Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Reklama

Hipotalamusi, hipofiza dhe kontrolli hormonal

Hipotalamusi

Hipotalamusi së bashku me gjëndrën e hipofizës janë njësia kontrolluese përgjegjëse për rregullimin hormonal.

diencefaliHipotalamusi gjendet në trurin e mesëm, nën talamus. Tek hipotalamusi mund të identifikohen një pjesë e përparme, një pjesë e pasme, një anësore dhe një e mesme.

Gjëndra e hipotalamusit përmban disa bërthama (grupe neuronale).

Hipotalamusi i pasëm është jashtëzakonisht i pasur me fibra nervore të mielinizuara. Në të kundërt pjesa e përparme dhe ajo e mesme e hipotalamusit kanë pak.

Bërthama supraoptike dhe bërthama paraventrikulare gjenden në hipotalamusin e përparëm. Këto bërthama përmbajnë neurone neurosekretorë. Peptidet transportohem nëpërmjet aksonëve direkt e në hipofizën e pasme.

Bërthama e harkuar dhe bërthama infundibulare gjenden mes rajonit të poshtëm dhe atij të mesëm të hipotalamusit. Këto bërthama (grupe neuronesh) rregullojnë sekrecionet e hipofizës së përparme. Gjithashtu, këto grupe neuronesh sekretojnë RH (releasing hormones-hormone nxitës) dhe IH (inhibiting hormones-hormone frenues). Hormonet mbërrijnë në hipofizë nëpërmjet sistemit portal që lidh këto dy gjëndra.

Hipotalamusi i pasëm përfshin trupat mamilarë.

Hipotalamusi prodhon hormone oligopeptidikë.  Hormonet e lëshuara nga hipotalamusi mbërrijnë në hipofizë duke kaluar nëpër sistemin venoz portal hipotalamo-hipofizar. Në hipofizën e përparme, hormonet stimulojnë ose inhibojnë lëshimin e hormoneve të tjerë (proteinikë, të hipofizës).

GRH (GH-RH) stimulon lëshimin e somatotropinës apo hormonit të rritjes. Ndërsa, GIH (GH-IH) inhibon prodhimin (lëshimin) e somatotropinës apo hormonit të rritjes, nga hipofiza e përparme.

PRH stimulon prodhimin e prolaktinës. Ndërsa PIH inhibon prodhimin e prolaktinës.

TRH stimulon prodhimin e tirotropinës.

CRH stimulon prodhimin e kortikotropinës.

GRH stimulon prodhimin e gonadotropinave.

MIH (MSH-IH) inhibon prodhimin e melanotropinës.

Neuronet e bërthamave supraoptike dhe paraventrikulare të hipotalamusit, sekretojnë hormonin antidiuretik apo vazopresinë (ADH) dhe hormonin oksitocinë.

© Rinstinkt blog

—————————————————————-

Sistemi endokrin, gjëndrat endokrine, hormonet

Sistemi endokrin

Sistemi endokrin rregullon ambientin e brendshëm (milieu interieur). Është një sistem komunikimi ku përbërësit sintetizohen dhe sekretohen (tahiten) nga gjëndrat endokrine. Këta përbërës quhen hormone dhe çojnë informacione tek indet apo organet shenjestër. Organet shenjestër dekodifikojnë informacionin kimik dhe mund të përgjigjen në mënyrë specifike.

Hormonet sekretohen nga gjëndrat dhe lëshohen në qarkullimin e gjakut. Kështu, aksionet e hormoneve ndodhin edhe shumë larg vendit të sekretimit të tyre. Hormonet janë të përfshirë në rregullimin e përgjigjeve të shpejta e të ngadalta. Por ata veprojnë edhe në koordinimin e përgjigjeve qelizore në një numër të madh indesh të trupit.

Funksioni rregullator i hormoneve, pra ai i të ruajturit të “ambientit” të brendshëm, kërkon ndreqje të vazhdueshme. Kjo sepse trupi duhet t’i përgjigjet një sërë kushtesh që ndryshojnë embientin e brendshëm të orgnizmit. Në fjalë të tjera, sintetizimi, sekretimi, dhe shkalla e çaktivizimit të hormoneve duhet të  jetë nën rregullim (kontroll) të vazhdueshëm.

