Tjetërsimet e lëngut cefalo-rakidian në rast meningjiti

Tjetërsimet e lëngut cefalo-rakidian në rast meningjiti

Meningjiti është një proces infiamator e cipëzave (të holla) të trurit, që shkaktohet nga vendosja e drejtëpërdrejtë e një agjenti infektiv mbi to.

Një ndër testet apo më mirë të them procedurat kryesore që kryhen për të marrë të dhëna mbi procesin e dyshuar meningjitik është edhe rakicenteza -në mënyrë që të nxirret një sasi e caktuar lëngu cefalo-rakidian dhe të ekzaminohet.
Lëngu cefalo rakidian është i rëndësishëm, madje thelpësor, për të kryer një diagnozë korrekte të meningjitit, dhe akoma më tej, një diagnozë etiologjike korrekte, sepse duhet identifikuar edhe agjenti shkaktar për ta trajtuar me skemën e duhur kemioantibiotike.

I vetmi element që mund të na ndalojë së ekzekutuari këtë procedurë mjekësore është dyshimi që mund të lindi nga shenja dhe simptoma që flasin për një proces brendakafkor ekspansiv (zgjerues). Ekzekutimi i procedurës në një gjendje të tillë do të shkaktonte një herniacion të elementit nervor për shkak të presionit të rritur që ekziston në kavitetet ku qëndron dhe qarkullon lëngu cefalo-rakidian.

Kështu, për të larguar këto dyshime, në rast se ato ekzistojnë, ekzekutohet më parë një elektroencefalogram, një ekzaminim i fundit të syrit ose një TC trunore.

 

Lëngu cefalo rakidian LCR në gjendje normale

Lëngu cefalo-rakidian në gjendje normale paraqitet i kthjellët (si ujë shkëmbi, pra i qartë); ka një presion që shkon nga 8 deri në 14 cm H2O në rast se gjatë procedurës pacienti qëndron shtrirë në brinjë; përmban proteina, glukoz dhe kripëra, në sasi të tilla që vështirë se mund të përkufizohet një kufi ndryshueshmërie normale, meqë ndryshojnë nga pacienti në pacient dhe për më tepër janë në varësi të përqëndrimeve përkatëse hematike.

4 provëza me lëng cefalo rakidian normal

4 provëza me lëng cefalo rakidian normal

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qelizat që mund të gjenden brenda lëngut cefalo-rakidian, të cilat nuk duhet të kalojnë 3-5 elementë/mm3.

Në rast meningjiti, që në momentin e rakicentezës mund të merret një konfirmim i parë mbi këtë dyshim diagnostik, pjesërisht për shkak të presionit likuoral të rritur, pjesërisht për shkak të pamjes së LCR-së që na mundëson të orientohemi drejt njërit prej dy grupeve kryesore: meningjit me LCR të kthjellët dhe meningjit me LCR të turbullt.

 

Meningjit me LCR të turbullt

Në këto raste meningjiti, lëngu cefalo rakidian është i turbullt ose i qelbëzuar. Numri i qelizave, që përbëhen kryesisht nga neutrofile, është tej mase i rritur – deri në 10.000/mm3 dhe më tepër. Përmbajtja proteinikie (proteinorrakia) është e rritur. Glokorrakia (përmbajtja e glukozit) është e zvogëluar, dhe ndonjëherë e papërcaktueshme. Një zvogëlim i tillë i përqëndrimit të glukozit nuk vjen vetëm për shkak të konsumit të i bëjnë bakteret por edhe për shkak të tjetërsimit të mekanizmave të transportit dhe të rritjes së konsumit nga ana e indit nervor.

Siç edhe mund të jetë kuptuar, ky kuadër i lëngut cefalo rakidian është karakteristik për meningjitet e provokuara nga bakteret, gram-pozitivë dhe gram-negativë, aerobë ose anaerobë. Përjashtim bëjnë meningjiti tuberkular, meningjiti nga brucela, leptospira dhe Tr. pallidum.
Po ashtu, janë meningjite me lëng cefalo-rakidian të turbullt edhe ato të shkaktuara nga kërpudha të llojeve Candida dhe Mucor dhe meningjitet e shkaktuara nga protozoarë si Naegleria dhe Acanthamoeba.

 

Meningjit me LCR të kthjellët.

