Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Veshkat (Anatomia e veshkave)

Veshkat

Sistemi ekskretor përfshin dy veshkat, dy ureterët, fshikëzën e urinës dhe uretrën.

Veshkat gjenden në zgavrën abdominale, nën diafragmë, në të dyja anët e shtyllës vertebrore. Veshkat kanë një formë të ngjashme me atë të fasules. Kanë një gjatësi pre 10-12 cm dhe një gjerësi pre 5-6 cm.

Ilustrim i një seksioni të veshkës (Sobotta)

Ilustrim i një seksioni të veshkës (nga Sobotta) – klikoni përsipër për ta zmadhuar

Në një seksion gjatësor të veshkës mund të dallohen: korja e veshkës, palca e veshkës dhe pelvisi i veshkës. Projeksionet e kores (korteksit) së veshkës – kolonat veshkore – zgjaten deri në palcën e veshkës duke e ndarë atë në 8-16 piramida. Pelvisi i veshkës (apo kupshorja e veshkës) pret kupat veshkore, arterien veshkore dhe venën.

Veshkat furnizohen nga arteria e veshkës (arteria veshkore) e cila ndahet në arterie interlobulare. Arteriet interlobulare bëhen arterie të harkëzuara, të cilat i japin fillesë arterieve të drejta. Arteriolat aferente (arteriola hyrëse) lindin nga arteriet e drejta dhe ndahen në kapilarë. Kapilarët formojnë glomerulën e veshkës (lëmshëzin veshkor). Nga lëmshëzi veshkor , gjaku kalon në arteriolat eferente për të përfunduar në venën e veshkës (veshkore).

Lëmshëzi veshkor

Lëmshëzi veshkor

Njësia funksionale e veshkës është nefroni. Çdo nefron përbëhet nga një trupëz veshkor dhe nga tubuli veshkor. Çdo trupëz veshkor përbëhet nga një lëmshëz në kapsulën e Bowmanit. Glomeruli (lëmshëzi) i veshkës është një tufë kapilarësh që lindin nga arteriola prurëse dhe përfundojnë në arteriolën nxjerrëse. Ndërsa kapsula e Bowmanit vazhdon me tubulin veshkor (renal).

Një nga funksionet kryesore të lëmshëzit (glomerulit) të veshkës është filtrimi. Nga ana tjetër, tubuli veshkor shërben për thithjen.

Ndërsa gjaku kalon në glomerulin e veshkës, disa nga substancat e tij kalonë në tubulin veshkor. Ky proces njihet si filtrimi. Këto substanca së bashku me ujin formojnë urinën. Urina kalon nëpër tubthin e parë të përdredhur (gypthi i përdredhur i afërt) dhe lakun e Henleit. Laku i Henles (Henleit) përfshin një krah zbritës dhe një krah ngjitës. Nga këtu urina kalon në tubthin e dytë të përdredhur (gypthi i përdredhur i largët), i cili mëpastaj vazhdon me duktin mbledhës. Tubuli i veshkës është i përqafuar nga dy arteriolat e lëmshëzit të veshkës – ajo hyrëse (prurëse) dhe ajo dalëse (nxjerrëse) – dhe kjo lejon thithjen e substancave drejt gjakut. Urina e mbetur, e formuar, mbërrin në duktet mbledhës dhe derdhet më pas në pelvisin (kupshoren) e veshkës. Nga pelvisi i(kupshorja e) veshkës urina kalon në ureter.

 

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

————————————————————————————–