Ilaçet kundër aciditetit gastrik; antisekretore; inhibitorët e pompës protonike

Ilaçet e aparatit tretës

Acidi klorhidrik tahitet/sekretohet nga stomaku prej qelizave parietale. Kontrolli i sekrecionit të acidit gastrik përfshin mekanizma të shumëfishtë qëndrorë dhe periferikë.

Ka stimuj nervorë, në fazën qefalike, dhe stimuj kimikë në fazën tretëse/digjestive. Këta aktivizojnë neuronet enterike, me çlirim gastrine nga qelizat antrale G dhe histamine nga qelizat simil enterokromafine të fundit gastrik, duke vepruar mbi qelizat parietale që gjenden në gjëndrat oksintike të fundit gastrik dhe të trupit gastrik.

Tek këto të fundit ndodh një rritje e AMP-ciklike dhe e kalciumit brendaqelizor, çka shpie në aktivizimin e disa protein-kinazave specifike dhe pastaj në translokacionin dhe futjen e enzimës H/K ATPazë në membranën apikale të qelizës parietale.

Sekretimi i acidit klorhidrik ndodh nëpërmjet krijimit të një gradienti jonesh hidrogjenë, nëpërmjet shkëmbimit elektroneutral të joneve hidrogjen dhe joneve kalium prej pompës protonike ATPaza H/K.

Ilaçet që reduktojnë aciditetin gastrik zgjidhin simptomatologjinë e dhimbshme dhe lehtësojnë vrajëzimin e dëmtimeve errozive apo ulçerative të mukozës.

Ekzistojnë ilaçe antiacide (apo antiacidike – si preferoni) dhe antisekretore. Të parat neutralizojnë kimikisht acidin klorhidrik HCl në lumenin gastrik. Të dytat inhibojnë mekanizmat që stimulojnë sekretimin e acidit në nivelin e qelizave parietale. Antisekretorët mund të jenë antagonistë të receptorëve H2 të histaminës, ose inhibitorë të pompës protonike.

Skemë ilustruese mbi ilaçet antiaciditet, antisekretore, inhibues të pompës protonike. (Në skemë gjenden edhe ilaçe të tjera, por nuk do të flasim për ato.)

* * *

Ilaçet kundër aciditetit të stomakut

Janë përbërje bazike, pra kripëra apo baza të dobëta, që neutralizojnë acidin e pranishëm në lumenin e stomakut pa ndërhyrë drejtëpërdrejtë me proçesin e tahitjes acide në nivelin e qelizës parietale gastrike.

Dallohen nga njëri tjetri për përbërjen e vetë kimike, për tretshmërinë dhe aftësinë e ndryshme neutralizuese.
Përbërësit kryesorë të preparateve antiacide janë hidroksidi i magnezit dhe hidroksidi i aluminit që mund edhe të përzihen në proporzione të ndryshme ose të alternohen me shtresa uji H2O dhe bikarbonati HCO3-. Thithen në sasi tepër të vogla, jodomethënëse; ushtrojnë një efekt kryesisht lokal.

Më paki përdorru është bikarbonati i natriumit që për shkak të tretshmërisë së tij tepër të lartë thithet me lehtësi me pasojë një alkalozë të mundshme sistemike (në rast administrimi të vazhduar).

Bashkëlidhja e një antiacidi me acidin algjinik mundëson formimin e një shtrese tepër viskoze prej algjinati natriumi që duke lundruar mbi lëngun gastrik funksionon si një barrierëë mekanike në drejtim të refluksit të acidit në ezofag, ndërsa antiacidi merret me neutralizimin kimik të acidit klorhidrik.

Indikacionet terapeutike të ilaçeve antiaciditet – Janë të përdorur si ilaçe simptomatike për të zbutur dhimbjen dhe pirozën e shkaktuar nga hipersekretimi acidik i stomakut. Administrimi për një herë të vetme nuk ia kalon placebos për nga efektshmëria, ndaj duhet një administrim i vazhduar.

Administrohen nën forma preparatesh të lëngëta apo në tableta. Kur merren pa vënë gjë në gojë efekti i tyre del në pah menjëherë, brenda 1-3 min, dhe është i shkurtër (30 min) duke qenë se veprimi i antiacidëve është ngushtësisht i lidhur me kohën e tyre të pranisë në lumenin e stomakut.

Është e këshillueshme që antiacidët të merren nga 1-3 orë pas ushqimit, duke qenë se ushqimi rrit në mënyrë domethënëse veprimin neutralizues të antiacidit, duke e shpurë në 3-4 orë kohëzgjatjen e veprimit.

Reaksionet anësore të andiacidëve – Varen kryesisht nga përbërja e tyre kimike dhe nga dozazhet e përdorura. Në doza të ulëta antiacidët janë ilaçe relativisht të sigurta. Megjithatë përdorimi i dozave të mëdha në periudha të zgjatura kohore mund të induktojë efekte anësore domethënëse. Për shembull, bikarbonati i natriumit mund të induktojë një alkalozë metabolike, nefrolitiazë, dhe mbajtje hidrike (ritencion hidrik). Si pasojë ai kundër-indikohet nëpacientët me pamjaftueshmëri kardiake, me pamjaftueshmëri veshkore, tek individët me hipertension, dhe tek subjektet që kanë nevojë për një dietë të varfër me natrium.

Antiacidët mund ta influencojnë lëvizshmërinë gastro intestinale në mënyrë të ndryshueshme. Alkalinizimi, në vetvete, e rrit lëvizshmërinë gastrike si rrjedhojë e çlirimit të gastrinës.

Nga ana tjetër, tek antiacidët me bazë alumini, është vënë re kapsllëk dhe një vonesë në zbrazjen gastrike.

