Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit

Diabeti mellit është një çrregullim, me etiologji të llojllojshme, i karakterizuar nga prania e një patologjie hiperglic’hemike, që do të thotë: prani e një përqëndrimi të rritur të glukozit në qarkullimin hematik.
Diabeti mellit dhe hiperglicemia, si karakteristikë thelpësore e tij, janë pasojë e një defekti në prodhimin apo në mekanizmin e veprimit të hormonit të insulinës.
Çrregullimi i diabetit shpie në një seri ndërlikimesh sistemike – pra që prekin të gjithë trupin.
Diabeti, siç u tha, godet organe të ndryshme… ndër më të rëndësishmet, gjtihsesi, janë: sytë, veshkat, sistemi kardiovaskular dhe sistemi nervor.

Më parë u përmend insulina. Po, çfarë është insulina?, do të pyesë ndokush. Insulina është një hormon me aktivitet anabolik, pra që shkakon si korolar të veprimit të vet një rritje të qelizave (reaksioneve anabolike). Insulina prodhohet nga qeliza të veçanta të ishujve pankreatikë, dhe vepron nëpërmjet disa receptorëve specifikë me aktivitet tirozinë-kinazik. Efekti kryesor i insulinës tek qelizat e veta shenjestër, është rritja e shprehjes së receptorëve GLUT-4 në sipërfaqen qelizore.

  • Në mëlçi insulina shkakton një rritje të glikogjenosintezës, rritje të glikolizës dhe një rritje të aktivitetit liposintetik. Njëkohësisht shkakton edhe një zvogëlim të aktivitetit glikogjenolitik e gjithashtu inhibon edhe ketogjenezën.
  • Në indin adipoz (indin dhjamor) insulina rrit kapjen e glukozit nga ana e qelizave, inhibon lipolizën dhe rrit liposintezën.
  • Ndërsa tek muskuli insulina rrit kapjen e glukozit, rrit glikolizën, rrit sintezën e glikogjenit dhe po ashtu rrit edhe sintezën proteinike.

Indet adipoz dhe ai muskulor skeletik përkufizohen si inde insulino-vartës, meqënëse kanë nevojë për hormonin insulinë për të kapur molekulat e glukozit hematik (nëpërmejt GLUT-4). Ndërsa mëlçia, apo më saktë qelizat hepatike, përtej GLUT-4 shprehin edhe transportatorin GLUT-2 i cili ka një funksion që nuk faret nga hormoni insulinë.

Diabeti i tipit 1

Diabeti i tipit 1 është një sëmundje autoimune; megjithatë ekzistojnë edhe forma idiopatike. Mekanizmi kryesor që shkakton sëmundjen është mungesa e hormonit insulinë. Diabeti i tipit 1 prek kryesisht fëmijët dhe adoleshentët.

Diabeti i tipit 2

Diabeti i tipit 2 karakterizohet nga një nivel i rritur i glicemisë (hiperglicemi) e shoqëruar me insulino rezistencë. Për më tepër ekziston edhe një mungesë insuline relative dhe progresive. Prek kryesiht të rriturit dhe është forma e diabetit më e përhapur. Ekziston një asociacion mes diabetit obezitetit dhe të ashtuquajturës sindromë metabolike.

Karakteristikat klinike të diabetit mellit

Shenjat dhe simptomat që hasin pacientët janë të lidhura me gjendjen e hiperglic’hemisë dhe me reduktimin e përdorimit të glukozit nga ana e indeve të trupit.

  • Poliuri – rritje e akteve të urinimit. E shkaktuar nga glukozi i tepërt që kalon në nivel veshkor.
  • Polidipsi – rritje e etjes (dëshirës për ujë).
  • Humbje peshe – nga pamundësia e përdorimit të glukozit që qarkullon në gjak. Rritet përdorimi i lyrave.
  • Era e gojës karakteristike – që ngjan me atë të frutave të prishura, për shkak të rritjes së nivelit të trupave ketonikë në gjak, të prodhuar nga katabolizmi i acideve lyrorë.
  • Dobësi
  • Etj.

Ndërlikime të diabetit mellit

  • Ketoacidozë, deri në komë.
  • Sindromë hiperozmolare – diz-hidratim i shkaktuar nga hiperglic’hemia.
  • Infeksione të përsëritura (kryesisht në rrugët urinare)
  • Retinopati.
  • Nefropati.
  • Neuropati.
  • Mikro dhe makro vaskulopati.
  • Rritje e rriskut për IM dhe koronaropati.
  • Këmbë diabetike.
  • Etj.

