Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit është një çrregullim, me etiologji të llojllojshme, i karakterizuar nga prania e një patologjie hiperglic’hemike, që do të thotë: prani e një përqëndrimi të rritur të glukozit në qarkullimin hematik.
Diabeti mellit dhe hiperglicemia, si karakteristikë thelpësore e tij, janë pasojë e një defekti në prodhimin apo në mekanizmin e veprimit të hormonit të insulinës.
Çrregullimi i diabetit shpie në një seri ndërlikimesh sistemike – pra që prekin të gjithë trupin.
Diabeti, siç u tha, godet organe të ndryshme… ndër më të rëndësishmet, gjtihsesi, janë: sytë, veshkat, sistemi kardiovaskular dhe sistemi nervor.

Më parë u përmend insulina. Po, çfarë është insulina?, do të pyesë ndokush. Insulina është një hormon me aktivitet anabolik, pra që shkakon si korolar të veprimit të vet një rritje të qelizave (reaksioneve anabolike). Insulina prodhohet nga qeliza të veçanta të ishujve pankreatikë, dhe vepron nëpërmjet disa receptorëve specifikë me aktivitet tirozinë-kinazik. Efekti kryesor i insulinës tek qelizat e veta shenjestër, është rritja e shprehjes së receptorëve GLUT-4 në sipërfaqen qelizore.

  • Në mëlçi insulina shkakton një rritje të glikogjenosintezës, rritje të glikolizës dhe një rritje të aktivitetit liposintetik. Njëkohësisht shkakton edhe një zvogëlim të aktivitetit glikogjenolitik e gjithashtu inhibon edhe ketogjenezën.
  • Në indin adipoz (indin dhjamor) insulina rrit kapjen e glukozit nga ana e qelizave, inhibon lipolizën dhe rrit liposintezën.
  • Ndërsa tek muskuli insulina rrit kapjen e glukozit, rrit glikolizën, rrit sintezën e glikogjenit dhe po ashtu rrit edhe sintezën proteinike.

Indet adipoz dhe ai muskulor skeletik përkufizohen si inde insulino-vartës, meqënëse kanë nevojë për hormonin insulinë për të kapur molekulat e glukozit hematik (nëpërmejt GLUT-4). Ndërsa mëlçia, apo më saktë qelizat hepatike, përtej GLUT-4 shprehin edhe transportatorin GLUT-2 i cili ka një funksion që nuk faret nga hormoni insulinë.

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune; megjithatë ekzistojnë edhe forma idiopatike. Mekanizmi kryesor që shkakton sëmundjen është mungesa e hormonit insulinë. Diabeti i tipit 1 prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët.

Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 karakterizohet nga një nivel i rritur i glicemisë (hiperglicemi) e shoqëruar me insulino rezistencë. Për më tepër ekziston edhe një mungesë insuline relative dhe progresive. Prek kryesiht të rriturit dhe është forma e diabetit më e përhapur. Ekziston një asociacion mes diabetit obezitetit dhe të ashtuquajturës sindromë metabolike.

Karakteristikat klinike të diabetit mellit

Shenjat dhe simptomat që hasin pacientët janë të lidhura me gjendjen e hiperglic’hemisë dhe me reduktimin e përdorimit të glukozit nga ana e indeve të trupit.

  • Poliuri – rritje e akteve të urinimit. E shkaktuar nga glukozi i tepërt që kalon në nivel veshkor.
  • Polidipsi – rritje e etjes (dëshirës për ujë).
  • Humbje peshe – nga pamundësia e përdorimit të glukozit që qarkullon në gjak. Rritet përdorimi i lyrave.
  • Era e gojës karakteristike – që ngjan me atë të frutave të prishura, për shkak të rritjes së nivelit të trupave ketonikë në gjak, të prodhuar nga katabolizmi i acideve lyrorë.
  • Dobësi
  • Etj.

Ndërlikime të diabetit mellit

  • Ketoacidozë, deri në komë.
  • Sindromë hiperozmolare – diz-hidratim i shkaktuar nga hiperglic’hemia.
  • Infeksione të përsëritura (kryesisht në rrugët urinare)
  • Retinopati.
  • Nefropati.
  • Neuropati.
  • Mikro dhe makro vaskulopati.
  • Rritje e rriskut për IM dhe koronaropati.
  • Këmbë diabetike.
  • Etj.

