Përsiatje mbi të qenit Njeri

Përsiatje mbi të qenit Njeri

Ndokush ende thotë, e të mjaftë kanë qenë edhe ata që kanë thënë se, lloji njeri mund të kuptohet vetëm duke studiuar njeriun. Shumë të tjerë nuk janë aspak dakord me këtë thënie, apo më mirë të them përqasje, përfshirë të nënshkruarin. Kjo sepse ata që pretendojnë ta studiojnë njeriun, në të gjithë qenësinë e tij, fizike apo jo fizike, harrojnë se shumë nga karakteristkat që më parë pranoheshin si vetëm njerëzore tanimë dihet se zotërohen edhe nga shumë lloje të tjera, disa mjaft të afërta me llojin Njeri e disa të tjera relativisht të largëta.

Harrohet, për shembull, se edhe shimpanzetë përdorin mejte për qëllimet e tyre, ndërsa orangutangët mund të njohin vetveten; provë kjo e njëfarë ndërgjegjeje të ekzistencës së vetes.

Po ashtu, kur kërkohet të studiohet njerëzimi, fizik apo kulturor, vetëm e vetëm duke u bazuar mbi shfaqjet e të sotmit njeri, harrohen hominidët e zhdukur, artefaktet Paleolitike, domethënia e gjendrave të djersës, qimeve, domethënia e bipedalizmit dhe pasojave që solli drejtëqëndrimi në migrimin e hominidëve të hershëm nga Afrika.

***

...Unë apo Ti?

…Unë dhe Ti?

Të shumta kanë qenë karakteristikat që u (na) janë atribuar (neve) njerëzve, si unike, vetëm tonat, sikur mbi to të na kishin dhënë një patentë.

Mbase një nga karakteristikat tona themelore, një nga ato që mund të quhen me të drejtë njerëzore është aftësia për të imagjinuar, për të marrë diçka diku e për ta bashkuar me diçka tjetër tjetërkund, për të kompozuar pra.

Për të kompozuar skenarë e për t’i përzierë këta njëri me tjetrin, për tu futur në brendësi të këtyre skenarëve: Për tu brendapersonalizuar në këta skenarë imagjinarë të tanishëm apo të kaluar, e kjo falë neuroneve pasqyrë.

Përveç imagjinatës, përveç aftësisë për të kompozuar skenarë, kemi edhe aftësinë për të komunikuar me njëri-tjetrin. Komunikimi gjithsesi është, le të themi, si pothuaj gjithëçka tjetër, një mbistrukturë e përbërë nga disa elementë më të vegjël si të paturit e një sistemi nervor mjaftueshëm të zhvilluar, aftësia për të artikuluar tinguj, etj.

Por edhe kafshë të tjera komunikojnë, bashkëveprojnë, japin e marrin sinjale alarmi, e shkëmbejnë informacione… Ajo që na jep njëfarë specificiteti është, siç e permenda më sipër, aftësia për të lidhur mendjet tona, për tu futur në rrobat e tjetrit, për të udhëtuar në kohë, për të treguar histori të cilat ngadonjëherë shërbejnë si kolona morale, për të tejçuar emocione, për të bërë pyetje që janë një jashtëpërfaqësim i një qenieje kurioze etj etj…

***

Natyrisht, për t’i dhënë një përgjigje pyetjes të shtruar në fillim të këtyre mendimeve të shkruara, duhet të sqarojmë në mos më parë, njëkohësisht, se si arritëm këtu ku jemi?

Ishte vetëm bipedalizmi? Mbase! Bipedalizmi (të ecurit mbi dy gjymtyrë) është konceptuar tradicionalisht si themeli i fillimit të llojit njerëzor, ose për tu shprehur më mirë, fillesa e rrugëtimit të gjatë të njeriut, fillimi i transformimit nga pre në predator, fillimi i kalimit nga majët e pemëve në savanat e gjëra, e së “fundmi” fillimi i migrimit nga mëma Afrikë…

Gjithsesi përkrah disa avantazheve evolutive, bipedalizmi na ka sjellë edhe disa probleme, jo të papërfillshme. Ndër to janë efektet kolaterale të dhimbjes së mezit dhe të hemorroideve.