 

[Lexo dhe: Rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak]

© Rinstinkt 2014

 

[Nëse postimi të pëlqeu, për të qëndruar i/e azhurnuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————-

Reklama

Akromegalia

Akromegalia

Kuadri klinik i akromegalisë është dytësor ndaj një rritje të niveleve plazmatike të hormonit të rritjes (GH – growth hormone) dhe të faktorit të rritjes insulino-ngjashëm 1 (IGF1). Akromegalia karakterizohet nga  modifikime fizike të lidhura me hormonet, nga ndryshime metabolike dytësore ndaj veprimit të GH-së mbi metabolizmin e glucideve, lipideve e proteinave, dhe nga simptoma lokale të lidhura me zgjerimin e tumorit GH-sekretues.

Nëse hipersekretim i GH-së realizohet para shkrirjes së epifizave, pacienti paraqet shtat të lartë (gjigantizëm hipofizar); ndërsa nëse realizohet më pas pacienti paraqet rritje endokondrale dhe periostale të kockës, deformim të kockave të kokës (rritje të zgavrave (sinuseve, gjinjve) paranazalë, të harqeve sipërorbitalë, zmadhim të nofullës së poshtme), deformim të kockave të trungut, që rritet në përmasa dhe të shtyllës kurrizore. Në ekstremitete pacientët paraqesin rritje të përmasave të duarve dhe këmbëve. Karakteristike janë edhe hipertrofia muskulore, trashja e lëkurës e kordave zanore (vokale). Ndodh një rritje e volumit mushkëror (polmonar), hiperplazi e gjëndrave endokrine, hipertrofi veshkore, zgjatje e zorrëve dhe kardiomegali.

Në aspektim metabolik, rritja e niveleve plazmatike të hormonit të rritjes, GH, indukton rezistencë ndaj insulinës, reduktim të glikolizës, rritje të glikoneogjenezës dhe glikogjenolizës dhe si pasojë hiperglicemi (rritje e nivelit të sheqerit në gjak). Hormoni i rritjes favorizon lipolizën, me rritje të idrolizës së triglicerideve dhe të acideve lyrorë të lirë. Për sa u përket proteinave, rritet sinteza proteinike në nivle muskulor dhe hepatik (në mëlçi). Për shkak të rritjes së sekretimit të kalciumit (K) në veshka, ka një rritje të probabilitetit për gurë në veshka.

© Rinstinkt 2013
——————————————————————

Frymëshkëmbimi qelizor aerobik

Frymëshkëmbimi qelizor aerobik – Glikoliza, Formimi i Acetil CoA, Cikli i Krebsit, Transporti i elektroneve dhe kemiosmoza

Reaksionet kimike të frymëshkëmbimit aerobik të glukozit grupohen në katër stade. Tek eukariotët, faza e parë (Glikoliza) ndodh në citozol, dhe stadet e tjera ndodhin në brendësi të mitokondrive.

Në një pjesë të mirë të baktereve dhe archea-ve këto reaksione kryhen në citozol në bashkëveprim me membranën qelizore, në mungesë të organeleve si mitokondritë.

1-Glikoliza

Gjatë glikolizës, një molekulë glukozi me gjashtë atome karboni kthehet në dy molekula me nga tre atome karboni secila, të njohura si molekula piruvati. Një pjesë e energjisë së glukozit kapet në formën e dy lloj transportuesëve, ATP-së dhe NADH-së. ATP-ja e transferon energjinë duke transferuar një grup fosfat. NADH-ja është një molekulë e reduktuar e cila e transferonë energjinë duke transferuar elektrone si pjesë e një atomi hidrogjen.

2-Formimi i acetil koenzimës A

Çdo molekulë piruvati hyn në mitokondri dhe oksidohet në një grup dy-karbonësh (acetat) aë kombinohet me koenzimën A, duke formuar acetil koenzimën A (Acetil CoA). Gjatë këtij stadi prodhohet NADH, dhe lëshohet dioksid karboni si produkt mbetje.

