Alergjia

Alergjia

Alergjia është një formë atopie apo thënë ndryshe një formë sëmundjeje hiperndjeshmërie të menjëhershme e lidhur me aktivizimin e mastociteve apo të bazofilëve e induktuar nga njohja e një antigjeni.

 

Alergjia - Hiperndjeshmëria e tipit I

Alergjia – Hiperndjeshmëria e tipit I

Alergjitë, pra, janë patologji njerëzore që shkaktohen nga përgjigje imunitare ndaj antigjenëve ambientalë. Njohja e këtyre antigjenëve ambientalë shpie në përdallimin e linfocitëve CD4+ në linfocite T-helper 2. Ky lloj përdallimi i linfociteve T shpie në prodhimin e imuniglobulinave E specifike për antigjenin që janë në gjendje të lidhen me receptorët Fc të shprehur tek qelizat e mastocitëve dhe bazofilëve.

Imunoglobulinat E lidhen në sipërfaqen qelizore dhe mëpastaj agregohen si pasojë e njohjes së antigjenit. Kjo shkakton aktivizim qelizor dhe lëshimin e ndërmjetësve kimikë nga qelizat në fjalë.

Ndërmjetësit kimikë shkaktojnë rritjen e përshkueshmërisë enëzore, zgjerim të enëve të gjakut dhe jo vetëm, tkurrje e muskulaturës të lëmuar bronkiale dhe infiamacion lokal. Një i tillë reaksion quhet reaksion hiperndjeshmërie të menjëhershme meqë shfaqet në një kohë mjaft të shkurtër.

Në këtë lloj sëmundje kontribuojnë në mënyrë domethënëse infiamacioni që në vetvete shkaktohet nga citokinat e lëshuar nga linfocitet CD4+, T-helper 2 dhe nga mastocitet të cilët lëshojnë edhe ndërmjetës lyrorë.

Rinstinkt Rat, 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————–

 

Reklama

Hyrje mbi Sistemin Imunitar

Hyrje mbi Sistemin Imunitar

 Ekzistojnë dy lloje përgjigjesh imunitare

Përgjigjet imunitare janë mekanizmat mbrojtës që organizmi ka kundër  patogjenëve, toksinave dhe agjentëve të tjerë të dëmshëm. Në përgjigjet imunitare, trupi e organizmi njeh makromolekulat e huaja dhe të rrezikshme dhe reagon për t’i eliminuar, nëpërmjet mekanizmave të imunitetit të lindur, të imunitetit qelizor dhe atij humoral.

Përgjigjet imunitare jo-specifike, apo thënë ndryshe të lindura, sigurojnë mbrojtje të  menjëhershme dhe të përgjithshme ndaj patogjenëve, disa toksinave, drogërave dhe qelizave kanceroze.
Përgjigjet imunitare specifike shenjestrojnë , nëpërmjet qelizave të sistemit imunitar, makromolekula dhe antigjenë të rrezikshëm.

Kur sistemi imunitar dallon antigjenet, prodhon kundërtrupat, që janë proteina specifike të cilat njohin epitopet antigjenikë dhe lidhen kështu me antigjene specifikë.

Një tjetër veti e sistemit imunitar është memorja imunologjike, që ka të bëjë me « kujtesën » e vet sistemit imunitar për molekulat e huaja dhe dhënien e një përgjigjje më të fuqishme në takimet e përsëritura me të njëjtat molekula antigjenike.

Evolucioni i sistemit imunitar

Jovertebratët  varen nga përgjigjet imunitare jo specifike, si barrierat fizike (kutikula, lëkura),  fagocitoza dhe peptidet apo proteinat antimikrobike, që janë molekula të tretshme që shkatërrojnë agjentët patogjenë. Tek vertebratët nuk njihen përbërës specifikë të sistemit imunitar, ndaj edhe klasifikohen,  ndër të tjera, si qenie më të ulëta.

Vertebratët përdorin si përgjigjet imunirate jo-specifike edhe ato specifike, përshtatëse si imuniteti qelizor dhe ai humoral.

Përgjigjet imunitare të lindura (jo-specifike)

Përgjigjet imunitare jo-specifike përfshijnë barrierat fizike si lëkura dhe veshjet me mukozë të rrugëve të frymëmarrjes dhe të aparatit tretës. Peptide (proteina) antimikrobike prodhohen nga qelizat epiteliale dhe kanë aftësi të shkatërrojnë apo inhibojnë rritjen e shumë mikrooranizma të njohur nga organizmi si patogjenë.

