Njerëzit që vuajnë nga depresioni shprehen ndryshe nga njerëzit e tjerë…

Njerëzit që vuajnë nga depresioni e përdorin gjuhën, pra të folurit dhe të shkruarit, ndryshe nga njerëzit e tjerë…

Ndoshta të gjithë e dinë se depresioni (sëmundja e depresionit, dhe jo thjeshtë një ndjenjë mërzie kalimtare) shkakton ndryshime tek mënyra se si njerëzit sillen, si ndërveprojnë me të tjerët, se si, sa dhe kur flenë gjumë etj.

Por ndoshta asnjë nuk e di se depresioni ndyshon edhe mënyrën se si individi flet, shkruan dhe shprehet. Dhe ky ndryshim në mënyrën e të folurit natyrisht që ndikon në mënyrën se si të tjerët na perceptojnë.

Shkencëtarët janë përpjekur prej kohësh që të hetojnë këtë bashkëlidhje mes depresionit dhe ndryshimeve që individët pësojnë në mënyrën se si ata shprehen, por kjo ka qenë një punë e vështirë deri para pak kohësh, sepse analizat gjuhësore, pra analizat linguistike, kryheshin duke lexuar dhe duke mbajtur shënime – që natyrisht për të realizuar studime domethënëse me monstra të mëdha kërkon një kohë të gjatë dhe një impenjim tepër të ekzagjeruar.

Ndërsa në ditët e sotme këto analiza/hetime bëhen më të thjeshta falë teknologjisë dhe metodave kompjuterike që janë të afta ta analizojnë tekstin, apo pjesë të gjëra teksti, në pak minuta.

Dhe kështu mbërrijmë tek studimi në fjalë, që është botuar në Clinical Psychological Science, dhe që ka identifikuar një klasë fjalësh që mund t’i ndihmojnë shkencëtarët në parashikimin nëse dikush është duke vuajtur nga depresioni apo jo. Thekoj: mund, sepse këto parashikime janë akoma tepër rudimentale dhe kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm dhe për rafinime të mëtejshme të medotës.

Cilat janë zbulimet?

Individët që vuajnë nga depresioni përdorin një sasi të ekzagjeruar fjalësh që përçojnë emocione negative.

Individët me simptoma depresioni e përdorin më shumë përemra vetorë të vetës së parë njëjës, si për shembull: ‘unë’, ‘vetvetja’, ‘mua’. Gjithashtu përdorin më pakë përemra vetorë si ‘ata’ apo ‘ato’.  ( Stephanie Rude, Eva-Maria Gortner & James Pennebaker (2004) Language use of depressed and depression-vulnerable college students, Cognition and Emotion, 18:8, 1121-1133, DOI: 10.1080/02699930441000030 )

Ky model i përdorimit të përemrave vetorë nga personat që vuajnë nga depresioni sugjeron se këta individë janë më shumë të fokusuar tek vetvetja, dhe më pak tek të tjerët, ose më pak të ndërlidhur me të tjerët.

Studime të mëparshme kanë treguar se përemrat janë më të saktë në identifikimin e depresionit në krahasim me fjalët që konotojnë emocione negative. Pra krahasojmë përdorimin e vetëm fjalëve me emocione negative dhe përdorimin e vetëm përemrave, këto të fundit janë më të sakta në identifikimin e depresionit.

(Dihet se ‘ruminacioni’ apo më shqip ripërtypja, pra të menduarit në vazhdimësi mbi problemet personale, si dhe izolimi shoqëror janë karakteristika të shpeshta të depresionit.)

depresioni ndryshimet në mënyrën e të shprehurit dhe gjuhës

Depresioni, përveç ndryshimeve të tjera, shkakton edhe  ndryshime në mënyrën e të shprehurit dhe gjuhës

Për sa i përket stilit të të shprehurit, studiuesit dhe studimi në fjalë gjetën se, fjalët absolutiste, që përçojnë probabilitete absolute, si për shembull ‘gjithnjë’, ‘asgjë’, ‘plotësisht’ etj, janë identifikues më të mirë të forumeve që merren me shëndetin mendor.

(Studimi në fjalë përqëndrohej në analizën e tekstit prej 64 forumeve online që merren me shëndetin mendor, duke analizuar tekstin e 6400 anëtarëve.)

