Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Skorbuti shkaktohet nga mungesa e vitaminës C, apo thënë ndryshe acidit askorbik (askorbatit). Vitamina C përveç të tjerash është e nevojshme edhe për oksidrilimin e prolinës dhe lizinës në molekulën e kolagjenit.

Skorbuti është një sëmundje defiçiti, si shumë të tjera, që karakterizohet nga degjenerimi (prishja) e përgjithshme e indit lidhor. Skorbuti shfaqet (manifestohet) me shenja si: hemorragji të shumta të shkaktuara nga dobësia e enëve të gjakut, pra nga dobësia e mureve të enëve të gjakut. Skorbuti shfaqet edhe me humbjen e dhëmbëve, pamundësinë e krijimit të eskarave (vrajave, mbresave) nga plagët apo rihapjen e të vjetrave, dhimbje dhe prishje të kockave dhe, në fund, pamajaftueshmëri kardiake. Janë vëzhguar edhe depresion dhe rritja e ndjeshmërisë ndaj stimujve të llojeve të ndryshme.

Rastet me të moderuara me mungesë të vitaminës C shfaqen me lodhje të përgjthshme, acarueshmëri dhe rritje të gravitetit të infeksioneve respiratore.

Pjesa më e madhe e kafshëve e prodhon vitaminën C, vet, në sasi të mëdha, nëpërmjet transformimit të glukozit në askorbat. (Transformimi kryhet nëpërmjet katër hapave enzimatike.)

Gjatë evoluimit të vet, njerëzit – dhe kafshë të tjera si gorrilla, kaviet, laskuriqët – e kanë humbur enzimën e fundit të rrugës enzimatike që realizon sintezën e askorbatit nga glukozi. Kështu acidi askorbik (askorbati) duhet të merret nga dieta.

Formula kimike e vitaminës C

Formula kimike e vitaminës C

Acidi askorbik (vitamina C) në formën e vet fizike është një pluhur i bardhë, kristalin, i paerë. Vitamina C shkrihet me lehtësi në ujë, ndërsa me pak më shumë vështirësi në tretës të tjerë organikë.

Përdorimi i duhur ditor i vitaminës C është ende nën diskutim. Në SHBA doza e rekomanduar ditore është prej 60 mg, në Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar 30-40 mg, në Rusi prej 100 mg. Ndonjëherë jepen doza të larta të vitaminës C pavarësisht se benefici që vjen nga një veprim i tillë është nën diskutim.

Kafshët që e sintetizojnë vet vitaminën C ruajnë nivele të larta të kësaj vitamine, aq sa njeriut do t’i duhej të merrte doza qindra herë më të larta se doza ditore e rekomanduar për të mbërritur në një nivel të tillë.

Përveç agrumeve dhe pjesës më të madhe të frutave të freskëta, edhe ushqime të tjera përmbajnë doza të konsiderueshme vitamine C. Ndër to janë: piperi, domatet, patatet dhe brokolit.

Vitamina C që gjendet në fruta dhe preime degradohet (prishet) pas gatimit të këtyre. Po ashtu edhe gjatë konservimit të zgjatur.

Po përse vitamina C (acidi askorbik) është kaq i rëndësishëm për shëndetin e njeriut?

Rëndësia e vitaminës C tek njeriu qëndron në formimin e kolagjenit. Kolagjeni përbëhet nga përsëritja e tripeptidit Gly-X-Y ku X dhe Y janë përgjithësisht Pro apo 4-Hyp, derivati i Prolinës nga (4R)-L-hidroksiprolina, që ka një rol thelbësor në mbështjelljen e kolagjenit dhe në ruajtjen e strukturës së tij.

Unaza e prolinës normalisht gjendet në në dy konformacione “të përthyera”, të quajtura Cy-endo dhe Cy-ekzo. Struktura e helikës së kolagjenit kërkon që mbetja e prolinës në pozicionin Y të trepeptidit të jetë në konformacionin Cy-ekzo. Ky konformacion i prolinës stabilizohet nga prania e grupit funksional oksidrilik (-OH) në pozicionin C4 të 4-Hyp. Struktura e kolagjenit kërkon edhe që mbetja e prolinës në pozicionin X të trepeptidit të ketë konformacionin Cy-endo.

