Karakteristikat e tumorit beninj

Karakteristikat e tumorit beninj

Cilat janë karakteristikat e tumorëve beninj?

Skemë ilustruese mes ndryshimeve të tumorëve beninjë dhe atyre malinjë.

Skemë ilustruese mes ndryshimeve të tumorëve beninjë dhe atyre malinjë.

Me tumorë beninjë në përgjithësi kihet parasysh një masë tumorele, pra një neoplazi, e cila qëndron e brendaqarkuar nga indi rrethues origjinal. Masa tumorale, neoplastike, nuk e infiltron indin rrethues, por qëndron i kufizuar nga ky, duke formuar si pasojë e forcës që ushtrohet në jashtëqëndrësi një llojë kapsule prej indi fibroz. Kështu, kufinjtë e një tumori beininj duken të rrumbullakosur, apo të mirë demarkuar, të pa thyerë.

Nga këtu, vjen edhe pasoja e parë… Meqë qelizat tumorale beninje qëndrojnë të grumbulluara me njëra tjetrën, mungojnë në aftësi për të pushtuar indet përreth, e më tej, mungojnë në aftësinë për të dhënë metastaza. (Kur një tumor jep metastaza, që janë karakteristika të kancerit, pra tumorit malinj, kurimi është në terma objektivë shumë shumë i vështirë.)

Mëpastaj, qelizat e një mase tumorale beninje, i ngjajnë qelizave të indit normal nga ku origjinojnë, ose më mirë të them se ruajnë njëfarë ngjashmërie. Pra, këto qeliza vazhdojnë të kryejnë njëfarë funksioni, sado që masa është në rritje. Problemi kryesor në këtë rast ka të bëjë me hiperprodhimin  e një substance të caktuar, që shpesh ndodh të jetë një hormon. I cili hormon, i prodhuar pa kriter, ndikon në prishjen e balancës apo homeostazës endokrine (adenoma të tiroides, adenoma të hipofizës etj.).

Bërthamat e qelizave të një tumori beninj, në përgjithësi janë normale; rritja qelizore është e ngadaltë, mitozat (ndarjet e qelizave tumorale) janë jo të shpeshta, dhe figurat mitotike kur vihen re janë normale.

Për të përfunduar këto shënime, karakteristikat e tumorëve beninj janë: zgjerimi apo rritja e ngadaltë, lokalizimi në një vend të caktuar, ushtrim presioni ndaj indeve rrethues, ruajtje e morfologjisë dhe funksionalitetit të indit origjinal (deri në njëfarë pike), sekretim hormonesh.

Trajtimi i tumorëve beninj është kirurgjik, pra prerja dhe shkëputja nga trupi.

Rinstinkt

———————————————————————————–

Reklama

Detektimi i hershëm i kancerit (2): Testi i PSA

Detektimi i hershëm i kancerit (2): Testi i PSA

shkrimin e mëparshëm shkruajta për rolin e testit të Papanikolaut në detektimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës.

Duhet thënë se suksesi i Pap testit ka shpënë në zhvillimin e shumë teknikave të tjera të hetimit për detektimin e hershëm, pra në stade fillestare, të kancereve të llojeve të ndryshme. (Kujtoj gjithashtu se kanceri nuk është një sëmundje e vetme, por një grup sëmundjesh me karakteristika të ndryshme, sidomos molekulare.)

Një nga këto teknika hetimi është, për shembull, mamografia. Teknika e mamografisë përdor një teknikë të veçantë rrezesh X për të parë për shenja të hershme të kancerit të gjirit.

Një teknikë tjetër për detektimin e hershëm të një forme kanceri është edhe kolonoskopia, e cila teknikë përdor një instrument të hollë të përthyeshëm, plastik, me fibra optike për të ekzaminuar kolonin për forma shenja të hershme të kancerit të kolonit (zorrës së trashë).

Një test hetimi ideal është ai që u mundëson doktorëve dhe aktorëve të tjerë që merren me shëndetin e njeriut ta detektojnë (kapin) kancerin kudo në trup, me një procedurë të thjeshtë, si për shembull me një test gjaku.

Një nga këta teste ideale është testi i PSA (prostate specific antigen – antigjeni prostatik specifik ), i cili relaizohet kryesisht për detektimin e kancerit të prostatës. Kështu, kanceri i prostatës i cili prek vetëm meshkujt, ngase vetëm meshkujt kanë prostatë, është një formë kanceri që mund të detektohet në këtë mënyrë, pra hershëm duke rritur tej mase mundësitë e mbijetesës dhe të mirëqenies së subjekt-pacientit të prekur.

Burrat me moshë mbi 50 vjeç janë të këshilluar që të bëjnë një test të PSA-së, i cili mat sasinë e antigjenit prostatik specifik në rrjedhën e gjakut.

