Përgjigjje për një pyetje – Lëvizja ameboidale e leukociteve dhe amebave

Përgjigjje për një pyetje – lëvizja ameboidale e leukociteve dhe amebave

Një anonim interneti, ka lënë kohë më parë në një blog  shqiptar komentin e mëposhtëm, i cili në thelb shpreh pamundësinë e komentuesit në fjalë për të rrokur mekanizmin që u mundëson qelizave lëvizjen nëpër indet e trupit tonë. 

Pyetja që kërkon përgjigjje...

Pyetja që kërkon përgjigjje…

Komentuesi tregon se kohë më parë po i shpjegohej

“sesi […] diktohen dhe azgjesohen trupat e huaj.[…][Ç]’e shtyn hiçin, qelizën e bardhë, psh, të veprojë ashtu si vepron?”.

Natyrisht, siç ndodh shpesh nëpër blogosferë pyetjet mbeten pa përgjigje. Shumë futen për të thënë të tyren, për pak muhabet, për shumë pak dëgjim, dhe shumë shumë llomotitje.

Do të përpiqem t’i jap një përgjigje kësaj pyetje, që tek e fundit është mjaft elementare, dhe gjithkush që ka kaluar prej gjimnazit duhej të dinte t’i vetpërgjigjej. Kjo sepse gjimnazi ofron një substrat, një tërësi njohurish bazë, pa të cilin do të ishte  e pamundur të kuptoheshin mekanizmat e tjerë, më të ndërlikuar.

Qeliza në lëvizje

Shumë tipe qelizash janë të afta për lëvizje, në një mënyrë ose në një tjetër. Më karakteristiket janë ato të gjakut. Ndër qelizat e gjakut, leukocitet apo qelizat e bardha të gjakut janë më të veçantat sepse mund të lëvizin me shpejtësi jashtë rrymës hematike për t’u drejtuar nga një plagë apo infeksion.

Qelizat e bardha të gjakut kanë shumë funksione, por më kryesori është ai i mbrojtjes së trupit nga infeksionet. Kështu, leukociteve u duhet të spostohen, për të lëvizur dhe mbërritur në vendin e infeksionit, i cili luftohet në mënyra dhe me mjete të ndryshme: duke prodhuar kundërtrupa, duke gëlltitur baktere apo duke lëshuar lëndë kimike mbi mikrobet.
Për kuriozitet, dhembja nga inflamacioni, sikundër ajo e shkaktuar nga djegia e diellit, është një pasojë e lëvizjes së leukociteve drejt vendit të dëmtimit/ infeksionit.

Por si arrijnë qelizat e bardha të lëvizin vrullshëm drejtë plagës? Ndokujt mund t’i duket e çuditshme, por leukocitet përdorin për të lëvizur, të njëjtin proces sikundër organizmat primitiv, si amebat.

Lëvizje ameboidale – një mikrografi me mikroskopi optike e Amoeba proteus, një protozoar që lëviz me anët ë zgjatjes së pseudopodeve.

Lëvizje ameboidale – një mikrografi me mikroskopi optike e Amoeba proteus, një protozoar që lëviz me anët ë zgjatjes së pseudopodeve.

Organizmat njëqelizorë, si amebat, lëvizin drejtë burimit të ushqimit falë një procesi të quajtur kemiotaksi. Amebat janë organizma-model të shkëlqyer për të studiuar lëvizjen qelizore ngase lindin, hanë, jetojnë dhe vdesin shumë shpejtë.

Biologët kanë mësuar se qelizat e bardha të gjakut lëvizin duke zgjatur fillimisht një pjesë të vetën, si këmbë. Ky pseudopod shërben si një shqisë kimike për ambientin rrethues, duke diskriminuar drejtimin me përqëndrimin më të lartë të molekulave tërheqëse. Molekulat tërheqëse, për amebat janë ato ushqyese, ndërsa për qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) është “aroma” e mikrobeve pushtues. Pseudopodi i ndjekur nga e gjithë qeliza, lëviz drejt molekulave shënjestër, duke alternuar ngjitjen dhe shqitjen mbi sipërfaqen në të cilën lëviz.

