Caput Medusae

Meduza – Arnold Böcklin (rreth 1878)
Mitologjinë e Meduzës e njohin pothuaj të gjithë. Një femër aq e bukur dhe krenare saqë pati guximin të krahasohej me bukurinë e Athinës. Për të ndëshkuar vanitetin e Meduzës, perëndesha e Olimpit, bija e Zeusit, Athina, e ndëshkoi duke ia transformuar flokët e bukur në gjarpërinj (nepërka) helmues; ndërsa shikimin e Meduzës e transformoi në një armë vdekjeprurëse – kushdo që do të gxonte ta shihte në sy do të gurëzohej menjëherë, duke u kthyer në një statujë të pajetë.
Gjithsesi mua më intereson më shumë koka e Meduzës si simbol dhe shenjë semeiotike. Caput Medusae, është një emërtim gjerësisht i njour për mjekët, studentët e mjekësisë, biles edhe për infermierët që shërbejnë nëpër reparte të Semejotikës, Mjekësisë interne etj.
Caput medusae vihet re tek subjektet me hipertension portal (gradient mbi 12 mmHg), pra të venës portë – vena që shpie gjakun venoz nga zorrët drejtë mëlçisë. (Një ndër shkaqet e hipertensionit portal është cirroza e mëlçisë.)
Caput medusae nuk është gjë tjetër veçse manifestimi sipërfaqësor i një cirkuiti kolateral të përbërë nga venat peri-ombelikale (pra rreth kërthizore).
Këto vena, si pasojë e hipertensionit portal, zgjerohen dhe krijojnë një qarkullim alternativ të gjakut; gjaku pra për të mbërritur në mëlçi shfrytëzon një rrugë tjetër, atë të venave sipërfaqësore peri-ombleikale. Venat mund të bëhen dredha-dredha, varikoze, sikundër gjarpërinjtë e kokës së Meduzës legjendare.
–
- Meduza – Arnold Böcklin (rreth 1878)
- Caput Medusae – Pei-Ming Yang, M.D., Ph.D., and Ding-Shinn Chen, M.D. – N Engl J Med 2005; 353:e 19November 24, 2005 DOI: 10.1056/NEJMicm050651
–
Rinstinkt 2013
————————————————————————————–