Homeopatia funksionon… si placebo!

Homeopatia: mit dhe legjendë (3)

Si prodhohet një mjekim homeopatik?

Por homeopatia funksionon… apo jo?

Nëse do t’i binim shkurt, do të thoshim me patjetër se JO, homeopatia nuk funksionon!

Pak digresion: çfarë është dhe si funksionon shkenca?

  • Shkenca është tërësia e njohjeve që janë përftuar me një proces metodik dhe sistematik, me qëllim arritjen në përshkrimin, e saktë dhe objektiv të realitetit të gjërave dhe të ligjeve që i rregullojnë.
  • Larg të qenit perfekte, sheknca nuk mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe nuk është në gjendje të demonstrojë të vërteta absolute. Por as nuk ka arrogancën që të demonstrojë të vërteta absolute. Në fakt, edhe pse bëhen vazhdimisht gabime, shkenca pranon korrigjimin duke shpënë në progresin e vet shkencës dhe si pasojë të teknikës dhe të shoqërisë njerëzore.

Ndërsa homeopatia, në të kundërt, nuk është e aftë të përshkruajë objektivisht mënyrën (hipotetike) sipas së cilës “funksionon” dhe është de facto kundër çdo progresi. Homeopatia bazohet mbi traditën e ideve të viteve 1800 të themelues-profetit të vet, Hahnemann-it. Që prej asaj kohe nuk ka ndryshuar asgjë, ndërsa shkenca “zyrtare” ka bërë hapa të mëdha duke dyfishuar jetëgjatësinë mesatare të shumë personave.

Duke aplikuar metodën shkencore ndaj homeopatisë dilet në përfundimin se ajo nuk funksionon! S’ka sesi!

Metoda shkencore, e aplikuar në Biologji dhe Mjekësi, konsiston në kryerjen e studimeve që janë statistikisht të vlefshme dhe të përsëritshme. Një studim shkencor, duhet që nëse përsëritet nga të tjerë kërkues shkencorë (sipas disa kushtesh përcaktuara) të jap të njëjtat rezultate.

Kur homeopatia ka kërkuar që t’i njihet vlefshmëria e vet nga shkenca, ka dështuar sepse të gjitha studimet serioze dhe të detajuara të kryera në dhjetëvjeçarët e fundit nuk kanë treguar asgjë prej gjëje mbi vlefshmërinë e saj. Disa studime të tjerë, që në pamje të parë sillnin “prova” pro homeopatisë, treguan më pas se vuanin nga përsëritshmëria (pra nuk mund të replikoheshin “me sukses”, duke nxjerrë të njëjtat përfundime, nga kërkues të tjerë), pra s’vlenin asnjë grosh! Për më tepër që nuk arrinin “të mbijetonin” ndaj analizës së revistave mjeko-shekncore më prestigjoze.

Disa prova? Ja:

Thelbësore dhe përmbyllëse, konkluzive (deri në provimin e të kundërtës), janë meta-analizat (pra, analizat e të dhënave), e kryera nga revista mjekësore më prestigjoze në botë, The Lancet-i.

Në 2006-ën,The Lancet, pas një analize të vëmendshme të studimeve më të mira mbi homeopatinë, dha sentencën: “When the analysis was restricted to large trials of higher quality, the odds ratio was 0.88 (95% CI 0.65-1.19) for homoeopathy (eight trials) and 0.58 (0.39-0.85) for conventional medicine (six trials)”.

Are the clinical effects of homoeopathy placebo effects? Comparative study of placebo-controlled trials of homoeopathy and allopathy.

Pra rezultatet nga mjekimet homeopatike qëndronin në intervalin 0,65-1,19 ndërsa ato të mjekësisë konvencionale ishin 0,39-0,85.

Homeopatia rezulton të jetë statistikisht e përputhshme me efektin placebo (efekt që arrihet duke u dhënë pacientëve “ujë”, duke bërë gjoja se po iu jepet një ilaç).

Dikush do të pyeste sërisht: pra homeopatia nuk funksionon?

Jo, funksionon, dhe funksionon mirë, por ka të njëjtën efektshmëri me efektin placebo. Vetëm fakti i të marrit të një kure dhe vullneti për të qenë më mirë na jep predispozitën pozitive për të patur një kurim efektiv.

Reklama

Si prodhohet një mjekim homeopatik?

Doktorët dhe farmacitë pro-homeopatisë

Homeopatia: mit dhe legjendë (3)

Si prodhohet një mjekim homeopatik?