3-Cikli i acidit citrik

Grupi acetat i acetil koenzimës A (Acetil CoA) kombinohet me një molekulë me katër atome karboni (oksalacetati-n) për të formuar një molekulë me gjashtë atome karboni (citrati-n). gjatë ciklit, citrati riciklohet në oksalacetat, dhe dioksidi i karbonit lirohet si produkt mbetje, i panevojshëm. Energjia kapet në formën e ATP-së dhe të përbërjeve të reduktuara me përmbajtje të lartë energjie NADH-së dhe FADH2-shit.

4-Transporti i elektroneve dhe kemiosmoza

 Elektronet e hequr (shkëputur) nga molelula e glukozës gjatë stadeve të mëparshëm, transferohen nga NADH-ja dhe FADH2-shi derjt një vargu përbërjesh akseptore të elektrone ve. Ndërsa elektronet kalojnë nga një ekseptor tek tjetri një pjesë e energjisë së tyre shfrytëzohet për të transportuar jone hidrogjen (protone) nëpërmjet membranës së brendshme miitokondriale, duke formuar kështu një gradient protonesh (protonik). Gjatë procesit të njohur si kemiosmozë, energjia e gradientit të protoneve përdoret për të prodhuar ATP.

 

Pjesa më e madhe e reaksioneve tëë përfshira në frymëshkëmbimin qelizor aerobik janë të një prej tre llojeve: dehidrogjenime, dekarboksilime, dhe ato të cilat futen tek reaksionet përgatitore.

Reaksionet e dehidrogjenimit janë reaksione në të cilat nga substrati largohen dy atome hidrogjeni dhe transferohen  tek NAD+ apo FAD.

Reaksionet e dekarboksilimit janë reaksione në të cilat një pjesë e grupit karboksilik largohet nga molekula substrat në formën e dioksidit të karbonit. Dioksidi i karbonit që nxjerrim në çdo frymënxjerrje vjen nga reaksionet e dekarboksilimit të ndodhin në qelizat tona.

Pjesa tjetër e reaksioneve janë reaksione pregatitore në të cilat molekulat u nënshtrohen riorganizmeve dhe ndryshimeve të tjera në mënyrë të tillë që të mund t’u nënshtrohen dehidrogjenimeve dhe dekarboksilimeve të tjera.

© Rinstinkt 2013

—————————————

Frymëmarrja qelizore

Frymëmarrja qelizore

Burimi kryesor i energjisë për qelizat përfaqësohet nga glukozi (C6H12O6) dhe thyerja e tij nëpërmjet një reaksioni oksidim që ndodh me dy faza të ndara: glikoliza dhe frymëmarrja qelizore ose fermentimi (pra, me apo pa prani oksigjeni). Frymëmarrja qelizore kërkon praninë e oksigjenit dhe shpie në thyerjen e sheqernave me prodhimin e dioksidit të karbonit dhe ujit.

Glikoliza

Glikoliza është një proces me 9 reaksione të njëpasnjëshme që ndodhin në citoplazmë. Çdo reaksion katalizohet nga një enzimë specifike. Gjatë glikolizës një molekulë glukozi transformohet në 2 molekula acidi piruvik, duke lëshuar energji. Energjia përdoret për të prodhuar 2 molekula ATP-je dhe 2 molekula NADH-je. Acidi piruvik është ende i pasur me energji dhe kështu ai vazhdon “të përpunohet” më tej.

Frymëmarrja qelizore

Frymëmarrja qelizore kërkon praninë e oksigjenit – aerobiozë. Gjatë frymëmarrjes qelizore acidi piruvik oksidohet dhe thyhet në dioksid karboni dhe ujë. Ky proces ndodh në mitokondri dhe ka si qëllim prodhimin e ATP-së.

Fermentimi

Fermentimi është procesi i përdorur nga disa qeliza, për të përftuar energji, kur nuk ka oksigjen – anaerobiozë. Gjatë fermentimit glukoza kthehet në molekula më të thjeshta duke çliruar energj. Fermentimi fillon me glokolizën dhe përfundon me prodhimin e acidit piruvik. Gjithsesi, acidi piruvik shndërrohet në substanca që janë të ndryshme në varësi të tipit të fermentimit. Gjatë fementimit alkolik, acidi piruvik transformohet në alkool etilik, ndërsa gjatë fermentimit laktik ai kthehet në acid laktik.

 

© Rinstinkt, 2012

————————————————————————————————————-