Diarreja ozmotike është hasur në rreth 30% të pacientëve që kanë marrë preparate me bazë magnezi.

  • Bashkëlidhje e antiacidëve me bazë magnezi dhe alumini, duke qenë se kanë efekte të kundërta mbi lëvizshmërinë intestinale. Balancojnë efektet e njëri tjetrit.

Antiacidët mund të ndërhyjnë me thithjen e disa ilaçeve si pasojë e tjetërsimit të pH brenda-gastrik dhe e lëvizshmërisë gastrointestinale. Pra, këshillohet që administrimi i antiacidëve të bëhet 2-3 orë para ose pas marrjes së ilaçeve të tjera.
Antiacidët, në doza të larta, rrisin pH urinar me rreth një njësi, e kështu tjetërsojnë rithithjen tubulare dhe eleminimin e acideve apo bazave të dobëta.

* * *

Ilaçet antisekretore

Janë antagonistë të receptorëve histaminikë H2. Histamina ka një rol themelor në kontrollin e sekretimit/tahitjes acide të stomakut. Histamina lëshohet nga qelizat ECL (enterochromaffin like) të fundit gastrik nëpërgjigje nga stimuj vagalë apo hormonalë, dhe ushtron një aksion parakrin mbi qelizat parietale ku aktivizon receptorin H2. Kjo shkakton një rritje të përqëndrimeve brendaqelizore të AMP ciklike që shpie në aktivizimin final të pompës protonike.

Farmakodinamika e ilaçeve antisekretore

Antagonistët e receptorëve H2 duke bllokuar në mënyrë kompetitive receptorin e histaminës që gjendet mbi qelizën parietale janë në gjendje që të zvogëlojnë sekretimin gastrik bazal.
Efekti më i madh është mbi sekretimin acidik ditor dhe më e vogël mbi sekretimin e stimuluar nga ushqimi apo nga aktivizimi vagal.
Disa përfaqësues të kësaj klase ilaçesh janë Famotidina, Ranitidina, Cimetidina.

Këto ilaçe kanë aftësinë që të induktojnë efekte që nuk kanë lidhje me mekanizmin parësor të veprimit.
Cimetidina zotëron edhe efekte antiandrogjene, dhe ka aftësinë për të inhibuar metabolizmin hepatik të shumë ilaçeve.

Farmakokinetika e ilaçeve antisekretore – Këto ilaçe thithen menjëherë pas një administrimi nëpërmjet rrugës orale, dhe biodisponibiliteti i tyre luhatet nga 43-90%.
Lidhen dobët me proteinat plazmatike dhe metabolizohen shumë pak nga mëlçia.
Eleminohen nga veshkat nëpërmjet filtrimit dhe sekretimit tubular.
Janë të efektshëm në trajtimin e ulçerës gastrike dhe duodenale, në parandalimin e recidivave dhe në trajtimin e sëmundjes prej refluksit gastroezofageal të pa ndërlikuar.
Vrajëzimi/çikatrizimi i i ulçerës duodenale ndodh në 80% të rasteve pas një trajtimit 4 javor dhe në 90% të rasteve pas një trajtimi 8 javor.

Toleranca dhe fenomenet e kërcimit mbrapsht (rebound) të sekretimit acid
Në mënyrë analoge me sa vëzhgohet për ilaçe të tjera antagoniste, edhe me ilaçet antagoniste të receptorit H2 të histaminës zhvillohet njëfarë grade tolerance pas trajtimeve të zgjatura. Fenomeni manifestohet si një humbje progresive e efektshmërisë antisekretive. Është veçanërisht i dukshëm pas trajtimit me doza të larta dhe mbi të gjtiha ka të bëjë me sekretimin e acidit gjatë natës. Hipotizohet se toleranca mund të varet nga një rritje e numrit dhe/apo e ndjeshmërisë të receptorëve H2.
Fenomenet e kërcimit mbrapsht (rebound) të sekretimit acid vihen re me ndalimin e trajtimit me anti H2 dhe përgjithësisht zgjaten për 6-8 ditë.
Toleranca dhe reboundi pjesërisht mund të shpjegojnë përqindjen e lartë të recidivave.

Ilaçet antagoniste të receptorëve H2 të histaminës kanë një profil sigurie shumë të mirë dhe mund të merren pa patur nevojë për një recetë mjekësore.
Ndërveprimet: Modifikimet e pH brenda-gastrik që induktohen nga bllokuesit e receptorëve H2 mund të tjetërsojnë biodisponibilitetin e ilaçeve të tjera.
Për më tepër, Cimetidina inhibon forma të ndryshme të sistemit mikrozomial hepatik P450; duke ndërhyrë tek metabolizmi i shumë ilaçeve të ndryshme si për shembull warfarini, teofillina, fenitoina, lidokaina, diazepami, sulfaniluret.

* * *

Inhibitorët e pompës protonike

Kjo klategori ilaçesh i përket klasës së benzoimidazolëve. Aty futen Omeprazoli, Lansoprazoli, Pantoprazoli, Esomeprazoli.

Farmakodinamika e inhibitorëve të pompës protonike. – Pas thithjes dhe pasi mbërrijnë në mukozën e stomakut nëpërmjet qarkullimit sistemik të gjakut, molekulat e ilaçit grumbullohen në kanalet e vegjël sekretorë të qelizave parietale ku për shkak të ambientit acid i nënshtrohen transformimit në sulfenamid ciklik. Sulfenamidi ciklik është një përbërje jo stabël që është në gjendje të lidhet me grupet sulfhidrike të pompës protonike duke shkaktuar bllokimin e saj.
Pas këtij veprimi ndodh një inhibicion i theksuar dhe i zgjatur i sekretimit acid gastrik.

