Darwini, evolucioni, feja e të tjera…

Darwini, evolucioni, feja e të tjera…

Natyralisti britanik Charles Darwin nuk ishte i pari shkencëtar që sugjeroi dhe argumentoi se bimët, kafshët dhe të tjera organizma nuk janë të fiksuara, pra statike, të pandryshueshme. Pra Darwini sikundër të tjerë individë përpara tij propozoi se llojet e organizmave ndryshojnë apo evoluojnë në kohë… Por kontributi i tij i madh, dhe i veçantë është se ai tregoi dhe argumentoi se një nga mjetet apo mekanizmat kryesore nëpërmjet të cilave evolucioni ndodh është ai proces që mori emrin seleksion natyror. Këtë ide qëndrore ai e paraqiti në librin e tij “On the Origin of Species by Means of Natural Selection, or the Preservation of Favoured Races in the Struggle for Life” që u botua në 1859 në Londër. Vetë Darwini e përshkroi librin si “një argument i gjatë”.

Pas botimit, libri “On the Origin of Species” hasi opozicion akademik dhe popullor jo të pakët, pavarësisht faktit se libri nuk përmendte asnjë doktrinë fetare, të cilat këmbëngulnin se speciet/llojet e gjallesave janë të fiksuara, statike të pandryshueshme dhe të dizenjuara nga Zoti.

Sidosi, me kalimin e kohës idetë e librit ndikuan në perspektivën shkencore mbi botën natyrore, dhe kështu nocioni i seleksionit natyror qëndron sot në bazë të gjithë biologjisë moderne dhe shkencave apo fushave të dijes që rrotullohen dhe nëdërthuren me të. Kjo sepse nocioni i seleksionit natyror dhe evolucionit japin një shpjegim të thjeshtë dhe elegant por njëkohësisht të fuqishëm mbi format e jetës aktuale dhe të së shkuarës.

Duhet thënë se Darwini, edhe gjatë kohës që shkruajti librin, ishte mjaft i ndërgjegjshëm për potencialin blasfemik të punës së tij. Për shembull, 15 vite përpara botimit të librit, ai i shpjegonte botanistit Joseph Hooker se teoria e tij nuk kishte nevojë për një Zot apo për specie të pandryshueshme: “At last gleams of light have come, & I am almost convinced (quite contrary to opinion I started with) that species are not (it is like confessing a murder) immutable.”

Puna e Darwinit kërkoi një kohë të gjatë dhe të kujdesshme. Nga shënimet e tij është zbuluar se ai procedoi hap pas hapi duke mbledhur sasi të mëdha informacioni dhe provash…

Në 30 vite punë ai i integroi prova dhe informacione mbi fosilet, gjeologjinë, bimët, kafshët me të tjera njohuri nga fusha si demografia, ekonomia dhe shumë fusha të tjera. Sot, duke konsideruar të gjitha këto, teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionit natyror mbahet si një nga gjetjet shkencore më të rëndësishme të njerëzimit.

 


seleksioni natyror karikature zotiRoli i Zotit

Në ambientet Viktoriane të shekullit të 19të fosilet njiheshin dhe diskutoheshin gjerësisht. Disa i konsideronin fosilet si forma shkëmbi të formuara vetvetisht, pra që nuk kishin fare të bënin me organizmat e gjallë. Të tjerë i shikonin fosilet si punë të Krijuesit të vendosura në Tokë për të testuar besimtarët. Të tjerë mendonin se fosilet ishin mbetje të organizmave ende të gjallë diku nëpër botë…

Në vitin 1796 natyralisti francez Georges Cuvier pranoi dhe argumentoi se disa fosile si për shembull ato të mamuthëve ishin mbetje të kafshëve tanimë të zhdukura. Ai e paqëtoi këtë nocion me besimin e vet fetar duke invokuar katastrofa si përmbytjet e pikturuara në Bibël. Thuhej se, çdo përmbytje shfarosi një sasi të madhe qeniesh të gjalla; më pas Zoti i dha Tokës qenie dhe organizma të tjerë… Mes çdo katastrofe çdo specie e krijuar prej zotit, thuhej se, qëndronte fikse, pra e patjetërsuar. Kjo teori, që në njëfarë mënyrë përpiqej të paqëtonte mbetjet fosile me besimin në Zot dhe kreacionizmin njihej si “katastrofizëm” dhe u përhap gjerësisht pas botimit nga Cuvier të “Preliminary Doscourses” në vitin1813.

Pavarësisht kësaj, gjatë kohës kur Cuvier merrej me shkimin e teorisë së tij, ide të tjera po përhapeshin… ide që bazoheshin mbi koncepte evolucioni. Për shembull, vetë gjyshi i Darwinit, Erasmus Darwini, një “free-thinker” kishte një teori të vetën idiosinkratike.
Një tjetër ide që kishte më shumë ndikim ishte ajo e paraqitur nga Jean-Paptiste Lamarck, që në atë kohë ishte profesor zoologjie në National Museum of Natural History në Francë. Në librin e tij Philosophie Zoologique të botuar në vtin 1809 ai artikuloi të parën teori të evolucionit të gjallesave. Ai teorizoi se qeniet e gjalla evoluan nga qenie më të thjeshta duke kaluar në stade gjithnjë e më të sofistikuara për shkak të një “force ndërlikuese”.