 

[Lexo dhe: Rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak]

© Rinstinkt 2014

 

[Nëse postimi të pëlqeu, për të qëndruar i/e azhurnuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————-

Reklama

Rregullimi i nivelit të sheqerit (glukozit) në gjak

Rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak

Në një person normal, niveli i sheqerit (glukozit) në gjak kontrollohet në mënyrë të rreptë. Zakonisht mbahet në nivele prej 80-90 mg/100ml gjak, tek personi në agjërim, pra çdo ditë para ngrënies së mëngjezit.

Niveli i mësipërm i sheqerit në gjak, rritet dhe shkon tek 120-140 mg/100 ml gjatë orës së parë pas një vakti. Gjithsesi, sistemet e feedbackut reagojnë me shpejtësi dhe në harkun dy orëve rivendosin nivelin normal, pra atë të “kontrollit”.

Në të kundërt, gjatë zisë së bukës (agjërimit?), glukoneogjeneza, funksion i realizuar nga mëlçia, jep sheqerin (glukozin) e nevojshëm për të ruajtur nivelin e tij në gjak.

Ruajtja e një niveli të mirë-përcaktuar të sheqerit në gjak është e rëndësishme sepse truri në një pjesë të mirë të metabolizmit të vet është i varur nga glukozi që qarkullon në gjak. Ruajtja apo stabilizimi i nivelit të glukozit në gjak do të thotë stabilizim dhe ruajtje e funksioneve thelbësore, të kryera nga truri.

Funksioni i mëlçisë dhe pankreasit në rregullimin e nivelit hematik të sheqerit

Mëlçia funksionon si një organ amortizues, apo zbutës variacionit të nivelit të glukozit në gjak.

ishull i Langerhansit

ishull i Langerhansit

Kur rritet niveli i sheqerit në gjak, rritet edhe sekrecioni i hormonit insulinë nga qelizat beta pankreatike; këto të fundit të stimuluara direkt nga rritja e novelit të glukozit hematik. Insulina, përtej shumë efekteve të tjera, rrit edhe sasinë e glukozit të thithur nga mëlçia. Glukozi i thithur nga mëlçia shndërrohet në glikogjen – forma në të cilën rezervohet glukozi në organizëm.

Ndërsa gjatë orëve kur niveli i glukozit në gjak bie, së bashku me rënien e nivelit të insulinës, mëlçia luan një rol lëshues të sheqerit, duke e liruar glukozin nga glikogjeni.

Në këtë mënyrë mëlçia redukton flutuacionet e glukozit hematik, herë duke thithur sasinë e tepërt, të themi, dhe herë duke lëshuar sasi glukozi, në nivele fiziologjike, kur organizmi ka nevojë.

Si hormoni insulinë, ashtu edhe hormoni glukagon, kanë një rol të rëndësishëm në rregullimin e novelit hematik të glukozit.

Kur niveli hematik i glukozit rritet tepër sekretohet insulina; kur niveli hematik i glukozit bie stimulohet sekretimi i glukagonit. (Gjithsesi duhet thënë se sekretimi i glukagonit, në dallim nga ai i insulinës, ka një nivel më konstant. Efekti final, pra mbizotërimi i efekteve indore të njërit apo tjetrit varet nga raporti në të cilin gjenden këta dy hormone në gjak.)

Në rast hipoglicemie, niveli i ulët i glukozit në gjakun që mbërrin në tru, dhe më saktë në hipotalamus, stimulon aktivizimin e sistemit nervor (orto)simpatik. Kështu sekretohet epinefrina, apo thënë ndryshe adrenalina. Kjo, e tahitur nga gjëndrat mbiveshkore stimulon lëshimin e glukozit nga mëlçia në gjak.

Në fund, duhen kujtuar edhe efektet e kortizolit dhe hormonit të rritjes. Në një hark kohor orësh dhe ditësh, si përgjigjje ndaj hipoglicemisë së tejzgjaur, sekretohet GH dhe kortizol të cilët reduktojnë përdorimin  eglukozit nga pjesa më e madhe e qelizave të trupit, duke shkaktuar nga ana tjetër një përdorim më të madh të rezervave lyrore; njëfarë shiftimi metabolizmi.

© Rinstinkt 2013