Pas trajtimit me këto ilaçe, prodhimi i acidit klorhidrik nga ana e qelizave parietale mund të restaurohet nëpërmjet sintezës ex-novo të molekulave të reja të ATPazës H/K (një proçes ky me një gjysmëjetë prej rreth 50 orësh).
Duke qenë se këto ilaçe kanë nevojë për një mikroambient fortësisht acid për t’u konvertuar në sulfenamid ciklik, vetëm qelizat parietale në fazë aktivizimi mund t’i nënshtrohen bllokut farmakologjik të funksionit të vet tahitës/sekretiv. Ndërsa qelizat parietale në gjendje amullie/qetësie (rreth 25%) i shpëtojnë veprimit inhibues (fillimisht).
Kjo shpjegon përse tek pacientët, pas një administrimit të vazhduar, vihet re një rritje progresive e efektit antisekretues acid.
Ilaçet inhibitore të pompës protonike ndërveprojnë me një sit të përbashkët të lokalizuar në nënnjësinë alfa të ATPazës H/K.

Një gjë e rëndësishme që duhet theksuar dhe nuk duhet harruar është se ilaçet inhibitore të pompës protonike janë të paqëndrueshëm dhe të ndryshueshëm, pra tjetërsohen në ambient acid. Në terma praktikë kjo do të thotë se është e nevojshme që të administrohen oralisht nën formën e preparateve që e parandalojnë degradimin në kontakt me aciditetin e lumenit të stomakut, dhe kështu favorizojnë thithjen në nivelin e mukozës intestinale.
Inhibitorët e pompës protonike kanë një gjysmëjetë eleminimi plazmatik tepër të shkurtës, prej rreth 1 ore, që i bën fenomenet e grumbullimit shumë pak probabël.
Gjithsesi kohëzjatje e efektit antisekretues acid është goxha e gjatë, prej 48-72 orë. Kjo për shkak të forcës së lidhjes mes produktit të ndërmjetëm të aktivizimit, pra sulfenamidit ciklik dhe pompës protonike.
Metabolizohen nga mëlçia nëpërmjet enzimave të citokromit P450.

Indikacionet – Në trajtimin e gjendjeve patologjike si sindroma e refluksit gastro ezofageal, në dëmtimet ulçerative gastro duodenale, në sëmundjen e Zollinger Ellisonit. Këto janë të gjitha gjendje në të cilat aciditeti gastrik luan një rol fiziopatologjik të rëndësishëm.
Në të gjitha rastet ilaçi duhet të administrohet në mëngjez dhe doza e dytë, nëse e nevojshme, duhet të merret në mbrëmje gjatë darkës.

Reaksionet anësore – Janë përgjithësisht të mirë-toleruara si në trajtimet afatshkurtër ashtu edhe në ato afatgjatë. Efektet anësore që vihen re janë: dhimbja e kokës, nausea, dhimbje abdominale dhe diarre, meteorizëm dhe konstipacion/kapsllëk.

Kundërindikacione – Nuk ekzistojnë kundërindikime të veçanta ndaj trajtimit me këto ilaçe. Shënim: mungesë studimesh specifike; nuk duhet të administrohen tek femrat në gjendje shtatëzanie.

* * *

Ilaçe të tjera gastro-protektivePërbërjet e bizmutit (kripërat e bizmutit). Bizmuti në ditët e sotme përdoret në shumë skema terapeutike për çrrënjosjen e H. Pylori.
Në kontakt me lëngun acid të stomakut, derivatët e bizmutit precipitojnë mbi sipërfaqen e mukozës së dëmtuar dhe e mbrojnë nga faktorët agresivë.
Ndër të tjera, bizmuti i konpleksuar me acidet biliare inhibon aktivitetin e pepsinës dhe duket se stimulon prodhimin e mukusit dhe të bikarbonatit nëpërmjet sintezës së PG endogjene.

 


© Rinstinkt Blog

Trajtimi i sëmundjeve muskulare; Ilaçet miorelaksuese

Trajtimi i sëmundjeve muskulare

Cilat janë patologjitë e muskulit skeletik? Njihen patologji parësore dhe dytësore.

Patologji parësore apo primare do të thotë se muskuli është organi i parë dhe kryesor që preket nga sëmundja; tek ky grup futen të gjitha miopatitë gjenetike distrofike ose jo, futen miopatitë infiamatore dhe disa forma miopatie metabolike si për shembull disa miopati mitokondriale dhe hipertermia malinje.

Miopatitë dytësore i detyrohen çrregullimeve, gjenetike apo të fituara, të organeve të tjera, të cilat mëpastaj ndikojnë mbi fiziologjinë dhe funksionin normal të muskulit duke e tjetërsuar atë. Këtu futen: miopatitë nga dëmtime të motoneuronëve prej sëmundjeve gjenetike, degjenerative, apo dëmtimeve iatrogjene të SNQ.Futen gjithashtu miopatitë nga çrregullimet endokrine, si dhe miopatitë nga çekuilibrat elektrolitike për shkak të keqfunksionimit të veshkave.

Miopatitë e ndryshme, duke u bazuar në tjetërsimet funksionale apo strukturore të muskulit, mund të jenë: forma degjenerative dhe/ose atrofike, patologji që ndikojnë dhe tjetërsojnë eksitueshmërinë normale të muskulit, apo patologji hipotonike ose hipertonike.

 

Ilaçet miorelaksuese

Ilaçet miorelaksuese, apo relaksuese të muskulit, janë një grup heterogjen ilaçesh që përdoren për të trajtuar dy lloje të ndryshme gjendjesh: spasticitetin prej sindromave me origjinë motoneuronale spinale dhe spazmat muskulore me dhimbje prej çrregullimeve muskulare periferike.
Shënim: spazma muskulore të lokalizuara të bashkëlidhura me dhimbje mund të vëzhgohen tek fibromialgjitë, tek qafa e ngrirë/ngurtë, tek dhimbja e shpinës.
Ilaçet miorelaksuese veprojnë kryesisht në sistemin nervor qëndror dhe periferik, me përjashtim të Dandrolenit që ka një veprim të drejtëpërdrejtë muskulor.