Fagocitët (qelizat e sistemit imunitar që kryejnë fagocitozë), ku përfshihen neutrofilët dhe makrofagët shkatërrojnë bakteret; duke i gëlltitur e mëpastaj duke i tetur në vakuolat lizozomiale brendaqelizore. Qelizat NK (natural killer) shkatërrojnë qeliza të infektuara nga viruset dhe qelizat tumorale.

Bakter që ka ngecur në pseudopodin e një qelize fagoocituese.

Bakter që ka ngecur në pseudopodin e një qelize fagoocituese.

Citokinat janë proteina senjalizuese që rregullojnë ndërveprimin mes qelizave imunitar e jo vetëm. Ndër grupet më të rëndësishme të citokinave janë: interferonët, TNF (Tumor Necrosis Factor), interleukinat dhe kemokinat.

Kur agjentët patogjenë  sulmojnë trupin, shkaktojnë një përgjigjie infiamatore (skuqje), e cila përfshin tre procese kryesore: zgjerim të  enëve të gjakut ç’ka sjell më shumë gjak në vendin e infeksionit; rritje të përshueshmërisë kapilare, që lejon lëngjet dhe kundërtrupat të kalojnë nga qarkullimi i gjakut në lëngun jashtëqelizor dhe indet përreth; dhe rritje të procesit të fagocitozës të nga ana e fagocitëve.

Përgjigjet imunitare specifike

Në imunitetin qelizor, qeliza/linfocite T specifike aktivizohen, prodhojnë e lëshojnë proteina që shkatërrojne qeliza të infektuara me viruse ose me patogjenë të tjerë brendaqelizorë.

Në imunitetin humoral aktivizohen qelizat/linfocitet B specifikë që shumëfishohen dhe specializohen në plasma-qeliza (plasma cells), të cilat  nga ana e tyre kanë si rol kryesor  të prodhojnë kundërtrupa.

Dy janë llojet e qelizave që marrin pjesë në përgjigjet imunitare specifike: linfocitet dhe qelizat që prezantojnë antigjenet (APC-AntigenPresentingCell).

Linfocitet zhvillohen nga qelizat staminale të palces së kuqe të kockave.

Qelizat/linfocitet T janë përgjegjëse për imunitetin qelizor.
Timusi (gjëndra e Timusit) u jep imunokompetencë linfociteve T duke i bërë ata të aftë  të dallojnë qelizat e trupit nga të huajat (të rrezikshmet). Dallojmë tre lloje linfocitesh T: Tc (cyotoxic, citotoksik) ose killer; Th (hellper, ndihmës); T memory (memorie).

Linfocitet B janë përgjegjës për përgjigjet imunitare humorale (me kundërtrupa). Linfocitet B specializohen me plazma-qeliza të cilat prodhojnë kundërturpat apo thënë ndryshe imunoglobulinat. Disa linfocite B shndërrohen në linfocite B të memorjes, të cilat  vazhdojnë të prodhojnë sasi të vogla kundërtrupash edhe pasi  infeksioni ka kaluar.

Përgjigjet imunitare varen nga kompleksi  madhor i histokompatibilitetit (Major Histocompatibility Complex MHC), që janë një grup gjenesh që kodifikojnë për një grup proteinash MHC.

Gjenet MHC të klasës së parë (MHC I) kodifikojnë për antigjenet vetjak, që janë glikoperoteina që ndodhen në sipërfaqen e shumicës së qelizave me bërthamë të trupit. MHC I aktivozojnë linfocitet T citotoksikë (CD8+).
Gjenet MHC të klasës së dytë (MHC II) kodifikojnë për glikoperoteina që shprehen në sipërfaqen e APCs të sistemit imuniatar, si p.sh. tek makrofagët apo qëlizat me dentrite, dhe prezantojnë peptide për linfocitet T helper (CD4+). Gjenet MHC të klasës së tretë kodifikojnë për përbërës të sistemit të komplementit dhe TNFs.

Ngjarje të njëpasnjëshme e të ndërlidhura

Në imunitetin e ashtuajtur qelizor, linfocitet T specifikë akktivizohen nga kompleksi MHC-antigjen i huaj i cili shprehet në sipërfaqen e qelizave të infektuara. Për të aktiviuat linfocitet T specifikë lipset edhe një sinjal bashkstimulues dhe interleukinat, kjo për të dalluar një antigjen vetjak i cili mund të ngatërrohet si i huaj.