Lëvizja realizohet nga zëvendësimi apo shtimi i disa lloje të caktuara lyrash në fragmentin e membranës që i përket pseudopodit në zgjatje e sipër. Njëkohsësisht, qartësisht për shkaqet kimike, endoskeleti qelizor pëson ndryshime, me tubtha që diku ndërtohen e diku tjetër prishen, për të mundësuar shiftimin e formës së qelizës. Formimi i mikrotubthave, mikrofilamenteve dhe agregatëve të aktinës ndodh në afërsi të këmbës në zgjatje e sipër, e cila quhet lamelipod apo filopod (prodhimi i polarizuar i mikrotubthave, mikrofilementeve dhe aktinës).

E gjithë kjo ndodh sepse qeliza në normalitetin e vet funksional është, përveç të tjerash, edhe një tërësi reaksionesh kimike dhe stukturash brendaqelizore, natyrisht të ndërlidhura me ambientin e jashtëm.

Elementi kimik, sikundër një molekulë e lëshuar nga mikrobi i një infeksioni, futet detyrimisht në qelizë dhe modifikon/influencon mekanizmat e formësuar evolutivisht. Mekanizmat janë së pari kimikë; substanca influencon një rrugë kimike. Kjo e fundit mund, nga ana e saj, të influencojë një tjetër rrugë kimike brendaqelizore,e cila në përfundim influencon metabolizmin e proteinave të citoskeletit. Citoskeleti i modifikuar flet për një modifikim të formës së qelizës, dhe modifikimi i formës është gjithçka i duhet një entiteti për të lëvizur, ngase përmban në mënyrë intrinseke një ndërveprim me ambientin rrethues.

Thelbi në procesin e migrimit të qelizave në trup qëndon në migrimin e drejtuar. Siç u tha më sipër një nga mënyrat për të realizuar migrimin e drejtuar është ajo e zgjatimit (protruzionit) kryesisht në një kah të qelizës.

Molekulat e shpërhapura në ambient mund të shërbejnë si shenja të rëndësishme për të orentuar mirgimin e drejtuar. Kur një qelizë migruese lëviz drejt një gradienti më të madh apo më të vogël të përqëndrimit të një kimikati, thuhet se i nënshtrohet procesit të kemiotaksis.

Molekulat që shkaktojnë përgjigjen e qelizës ameboidale quhen: kemiotërheqës, kur qeliza lëviz drejt përqëndrimit më të madh të molekulave; kemiorepelentë, kur qeliza lëviz larg përqëndrimit më të madh të molekulave.

Më lartë u përmendën amebat, si shembull i shkëlqyer studimor. Ameba në të cilën më së shumti është studiuar fenomeni të cilin po tentohet t’i jepet shpejgim është Dictyostelium. Në rast ndyshimi të përqëndrimit të molekulave kemiotërheqëse, ndodhin (pasojnë) ndryshime dramatike në citoskeletin prej aktine, duke përfshirë ndryshimet biokimike tek proteinat aktin-lidhëse dhe migrimin e qelizës drejt burimit të molekulave kemiotërheqëse. Ndryshimet në përqëndrimin e kemiotërheqësit jashtë qelizor përçohen në brendësi që qelizës nëprmjet receptorëve të pozicionuar në sipërfaqen e membranës qelizore. Janë receptorë të lidhur me proteina G. Aktivizimi i receptorëve në fjalë shpie në akumulimin lokal të fosfoinozitideve , që mendohet se është shkaku i rekrutimit të polarizuar të makinerisë citoskeletike, duke rezultuar kështu në një migrim të drejtuar qelizor.

Bibliografi minimale:

  • Taylor, D. L., and J. S. Condeelis. Cytoplasmic structure and contractility in amoeboid cells. Int. Rev. Cytol. 56 (1979): 57.

© Rinstinkt, mbi tekstin

[Postim shkruar fillimisht në Shtator, 2012]

———————————————————————————————————

Reklama

Hernia e diskut intervertebral

Hernia e diskut intervertebral (Hernia diskale)

Disqet intervertebralë janë të përbërë nga një zonë qëndrore prej kolagjeni dhe proteoglikanësh të hidratuar, e ashtuquajtura nucleus pulposus, e cila nga ana e saj është e rrethuar nga fletëza bashkëqëndrore të përbëra nga fibra kolagjeni që përbëjnë anulus fibrosus.