Dallojmë tre grupe: 1. miorelaksues me veprim periferik ganglionar-muskulor. 2. miorelaksues me veprim spinal-qëndror. 3. miorelaksues me veprim të drejtëpërdrejtë muskulor si Dandroleni.

Grupi 1. Janë të njohur si bllokues neuromuskulorë, gjerësisht të përdorur në anestezi. Përbërjet amoniake katërsore janë antagonistë miotonikë dhe veprojnë nëpërmjet një bllokimi jo depolarizues të transmetimit kolinergjik.
Nëpërmjet bllokimit të nyjes neuromuskulore mundësojë përdorimin e niveleve të ulëta të anestezisë, me një relaksim muskulor të përshtatshëm të barkut dhe të diafragmës. Veprimi i tyre pra dallohet nga ai i miorelaksuesve muskulorë që veprojnë në nivel spinal apo cerebral. Provokojnë edhe lëshimin e korgave zanore duke mundësuar kalimin e tubit endotrakeal.
Pacientët të cilëve u janë administruar bllokues neuro0muskulorë vendosen në ventilim të ndihmuar për shkak të paralizës së muskujve respiratorë. Kjo deri sa ilaçi të jetë çaktivizuar apo dier sa efektet e tij të jenë kontrastuar nga antagonistë të enzimës ACh-esterazë (Neostigmina).
Pacientët duhet gjithashtu të trajtohen me një anestetik apo me një sedativ/qetësues për të shmangur që mund të provojnë ndjesinë jo të këndshme të kurarizimit (helmim me kurar) pra të qenit në pamundësi për të lëvizur duke qenë të ndërgjegjshëm.

Grupi 2. Janë të efektshëm në pothuajse të gjitha format e spasticitetit. Disavantazhi kryesor i terapisë me këto ilaçe është reduktimi i tonit muskulor që mund të shkaktojë një humbje të veprimit apo më saktë funksionit mbështetës të muskulaturës së trungut dhe të gjymtyrëve.
Këto ilaçe mund të ndërhyjnë me aktivitetet e ndërlikuara si drejtimi i makinës apo puna nëpërmjet përgjumësisë, sedacionit, hipotonisë muskulore dhe marramendjes.
Baclofeni – antagonist i receptorëve GABAergjikë të tipit B që inhibon transmetimin në nivel spinal dhe deprimon SNQ.

Grupi 3. Dandroleni sodik. Vepron drejtëpërdrejtë mbi muskulaturën skeletike si inhibitor i receptorit të rianodinës, me shumë pak efekte anësore (nervore) qëndrore.
Kjo e bën atë ilaçin që zgjidhet i pari në trajtimin e spasticitetit të rëndë kronik të muskulaturës së vullnetshme. Ndoshta përdorimi më i famshëm i këtij ilaçi është në hiperterminë malinje, ku ka kontribuar në reduktimin e vdekshmërisë të shkaktuar nga ajo.

© Rinstinkt blog

Ilaçet antipsikotike konvencionale dhe jo konvencionale

Ilaçet antipsikotike

Ilaçet antipsikotike janë zbuluar rastësisht, dhe termi ‘antipsikotik’ është një term relativisht i ri.

Ganglioplegjikë (bllokues ganglionikë) ose neuroplegjikë – për aftësinë e tyre për të induktuar një gjendje indiference në drejtim të ndërhyrjes kirurgjikale.

Ilaçet antipsikotike janë të aftë që nga një anë të prodhojnë një gjendje qetësie (karakteristikë e dalluar e vetive të tyre qetësuese/sedative) dhe nga ana tjetër të provokojnë disa efekte motore, të ngjashme me ato të sëmundjes së Parkinsonit. Është pra e njëjta veti që është përgjegjëse si për efektet terapeutike ashtu edhe për përkeqësimin motor. Ndaj u fut në përdorim termi ‘neuroleptik’ për shkak të efekteve të tyre inhibitore mbi aktivitetin motor.

Atipik – është një term që përdoret për të treguar një nënklasë të antipsikotikëve. Aty futet Clozapina, e cila konjugon një efikasitet më të madh me një aftësi më të vogël ose nulle për të induktuar katalepsi tek kafsha apo efekte esktrapiramidale (jashtëpiramidale) tek pacientët.

Shënim: Do të ishte më me vend përdorimi i terminologjive si ‘konvencional’ dhe ‘jo konvencional’ për t’iu referuar kategorive të ndryshme të antipsikotikëve. Clozapina është prototipi i antipsikotikëve jo konvencional. Një tjetër përbërje antipsikotike jo konvencionale është Risperidoni.

 

Farmakodinamika e ilaçeve antipsikotike konvencionale

Hipoteza dopaminergjike, sipas të cilës antipsikotikët zbusin simptomat e psikozës duke reduktuar aktivitetin dopaminergjik. Kjo hipotezë lind prej vëzhgimit se Clorpromazina dhe Aloperidoli rrisnin përqëndrimin e metabolitëve të dopaminës (DA) në zonat trunore të pasura me atë neurotransmetitor.

Të tjera studime demonstrojnë se, fuqia antipsikotike e neuroleptikëve konvencionale bashkëlidhet në mënyrë të drejëtpërdrejtë me afinitetin/afrimitetin për receptorin e tipit 2 (D2) të dopaminës, duke e treguar këtë të fundit si vendin vendimtar për aktivitetin e këtyre përbërjeve.

