CA19-9, nga dëshmitar i thjeshtë në antagonist, ndoshta…

Glikani CA19-9 promovon pankreatitin dhe kancerin pankreatik tek minjtë 

Shpesh pacientët me cancer të pankreasit kanë nivele të larta, të rritura, të CA19-9. CA19-9 është një antigjen karbohidrati që është i pranishëm në shumë proteina.
Kështu që CA19-9 përdoret gjerësisht si një biomarkator/bioshenjues për të diagnostikuar dhe monitoruar avancimin e sëmundjes.

kanceri pankreatik ca19.9

Një pamje me imunofluoreshencë e pankreasit të një miu (me sëmundjen pankreatike)

Studiuesit Engle et al., në një studim të tyrin, gjetën se CA19-9 mund të jetë më shumë se një dëshmitar i thjeshtë i sëmundjes që shenjon praninë e kancerit pankreatik; ky antigjen ndoshta luan një rol shkakësor në vet sëmundjen.

Gjatë studimit, disa minjë transgjenikë që shprehnin enzimat njerëzore që shtojnë CA19-9 tek proteinat, zhvilluan një pankreatit të rëndë që mundej të kurohej duke u trajtuar me kundërtrupa CA19-9.

Më tej, kur këta minjë transgjenikë kishin edhe një onkogjen KRas ata zhvillonin edhe kancerin pankreatik.

Sipas studiuesve, këto vëzhgime të papritura sugjerojnë mundësinë e disa rrugëve të reja për trajtimin e sëmundjeve pankreatike.

 

 

Studimi: Science  21 Jun 2019: Vol. 364, Issue 6446, pp. 1156-1162
DOI: 10.1126/science.aaw3145

Klerokineza – një lloj i ri ndarje qelizore

Klerokineza

klerokinezaNë laboratorët e Universitetit të Wisconsin-it është bërë një zbulim i rëndësishëm në fushën e biologjisë. Mark Burkard & kollegë, vëzhguan një lloj ndarjeje qelizore (ose më mirë të them, një stad të ndarjes qelizore) të paparë më përpara; i pahasur më parë.

Zbulimi u bë publik më 17 dhjetor (2012) me rastin e kongresit vjetor të American Society of Cell Biology (Shoqata Amerikane e Biologjisë Qelizore).

Zbulimi u bë nga një grup onkologësh që ishin në kërkim të metodave për luftimin e një tipi kanceri që indukton ndarjen jonormale të qelizave të veta, një gjendje e njohur si poliploidi. Kjo gjëndje haset në rreth 14% të tumoreve (kancereve) të gjoksit dhe në rreth 35% të tumorevepankreasit.

Zbulimi ishte i rastësishëm. Ndodhi në tentativë për të përftuar eksperimentalisht qeliza njerëzore me kromozome të mbinumërt (me më shumë se një komplet kromozomik). Qëllimi ishte ai i riprodhimit të një “kanceri” artificial, mbi të cilin të kryheshin eksperimente të tjera për të kërkuar terapi të reja.

Disa qeliza epiteliale të retinës (rrjetëzës), u detyruan të ndërmerrnin rrugëtimin e ndarjes mitotike (ndarja qelizore më banale, e zakonshme), por duke inhibuar procesin e kariokinezës, që normalisht mundëson ndarjen e dy qelizave bija; pra ndarjen e citoplazmave të tyre.

Kështu qelizat e përftuara përmbanin secila nga dy bërthama, pra me dyfishim të numrit të të gjithë kromozomeve (set të dyfishtë të kromozomeve).

Tani vjen pjesa interesante, sepse Burkard & kolegë mendonin se kishin përftuar qeliza jonormale, me pjesën më të madhe të funksioneve biologjike të korruptuara dhe paaftësi për të vazhduar drejt një ndarjeje normale qelizore: pra njëfarë grupi qelizash tumorale. Pra, sikundër parashikon(te) teoria e Theodor Boveri-së.

Por, papritmas, disa qeliza filluan të sillen ndryshe nga sa pritej, duke i lënë shkencëtarët me gisht në gojë. Një e treta e qelizave filloi të ndahej në qeliza bija, pa nevojën (pa praninë) e proteinave që normalisht janë të nevojshme për ndarjen e membranës plazmatike së qelizës mëmë, gjatë citokinezës.

U desh pak kohë për t’u bindur për atë ç’ka po shihnim, sepse nuk ishte përshkruar në asnjë tekst – deklaroi Burkard – dhe në fund konkluduam se po vëzhgonim një tip të ti ndarjeje qelizore”.

Hipoteza është se, qelizat e përdorin këtë mekanizëm si strategji natyrore “back-up-i” që parandalon formimin e tumoreve në rast të keqfunksionimit mitotik. Kërkuesit i dhanë këtij procesi emrin “klerokinezë” (klerokineza).

Klerokineza është një mekanizëm primitiv ndarjeje qelizore që duket se është ruajtur (konservuar) edhe tek njeriu, duke qenë se të tilla ndarje qelizore ishin vëzhguar, deri më sot, vetëm tek disa organizma primitivë.

Këtu gjendet një video e procesit – SPOONFUL OF MEDICINE.

Shpresa është që zbulimi të mos shërbejë vetëm për rishkrimin e teksteve të biologjisë por të ndihmojë edhe në të kuptuarit se si mund të parandalohen tumoret në të ardhmen.

 

Rinstinkt 2012

———————————————————————————-