Në njëfarë mënyre këto rezultate priteshin prej shkencëtarëve, sepse individët me depresion kanë një pikëpamje të botës më bardhë e zi, krahasuar me individët e tjerë, dhe natyshisht kjo do të shfaqej edhe në stilin e tyre të gjuhës, të të shprehurit.

 

Studimi: In an Absolute State: Elevated Use of Absolutist Words Is a Marker Specific to Anxiety, Depression, and Suicidal Ideation

© Rinstinkt Blog 2018

Sistemi tretës tek njeriu

Sistemi tretës

Sistemi tretës shtrihet nga kafazi i kraharorit e deri në zgavrën abdominale. Kufiri mes këtyre dy zgavrave përfaqësohet nga diafragma.

Sistemi tretës përfshin kanalin ushqyes, i cili merret me ujin dhe lëndët ushqyese, dhe gjëndrat e bashkëlidhura. Kanali ushqyes përbëhet nga goja, faringu, ezofagu, stomaku, zorrët dhe kanali anal.

Gjendrat e pështymës

Gjendrat e pështymës janë: gjendra parotide, nëngjuhore dhe nënmandibulare.

Mëlçia dhe fshikëza e tëmblit, sëbashku me pankreasin janë edhe ato pjese e sistemit tretës.

Thyerja mekanike  e ushqimit fillon në gojë; prerja apo copëtimi i parë i ushqimit kryhet nga dhëmbët. Fëmijët kanë 20 dhëmbë, të rriturit 32.

Gjuha

Gjuha lëviz dhe manipulon ushqimin dhe merr pjesë në artikulimin e tingujve në të folur. Gjendrat e pështymës prodhojnë një sekrecion – pështymën – që lubrifikon ushimin  në mënyrë që të gëlltitet më me thjeshtësi. Pështyma përmban bikarbonat natrumi dhe një enzimë që fillon thyerjen e amidonit. Ushqimi, nga goja kalon në faring dhe mëpastaj në ezofag.

Ezofagu

Ezofagu është një tub i gjatë që kalon ndërmjet dy mushkërive në zgavrën e kraharorit, nëpër diafragmë dhe mbërrin në stomak. Stomaku është i ndarë nga ezofagu nga sfinkteri kardiak. Sfinkteri kardiak lejon kalimin e ushqimit nga ezofagu në stomak, duke parandaluar kthimin pas.

Vetë stomaku është i pozicionuar në anën  e majtë, menjëherë nën diafragmë, dhe është pjesërisht i mbrojtur (mbuluar) nga brinjët. Stomaku ka pak a shumë formë fasuleje, me një lakesë të vogël dhe një lakesë të madhe. Ndahet në tre pjesë: fundi, trupi dhe pjesa pilorike.

Stomaku

Stomaku punon si rezervuar për ushqimin. Pjesa e jashtme e stomakut përbëhet nga tre shtresa muskuli të lëmuar: një shtresë gjatësore, një shtresë qarkore dhe një shtresë e pjerrët (oblikue). Këto tre shtresa muskujsh kanë funksionin e përzjerjes së ushqimit me lëngun gastrik dhe shpërndarjen e tij në duodenum. Veshja mukoze thith ujin dhe glukozin për në gjak. Gjendrat gastrike tahisin (sekretojnë) rreth 1-2 litra lëng gastrik në ditë. Lëngu gastrik përmban enzima si lipaza dhe pepsinogjeni, të cilat prodhohen nga qelizat peptike. Lipaza fillon thyerjen e lyrave; pepsinogjeni shndërrohet në pepsinë në prani të acidit klorhidrik. Pepsina fillon thyerjen kimike të proteinave në substanca më të thjeshta si peptonët. Acidi klorhidrik ka rolin e vrasësit të baktereve. Në mënyrë që të parandalojë vet-tretjen nga acidi klorhidrik, qelizat mukoze tahisin (sekretojnë) mucinë, që mbron sipërfaqen e stomakut.