Antipsikotikët e gjeneratës së parë shfaqin afinitet për një gamë të gjerë receptorësh (H1 histaminikë, muskarinikë, alfa-1, alfa-2 adrenergjikë, dhe serotoninergjikë). Sidosi nuk është mundur të dallohet me siguri një rol domethënës në aktivitetin antipsikotik. Besohet se ndërveprimi me këta receptorë mund të bashkëlidhet me efektet mbi arousal-in, me ato ekstrapiramidale, konjitive, kardiovaskulare, gastrointestinale dhe gjenito-urinare.

 

Farmakodinamika e ilaçeve antipsikotike jo konvencionale

Clozapina është modeli i referencës.
Në doza terapeutike, antipsikotikët jo konvencionalë, ushtrojnë një zaptim më të vogël të receptorit D2 të dopaminës; kjo kur krahasohen me përbërjet antipsikotike konvencionale.

Clozapina shfaq një afinitet më të madh për receptorin D1 krahasuar me D2, veti kjo që së bashku me ndërveprimin D1/D2 ka tërhequr vëmendjen për vendëndodhjen prevalente të këtij receptori në korteksin prefrontal. Po ashtu ka kontribuar në propozimin e D1 si një vend i mëtejshëm për aktivitetin e përbërjeve jo tipike/jo konvencionale.

 

Farmakokinetika e ilaçeve antipsikotike

Metabolizmi i tyre është gjerësisht hepatik, dhe ndodh nëpërmjet procesesh konjugimi me acidin glikuronik, hidroksilimi, oksidimi, demetilimi/çmetilimi dhe formimi sulfoksidesh.

Disa ndryshore që ndikojnë në farmakokinetikën e ilaçeve antipsikotike:

Mosha – pacientët e moshuar shfaqin një ndryshueshmëri më të madhe në eleminimin e ilaçit.

Gjenetika – ekziston një ndryshueshmëri e madhe individuale në citokromet përgjegjëse për metabolizimin. Kështu ekzistojnë edhe diferenca etnike në metabolizimin e ilaçit.

Duhanpirja – duhanpirësit shfaqin një aftësi metabolike të rritur.

Një fluks hematik i reduktuar në mëlçi dhe/apo në veshka mund të reduktojë metabolizmin dhe eleminimin e këtyre ilaçeve. Po ashtu, sëmundje hepatike si cirroza, hepatitet etj., mund të reduktojnë metabolizmin e tyre.

Induktorë enzimatikë janë: Carbamazepina, Fenitoina, Etambutoli, Barbiturikët.
Inhibitorë enzimatikë janë: Inhibitorët selektivë të rithithjes së serotoninës, Antidepresivët triciklikë, Cimetidina, Beta-bllokuesit.

 

Indikacionet dhe modalitetet e përdorimit të ilaçeve antipsikotike

Antipsikotikët konvencionalë (kanë aftësi të përmirësojë pjesën më të madhe të çrregullimeve pozitive gjatë episodeve akute.) Indikacionet e tyre kryesore janë në sëmundjen e skizofrenisë, sindromat skizoafektive, faza maniakale e çrregullimeve afektive bipolare dhe psikozat senile.

Në trajtimin e psikozave rezultatet më të mira në terma të balancës mes efikasitetit dhe reaksioneve anësore përftohen me dozat më të vogla (aftësi për të zvogëluar çrregullimet pozitive pa induktuar reaksiona anësore domethënëse).
Gjithsesi, duhen konsideruar edhe faktorë të tjerë si; përmirësimi i simptomave negative, depresioni, ideacioni vetëvrasës dhe mbi të gjitha funksionet konjitive.

Neuroleptikët konvencionalë nuk i përmirësojnë në mënyrë domethënëse simptomat negative me përjashtim të atyre dytësore ndaj çrregullimeve pozitive dhe nuk sjellin benefite për çrregullimet konjitive që prekin të paktën 85% të pacientëve skizofrenikë.

Shënim: nuk ekzitojnë prova të qarta për të thënë se në fushën e neuroleptikëve konvencionalë një përbërje është apo mund të jetë me efikase se një tjetër në trajtimin e psikozave.

Shënim 2: femrat priren të kenë një përgjigje më të mirë dhe kërkojnë dozazhe më të vogla.

Antipsikotikët konvencionalë mund të administrohen nëpërmjet rrugës orale apo injektive, në formulime me veprim të shkurtër ose të gjatë.

 

Antipsikotikët jo konvencionalë – Clozapina për shkak të reaksioneve anësore të mundshme kërkon kontrolle hematologjike të afërta njëra me tjetrën. Clozapina për shkak të reaksioneve të veta anësore nuk përdoret si zgjedhje e parë.

Përjashtuar Clozapinën, antipsikotikët e tjerë jo konvencionalë përdoren në trajtimin e skizofrenisë, të depresionit me trakte psikotike dhe të çrregullimeve skizoafektive, si dhe të maniakalitetit.

Risperidoni –

Olanzapina – është një antipsikotik jo tipik; konsiderohet zgjedhja e parë për trajtimin e të gjitha formave klinike të psikozave. Është efikas si për sa i përket çrregullimeve pozitive ashtu edhe për ato negative. Është gjithashtu efikas në terapitë mirëmbajtëse (terapi të vazhdueshme që tentojnë të ruajnë gjendjen e ekuilibrit të arritur) duke reduktuar kështu numrin e rasteve me rikthim të sëmundjes. Olanzapina administrohet një herë të vetme gjatë ditës.

 

Terapia me antipsikotikë gjatë shtatëzanisë

Ngurrim në parashkrimin dhe në marrjen e antipsikotikëve gjatë shtatëzanisë për shkak të fetotoksicitetit të dyshuar të këtyre ilaçeve.