Nucleus pulposus është i hidratuar dhe vepron si “thithës shocku”, duke u shtypur në prani të peshës dhe duke u relaksuar kur kjo largohet.

hernia e dikut intervertebror - hernia diskale, nucleus pulposus, anulus fibrosus

Anatomia patologjike e Hernies Diskale (© Netter)

Me kalimin e kohës mund të ndodh që anulus fibrosus të dëmtohet, nga ciklet e vazhdueshme të kompresionit dhe relaksimit, gjë që lejon daljen, pra hernien, e nucleus pulposus xhelatinoz.

Ky proces zakonisht ndodh kur individ plaket ngase bërthama xhelatinoze e disqeve ndërvertebrorë dehidratohet dhe transferon më shumë forcë drejt anulus fibrosus-it. Pikërisht ky stress i shtuar shkakton hollimin progresiv dhe mëpastaj dëmtimin e anulusit.

Shumica e hernieve diskale ndodhin në drejtimin posterolateral ngase pas disqeve ndërvertebrorë, pra pas trupit të vertebrave kalon në mënyrë gjatësore ligmenti gjatësor i pasëm (posterior longitudinal ligament) i cili në nëjfarë mënyrë përforcon rolin e anulus fibrosus.

Herniet diskale ndodhin më së shumti në pjesën çervikale të shtyllës kurrizore, veçanërisht në nivelet C5-C6 dhe C6-C7, që shkaktojnë dhimbje në shpatull dhe gjymtyrën e sipërme. Po ashtu janë të shpeshta edhe herniet diskale që prekin nivelet L4-L5 dhe L5-S1 të shtyllës kurrizore lumbare.
Duhet të saktësoj se herniet diskale të pjesës lumbare të shtyllës kurrizore janë, në terma absolutë, më të shpeshtat dhe rezultojnë në dhimbje të artikulacionit sakroiliak, të pjesës së pasme të kofshës dhe të këmbës.

Rinstinkt, 2013

——————————————————————-

Metoda e Ovulimit Billings

Metoda e Ovulimit Billings

Shenjat e pjellorisë tek femra

Pjelloria e një femre varet nga procesi i ovulimit dhe zgjat derisa veza qëndron në jetë.
Shenja më e rëndësishme/kryesore e pjellorisë, që shfaqet pikërisht gjatë ditëve të ovulimit, është prania e mukusit, elastik, transparent, fluid, si ujë (i ngjashëm me të bardhën e vezës, albuminës).
Ky lloj mukusi tregon se një femër po ovulon, pra është pjellore.

Mukusi i qafës së mitrës

  • Rregullon pjellorinë, duke lejuar apo mohuar kalimin e spermatozoidëve nga vagina për në mitër.
  • Bllokon spermatozoidët që nuk janë të aftë për pllenim; pra kryen njëfarë seleksionimi të spermatozoidëve më të lëvizshëm/fuqishëm.
  • Në periudhën pjellore lehtëson kalimin e spermatozoidëve dhe i mban ata të gjallë e të lëvizshëm. (Spermatozoidët e ngecur në qafën e mitrës, mund të mbijetojnë nga 3-5 ditë, të ushqyer nga mukusi.)

Metoda Billings

Metoda e Billings-it është një nga metodat natyrore të rregullimit të pjellorisë së femrës dhe më tej të çiftit me ndihëm e partnerit. Metoda e Billings-it bazohet mbi ovulimin, dhe emërtohet edhe me siglën BOM (Billings Ovulation Method). Metoda aplikohet duke monitoruar pjellorinë, me identifikimin e ditëve pjellore dhe ditëve jopjellore gjate çdo cikli menstrual pavarësisht nëse ky i fundit është i rregullt ose jo.

Kjo metodë e kontrollit të natyrshëm të pjellorisë ka një efikasitet apo efektshmëri të ngjashme me atë të përdorimit të pilulës estro-progestinike. Me një IP prej 0,07-0,5.