PSA-ja është në proteinë që prodhohet vetëm nga qelizat e gjëndrës së prostatës, dhe normalisht gjendet në gjak vetëm në përqëndrime të vogla. Nëse analizat e gjakut tregojnë një nivel të lartë të PSA-së (antigjenit prostatik specifik) kjo është një shenjë e sigurt e një problemi në gjendrën e prostatës. Për të saktësuar natyrën e problemit nevojiten teste të tjera; pra për të konfirmuar nëse është problem tumoral apo i ndonjë natyre tjetër.

Antigjeni Prostatik Specifik – PSA

Edhe forma të tjera kanceri lëshojnë në gjak proteina specifike të kancerit përkatës apo indit ku kanceri është zhvilluar. Natyrisht, edhe pse në fillesat e veta, këto metoda të mjekësisë së laboratorit kanë kërkuar e kërkojnë ende shumë punë për kapjen e ndryshimeve të vogla në përqëndrimn e proteinave të gjendura në rrjedhën e gjakut.

© Rinstinkt

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————————

Detektimi i hershëm i kancerit (1): Pap Testi

Detektimi i hershëm i kancerit (1): Pap Testi

Testi i Papanikolaut dhe kanceri i qafës së mitrës

Kanceri… le ta përkufizojmë këtë si një entitet biologjik, si një qelizë e mëpastaj një grup qelizash që rriten pa ndonjë kontroll mbi ciklin qelizor.

Kanceri në rastet më të mira rezulton në rritjen e një mase qelizore të kufizuar, pra të ashtuquajturit tumore beninj. Ndonjëherë tjetër këto qeliza pa kontroll mbi ciklin e vet qelizor mund edhe të përftojnë karakteristika si invaziviteti apo metastazizimi, e në këto raste flitet substancialisht për tumore malinj apo kancere.

Kur kanceri, pra tumori malinj, kapet në fazat e hershme të zhvillimit të vet, pra përpara se të migrojë nëpër rajone të tjera të trupit, masat kurative priren të jenë relativisht më të larta krahasuar me rastet kur kanceri kapet në fazë të vonë.

testi i Papanikolaut - Në të majtë një Pap Test normal, ku shihen qeliza relativisht uniforme në masë dhe formë, me bërthama sferike normale. Në të djathtë një Pap Test jo-normal, me qeliza që shfaqin një ndryshueshmëri të lartë në madhësi dhe në formë, me bërthama relativisht të zmadhuara në krahasim me përmasën e vet qelizave.

Testi i Papanikolaut – Në të majtë një Pap Test normal, ku shihen qeliza relativisht uniforme në masë dhe formë, me bërthama sferike normale. Në të djathtë një Pap Test jo-normal, me qeliza që shfaqin një ndryshueshmëri të lartë në madhësi dhe në formë, me bërthama relativisht të zmadhuara në krahasim me përmasën e vet qelizave.

Kështu, mbi këto të dhëna, prej kohësh janë bërë e bëhen akoma tentativa për gjetjen e teknikave të hetimit (screening-ut) të cilat mund ta detektojnë kancerin në një stad të hershëm.

Një nga këto teknika apo procedura hetimi të popullatës (screening) është Pap Testi, që përdoret për detektimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës. Pap Testi u zhvillua në fillim-vitet 1930-të nga George Papanicolau, nga i cili ka marrë edhe emrin.

Arsyeja logjike që qëndron pas kësaj procedure, për të cilën do të them diçka më poshtë, është se pamja mikroskopike e qelizave kanceroze është mjaft e ndryshme nga ajo e qelizave normale e kështu mund të realizohet përdallimi mes këtyre dy “tipologjive” fenotipike.

Kështu nëpërmjet Pap Testit, pra vetëm falë ekzaminimit të një numri të vogël qelizash, mund të bëjmë një diagnozë kanceri.

Pap testi realizohet duke marrë disa mostra nga sekrecionet vagjinale të femrës dhe ekzaminimi i tyre nën mikroskop.

Nëse qelizat e vëzhguara nën mikroskop shfaqin karakteristika të pazakonta – si për shembull bërthama të mëdha dhe të çrregullta apo ndryshueshmëri të theksuar në përmasat dhe format qelizore – kjo është një shenjë se kanceri mund të jetë i pranishëm, dhe lind nevoja për kryerjen e testimeve të mëtejshme, për ta konfirmuar apo refuzuar këtë përfundim apo më mirë të themi tezë paraprake.

Meqnënse Pap testi mundëson detektimin e kancerit të qafës së mitrës në stadet e veta më të hershëm, kjo procedurë edhe pse mjaft e thjeshtë, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së shumë pacienteve.