Studime të ndryshme dhe meta-analiza, tregojnë se përdorimi i fenotiazinave dhe butirrofenonëve nuk duket se sjellë rreziqe të shtuara ndaj dëmeve keqforumese apo funksionale të pasardhësve të cilët janë ndjekur deri në moshën shkollore.

Clozapina nuk mund të këshillohet gjatë shtatëzanisë për shkak të rrezikut të rritur që ka për të induktuar ‘floppy infant syndrome’, konvulsione dhe agranulocitozë të porsalindur.

Gjatë ushqyerjes me gji, dihet se për sa i përket antipsikotikëve konvencionalë, më pak se 10% e përqëndrimit të ilaçit që qarkullon në gjakun mëmësor është në gjendje të mbërrijë tek fëmija nëpërmjet qumështit.
Ndërsa për sa i përket antipsikotikëve jo konvencionalë, studime të realizuara me Olanzapinën dhe Risperidonin kanë treguar përqëndrimie aq të ulëta sa të mos jenë të matshme. (Clozapina nuk rekomandohet.)

 

Efektet anësore – Antipsikotikët konvencionalë

Sindroma ekstrapiramidale akute. Format më domethënëse nga ana klinike janë të përfaqësuara nga akatisia, distonitë dhe parkinsonizmi.
Akatisia – është një efekt anësor i antipsikotikëve, me një freqkuencë prej 9-35%, që shfaqet si siklet/parehati e brendshme apo shqetësim/nervozizëm që shtyn drejt lëvizjes së gjymtyrëve të poshtëme dhe drejt nevojës për të ndryshuar pozicion, apo për t’u ngritur nga karrigia, apo për të hedhur hapa nëse individi gjendet në këmbë. Akatisia mendohet se është e lidhur me tjetërsime të transmisionit dopaminergjik në nyjet nervore/ganglionet e bazës së trurit.
Distonitë akute – paraqiten në 10% të rasteve në orët e para të trajtimit, dhe në 90% të rasteve në tre ditët e para. Distonitë akute nuk janë gjë tjetër veçse tkurrje, të herëpasëherëshme apo të zgjatura të muskujve të trungut, të qafës, mandibulës, gjuhës, së bashku me kriza okulogjire (deviacion i pavullnetshëm i sipërm i syve.).
Parkinsonizmi – është një efekt anësor që zhvillohet mesatarisht në 9-36% të rasteve. Ka të bëjë mbi të gjitha me shfaqjen e ngurtësisë dhe bradikinezisë (dhe dridhje). Mekanizmi përgjegjës është bllokimi i transmetimit dopaminergjik nigrostriatal.

Sindroma malinje nga neuroleptikët. Përfaqëson një reaksion anësor të rëndë dhe shpeshherë fatal ndaj kësaj klase ilaçesh (1% ). Kjo sindromë karakterizohet nga hipertermi, nga shenja estrapiramidale, gjendje e tjetërsuar e ndërgjegjies, acidozë metabolike, hiperpotasihemi, rritje të numërit të rruazave të bardha, luhatje të presionit, aritmi, dispne, diaforezë dhe inkontinencë. Zakonisht shfaqet në fillim të terapisë.

Reaksionet kardiake. Neuroleptikët me fuqi të ulët janë shfaqur më shumë përgjegjës për reaksionet kardiotoksike në krahasim me ata me fuqi të lartë.
Kardiotoksiciteti i antipsikotikëve ndërmjetësohet nga një efekt inotropik negativ, nga tjetërsime enzimatike të qelizave kardiake, nga një zgjatje e kohëve të tejçimit atrial dhe ventrikular si dhe e periudhave refraktare.
Tioridazina shkakton aritmi të rënda dhe torsade de pointes.

Reaksionet endokrine dhe seksuale. Tahitja/sekretimi i prolaktinës rregullohet nga një ton inhibitor i ushtruar nga Dopamina (DA) nëpërmjet receptorit D2, kështu që bllokimi i këtij receptori provokon një rritje të niveleve qarkulluese të hormonit prolaktinë.
Tek femrat hiperprolaktinhemia shpie në një mbufatje të gjirit, galaktorrhe, çrregullsi menstruale dhe cikle jo-ovulatorë.
Tek meshkujt rritja e niveleve të prolaktinës provokonë gjinekomasti, humbje të libidos dhe pafuqi seksuale/impotencë për shkak të zvogëlimit të prodhimit të testosteronit.

 

Efektet anësore – Antipsikotikët jo konvencionalë

Reaksione ekstrapiramidale. Neuroleptikët jo konvencionalë u zhvilluan me qëllimin që të kishim ilaçe të pajisura me një efikasitet dhe manovrueshmëri më të madhe në krahasim me përbërjet antipsikotike konvencionale. Kështu, Clozapina, provokon reaksione ekstrapiramidale domethënëse tepër rrallë ose asnjëherë.
Risperidoni dhe Olanzapina, mund të induktojnë reaksione ekstrapiramidale në varësi të dozës, që gjithsesi rezultojnë më pak të shpeshta dhe të rënda krahasuar me ato të induktuara nga përbërjet antipsikotike tipike/konvencionale.
Pra, antipsikotikët jo konvencionalë shfaqin një prirje më të vogël për të shkaktuar reaksione ekstrapiramidale.

Reaksione hematologjike. Clozapina është shkaktare agranulocitoze (8.000/milionë). Gjatë trajtimit me këtë ilaç është i nevojshëm një monitorim i ngushtë i krasisit hematik. Rreziku i këtij efekti anësor është më i madh në 3 muajtë e parë, por pa u zhdukur asnjëherë gjatë terapisë. Rreziku është më i madh në seksin femëror.