Linfocitet T citotoksikë pas aktivizimit, i nënshtrohen shumëfizimit nga ku do të lindin klone CTL. Këto qeliza, pra linfocitet T citotoksikë (CTL) migrojnë në vendin e infeksionit dhe shkatërrojnë qelizat e infektuara nga mikroorganizmat patogjenë. Ndërsa aktivizimi i linfociteve T-helper (ndihmës) shpie në formimin e kloneve të linfociteve T-helper të cilët kanë si rol kryesor sekretimin e citokinave që aktivizojnë linfocitet B (përgjegjësit kryesorë të imunitetit humoral) dhe makrofagët. Aktivizimi i linfociteve B nga ana e linfociteve T-ndihmës është një nga mënyrat e ndërveprimit mes imunitetit qelizor dhe atij humoral.

Në imunitetin humoral, linfocitet B – të quajtur kështu ngaqë maturohen në palcën e kockave (Bone, nga anglishtja) – aktivizohen kur kombinohen me antigjenin. Aktivizimi i linfociteve B kërkon praninë e  1) qelizave që prezantojnë antigjenet, si qelizat dendritike dhe makrofagët, të cilat kanë të shprehur në sipërfaqen e vet një kompleks MHC- antigjen dhe 2) të linfociteve T-ndihmës që sekretojnë interleukinat.

Edhe linfocitet B apsi aktivizohen nga sinjalet  e lartëpërmendur, fllojnë e shumëfishohen duke dhënë klone qelizash. Nga klonet formohen edhe plazma-qelizat të cilat prodhojnë e sekretojnë kundërtrupa, pra, imunoglobulina (Ig). Kundërtrupat e prodhuar nga plazma-qelizat kombinohen me antigjenët përkatës, në mënyrë specifike, duke dhënë komplekset antigjen-kundërtrup, të cilat komplekse mund të çaktivizojnë patogjenin, të stimulojnë fagocitozën apo të aktivizojnë sistemin e komplementit.

Struktura e kundërtrupave

Struktura e kundërtrupave

Struktura e kundërtrupave

Kundërtrupat janë proteina (imunoglobulina) me një formë Y, ku dy krahët e sipërm lidhen në mënyrë specifike ne antigjenet përkatës. Molekula e kundërtrupit është e përbërë nga katër vargje polipeptidike: dy vargje të rëndë, identikë dh edy vargje të lehtë. Çdo varg polipeptidik ka një rajon konstant (C) dhe një rajon variabël (V), të ndryshueshëm.

Memoria imunologjike

Sistemi imunitar orfron përgjigjje më të zgjeruara dhe të efektshme kundrejt patogjenëve (antigjeneve), nëse këta ekspeozohen përsëri pas njëfarë kohe. Përgjigjja e parë ndaj një antigjeni ndërmjetësohet nga linfocitët naivë, që e takojnë antigjenin për herë të parë. Thuhet naiv sepse këto qeliza nuk janë eksperte në terma imunologjikë.

Takimet e mëpasshme me të njëjtin antigjen, të quajtura përgjigje dytësore, janë në përgjithësi më të shpejta, më të dendura dhe si pasojë më të efektshme se ato parësore. Përgjigjet imunitare dytësore ndërmjetësohen apo realizohen nga linfocitet e memories, që janë qeliza me jetë të gjatë të prodhuara gjatë përgjigjes imunitare parësore.

Memoria imunologjike optimizon aftësitë e sistemit imunitar për të luftuar infeksionet “këmbëngulëse”, apo ato që rikthehen.

Memoria imunologjike është, ndër të tjera, edhe një nga arsyet se përse mbrojtja që ofrojnë vaksinat zgjat për një kohë të gjatë.

© mbi tekstin, Rinstinkt

Vaksina NUK i ngjan sëmundjes

Vaksina nuk i ngjan sëmundjes

Po i rikthehem një çështjeje të cilën e njoh disi më mirë se të tjera, edhe për shkak të interesave personale mirëfilli intelektuale. Asaj të vaksinave. Muaj më parë (25 maj 2013) Ardian Vehbiu botonte në blogun e vet (Peizazhe të Fjalës) një shkrim, -ese letrare e quan ai me të drejtë-, në të cilin ndër të tjera pohon(te) edhe se:

Më vonë do të mësoja se, nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë; meqë kur na vaksinojnë na futin në trup baktere ose viruse të dobësuara, ose të ngordhura, ose të neutralizuara; për të zgjuar mekanizmat mbrojtës dhe për të nxitur prodhimin e antitrupave.