Sinteza e hormoneve mund të ndodh në  gjëndra, në grupe qelizash speciale apo edhe në një qelizë të vetme.

Organet apo indet që sintetizojnë hormone janë:

  • Hipotalamusi
  • Gjëndra pituitare (hipofiza)
  • Gjëndra tiroide
  • Gjëndrat paratiroide
  • Gjëndrat mbiveshkore
  • Timusi
  • Ishujt e Langerhansit në pankreas
  • Qelizat intersticiale të Leydigut në testikuj
  • Folikuli dhe trupi i verdhë (corpus luteum) në vezore
  • Placenta

Gjithashtu, është demonstruar se, edhe veshkat dhe atriumi (veshorja) i zemrës  prodhojnë hormone.

Bazuar në strukturën e tyre kimike, hormonet mund të klasifikohen në:

  • hormone peptid-ikë apo protein-ikë
  • hormone steroid-ikë
  • hormone derivate të aminoacidit Tirozinë

Sintetizimi i hormoneve peptidikë dhe proteinikë kryhet nëpërmjet transkriptimit dhe translatimit. Zakonisht, në fillim, sintetizohet një molekulë prekursore – prehormoni. Pastaj prehormoni i nënshtrohet hidrolizës për të formuar hormonin. Në vendin e sintetizimit hormonet ruhen në disa fshikëza dhe sekretohen nëpërmjet ekzocitozës.

Disa hormone sekretohen në mënyrë konstante, si për shembull hormonet e gjëndrës tiroide. Të tjerë sekretohen vetëm nën kërkesë, si për shembull insulina (nga pankreasi). Një tjetër grup hormonesh lëshohet në qarkullim ne një ritëm 24-orësh. Së fundmi, disa hormone sekretohen në cikle mujorë, si hormonet seksuale femërore.

Në gjak, hormonet udhëtojnë të lidhur me proteina transporti specifike.

Hipotalamusi është, zakonisht, organi qëndror që rregullon aktivitetin hormonal. Ai sekreton RH-të (releasing hormones) që stimulojnë një hormon të dytë në gjëndrën hipofizare. Hormonet e sekretuara nga gjëndra e hipofizës quhen edhe hormone tropikë, duke qenë se ata stimulojnë gjëndrat endokrine periferike. Gjëndrat shenjestër, të stimuluara, sekretojnë hormonet në qarkullimin e gjakut. Kështu, hormonet mund të arrijnë në organet apo indet shenjestër dhe të prodhojnë efektin e tyre.

Kemoreceptorët, në hipotalamus, monitorojnë  përqëndrimin hematik (në gjak) të hormoneve. Si pasojë, sekretimi i hormoneve është nën rregullim të vazhdueshëm. Në fakt, kur përqëndrimi hormonal në gjak është i lartë, hipotalamusi redukton lëshimin e RH-ve (releasin hormones). Ndërsa, kur përqëndrimi hormonal në gjak është ii ulët, hipotalamusi rrit lëshimin e RH-ve. Ky mekanizëm quhet mekanizëm me feedback (mekanizëm me prapaveprim).

Gjithsesi, disa hormone nuk e përdorin mekanizmin me feedback hipotalamo-hipofizar.

© Rinstinkt blog

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues mashkullor

Sistemi riprodhues tek mashkulli përbëhet nga:

  • Organet seksuale parësore
  • Organet seksuale dytësore

Organet seksuale parësore janë testikujt (testet). Organet seksuale dytësore përfaqësohen nga epididimi, vas deferensi, fshikëza seminale, gjëndrat bulbouretrale, gjëndra e prostatës, penisi.

Testikujt janë gonadet mashkullore dhe, si gonadet femërore, kanë dy funksione kryesore: prodhimi i qelizave spermatike apo spermatozoidëve dhe hormoneve mashkullore. Çdo testikul ka një formë rrumbullakore, dhe përbëhet nga koka, trupi dhe bishti. Çdo testikul ka në brendësi të tij (apo është i përbërë) shumë lobtha. Çdo lobth përmban 1-3 tubuj seminiferë. Të gjithë tubujt seminiferë bashkohen për të formuar rete testis-in.