Stomaku është nën kontroll hormonal dhe nervor. Kur ushqimi mbërrin në stomak, qelizat gastrike fillojnë tahitjen e gastrinës. Gastrina vepron mbi  mbi qelizat e stomakut  për të rritur tahitjen e lëngut gastrik. Pas lënies së kohës së duhur për tretje, fillon tkurrja e muskujve të stomakut duke krijuar lëvizjet peristaltike. Këto lëvizje valë-ngjashme e shtyjnë ushimin drejtë pjesës pilorike të stomakut. Sfinkteri pilorik hapet dhe ushqimi shtyhet drejt zorrën së hollë (duodenumit).

Zorra e hollë

Zorrët mund të ndahen në zorrën e hollë dhe zorrën e trashë. Zorra e hollë është një tub i gjatë muskulor. Zorra e hollë merr kimën nga stomaku, lëngun pankreatik nga pankreasi, dhe vrerin (lëngun e tëmblit) nga fshikëza e tëmblit.

Zorra e hollë përfshin duodenumin, jejunumin (zorrën e thatë) dhe ileumin.

Zorra e trashë

Zorra e trashë është e veshur nga një membranë (cipë) seroze – peritoneumi, në të cilën kalojnë enë gjaku, enë limfatike dhe nerva.

Zorra e trashë përbëhet nga zorra qorre, koloni, rektumi, kanali anal dhe apendiksi krimb-ngjashëm (zorra shtojcë).

 

Mëlçia dhe fshikëza e tëmblit

Mëlçia është një organ metabolik kompleks, dhe është po ashtu gjendra jashtëtahitëse më e madhe e trupit. Mëlçia gjendet në zgavrën abdominale, nën diafragmë në anën e djathtë. Është e rrethuar nga një kapsulë indi fibroz që e ndan në dy lobe kryesorë:; lobi i majtë dhe i djathtë, që më tej janë të ndarë në lobtha. Arteria hepatike shpie në mëlçi gjak arterioz. Ndërsa vena portë (portale) shpie në mëlçi gjakun venoz të organeve abdominale. Pasi gjaku kalon në kapilarët e mëlçisë – sinusoidët – ai kalon në venën heptike (e mëlçisë) dhe më në fund në venën zgavrore të poshtme. Nga mëlçia lindin dy dukte hepatike, që bashkohen për të formuar duktin e përbashkët hepatik. Dukti i përbashkët hepatik vazhdon në duktin e përbashkët të vrerit, që më pas derdhet në duodenum pasi takohet me duktin pankreatik.

Fshikëza e tëmblit (apo tëmthit?) është një trastë me funksionin e rezervimit të vrerit.

Pankreasi

Pankreasi është një gjendër e gjerë që shtrihet përmes zgavrës abdominale të pasme. Pankreasi ka një funksion jashtëtahitës (ekzokrin) apo tretës dhe një funksion brendatahitës apo hormonal.

Pankreasi përbëhet nga një kokë, një trup dhe një bisht. Koka e pankreasit është e rrethuar (përqafuar) nga duodenumi. Pankreasi përshkohet nga dukti pankreatik, i cili bashkohet me duktin e vrerit dhe më pas del në duodenum ku derdh lëngun pankreatik, nëpërmjet ampulës së Vater-it. Ampula e Vater-it përfundon me sfinkterin e Oddi-t.

© Rinstinkt 2012, mbi tekstin

Shija dhe nuhatja

Shija dhe nuhatja

Ndjenjat tuaja të shijes dhe të nuhatjes punojnë së bashku për t’ju treguar se çfarë është e mirë për t’u ngrënë dhe çfarë mund të jetë e rrezikshme. Theksi duhet vënë tek “mund” sepse mund të ketë edhe alarme të rremë.
Ndjenja e të shijuarit është mjaft e fortë; e nga ana tjetër e ndërlidhur me atë të nuhatjes… Të gjithë kanë dë gjuar të thuhet se një ushqim i caktuar ka një aromë të mirë, për shembull. Aroma e ushqimit në fjalë perceptohet nga qelizat qerpikore të nuhatjes duke kaluar nëpër rinofaring… Një eksperiencë unike, shijimi dhe muhatja e njëkohshme.
Truri kombinon sinjale nga receptorët e shijes, të nuhatjes dhe sinjale nga sytë për të kuptuar se çfarë po shijoni.

Kuriozitet: Qeniet njerëzore mund të pikasin (përcaktojnë) vetëm katër shije (apo kombinime të këtyre), por mund të nuhasin 10,000 erëra të ndryshme.