Merrni një bimë, një insekt, apo pjesë të një kafshe që mendoni se mund të induktojë të njëjtat simptoma me ato të sëmundjes që doni të kuroni. Vendoseni në ujë (apo alkool) për pak kohë, larg dritës për të shmangur ndryshime kimike në tretësirën fillestare. Themeluesi i homeopatisë, Hahnemann-i zakonisht përdorte Mustela foetida (ekstrakt i gjëndrave anale të qelbësit), Periplaneta americana (gogozhel amerikan), Pediculuc capitis (morri i flokëve) dhe Pulex felis (pleshti i maces); pra lironi fantazinë tuaj!

Pas njëfarë kohe (aq sa mjafton) shtrydheni për të nxjerrë pjesën e lëngshme. Keni përftuar kështu “ngjyrën mëmë”.

Fuqizojeni “ngjyrën mëmë” duke e holluar me ujë apo alkool. Sa më shumë ta holloni aq më mirë është. Gjatë çdo hollimi kryeni dinamizimin e flakonit sikundër rakomandon(te) Hahnemann-i (duke e tundur dhe jo shkundur!, 100 herë me vendosmëri). Keni përftuar kështu “ilaçin” homeopatik.

Mëpastaj, aplikoni mbi “ilaçin” e prodhuar një çmim në përpjestim të drejtë me numrin e hollimeve të bëra ndaj “principit aktiv”.

Magjia e homeopatisë qëndron, pra, në fazën e dinamizimit; pa atë e gjithë homeopatia do të binte si një kështjellë prej rëre, për arsye të thjeshta fare: psh. në burimet e ujit gjejmë qindra mijëra substanca të tretura në ujë, në përqindje të ndryshme… si është e mundur, që duke e pirë nuk pësojmë asnjë efekt anësor? Apo uji “kujtohet” për molekulat e principit aktiv vetëm dhe vetëm atëherë kur iu intereson homeopatëve dhe në rastet e tjera harron?

Por-homeopatikët e shpjegojnë këtë inkongruencë të dukshme (që siç them unë, “ia bën muu!”) me mungesën e një “dinamizimi” të tretësirës që të mund t’i aktivizojë fuqitë e vërteta kurative.Siç e shpjeguam “dinamizimi” i ujit, pra dhënia ujit e aftësisë që të “mbaj mend”, pra të ketë memorje mbi principet aktivë që janë holluar në të deri në pikën sa të mos ekzistojë as edhe një molekulë e vetme, arrihet me anë të tundjes (por jo shkundjes!) së ampulës (enës) me qindra herë. Pra sipas homeopatëve tundja (por jo shkundja) e enës i jep ujit aftësinë për të “mbajtur mend” vetitë e molekulës së principit aktiv. Por duke tundur enën, pra duke “dinamizuar” substancën tonë, pra principin tonë aktiv, a nuk “dinamizojmë” në të njëjtën kohë të gjithë molekulat e tjera (përfshirë molekulat e Arsenikut!) që gjenden në atë masë uji? Sigurisht që po. Edhe pse, ujë 100% të pastër në natyrë nuk ka, nuk ekziston, ka gjithnjë ndonjë papastërti apo mineral. Po ato papastërtitë e “dinamizuara” pa dashur, ku përfundojnë? Kur përgatitet një produkt homeopatik nga merret uji? Si arrihet që të eliminohet memorja që ka uji për kalimin e vet në tubaturat e papastra, për flakonin apo ampulën e papastër, për molekulat e ajrit me të cilat pashmangshmërisht ka qenë në kontakt?

E të tjera e të tjera pyetje, kaq të thjeshta!

Pra edhe një fëmijë, me pak sens kritik, e kupton se stërstërhollimi dhe tundja janë thjesht gjeste besëtytnore pa asnjë bazë shkencore.

Homeopatia funksionon… si placebo!

Doktorët dhe farmacitë pro-homeopatisë

Homeopatia: mit dhe legjendë (2)

Homeopatia: metoda Korsakov

Doktorët dhe farmacitë pro-homeopatisë 

Fatkeqësisht nuk ka farmaci që nuk e ka në vitrinë të shkruarën “Homeopati”, ndërsa janë të tepërt mjekët që japin rregullisht receta me “ilaçe” farmaceutike. Kjo u sjell disa firmave homeopatike fitime prej miliona e miliona eurosh në vit, duke shitur flakonë me ujë. Në Itali shpenzimi vjetor për “ilaçet” homeopatike vërtitet rreth 300 milion euro (të paktën në 2007-ën), shpenzime të bëra nga rreth 8 milion italianë që mbështeten mbi homeopatinë edhe për  sëmundjet e rënda, sikur të mos mjaftonte gripi.