Në mungesë të vitaminsë C (askorabatit) qelizat nuk mund ta oksidrilojnë, pra nuk mund t’a shtojnë grupin oksidril tel mbetja e prolinës në pozicionin Y. Kështu, mos-shtimi i grupeve hidroksil sjell paqëndrueshmërinë e proteinës së kolagjenit, me të gjitha pasojat që rrjedhin prej kësaj.

Ah, një kuriozitet: kolagjeni është një proteinë, pra njeriu i ka gjenet për ta prodhuar vetë. Po ashtu, kolagjeni është një ndër proteinat me masën dhe strukturën hapsinore më të madhe, kështu që është e pamundur që të kalojë hapsirat ndërqelizore – ndryshe nga sa pretendojnë ata që shesin kremrat me “kolagjen”. Kolagjeni pra nuk thithet nga lëkura. Mos i shpenzoni paratë kot. 🙂

 

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————————————————————–

Reklama

Sëmundje që i detyrohen çrregullimeve të kolagjenit

Sëmundje që i detyrohen çrregullimeve të kolagjenit

Shumë sëmundje gjenetike shkaktohen nga mutacione në gjenet që kodifikojnë për kolagjenin apo për enzimat që lidhen me metabolizmin e tij.

Efekti kryesor është një reduktim i forcës tendosëse të indeve lidhorë, që prodhon një elasticitet jo të natyrshëm të indit dhe një predispozitë ndaj dëmtimit.

Sindroma e Ehlers-Danlos–it karakterizohet nga një lëshim jonormal i lëkurës dhe nga një lëvizshmëri e tepërt e artikulacioneve.

 

Rinstinkt 2012

———————————————————————————-

Sistemi qarkullues

Sistemi qarkullues

Kafshet (organizmat) shumeqelizore nuk i kane te gjitha qelizat e tyre ne kontakt me ambientin e jashtem, keshtu qe kane zhvilluar sisteme qarkulluese per te transportuar lendet ushqyese, oksigjenin, dioksidin e karbonit dhe mbeturinat e metabolizmit.

Pjeset perberese te sistemit qarkullues jane: 
  1. Gjaku qe eshte nje ind lidhor, i perbere nga plazma dhe elementet qelizore. 
  2. Zemra; nje organ muskulor me funksionin e pompes. 
  3. Enet e gjakut, si arteriet, kapilaret dhe venat qe e shperndajne gjakun ne te gjitha indet e trupit.



—– 
© rinstinkt

Tumorët që lindin nga qeliza të indeve lidhorë

Tumorët që lindin nga qeliza të indeve lidhorë

Tumorët shkaktohen nga mutacione gjenetike somatike, që përcaktojnë kapacitetin e qelizës tumorale për të shpëtuar nga kontrolli i rritjes. Kjo rritje lokale krijon një masë qelizore  që quajtur tumor apo neoplazi.

Tumorët mund të qëndrojnë të kufizuar në indin e origjinës (tumorë beninj) ose mund të pushtojnë indet rrethuese dhe të përhapen në të gjithë organizmin (tumorë malinj).

Tumorët e indeve lidhor janë mjaft të shpeshtë. U përkasin tumorëve të indeve të buta.

Rritja jonormale e adipocitëve shpie në formimin e një tumori beninj të quajtur lipomë (lipoma). Lipoma, edhe pse mund të zhvillohet në çdo pjesë të organizmit, shfaqet kryesisht në formën e  një mase të butë nënlëkurore. Nga pikëpamja histologjike këto masa të indit adipoz janë të padallueshme nga indi adipoz normal.

Tumorët malinj të indit adipoz quhen liposarkomë (liposakroma). Këto dëmtime janë fortësisht malinje, dhe shpesh lindin thellë në indet pas-peritoneale.

Tumorët beninj që lindin nga fibroblastët janë mjaft të shpeshtë dhe quhen fibromë (fibroma). Tumorët malinj që lindin po nga fibroblastët quhen fibrosakromë (fibrosarkoma) dhe mund të zhvillohen në çdo vend në organizëm.

 

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————————