Testikujt përmbajnë:

  • Qelizat e Sertolit
  • Qelizat intersticiale të Leydigut

Dy testikujt janë të rrethuar nga epididimi, i cili vazhgon me vas deferens-in. Testikujt ndodhen në skrotum.

Testikujt prodhojnë qeliza gjerminale dhe hormone seksuale mashkullore. Gjatë pubertetit indi testikular bëhet i ndjeshëm ndaj hormoneve të prodhuar nga hipofiza. Kështu, LH-ja situmulon tahitjen (sekretimin) dhe lëshimin e testosteronit. Testosteroni futet në qarkullimin e gjakut dhe mbërrin indet e trupit, ku shkakton shfaqjen dhe ruajtjen e organeve dhe tipareve seksuale dytësore. Testosteroni kontrollon rritjen e qimeve në fytyrë, në sqetulla, bark dhe në zonën pubike. Testosteroni stimulon zgjerimin e  laringut dhe  trashjen (apo thellimin) e zërit. Është përgjegjës edhe për zhvillimin e muskujve dhe eshtrave (kockave).

FSH-ja stimulon prodhimin e spermatozoidëve nga testikujt. Prodhimi i spermatozoidëve kryhet me anë të një procesi të quajtur spermatogjenezë. Qelizat e para që prodhohen në tubujt seminiferë janë spermatogonet, që janë të vendosur në membranën bazale të tubujve. Këto qeliza ndahen vazhdimisht dhe disa prej tyre largohen nga bazamenti duke u përdalluar në spermatocitë parësorë (primarë). Spermatocitët parësorë i nënshtrohen ndarjes së parë mejotike për të prodhuar dy spermatocitë dytësorë, çdonjëri me 22 autozome dhe një kromozom seksual X ose Y; çdonjëri nga 23 kromozomet përbëhet nga dy kromatide.

Spermatocitët dytësorë i nënshtrohen ndarjes së dytë mejotike dhe diferenciohen në dy spermatide, çdonjëri me një numër haploid kormozomesh tek. Spermatidët zhvillohen në qeliza spermatike – spermatozoidët – pa ndarje të mëtejshme. Që të kryhet i tëtë procesi i spermatogjenezës duhen 8 deri në 9 javë. Qelizat e Sertolit mbështesin dhe ushqejnë spermatozoidët gjatë zhvillimit. Qelizat intersticiale të Leydigut prodhojnë hormonin seksual mashkullor – testosteronin. Testosteroni kalon në qarkullimin e gjakut dhe kontrollon aktivitetin e të gjithë organeve seksuale dytësore.

Organet seksuale dytësore të mashkullit kanë funksionin e transferimit të spermatozoidëve nga mashkulli tek femra. Nga testikujt, ku prodhohen, spermatozoidët lëvizin nëpër vas deferens-in. Vas deferens-i është një dukt apo tub i ngushtë muskulor i cili tkurret për të shtytur spermatozoidët drejt uretrës. Në epididimit dhe vas deferens spermatozoidët maturohen dhe rrisin pjellorinë e tyre. Vas deferesi së bashkë me  arteriet, venat dhe nervat formojnë kordën spermatike.

Korda spermatike  (dukti spermatik, më saktë) drejtohet rreth pjesës së pasme të fshikëzës së urinës ku bashkohet me duktin e fshikëzës seminale. Pastaj kalon nëpër gjëndrën e prostatës dhe takohet me uretrën. Uretra mashkullore është rrugëkalimi i përbashkët i spermës dhe urinës. Dy fshikëzat seminale prodhojnë një sekrecion që ndihmon në ruajtjen e lëvizshmërisë dhe gjallërisë së spermatozoidëve. Gjendra e prostatës dhe gjëndrat bulbouretrale prodhojnë dhe sekretojnë lëng lubrifikues. Të gjitha lëngjet seminale derdhen në uretër. Muskujt e uretrsë tkurren për të nxjerrë jashtë spermën. Gjatë ejakulacionit penisi nxjerr jashtë 2-4 ml lëng seminal, i cili përmban qindra milionë spermatozoide.

Spermatozoidët që nuk ejakulohen degjenerojnë (prishen, apo shkatërrohen).

Lexo edhe: Sistemi riprodhues femëror

© mbi tekstin, Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————