Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Skorbuti shkaktohet nga mungesa e vitaminës C, apo thënë ndryshe acidit askorbik (askorbatit). Vitamina C përveç të tjerash është e nevojshme edhe për oksidrilimin e prolinës dhe lizinës në molekulën e kolagjenit.

Skorbuti është një sëmundje defiçiti, si shumë të tjera, që karakterizohet nga degjenerimi (prishja) e përgjithshme e indit lidhor. Skorbuti shfaqet (manifestohet) me shenja si: hemorragji të shumta të shkaktuara nga dobësia e enëve të gjakut, pra nga dobësia e mureve të enëve të gjakut. Skorbuti shfaqet edhe me humbjen e dhëmbëve, pamundësinë e krijimit të eskarave (vrajave, mbresave) nga plagët apo rihapjen e të vjetrave, dhimbje dhe prishje të kockave dhe, në fund, pamajaftueshmëri kardiake. Janë vëzhguar edhe depresion dhe rritja e ndjeshmërisë ndaj stimujve të llojeve të ndryshme.

Rastet me të moderuara me mungesë të vitaminës C shfaqen me lodhje të përgjthshme, acarueshmëri dhe rritje të gravitetit të infeksioneve respiratore.

Pjesa më e madhe e kafshëve e prodhon vitaminën C, vet, në sasi të mëdha, nëpërmjet transformimit të glukozit në askorbat. (Transformimi kryhet nëpërmjet katër hapave enzimatike.)

Gjatë evoluimit të vet, njerëzit – dhe kafshë të tjera si gorrilla, kaviet, laskuriqët – e kanë humbur enzimën e fundit të rrugës enzimatike që realizon sintezën e askorbatit nga glukozi. Kështu acidi askorbik (askorbati) duhet të merret nga dieta.

Formula kimike e vitaminës C

Formula kimike e vitaminës C

Acidi askorbik (vitamina C) në formën e vet fizike është një pluhur i bardhë, kristalin, i paerë. Vitamina C shkrihet me lehtësi në ujë, ndërsa me pak më shumë vështirësi në tretës të tjerë organikë.

Përdorimi i duhur ditor i vitaminës C është ende nën diskutim. Në SHBA doza e rekomanduar ditore është prej 60 mg, në Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar 30-40 mg, në Rusi prej 100 mg. Ndonjëherë jepen doza të larta të vitaminës C pavarësisht se benefici që vjen nga një veprim i tillë është nën diskutim.

Kafshët që e sintetizojnë vet vitaminën C ruajnë nivele të larta të kësaj vitamine, aq sa njeriut do t’i duhej të merrte doza qindra herë më të larta se doza ditore e rekomanduar për të mbërritur në një nivel të tillë.

Përveç agrumeve dhe pjesës më të madhe të frutave të freskëta, edhe ushqime të tjera përmbajnë doza të konsiderueshme vitamine C. Ndër to janë: piperi, domatet, patatet dhe brokolit.

Vitamina C që gjendet në fruta dhe preime degradohet (prishet) pas gatimit të këtyre. Po ashtu edhe gjatë konservimit të zgjatur.

Po përse vitamina C (acidi askorbik) është kaq i rëndësishëm për shëndetin e njeriut?

Rëndësia e vitaminës C tek njeriu qëndron në formimin e kolagjenit. Kolagjeni përbëhet nga përsëritja e tripeptidit Gly-X-Y ku X dhe Y janë përgjithësisht Pro apo 4-Hyp, derivati i Prolinës nga (4R)-L-hidroksiprolina, që ka një rol thelbësor në mbështjelljen e kolagjenit dhe në ruajtjen e strukturës së tij.