Më vonë do të mësoja se, nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë; meqë kur na vaksinojnë na futin në trup baktere ose viruse të dobësuara, ose të ngordhura, ose të neutralizuara; për të zgjuar mekanizmat mbrojtës dhe për të nxitur prodhimin e antitrupave.

Kritika që ngrita asokohe qartësisht nuk u mirëprit, në daç për shkak të faktit se ishte kritikë, në daç për faktin se tërhiqte vëmendjen nga qëllimi origjinal i shkrimit, siç edhe shprehet vetë Vehbiu në koment-replikat e veta. Gjithsesi më duhet për arsye të kësaj përsiatje të shkrurtër shpresoj, të citoj edhe vetveten, pa kërkuar gjithsesi përfshirje të të tjerëve në debate ku nuk kanë qejf të marrin pjesë. Kështu, kritika e ngritur kishte të bënte me këtë shprehje: “nga pikëpamja biologjike, vaksina i ngjan sëmundjes vetë;”. Nëse shprehja përdoret nga një individ që është i fushës biomjekësore, do ta konsideroja të pafalshme. Po e pafalshme është edhe përdorimi i kësaj shprehje nga qarqe të caktuara, lobe e individë të lidhur ekonomikisht e pse jo familjarisht me firma që prodhojnë përbërje homeopatike; të cilat unë refuzoj t’i quaj ilaçe.

Një digresion i vogël: prodhuesit e përbërjeve homeopatike, gjiganti Boiron për shembull,  pretendojnë se kurojnë ndër të tjera edhe mbi bazën e “i ngjashmi kuron të ngjashmin”, e këtu u shërben jashtëzakonsiht mistifikimi se vaksina i ngjan sëmundjes. Në kuptimin që, (për ilustrim), meqë kinina shkakton dhimbje koke, kinina e holluar, shumë shumë herë, pra e holluar në mënyrë ekspponenciale po them, shërben si një kurë për dhimbjen e kokës. Rrejshmëria  logjike këtu mund të mos jetë e qartë për shumë vetë ndaj këshilloj leximin e serisë së shkrimeve, të përshtatur nga i nënshkruari, mbi Legjendën Homeopatike. tani, pa u ndalur më gjatë tek homeopatia, po argumentoj se përse të thuash se “vaksina i ngjan sëmundjes vetë” është jo vetëm e gabuar po edhe mistifikim që i shërben mashtrimeve mbi konsumatorin.

Vaksinimi, pa nevojë përkufizimesh, është procesi nëpërmjet të cilit evokohet një përgjigje imunitare specifike kundër një mikroorganizmi . veksinimi realizohet nëpërmjet ekspozimit të sistemit imunitar ndaj një forme apo një përbërësi jo patogjen të vetë mikroorganizmit – vaksina pra. Nuk ka dyshim se vaksina, vaksinimi është një nga arritjet më të mëdha të imunologjisë, dhe më tej dijeve njerëzore teorike. (Çfarë janë dhe si bëhen vaksinat?)

Kalojmë tani tek sëmundja. Me sëmundje zakonisht, në terma të përgjithshëm, kihet parasysh një çrregullim i rendit normal të funksionimit të gjërave në organizmin një gjallese. Kështu sëmundja mund të njohë shkaqe traumatike, gjenetike, infektive e më tej akoma. Nuk mendoj aspak të jetë vendi që të flas mbi sëmundjen/et si abstraksione; do të ishte tepër e ndërlikuar. Shpesh në perceptimin publik, kur thuhet sëmundje sillen ndër mend imazhe apo kujtime sëmundjesh infektive, andaj një nga shkaqet themelore mbi të cilin lind mistifikimi natyrisht i pabazë se “vaksina i ngjan sëmundjes”. Vaksina nuk i ngjan sëmundjes. Vaksina ka të përbashkët me sëmundjen infektive vetëm entitetin infektiv, apo ndonjëherë pjesë të tij. Po natyrisht sëmundjet nuk janë vetëm infektive; e sikur të mos mjaftonte kjo edhe sikur sëmundja të ishte infektive ajo nuk ngjan me vaksinën, apo anasjelltas. Sëmundja ka të bëjë me çrregullimin, me  mekanizmin patologjik, i cili kthehet në patologjik. Agjenti etiologjik, i dobësuar ose jo, është një gjë e sëmundja, në tërësinë e saj, është një gjë tjetër.
Ky është thembi i gjësë.
Më poshtë, po bashkëngjis një pjesë të një prej komenteve të mi, të lënë mbi shkrimin e Ardian Vehbiut të cituar në fillim.