Reaksionet metabolike, endokrine dhe kardioqarkullatore. Antipsikotikët jo konvencionalë shkaktojnë një rritje domethënëse të peshës trupore. Clozapina dhe Olanzapina janë agjentët më tepër të implikuar me këtë aksion.
Nëpërmjet rritjes të peshës trupore mund të shkaktojnë rezistencë ndaj insulinës, me hiperinsulinhemi dytësore dhe hiperlipid’hemi, që mund të shkaktojnë diabet dhe patologji kardioqarkullatore.
Antipsikotikët më të rinjë mund të shkaktojnë çekuilibëra metabolikë për sa i përket homeostazës glicidike dhe lipidike, me shfaqje të diabetit të mirëfilltë.

Të tjera efekte anësore. Clozapina, Olanzapina, Quetiapina kanë edhe veti qetësuese/sedative.

 

© Rinstinkt blog

Ilaçet për terapinë e dhimbjes (2) – Analgjezikët opioidë

Ilaçet për terapinë e dhimbjes (2) – Analgjezikët opioidë

Termi ‘opioid’ përdoret për të treguar substanca që kanë një profil farmakodinamik si ai i morfinës.

Peptidet opioide derivojnë nga katër prekursorë/pararendës: nga proopiomelanokortina (POMC), nga proencefalina A, nga proencefalina B, dhe nga prekursorë që u japin origjinë endorfinave të tjera.

Opioidet aktivizojnë receptorë specifikë metabotropë që janë të çiftëzuar me proteina G dhe që shprehen në zona të caktuara trunore.

Receptorët opioidë që janë më shpesh të përfshirë me modulimin e dhimbjes janë ata të tipit N, që janë të pranishëm në zonën gri periakueduktale dhe në substancën xhelatinoze të Rolandit.

Shënim (diferenca në terma):
Opiumi –
Opiatet – derivate gjysmësintetike si Buprenorfina dhe Diacetilmorfina
Opioidet e mirëfillta – janë ilaçe të sintetizuara si Metadoni dhe Petidina (Meperidina).

Opioidët e ‘dobët’ apo të ‘dhimbjes të moderuar’

Në këtë grup futet Kodeina që është një alkaloid natyral që merret me anë të gojës. Kodeina është dhjetë (10) herë më e dobët se Morfina.
Kodeina ka disa metabolitë të ndryshëm, një pjesë e të cilëve janë aktivë. Tek kafshët me defiçit të enzimave demetiluese, sikundër edhe në subjektet me një shprehje të reduktuar të citokromit CYP2D6 Kodeina ka një aktivitet të dobët analgjezik. Ky fakt sugjeron se Kodeina mund të jetë një pro-ilaç i Morfinës dhe që sasia e Kodeinës e biotransformuar në Morfinë mund të luhatet nga 2-10%, edhe në relacion me shkallën individuale të metaboët

Opioidët e ‘fortë’ apo të ‘dhimbjes së fortë’

Në këtë grup futen si opioidë me gjysmëjetë të shkurtës si për shembull morfina, fentanili; por edhe opioidë me gjysmëjetë më të gjatë si metadoni dhe levorfanoli.

Morfina dhe derivatet e saj

Morfina është alkaloidi më aktiv dhe më gjerësisht i gjetur tek opiumi (10%). Është një ilaç klasik me veprim analgjezik qëndror, kortikal dhe nënkortikal, që nëpërmjet stimulimit selektiv të receptorëve të opioidëve të pranishëm në të gjitha nivelet e nevraksit është në gjendje të reduktojë dhimbjen somatike të bashkëlidhur me një përbërëse afektive domethënëse.

Morfina konsiderohet ilaçi analgjezik që zgjidhet i pari për dhimbjet shumë të forta. Ilaçet e tjerë kundër dhimbjes (në rast dhimbje të fortë) përdoren vetëm kur nuk ka disponibilitet të menjëhershëm morfine, apo në raste kur mund të shfaqet intolerancë (hipereksitueshmëri, delirium, konfuzion) në drejtim të Morfinës.

Morfina është një molekulë relativisht pak lipofile. Jepet/merret me rrugë orale. Ka thithje maksimale në 2-3 orë me njëgjysmëjetë prej rreth 3 orësh. Lidhet me proteinat plazmatike në masën 30%. Ka një metabolizim hepatik (në mëlçi), ku glikuronohet nga enzimat hepatike në pozicionet 3 dhe 6. Morfina-3-glicuronid është totalisht pa asnjë aktivitet agonist. Në të kundërt Morfina-6-glicuronid është edhe më aktive se vet Morfina. Morfina ekskretohet kryesisht nëpërmjet veshkave, dhe ndaj duhet treguar kujdes ndaj pacientëve me pamjaftueshmëri veshkore.

Ekzistojnë derivate të ndryshme të morfinës: idromorfoni, oksimorfoni.
Një tjetër derivat i Morfinës është Diacetilmorfina e cila njihet gjerësisht me emrin Heroina. Heroina në vetvete është shumë pak aktive për shkak të pranisë së një acetilimi të dyfishtë, i cili duke qenë një pengesë sterike domethënëse e pengon Heroinën që të lidhet me receptorët opioidë. Gjithsesi, një karakteristikë e tillë kimike bën të mundur që Heroina të ketë një kalim të shpejtë të barrierës hematoencefalike. Pasi mbërrin në sistemin nervor qëndron Heroina deacetilohet nga enzimat përkatëse dhe kthehet në Morfinë dhe kështu mund të aktivizojë receptorët e vet opioidë.

Diacetilmorfina është pra një pro-ilaç i Morfinës që për shkak të veprimit të vet të shpejtë tepër të veçantë nuk gjen një justifikim të mjaftueshëm për t’u përdorur në terapinë e dhimbjes (flitet gjithënjë për trajtime kronike të dhimbjes).

