Anemia nga humbjet hematike

Anemia nga humbjet hematike

Humbjet hematike akute dhe anemia

Ilustrim i elementëve të gjakut.

Ilustrim i elementëve të gjakut.

Humbjet hematike akute, të menjëhershme, të dallueshme nga humbjet hematike kronike, shkaktojnë kryesisht një zvogëlim të nivelit apo më saktë të vëllimit të gjakut brenda-enëzor. Si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të gjakut brendaenëzor mund të shkaktohet një kolaps kardiovaskular, shok (shock) apo edhe vdekje e pacientit/individit.

Karakteristikat klinike, dhe jo vetëm,  varen nga intensiteti dhe nga lloji i gjakderdhjes, që mund të jetë e jashtme ose e brendshme.

Nëse pacienti mbijeton nga episodi i humbjes hematike akute, vëllimi i gjakut (kujdes: flitet për vëllimin, duke i anashkaluar karakteristikat cilësore) priret të rritet nëpërmjet zhvendosjes brenda-enëzore, brendavaskulare të ujit që zakonisht gjendet në hapësirën ndërqelizore. Një zhvendosje e këtillë e lëngut intersticial, ndërqelizor, shkakton hollim të gjakut, i ashtuquajtiru “hemodiluicion”, dhe si pasojë edhe një zvogëlim të parametrit të hematokritit.

Zvogëlimi i numrit total të eritrociteve (rruazave të kuqe të gjakut) bën që nëpër indet e trupit të shkojë më pak oksigjen nga sa shkon zakonisht, kjo sepse, siç e dimë oksigjeni transportohet kryesisht nëpërmjet hemoglobinës që gjendet në citoplazmën e rruazave të kuqe të gjakut. Zvogëlimi i transportit të oksigjenit indukton një rritje të nivelit të prodhimit të eritropoietinës në veshka. Eritropoietina stimulon shumimin e prekursorëve të rruazave të kuqe të gjakut në palcën e kockave (CFU-E); pra është një hormon i rëndësishëm në procesin e gjakpërftimit (hematopoiezës).

Pas lëshimit dhe veprimit të eritropoietinës, duhen disa ditë që të vihen re efektet… e kështu, në qarkullimin e gjakut do të vihen re një numër disi i rritur retikolocitesh. Retikolocitet janë eritrocite që nuk kanë përfunduar akoma stadin e vet maturues. Zakonisht në gjak gjenden në një përqindje nga 0.5 në 1.5.

Sapo palca e kuqe rrit aktivitetin e vet, nën stimujt e eritropoietinës, vihet re një rritje e  numrit të retikolociteve, që mbërrin në nivele prej 10-15% pas 7 ditësh.

Retikolocitët kanë përmasa më të mëdha se eritrocitet (makrocitë) dhe karakterizohen nga një citoplazmë polikromatofile, me ngjyrim blu të kuq.

Humbjet hematike kronike dhe anemia

Humbjet hematike kronike shkaktojnë anemi vetëm në rastet kur entiteti i humbjes hematike kalon tej aftësive ripërtëritëse të palcës apo kur rezervat e hekurit në organizëm mbarojnë dhe shfaqet, si pasojë, e ashtuquajtura anemi sideropenike, pra nga mungesa e hekurit (hekuri është element thelpësor në sintetizimin e hemoglobinës).

Rinstinkt, 2014.

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————

Hemorragjia

Hemorragjia

Dëmtimi i një ene gjaku dhe dalja e gjakut... (hemorragjia).

Dëmtimi i një ene gjaku dhe dalja e gjakut… (hemorragjia).

Me hemorragji kihet parasysh dalja e gjakut nga enët  (e gjakut) në të cilat lëviz/qëndron zakonisht.

Dalja e gjakut nga sistemi enëzor mund të verifikohet për shkak të dëmtimit të një arterie, të një vene apo të një kapilari… i shkaktuar ky dëmtim nga plagë apo nga fenomente të tjera patologjike që në një mënyrë ose në një tjetër dëmtojnë murin enëzor.

Shkaqet e dëmtimit mund të jenë të llojllojshme; kryesisht kanë të bëjnë me plagë, procese infiamatore, me procese zvetënuese/degjenerative, metastaza tumorale, aneurizma (zgjerim i lokalizuar i murit enëzor), variçe (zgjerim i venave) etj.

Gjaku që del nga enët ku zakonisht qarkullon, del me njëfarë shpejtësie nga enët arterioze, ndryshe nga ato venoze, nga ku del më ngadalë.

Nëse gjaku nuk derdhet jashtë trupit ai infiltron (brendafutet) nëpër indet rrethues duke formuar një masë të ngurtë të qajtur hematomë/hematoma. Ndërsa kur gjaku mblidhet apo grumbullohet në një zgavër apo thënë ndryshe kavitet celomatik të organizmit formohet hemoperitoneumi apo hemoperikardi.