Kam përshtypjen se ti flet për mekanizmin, “filozofinë” e funksionimit apo entitetin, po e quaj kështu, që qëndron, si pas vaksinës po ashtu edhe pas sëmundjes (infektive); që është mikroorganzimi. Ndërsa unë i jap, detyrimisht, një kuptim të caktuar sëmundjes, që është tërësia e çrregullimeve në funksionimin dhe anatominë normale të organizmit, ti me sa kuptoj, këtu ke parasysh me sëmundje thjesht e vetëm pjesën infektive të saj. “dhe kjo ngjashmëri madje nuk kufizohet vetëm në faktin që të dyja infektojnë dhe sëmurin.” Sëmundjen infektive në përbërësin e vet infektiv, eksternalizues të agjentit etiologjik, dhe jo sëmundjen si sëmundje si mekanizën fiziopatologjik, siç shpresoj ta ketë parasysh çdonjëri prej atyre që na lexon. Sepse nuk ka vetëm sëmundje infektive, sado që ti fole kryesisht për ato, meqë tema ishte imunizimi “i detyruar”. Nuk e di nëse nga ana gjuhësore ka ndonjë term që përkufizon një përdorim të tillë të pjesshëm të fjalës, si në rastin e “sëmundjes”, të përdorur për komponentin infektiv të saj.

Rinstinkt, tetor 2013

————————————————————————————————————-

Ushqimi i bebes me qumësht gjiri dhe kundërtrupat

imunitet natyror, imunitet pasivUshqimi i bebes me qumësht gjiri, dhe kundërtrupat

Dikush mund të ketë hasur slogane të tipit, “qumështi i lopës është ushqimi natyror më prefekt”. Ndonjë mund të ketë shkuar deri aty sa të thotë se, “qumështi i njeriut është ushqimi më perfekt për të porsalindurit”.

Natyrisht qumështi i njeriut është plot me lëndë ushqyese thelpësore për të porsalindurin, pa folur për disponibilitetin e tij (prodhohet nga vet nëna fiziologjikisht pas lindjes, në një kohëzgjatje të formësuar nga evolucioni) dhe për higjenën e tij me qenë se prodhohet në gjëndrën e gjoksit, ndër të tjera pa qenë nevoja për t’i rregulluar temperaturën.

Përvep këtyre benefiteve, qumështi i gjirit, ka edhe një tjetër fakt në favor të vet, benefitin kryesor. Gjatë ushqyerjes me gji, gjoksi shndërrohet në sitin e proliferimit të limfociteve që prodhojnë IgA, që jan kundërtrupa që mbrojnë sipëfaqet mukozale të organizmit nga sulmet lokale të mikroorganizmave, qofshin këto baktere, viruse apo diç tjetër.

kundertrupSekrecioni i parë i gjoksit, pra qumështi i parë i lehonës – kulloshtra – që ka një pamje të verdhemë për shkak të përmbajtjes së lartë të lyrore, është shumë i pasur me kundërtrupa.

Këto kundërtrupa, që gjenden në sasi të mëdha në kulloshtër, krijojnë një veshje mbrojtëse kundër sulmit eventual të mikroorganzimave, në traktin gastointestinal të të porsalindurit. Mikroorganizmat përfshijnë Escherichia coli-n, Salmonella, Polioviruset, Rotaviruset etj.

Mbrojtja e ofruar nga kundërtrupat e kulloshtërës dhe mëpastaj nga ata të qumështit të gjirit, është kritike sepse i porsalinduri nuk e ka krijuar ende një barrierë mbrojëtse që të jetë pjesë e konstitucionit të vet normal. Kështu këto kundërtupa luajnë rolin e një imuniteti të marrë hua, derisa i porsalinduri të krijoit atë të vetin.

Rinstinkt 2013

———————————————————————-