Fentanyli dhe derivatet

Fentanyli është një derivat sintetik i Meperidinës dhe sikundër Morfina është një agonist preferencial i receptorëve μ. Ështëë 100 herë më e fortë se Morfina dhe shfaq një gjysmëjetë prej 20-30 min. Jepet nëpërmjet rrugës sistemike gjatë ndërhyrjeve kirurgjike dhe në ‘anestezinë e kontrolluar nga pacient’, si dhe në rrugën transdermike si leukoplast/plaster në dhimbjen nga kanceri.

Fentanyli sikundër opioidët e tjerë, indukton reaksionet anësore tipike të kësaj klase ilaçesh (shiko më poshtë).

Metadoni

Metadoniështë një opioid me gjysmëjetë të gjatë. Përveçse stimulon receptorët opioidë μ, është edhe antagonist jo kompetitiv i receptorëve NMDA të glutamatit dhe një bllokues i rithithjes së serotoninës. Metadoni është një përzierje racemike; forma L-metadon duket të jetë përgjegjësi për aktivitetin analgjezik.
Metadoni i dhënë nëpërmjet rrugës orale shfaq gjysmën e fuqisë analgjezike në krahasim me metadonine dhënë nëpërmjet rrugës intramuskolare.
Metadoni ka një shpërndarje të gjerë, më pak se 1% mbetet në plazmë. Ajo pjesë që gjendet në plazmë ka një lidhje tepër të lartë me proteinat plazmatike, 60-90%.
Në vijim të administrimeve të përsëritura Metadoni ka një prirje për t’u grumbulluar në inde duke krijuar një rezervë të mirëfilltë të ilaçit – kjo natyrisht krijon probleme prej grumbullimit të ilaçit. Metadoni ka një gjysmëjetë të gjatë, prej 16-20 orësh.

Veprime të tjera të opioidëve dhe reaksionet anësore

Kapsllëku – është problemi më i shpeshtë që shoqërohet me administrimin e opioidëve analgjezikë. Kjo është pasojë e një rritje të përgjithshme tl tonit të sfinkterëve të muskulaturës gastroenterike që shoqërohet me një reduktim të lëvizshmërisë dhe me një reduktim të sekretimit/tahitjes së acidit klorhidrik në stomak.

Qetësimi/sedacioni – paraqitet në mënyrë kalimtare me rritjen e dozazheve dhe shoqërohet me një tolerancë të shpejtë.

Nauzea dhe të vjella

Depresion respirator

Veprim anti-kollë – veprimi kundër kollës zotërohet nga të gjithë opioidët megjithëse ai më i përdoruri në praktikën klinike është Kodeina. Përveç rasteve të kollës patologjike, ajo mund të përdoret edhe gjatë manovrave kirurgjikale, për shembull, vendosja e një tubi endotrakeal, për të rritur kompliancën e pacientit.

 

© Rinstinkt blog

Farmakogjenetika

Farmakogjenetika

FarmakogjenetikaNjë ndër shumë shkencat e reja, të cilat lindin si domosdoshmëri e strukturimit të informacioneve të shumta, që njerëzimi përfton nëpërmjet metodës shkencore dhe investimit në kërkimin shkencor, është edhe farmakogjenetika.

Farmakogjenetika ka në bazë të saj mjekësinë e ngritur mbi gjenet. Kështu farmakogjenetika i personalizon farmakët (ilaçet) për t’i përputhur me strukturën personale të individit, e cila i detyrohet edhe gjeneve të këtij.

Me dijet e sotme, një doktor apo një kërkues shkencor nuk ka si ta dijë nëse një mjekim e veçantë (pra jo i zakonshëm!), do t’i japi të mira apo do t’i shkaktojë ndonjë dëm pacientit që i nështrohet trajtimit.

Gjenet e individit, e veçaërisht gjenet që kodifikojnë për proteina apo enzima që kanë të bëjnë me metabolizmin e drogërave dhe ilaçeve, kanë një efekt të madh, mjaft të rëndësishëm mbi mënyrën se si organizmi i individit reagon ndaj një droge specifike.

Këtu hynë në punë farmakogjenetika, e cila merr në shqyrtim diferenca mjaft të vogla, të cilat janë kushtetuese të ndrysheueshmërisë mes individëve… dhe mbi këto diferenca krejt të vogla përpiqet (të paktën aktualisht) të ndërtojë një terapi sa më të efektshme dhe të suksesshme.

Natyrisht, siç edhe çdo aktivitet tjetër i ri i sjellë në jetë nga njerëzimi, farmakogjenomika ka edhe implikime etike dhe morale. Duke filluar nga çështjet e ruajtjes së informacioneve private (privatësisë), nga perceptimi i gabuar i gjeneve dhe nga diskriminimi i mundshëm që mund të lindi, kryesish si pasojë e shtrembërimit të fakteve nga mediat dhe gazetarët e paditur, të cilët si në shumë raste të tjera nuk dinë ta kapin drejtë thelpin e çështjes, edhe duke mistifikuar dhe spekuluar shpesh paturpësisht.

Gjithsesi nuk duhet harruar, se farmakogjenetika kur të jetë mjaft e zhvilluar do të gjejë aplikime vetëm në raste specifike, ku një karakteristikë e veçantë e sëmundjes apo procesit patologjik ka një kolonë të fortë mbështetëse tek gjenet. Pa harruar edhe se pjesa më e madhe e sëmudjeve janë rezultat i një loje komplekse ku shenjat dhe simptomat janë rezultate të ndërveprimit mes faktorëve gjenetikë dhe ambientalë, apo jo gjenetikë.

Rinstinkt, 2014

—————————————————————————–