijes përjetohet si një entitet i vetëm, unik. Për shembull, nuk do të mund kurrë të jemi të ndërgjegjshëm veças për fushën pamore të majtë dhe atë të djathtë. Jemi të ndërgjegjshëm për një fushë të vetme pamore.

Pasuria e  informacionit dhe integrimi i tij, janë dy karakteristika aq të nevojshme dhe aq të bashkëlidhura me rrjedhën e ndërgjegjjes së përditshme saqë shpesh kemi vështirësi për t’i dalluar.

Substrati i ndërgjegjjes duhet të jetë një sistem i përbërë nga shumë elementë funksionalisht të ndryshëm (nga lind/vjen informacioin) që gjithsesi janë ngushtësisht të ndërlidhur mes tyre për të formuar një të tërë të pandashme (integrimi i informacionit). Mund të duket banale, por nuk është aspak e tillë: bëhet fjalë për një ekuilibër të brishtë mes diversitetit dhe unitetit.

Kjo mënyre e të parit të problemit të ndërgjegjjes ndihmon në zgjidhjen e disa paradokseve që i përkasin raportit mes trurit dhe ndërgjegjjes.

Për shembull – problemin e shtrova edhe më lartë – shpjegon se përse një dëmtim i sistemit talamus-kore trunore mund të shkaktojë koma, ndërsa heqja in toto e trurit të vogël (një strukturë me akoma më shumë neurone) nuk ka asnjë efekt mbi ndërgjegjjen: ndërsa sistemi i parë është i përbërë nga elementë funksionalisht mjaft të ndryshëm por të integruar mes njëri-tjetrit me fibra nervore distancë-shkurtër dhe distancë-gjatë, i dyti (truri i vogël) ka një strukturë thjesht modulare, jo të integruar.

Në mënyrë analoge, teoria shpjegon se përse ndërgjegja reduktohet gjatë gjumit me valë të ngadalta, edhe pse truri qëndron mjaft aktiv: gjatë gjumit zonat e ndryshme të kores trunore qëndrojnë aktive dhe reaktive por humbasin aftësinë për të komunikuar me njëra-tjetrën, siç ndodh në rastin e trurit të vogël. Anasjelltas, teoria parashikon se gjatë një krize epileptike, ndërgjegjja zhduket, jo për shkak të ndonjë difekti në integrim (të gjithë neuronet aktivizohen në unison), por për shkak të humbjes së informcionit. Në këtë rast zonat e ndryshme të kores trunore e humbasin specificitetin e vet funksional, dhe kështu ngushtohet repertori i gjendjeve të mundshme: ose gjithçka është e ndezur, ose gjithçka është e fikur.

Si përfundim, ndërgjegjja implikon një aftësi të jashtëzakonshme për të integruar informacion. Sipas kësaj teorie, shfaqjet e shumta të ndërgjegjjes mund t’i atribuohen mënyrave të integrimit të informacionit: atje ku  ndryshon aftësia për të integruar informacione, ndryshon edhe niveli i ndërgjegjjes dhe anasjelltas. Siç ndodh edhe në mekanikën statistike, atje ku ndryshon energjia kinetike mesatare e molekulave, ndryshon edhe temperatura.

Ndërgjegjja (3)

© mbi tekstin, Rinstinkt, Shkurt 2013

———————————————————————