Metoda e Billings-it bazohet mbi perceptimin e një ndjenje lubrifikimi, njomjeje, lagështie, të vulvës në afërsi të ovulimit – procesit fiziologjik të lëshimit të një veze nga vezotet e femrës.
Pikërisht gjatë ditëve në afërsi të ovulimit femra ka në vaginë një ndjesi lagështie/njomësie që shkaktohet nga përbërja e veçantë që ka mukusi i qafës së mitrës gjatë kytëre ditëve.

Zakonisht mukusi i qafës së mitrës është i dendur, duke luajtur roolin e një tape që ka si funksion kryesor atë të “izolimit” të zgavrës së mitrës nga vagina. Vagina vetë ka një florë bakterore rezidente, që mukusi i qafës së mitrës nuk e lejon të kalojë sipër.

Disa ditë para se të ndodh ovulimi – lëshimi nga vezorja i një qelize vezë – mukusi fillon e hollohet, duke marrë një konsistencë ujore, më të rrjedhshme, më fluid, e duke shkaktuar kësisoj ndjesinë e të lagurit. Dita e fundit në të cilën kihet ndjenja e lagështisë, merr emrin “dita e pikut”, dhe i përket momentit të pjellorisë maksimale të femrës. Deri sa ndjenja e të lagurit vazhdon, piku nuk ka mbërritur akoma. Dita e pikut dallohet a posteriori, një ditë më pas, kur mukusi që zbret nga qafa e mitrës fillon e bëhet më konsistent, pra më pak i rrjedhshëm, fluid, e më pak i njomë.

Ovulimi ndodh zakonisht një ditë pas ditës së pikut. Gjithsesi ovulimi mund të verifikohet në një interval, tre ditë para e dy ditë pas ditës së pikut. Dita e pikut i referohet ditës kur mukusi ka patur rrjedhshmërinë më të madhe.

Pra,  periudha potenciale e pjellorisë shkon nga fillimi i ndjesisë së të lagurit e deri në tre ditë pas ditës së pikut. Në këtë periudhë kohore mund të kërkohet/realizohet shtatëzania.

 Regjistrimi i një cikli

Gruaja është në gjendje që nëpërmjet vëzhgimit të mukusit; vëzhgimit të mënyrës se si ai ndryshon, dhe regjistrimit të tij, të njohë ditë pas dite në cilën fazë të ciklit menstrual gjendet. Informacionet e përftuara kësisoj mbi pjellorinë e vet, femra mund t’i shfrytëzojë për të arritur një shtatëzani (ose për të mos e patur atë) gjatë ciklit menstrual të rregullt ose jo të rregullt, gjatë ushqimit me qumësht gjiri, e gjatë perimenopauzës.

Lexo dhe: * Sistemi riprodhues femëror  * Cikli menstrual

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

———————————————————————————————————–

Fakti se të gjithë ilaçet duhet të testohen tek njeriu përpara se të tregtohen, a nuk tregon se testet mbi kafshët nuk shërbejnë për asgjë?

Fakti se të gjithë ilaçet duhet të testohen tek njeriu përpara se të tregtohen, a nuk tregon se testet mbi kafshët nuk shërbejnë për asgjë?

Është si të thuash, “për çfarë duhen numrat e këpucëve kur prapëseprap këpucët duhet t’i provosh”. Por, testimi i 25,000 këpucëve është pak si shumë i ndryshëm nga të testuarit e vetëm disa palëve. Veçanërisht nëse ekziston rreziku që këpucët që teston mund edhe të të vrasin…

Testimi mbi kafshët nuk garanton efektet që një ilaç mund apo do të ketë tek njeriu, por kjo nuk do të thotë se testimi mbi/tek kafshët është i kotë. Jep gjithsesi indicje të forta mbi funksionin e vet ilaçit, na lejon të bëjmë një paraseleksionim për të përjashtuar përbërjet e dëmshme apo të panevojshme për trupin e njeriut dhe nga lejon po ashtu që të evidentojmë potencialin e të tjera ilaçesh. Në këtë kuptim modeli kafshë, pra testimi tek kafshët, përfaqëson një hapësirë lëvizjeje në të cilën shkencëtari mund të prodhojë dhe të provojë hipoteza të reja pa patur kufizimet që do të kishte me një qenie njerëzore. Një funksion thelbësor.