[]

 

[Nëse postimi të pëlqeu, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————–

Kanceri i prostatës

Kanceri i prostatës  (tumorë malinj të traktit urogjenital) 

Në SHBA kanceri i prostatës është forma e kancerit që diagnostikohet më shpesh tek burrat dhe shkaku i dytë më i shpeshtë i vdekjes tek burrat për shkaqe kanceri.

Vlerësohet se në vitet e ardhshme do të ketë 230.000 raste të reja dhe 29.000 vdekje të lidhura me kancerin e prostatës. Shanset për zhvillimin e patologjisë rriten me rritjen e moshë; mosha mesatare për diagnozën është 70 vjeç.

Si pasojë e përhapjes së gjerë të screening-ut për kërkimin e antigjenit specifik prostatik (Prostate-Specific Antigen, PSA) në fillim të viteve ’90 u verifikua një variacion i stadit, dhe për rreth 40% të rasteve diagnoza u vendos vetëm dhe vetëm falë një niveli të lartë të PSA-së.

Rekomandimet e dhëna nga Shoqata Amerikane e Kancerit për screeningun e kancerit të prostatës, të paktën deri para pak vitesh, përfshinin ekzekutimin e përvitshëm të testit për PSA-në dhe ekzaminimin digjital rektal (eksplorim me anë të gishtave të rektusit) duke filluar nga mosha 50 vjeç, apo nga mosha 40 vjeçare për Afro-Amerikanët apo për pacientët me anamnezë familjare për sëmundjen në fjalë, pra kancerin e prostatës.

Ndërsa, biopsia prostatike transrektale e drejtuar nga ultratinguj ësthë metoda  që zgjidhet për diagnostikimin e kancerit të prostatës tek meshkujt.

Një scintigrafi kockore rekomandohet për burrat me tumor të gradës së lartë dhe nivele të PSA në serum > 10 mcg/dl, ndërsa një hetim me tomografinë e kompjuterizuar (TC) i pelvisit të mashkullit rekomandohet për të vlerësuar linfoadenopatinë kur nivelet e PSA-së janë > 20 mcg/dl.

Pacientët të cilëve u diagnostikohet kanceri i prostatës kanë përballë tyre shumë mundësi terapeutike, të cilat përfshijnë vëzhgimin në kohë të tumorit (me anë të testit të PSA dhe ekzamnimit digjital rektal), prostatektominë totale apo radioterapinë.

Mbase në të ardhmen do të përshtas për blogun diçka rreth këtyre mundësive terapeutike. Për sot mjafton.

(Burimi: Conn’s Current Therapy)

 

Rinstinkt 2013

———————————————————————————-

Epigjenetika: Çfarë i ndryshon gjenomit me kalimin e kohës

Epigjenetika: Çfarë i ndryshon gjenomit me kalimin e kohës?

Faktorët epigjenetikë mund të kenë një rol domethënës në lindjen e sëmundjeve si diabeti, autizmi dhe kanceri.

Traktet e  ADN-së nuk ndryshojne me kalimin e kohës (përjashtuar mutacionet), ndërsa shprehja (leximi dhe përkthimi) i gjeneve të ndryshme në të po.

Këto ndryshime, të quajtura epigjenetike sepse nuk kanë të bëjnë me strukturën e ADN-së, mund të shpjegojnë se përse me rritjen e moshës rritet dhe rreziku i lindjes së disa sëmundjeve.

Epigjenetika po merr një rol gjithnjë e më të madh, në mjekësinë moderne, në studimin e sëmundjeve me bazë gjenetike. Kjo sepse në diferencë me sekuencën e ADN-së, e cila është gjithnjë e njëjta (përjashtuar mutacionet) në çdo qelizë, ndryshimet epigjenetike mund të verifikohen si pasojë e dietës apo ekspozimit ndaj faktorëve ambiental.

Ndryshimet epigjenetike kanë të bëjnë me një sërë faktorësh që ndikojnë në “ndezjen”, “fikjen”, transkriptimin dhe translatimin e gjeneve.

Ndryshimet epigjenetike mund të kenë një kontribut në zhvillimin e sëmundjeve falë ndërmjetësimit që bëjnë, pra si urë lidhëse mes ndikimt ambiental dhe gjeneve. Kështu faktorët epigjenetikë mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, dhe me plakjen.

Faktorët epigjenetikë veprojnë kryesisht përmes metilimit të ADN-së. Metilimi i tepërt i materialit gjenetik mund të “fiki” disa gjene të nevojshëm, dhe mungesa e metilimit mund të “ndezi” disa gjene në qelizën e gabuar në momentin e gabuar.

Nivelet e metilimit ndryshojnë nga një person tek tjetri, dhe mënyra më e mirë për t’i studiuar është të studiohen tek i njëjti individ, në një kohë mjaft të gjatë.

Rinstinkt 2013

——————————————————————————