Ngelesh me gojë hapur kur dëgjon apo lexon doktorë të diplomuar që deklarojnë se “sa më i madh është numri i hollimeve aq më i madh është fuqia e produktit homeopatik” etj. të këtij lloji.

Duke patur parasysh se pas hollimit së 12-të të tipit 1:100, në tretësirën e stërholluar nuk ka molekula të tjera përveçse atyre të ujit (apo tretësit), mund ta imagjinoni se çfarë dreq eksperti është i nevojshëm për të dhënë receta për produktet homeopatike. Ekspertë leshi! Ekspertë që japin receta mbi ujin e holluar me tjetër ujë!

Përse këto produkte përdoren nga kaq shumë njerëz?

Fatkeqësisht shëndetësia “konvencionale” është larg të qenit perfekte.

Shpesh mjekët nuk u japin të drejtë pacientëve, janë arrogantë dhe të përgatitur jo mirë, dhe shpesh këshillojnë mjekime të papërshtatshme për sëmundje të rëndomta që në fakt duan vetëm pak durim dhe disa ditë pushim.

Kohët e fundit po rritet gjithnjë e më shumë numri i njerëzve që marrin mjekime në çdo minutë për dhimbje koke apo për një të ftohur, duke u bërë imunë ndaj ilaçit dhe në këtë mënyrë duke bërë të pavlefshëm një sërë ilaçesh të tjerë që bazohen mbi të njëjtin mekanizëm veprimi (mbi të njëjtin princip aktiv).

Nëse këtyre u shtojmë strategjitë e marketingut që vënë në dritë të keqe shoqëritë “e këqija” si Big Pharma (apo të tjera firma farmaceutike shumëkombëshe) kundër shoqërive “të mira” homeopatike si Boiron-i; shtojmë edhe dëshirën popullore për “kura natyrore” kundër “kimisë” së ilaçeve të zakonshme…dhe ja ku del një produkt me sukses të garantuar: një “ilaç” pa asnjë efekt anësor që funksionon sa duhet për të kënaqur pacientin! Efekti i vetëm që kanë mjekimet homeopatike është efekti placebo apo sugjestionues!

Firmat shumëkombëshe të produkteve homeopatike përfitojnë duke shitur një produkt që përftohet praktikisht me kosto zero, dhe duke fituar një mal me para në kurriz të pacientëve dhe ndonjëherë edhe të mjekëve, të cilët shohin “rezultate” dhe bëhen mbështetës të këtyre metodave kundërshkencore, në mënyrë jokritike dhe aspak profesionale.

Homeopatia nuk ka asnjë kosto shkencore: në homeopati nuk ekziston kërkimi shkencor (kurat janë të njëjtat prej vitesh), nuk ka progres, qëndron statike e palëvizzhme (edhe pse ata që i shesin e dinë shumë mirë se shesin vetëm ujë, nuk ka kuptim të kërkosh diçka tjetër!).

Industria më e madhe botërore në prodhimin e produkteve homeopatike, Boironi, e mbylli vitin 2009-të me një fitim prej 526 milion eurosh dhe regjistroi një rritje marramendëse shitjesh gjatë periudhës së përhapjes së gripit A. Pra, ka vërtetë nga ata që mendojnë se uji mund të mbojë nga gripi!

Cili është qëndrimi që duhet të mbajë një vend i civilizuar ndaj homeopatisë?

Duhet të dijë të dallojë shkencën nga paragjykimet dhe besëtytnitë. Të njohë atë që është mjekësi nga jo që nuk është e tillë.

Homeopatia: mit dhe legjendë (3)

Homeopatia: mit dhe legjendë (2)

Mbërrin kimia: Avogadroja

Homeopatia: mit dhe legjendë (2)

Ligjet e metodës homeopatike.

Pra, edhe një herë “ligjet” e metodës homeopatike, kësaj radhe të radhitura:

  • Ngjashmëria– substanca që provokon sëmundjen mund edhe ta kurojë atë.
    • (Vëmendje: vaksinat funksionojnë pikërisht në atë mënyrë, por…Kujdes, kujdes! Vaksinat nuk përdoren për të kuruar një sëmundje që është duke vepruar, por për ta parandaluar atë. Vaksinat janë zakonisht ose anatoksina ose pjesë të bakterit me veti antigjenike, të cilat, në organizmin ku injektohen, nxisin sistemin imunitar në prodhimin e kundërtrupave kundër antigjenëve që janë “sinjalet” e imunitetit humoral dhe qelizor! Mekanizmi i veprimit të vaksinave njihet plotësisht. Ndërsa mjekimet homeopatike nuk kanë asnjë mekanizëm veprimi të provuar dhe të vërtetuar, janë thjesht ujë!Pra nuk kanë asgjë të përbashkët, përveçse “faktit” se janë, edhe, “shkaktarët” e sëmundjes që kurojnë!).
    • Infinitezimaliteti – sa më shumë tretet një ilaç homeopatik, akoma më i madh është forca e tij kuruese. (S’ka rëndësi nëse pas 12 hollimesh të raportit 1 pjesë tretësirë, nga ajo e holluara në hapin e mëparshëm, me 100 pjesë uji, nuk ka më molekula të principit aktiv; “ilaçet” homeopatike më të shtrenjta arrijnë deri në 100 apo 1000 hollime të njëpasnjëshme).
    • Dinamizimi – tretësira, hollim pas hollimi, tundet (por nuk shkundet!) qindra herë në minutë për të “rizgjuar vetitë kuruese të substancave dhe vendosjen e tyre në kushtet për të vepruar në organizmin tonë” (citim nga themeluesi i homeopatisë, gjermani Hanhemann).

Pra, kundër çdo ligji të fizikës dhe kimisë, duke u mbështetur më shumë mbi një version “të lagur” të magjisë sesa mbindonjë metodologji të caktuar shkencore, ky “dinamizim” kthehet në esencën e kurës homeopatike, dhe shpesh quhet “fuqizim”. Duket e pabesueshme por homeopatët deklarojnë se sa më shumë ta tundësh (dhe jo shkundësh! 😛 ) një tretësirë dhe sa më shumë ta hollosh, aq më shumë bëhet e fuqishme (dhe duhet të merret me përgjegjësi, duke ndjekur direktivat e “mjekut” homeopat, që natyrish paguhet për të të thënë se sa, kur dhe si duhet t’i pish pikat e ujit!).

Homeopatia: metoda Korsakov

Homeopatia: mit dhe legjendë (1)

Homeopatia: mit dhe legjendë (1)

Përpara se të filloj: me homeopati nuk nënkuptohen metodat natyrore, fitoterapiia (praktika terapeutike që lidhen me përdorimin e bimëve) apo agopunktura.

Edhe pse bëjnë pjesë tek mjekësia alternative këto të fundit kanë një traditë mijëra vjeçare dhe shkenca, shpesh, pas studimesh të thelluara, del në përfundimin se edhe ato kanë principe aktive dhe efekte mirëbërëse (të dobishme). Një shembull? Edhe pse agopunktura nuk vepron mbi “flukset e energjisë” sikundër thonë mbështetësit e saj dhe traditat kineze, gjithsesi duken të konsoliduara të dhënat se gjilpëra (ageja) stimulon prodhimin e një substance që vepron si analgjezik (kundër dhimbjes) dhe ka, pra, efekte mirëbërëse reale.

Homeopatia është tërësisht një tjetër gjë.

Me homeopati nënkuptohen ato metoda “terapeutike” që ndjekin principin e ngjashmërisë së ilaçit, pra thonë se për të kuruar një person të sëmurë është e nevojshme dhënia e një doze fortësisht të holluar të një substance që shkakton në organizëm efekte (simptoma) të ngjashme me ato që shkakton sëmundja nga e cila duam të kurohemi.

Për shembull: Kinina (pluhur i hidhur me ngjyrë të bardhë, që nxirret nga lëvorja e drurit të kinës dhe përdoret në mjekësi sidomos kundër sëmundjes së malaries) kuron malarjen. Por si kinina ashtu edhe malarja shkaktojnë dhimbje koke. Ky ishte vëzhgimi që bëri “iluministi” Hahnemann! Dhe prej këtej, vuala: hollime të pafndme të njëpasnjëshme të kininës. Çfarë vëzhgimi thuaj!!

Praktikisht, për të kuruar një person duhet të përdoret e njëjta substancë  që do të shkaktonte patologjinë në një person të shëndetshëm, pra duhet përdorur një substancë  “e ngjashme me sëmundjen”.

Këto dhe shumë të tjera qëndrojnë në thelb të një pseudoshkence shumë të rrezikshme që po përhapet në perëndimin “racional”.

Edhe pse, praktikisht, nuk bën asgjë, homeopatia është e rrezikshme.

[Lexo vazhdimin: Hahnemann dhe origjina e homeopatisë]

 

Rinstinkt, 2012

——————————————————————————