Një nga mekanizmat homeostatikë që marrin pjesë në rregullimin e procesit të hemorragjisë është ngushtimi, apo thënë më mirë, tkurrja e murit të enës arterioze. Për më tepër hemorragjia ndalet nga aktivizimi i sistemit homeostatik koagulativ/mpikës.

Rinstinkt, 2014

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Kundërtrupat

Kundërtrupat

Kundërtrupat si kontrollorë molekularë

Kundërtrupat (antitrupat) janë mbikëqyrësit tanë molekular, që rrinë e presin për viruset, baktere dhe të tjerë vizitorë të padëshiruar. Kundërtrupat qarkullojnë në gjak, duke shqyrtuar me imtësi çdo objekt që hasin.

Kur takojnë ndonjë objekt jofamiljar, një objekt të huaj, ata lidhen fortë në sipërfaqen e tij. Në rastin e viruseve, si për shembull të rhinoviruseve apo polioviruseve, një mbulesë kundërtrupash mund të jetë e mjaftueshme për të ndalur apo bllokuar infeksionin.

Gjithsesi kundërtrupat të vetëm, nuk mjaftojnë për bakteret. Kur kundërtrupat lidhen në sipërfaqen bakterore, ata veprojnë si shënjues që alarmojnë mekanizma të tjerë të fuqishëm të mbrojtjes në sistemin imunitar.

Mbërthyerja e kundërtrupave

Kundërtrupat, dhe shumë nga molekulat e tjera që përdoren në sistemin imunitar, hanë forma të dallueshme. Zakonisht janë të përbërë nga një sërë krahësh të përthyeshme, me vende për të lidhur molekula të tjera në fundin e tyre (binding site). Që do të thotë se: ka plotësisht kuptim, përderisa kundërtrupat nuk e dinë që më parë se cilët sulmues do të luftojnë, duke i lënë vetvetes mundësi të shumta veprimi. Këto krahë të përthyeshme lejojnë që vendet e lidhjes (binding sites) të punojnë së bashku, duke u kapur me të dy krahët tek shënjestrat me forma të përgjithshme të ndryshme.

kundërtrup 1 - rinstinkt blogKundërtrupi i treguar në figurë ka dy vende lidhjeje, në majat e dy krahëve që shtrihen majtas e djathtas lartë. Të shënuara me të verdhë. Vini re zinxhirët e hollë që lidhin këto krahë me domeinin qëndror. Disa kundërtrupa kanë zinxhirë lidhës më të gjatë dhe më të përthyeshëm që bëjnë të mundur një hapje krahësh më të madh, me më shumë probabilitet për t’u kapur në sipërfaqe të ndryshme agjentësh të huaj.

Fuqia tek numrat

Gjaku i njeriut përmban mbi 100,000,000 tipa të ndryshëm kundërtrupash. Çdo tip lidhet me një molekulë shenjestrë të ndryshme. Të gjithë këta kundërtrupa krijohen para se trupi të takohet me një virus apo bakter. Pra, nuk është se trupi (juaj) ndërton një kundërtrup special kur një agjent i huaj mësyn organizmin. Në të kundërt, të gjithë kundërtrupat tuaj janë të para-fabrikuar, duke qëndruar në pritje deri sa një virus një bakter apo çfarëdo agjenti tjetër i huaj të sulmojë. Ka kaq shumë kundërtrupa të para-fabrikuar saqë me probabilitet një ose dy prej tyre janë (ose dalin se janë) të duhurit për të luftuar infeksionin.

Kjo “rezervë” e madhe me kundërtrupa krijohet falë rikombinimit të gjeneve në limfocite, qelizat e gjakut që janë përgjegjëse për prodhimin e kundërtrupave. Çdo limfocit krijon një tip të ndryshëm kundërtrupi, bazuar në mënyrën se si rikombinohen gjenet (e tij) që kodifikojnë mbi prodhimin e kundërtrupave.

Kur një kundërtrup takohet me një virus apo bakter, limfociti përkatës do të shumëfishohet, duke e “mbushur” qarkullimin e gjakut me kundërtrupa të veçantë të nevojshëm për të luftuar sulmuesin. Këto limfocite mund edhe të bëjnë ndryshime të vogla të kundërtrupave që prodhojnë, duke i modeluar (“dizenjuar”) kundërtrupat që të lidhen më saktësisht dhe më specifikisht.

Struktura e kundërtrupit

Kundërtrupat janë të përbërë nga katër zinxhirë apo vargje; dy zinxhirë të gjatë, të rëndë dhe dy zinxhirë më të shkurtër, të lehtë. Vendi specifik i lidhjes gjendet në majën e dy krahëve, në një xhep të formuar mes zinxhirit të rëndë dhe të lehtë.