Unaza e prolinës normalisht gjendet në në dy konformacione “të përthyera”, të quajtura Cy-endo dhe Cy-ekzo. Struktura e helikës së kolagjenit kërkon që mbetja e prolinës në pozicionin Y të trepeptidit të jetë në konformacionin Cy-ekzo. Ky konformacion i prolinës stabilizohet nga prania e grupit funksional oksidrilik (-OH) në pozicionin C4 të 4-Hyp. Struktura e kolagjenit kërkon edhe që mbetja e prolinës në pozicionin X të trepeptidit të ketë konformacionin Cy-endo.

Në mungesë të vitaminsë C (askorabatit) qelizat nuk mund ta oksidrilojnë, pra nuk mund t’a shtojnë grupin oksidril tel mbetja e prolinës në pozicionin Y. Kështu, mos-shtimi i grupeve hidroksil sjell paqëndrueshmërinë e proteinës së kolagjenit, me të gjitha pasojat që rrjedhin prej kësaj.

Ah, një kuriozitet: kolagjeni është një proteinë, pra njeriu i ka gjenet për ta prodhuar vetë. Po ashtu, kolagjeni është një ndër proteinat me masën dhe strukturën hapsinore më të madhe, kështu që është e pamundur që të kalojë hapsirat ndërqelizore – ndryshe nga sa pretendojnë ata që shesin kremrat me “kolagjen”. Kolagjeni pra nuk thithet nga lëkura. Mos i shpenzoni paratë kot. 🙂

 

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————————————————————–

Një dietë e balancuar

Një dietë e balancuar

Për të patur një shëndet optimal ju duhet të hani një përzierje (amalgam) tipash të ndryshëm ushqimi, të cilët i japin trupit lëndët ushqyese për të cilat ai ka nevojë për të punuar siç duhet. Natyrisht, disa lëndë ushqyese i merrni në sasi të mëdha, të tjera lëndë ushqyese në sasi vërtet të vogla, kjo në varësi të ndryshueshmërisë individuale. Nëse hani sasinë e duhur të lëndëve ushqyese, në mënyrë të rregullt, ju keni një dietë të balancuar, pa eksese dhe pa privime.

Fibrat ushqimore janë pjesë e bimëve, vegjetaleve (perimeve, njomësirave, zarzavateve), frutave dhe drithërave. Trupi i njeriut nuk i tret dot fibrat bimore, e kështu nuk përfiton sasi të konsiderueshme energjie. Por ngrënia e fibrave bimore ndihmon në fuqizimi e punës së sistemit tretës. Një nga rolet e fibrave ushqimore është rritja e vëllimit të mbetjeve që qarkullon në tubin tretës, duke e bërë rrugëtimin e këtij relativisht më të shpejtë. Për shembull, ngrënia me rregullsi e sallatës jeshile apo fiblrave në përgjithësi këshillohet tek pacientët me hemorroide; ku jashtëqitja ri-përfton njëfarë rregullsie.

Sheqernat: ushqimi dhe pijet e pasura me sheqer japin energji, por trupi i përdor ato shumë shpejt e kështu në formën origjinale nuk mund të përdoren si rezerva.

Ushqimet e pasura me yndyrë i japin trupit një rezervë energjie dhe ndihmojnë në ndërtimin e qelizave të reja. Lyrat kanë një rol thelbësor në ndërtimin e membranave të qelizave që cilat siç mund ta dinë një pjesë e mirë përbëhen nga fosfolipide.

Ushqimet e pasura me proteina nevojiten për riparimin dhe rritjen e trupit tuaj. Kështu, ndokush mund të ketë dëgjuar apo parë se pacientëve pas operimit u jepen proteina, meqënëse këto janë përbërësit strukturalë kryesore e si pasojë ndihmojnë në vrajëzimin e plagëve.

Frutat dhe perimet përmbajnë fibra, vitamina dhe minerale që janë shumë të domosdoshëm për organizmin.

Ushqimet e pasura me karbohidrate i japin trupit energji dhe fibra. Për shembull, makaronat janë të përbëra nga karbohidrate, e në vende si Italia janë të pranishme pothuaj çdo ditë.

Rinstinkt 2012

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————