(Gjithsesi, sot jemi në dijeni se bipedalizmi ishte vetëm një nga shumë ndryshimet që ndodhën asokohe.)

Një tjetër element interesant mbi të cilin debatohet, miqësisht në qarqet intelektuale, rreth ndikimit të ushtruar në evoluimin e species njerëzore është edhe truri apo sistemi nervor. Unë vetë, jam i ndërgjegjshëm se jo pak herë në të shkuarën bëja konfizion mbi trurin; në kuptimin që: është jo vetëm jo-korrekte por shpesh edhe e rrezikshme të thuhet se evolucioni njerëzor ishte vetëm një triumf i trurit mbi muskujt (apo forcën). Tregohet padije e thellë, duke harruar se, ishte fiziku i fortë dhe i ashpër i njeriut të lashtë mbledhës vegjatacioni e njëkohësisht gjahtar që na solli këtu ku jemi.

E këtë fakt e dëshomjnë kokëfortësish një sërë sëmundjesh moderne si obeziteti, sëmundjet kardiovaskulare që i detyrohen metabolizmit të lipideve, kanceri, dhëmbët e prishur apo osteoporoza. Të gjitha kanë sot një frekuencë të rritur, sepse ne hamë shumë më shumë nga sa hanin njerëzit e parë dhe nga ana tjetër, punojnë e shpenzojmë shumë më pak energji…

***

Për të bërë të qartë se kush jemi, duhen mëparë eliminuar disa keqkuptime të thella të idesë evolutive të Darvinit. Nuk janë të pakët individët që me evolucion kuptojnë një kalim nga një stad më i ulët në një më të lartë.

Këtë keqkuptim të thellë të Darvinit e tregon edhe një përkufizim mediokër i FESH-it (Fjalori Elektronik Shqiptar – i bazuar mbi një version të Fjalorit të Gjuhës Shqipe, të botuar gjatë Diktaturës Komuniste Shqiptare) i cili thotë:

EVOLUCION m. sh.

1. filoz. Një nga format e lëvizjes në natyrë dhe në shoqëri, zhvillimi i një sendi a dukurie nga një gjendje me e ulët në një gjendje me të lartë nëpërmjet kalimeve a ndryshimeve sasiore të ngadalshme e shkallë-shkallë, të cilat bëjnë të mundshme edhe ndryshimet cilësore.

2. biol. Zhvillim shkallë-shkallë dhe i ngadaltë i bimëve e i kafshëve nga një lloj në tjetrin ose nga format me të hershme e me të thjeshta tek ato me të ndërlikuara e me të përsosura. …

Pavarësisht faktit se shumë nga gjallesat me të cilat ne ndërveprojmë sot janë disi më të ndërlikuara krahasuar me disa nga ato që kanë banuar Tokën qinda mijëra vite më parë kjo nuk na jep “të drejtën” për të cilësuar aktualen si “më të përsosur”. Kjo më se shumti flet për njëfarë egoizmi, për njëfarë antropocentrizmi, njëfarë ndjenjë vetëlavdëruese, e cila kam frikë se do të ishte karakteristike e cdonjë grupimi i cile vetë-quhet qytetërim, e që nuk është gjë tjetër veçse një nga shumë format, kalimtare, të jetës që Toka ka parë.

Evolucioni, nuk ka një qëllim apo orientim. Procesi i evolucionit sidosi është stokastik, dhe cilësia apo rezultatet e prodhuara janë rastësore, e duhen gjykuar në raport me kushtet ambientale e faktorë të tjerë rrethanorë.

***

Rinstinkt, nëntor 2013

————————————————————————

Reklama