Vendi i lidhjes është i përbërë nga  kthesa (leqe) të ndryshme të vargut proteinik, që kanë gjatësi  dhe përbërja amino acidesh të ndryshme. Diferencat në këto leqe me ndryshueshmëri të madhe, formojnë tipat e ndryshëm të xhepave në kundërtrupa të ndryshëm, çdonjëri nga të cilët lidhet specifikisht me një shënjestër të ndryshme.

Pjesa tjetër e kundërtrupit – pjesa tjetër e krahëve dhe domeini konstant që lidh dy krahët bashkë – është relativisht me strukturë të  njëtrajtshme, duke dhënë kështu një bisht (dorezë) të nevojshëm me anë të të cilit kundërtrupat ndërveprojnë me pjesë n tjetër të sistemit imunitar.

Sulm nga krahë të ndryshme

Kur një molekulë e huaj gjendet në organizëm, tek ajo lidhen disa kundërtrupa të ndryshëm, duke e sulmuar nga anë të ndryshme.

kundërtrupa, proteina lizozimë - rinstinkt blogNë pamje tregohen tre kundërtrupa të ndryshme që lidhen me proteinën lizozimë (me jeshile në qëndër). Vini re se kundërtrupat zënë vende të ndryshme lidhjesh në sipërfaqen e molekulës së lizozimës.

Kundërtrupa katalitikë

Kërkuesit shkencorë e kanë përdorur diversitetin e larmishëm funksional të sistemit imunitar në një mënyrë të zgjuar: për të dizenjuar enzima të reja.

Enzimat punojnë duke lehtësuar kalimin e molekulave në një stad kimik të vështirë. Enzimat punojnë (edhe) duke stabilizuar ndërmjetësin e reaksionit, duke lëmuar rrugëtimin nga starti në finish.

Për të kthyer një kundërtrup në një enzimë duhet që të gjendet një kundërtrup i tillë që të stabilizojë gjendjen e ndërmjetme të tranzicionit. Kërkuesit shkencorë kanë gjetur kundërtrupa që lidhen me një molekulë që mimon (imiton) gjendjen e tranzicionit. Këta enzima-kundërtrupa quhen kundërtrupa katalitikë.

Eksplorimi i strukturave të kundërtrupave

kundërtrupa 3 - rinstinkt blogKundërtrupat janë mjaft të përthyeshëm, duke krijuar vështirësi në studimin e një kundërtrupi të paprekur, të plotë. Shumica e qindra strukturave të kundërtrupave të studiuar janë fragmente kundërtrupash, zakonisht krahë Fab (antigen-binding fragment) me xhepin specifik të lidhjes.

Vini re në pamjen në krah aftësinë e kundërtrupave për t’u rrotulluar e përdredhur në forma të ndryshme.

Rinstinkt, përkthyer nga PDB

Baza molekulare dhe fiziologjike e ereksionit

Baza molekulare dhe fiziologjike e ereksionit

Si ndodh ereksioni

Ereksioni shkaktohet nga lëshimi i oksidit të azotit prej mbaresave nervore në penis. Oksidi i azotit në këtë rast shërben si neurotransmetues, dhe qëndron në indet rrethues për pak kohë.

Gjithsesi, pas lëshimit fillestar të monoksidit të azotit, enët e gjakut zgjerohen dhe mëpastaj prodhojnë dhe lëshojnë edhe ato vetë oksid azoti (NO).

Monoksidi i azotit prodhohet në qelizat falë enzimës NO sintaza. Oksidi i azotit është një nga shumë rregullatorët lokalë që përdorin qelizat tona për të komunikuar me njëra-tjetrën. Prodhohet nga shumë lloje qelizash, përfshirë qelizat bimore (dhe të kafshëve të tjera).
Oksidi i azotit ti lëshuar nga qelizat endoteliale, pra qelizat që veshin së brendshmi enët e gjakut, ka vetinë që të relaksojë muskulin e lëmuar të enëve të gjakut. Si pasojë e relaksimi të fibrave muskulore të murit të enëve të gjakut, diametri i tyre rritet dhe gjaku mund të rrjedh në to.

Pra, pasi gjaku fillon dhe rrjedh nëpër enët e penisit, këto të fundit stimulohen nga rrjedhja e gjakut që rrëshket dhe “godet” mbi qelizat endoteliale.

Kjo “goditje” bën që qelizat endoteliale si reagim të prodhojnë dhe sekretojnë akoma më shumë monoksid azoti. Ky duket se është edhe mekanizmi me anë të cilit shpjegohet erektimi i zgjatur.

Oksidi i azotit (monoksidi i azotit) është një substancë (gaz) që mundëson lëshimin e enëve të gjakut. Kështu, kur gjaku fillon e rrjedh nëpër trupin e penisit ky i fundit “ngrihet”.

Për më shumë:

  • Mechanisms of Penile Erection and Basis for Pharmacological Treatment of Erectile Dysfunction – Pharmacological Reviews December 2011 vol. 63no. 4 811-859

Rinstinkt 2013

—————————————————————————-