Këto raste meningjiti dallohet nga ato që përshkruara më parë sepse lëngu cefalo rakidian nuk është i turbullt në asnjë fazë të sëmundjes.
Meningjitet me lëng të kthjellët (të kulluar, të qartë) janë si format virale ashtu edhe disa forma meningjiti bakterial. Përcaktim i glikorrakisë, që është i zvogëluar në format bakterore dhe normal ose i rritur në format virale, na mundëson që të dallojmë këto dy grupe etiologjike të meningjiteve me lëng cefalo rakidian të kthjellët.
Meningjit me LCR të kthjellët dhe glikorraki të zvogëluar: Prototipi është meningjiti tuberkular.
Meningjit me LCR të kthjellët dhe glikorraki normale ose të rritur: Karakteristike janë meningjitet me agjent eziologjik viral dhe meningjite të ralla nga rickettsia, clamidia dhe forma parazitare si toxoplasma apo tripanosoma.
Në raste tepër të jashtë zakonshme, edhe meningjitet bakterore pjesërisht të trajtuara, dhe infeksionet tuberkulare në fazë fillestare mund të shfaqin një kuadër lëngu cefalo rakidian të këtij tipi.

© Rinstinkt, 2015

 

Reklama

Interferoni

Interferoni

Interferon alfa, Interferon beta, Interferon gama - (BDP)

Interferon alfa, Interferon beta, Interferon gama – (BDP)

Qelizat tona kanë disa mbrojtje kundër viruseve. Kur qelizat infektohen ato ndërtojnë enzima që ngadalësojnë sintezën e proteinave, dhe kështu ngadalësojnë rritjen virale. Gjithashtu qelizat e infektuara ndërtojnë proteina (enzima) që  presin ARN-në dy-vargëshe, e cila gjendet kryesisht tek viruset.

Gjithashtu, qelizat e infektuara alarmojnë sistemin imunitar duke sekspozuar pjesë të virusit në sipërfaqen e tyre.

Në rastet më të kqija, qelizat bëjnë një sakrificë të fundit duke shkatërruar veteveten me anë të procesit të apoptozës.

Kuptohet, qelizat tona nuk i bëjnë këto gjera në gjendje normale – këto masa drakonike duhet të fillojnë vetëm kur një qelizë është në rrezik.

Interferoni është një mënyrë me anë të cilës qelizat sinjalizojnë se është koha për të kaluar në gjendjen virus-luftuese.

Alarmi viral

Interferonët sekretohen (tahiten) nga qelizat e infektuara për të lajmëruar fqinjët e tyre, dhe pas stimulimit, edhe qelizat e sistemit imunitar sekretojnë interferon si pjesë të punës së tyre imunitet-mbrojtëse.

Interferonët janë proteina të vogla që lidhen me receptorët mbi sipërfaqen qelizore. Ky sinjal transmetohet mbrenda qelizës (pra në citoplazmë) dhe shpiie në formimin/prodhimin e qindra proteinave të përfshira në mbrojtjen virale.

Nga qelizat tona prodhohen tipe të ndryshëm intereferoni. Interferon alfa dhe interferon beta, shiko figurën, janë tipet më të përhapura, dhe prodhohen nga pjesa më e madhe e llojeve të qelizave, veçanërisht nga ato të sistemit imunitar.

Ata dërgojnë një sinjal të thjeshtë (bazik) për të ndalur rritjen dhe për t’u fokusuar mbi mbrojtjen. Interferon gama, sekretohet kryesisht nga qelizat T, dhe dërgon sinjale që rregullojnë përgjigjen e sistemit imunitar.

Terapi interferoni

Kur u zbulua për herë të parë, interferoni, dukej se do të ishte trajtimi perfekt për infeksionte virale. Duke qenë se ngadalësonte rritjen qelizore, dukej se do të shërbente edhe për të ngadalësuar rritjen e shpejtë të qelizave tumorale (kancerogjene).

Interferonët janë shumë specifikë dhe vetëm interferoni nga qelizat njerëzore apo të primatëve të tjerë është i efektshëm në trajtim.

Kështu, përdorimi i gjerë i tij duhet të priste deri në vitin 1980të, kur metodat e inxhenierisë gjenetike patën progres të mjaftueshëm sa për të mundësuar prodhimin e einterferonit rikombinant.

Sot, interferoni rikombinant, përdoret për të trajtuar hepetitin dhe sëmundje të tjera virale, sklerozën e shumëfishtë, dhe pak tipe kanceri. Gjithsesi, efekti i tij i madh mbi qeliza shkakton efekte anësore të rënda,dhe aktualisht përdoret vetëm në raste specifike.

 

Viruset kundërpërgjigjen

Viruset janë dinakë dhe siç mund të pritet ata kanë evoluar disa mënyra për të luftuar mbrojtjen e realizuar nga trupi me anë të interferonëve.

Viruse të ndryshëm bllokojnë veprimin e interferonëve të ndryshëm, në rrugën ndërmjet fiksimit tek receptorët qelizorë, tek njëpasnjëshmëria e sinjaleve që pasojnë në citoplazmën qelizore, e deri tek mbërritje përfundimtare në bërthamë.

Rinstinkt, përkthyer (përshtatur) nga PDB

——————————————————–