Lamarcku argumentonte se orrganizmat përballeshin me sfida ambentale mbi trupin e vet dhe prej këtu doli ideja e përdorimit dhe mospërdorimit në një individ. Lamarcku thoshte se përdorimi më i shpeshtë dhe i vazhdueshëm i një organi e përforcon këtë të fundit në mënyrë graduale, e zhvillon dhe madje edhe e zmadhon… ndërsa mospërdorimi i përhershëm i çdonjë organi e dobëson në mënyrë të paperceptueshme, shkallë-shkallë, deri sa ai organ zhduket plotësisht. E gjithë kjo ndodhte tek një individ i vetëm. Kështu shkruante Lamarcku ky organ i fuqizuar nga përdorimi i vazhdueshëm që një indivd bënte më pas kalonte tek pasardhësit – fenomen i emërtuar si “trashëgimi e karakteristikave të fituara”. Në pamje të parë kjo teori duket se ngjan mjaft me atë të propozuar nga Darwini, por duhet specifikuar se ndryshon në pika të ndryshme themelore.

Reklama

Anatomia krahasuese dhe evolucioni i llojeve

Anatomia krahasuese e specieve të afërta tregon ngjashmëri në strukturat e tyre.

Krahasimi i detajeve strukturore që gjenden në organizma të ndryshëm pr të afërt (me njeri-tjetrin) tregon ngjashmëri themelore. Këto ngjashmëri, këto karakteristika, kanë dalë nga e njëjta strukturë e një paraardhësi të përbashkët. Tiparet, vetitë, cilësitë e përbashkëta emërtohen: tipare homologe, dhe gjendja njihet si homologi (strukturore). Për shembull, merrni parasysh kockat e gjymtyrëve të gjitarëve. Krahu i njeriut, parakrahu i maces, penda e përparme e balenës dhe krahu i një lakuriqësi, edhe pse në pamje të parë mjaft të ndryshëm nga njëri-tjetri, kanë ngjashmëri në renditjen (vendosjen) e kockave, muskujve dhe nervave.

Homologji strukturore e gjymtyrëve të disa gjitarëve.

Figura tregon krahasimin e strukturave skeletike. Çdonjëra ka në pjesën e gjymtyrës që është më afrët trupit një kockë të vetme, humerus-in, ky ndiqet nga dy kockat e parakrahut (radiusi dhe ulna), më pas nga një grup kockash (të karpit) të kyçit dhe më tej akoma nga kockat e metakarpit dhe falangjet. Këto ngjashmëri të lënë përshtypje sepse krahët, parakrahët, pendët dhe krahët (për fluturim) përdoren për tipa të ndryshëm lokomocioni, dhe nuk ka asnjë arsye mekanike që ato të jenë kaq të ngjashme në stkukturën e vet skeletike. Renditje të ngjashme të pjesëve të gjymtyrëve të përparme  vihen re edhe tek zogjtë e lashtë, tek zvarranikët, tek amfibët, por edhe tek peshqit e parë që dolën nga uji dhe u përshtatën për jetesën në tokë miliona vite më parë.

Gjethet janë një shembull homologjie tek bimët. Në shumë specie bimësh, gjethet kanë modifikuar funksionet e tyre për të kryer funksione të tjera, përvec fotosintezës. Një gjemb i kaktusit edhe pse mjaft i ndryshëm nga një gjethe e zakonshme, është gjithsesi një “gjethe”, por e modifikuar. Gjëmbi mbron indin që gjendet më në brendësi të kaktusit. Modifikime të këtilla në organe të ndryshme të përdorura po në mënyra të ndryshme janë pasoja të një origjine evolutive të përbashkët. Struktura bazë e një paraardhësi të përbashkët mofikohet në mënyra të ndryshme për të kryer funksione të ndryshme.

Por jo të gjitha speciet (llojet) me tipare “të ngjashme” e kanë prejardhjen nga në paraardhës i përbashkët. Ndonjëherë kushtet e ngjashme e ambientit rezultojnë në përshtatje të ngjashme, në organizma me paraardhës mjaft të lartët ndërmjet tyre. Evolucioni i pavarur i strukturave të ngjashme në organizma “të largët” njihet si evolucion konvergjent.

Orycteropus afer (sipër) dhe Manis crassicaudata (poshtë) – milingonëngrënës

Orycteropus afer, milingonngrënës i rendit të Tubulidentata-ve dhe milingonngrënësi me luspa i Gjinisë Manis (psh. Manis culionensis, Manis crassicaudata), janë një shembull i shkëlqyer i evolucionit konvergjent. Ata i ngjajnë njëri-tjetrit në mënyrën e jetesës dhe në tipare strukturore. Të dy kanë thonj apo (kthetra) të fortë dhe të mprehtë për të gërmuar dhe hapur foletë e  e milingonave; gjithashtu kanë një turi të gjatë dhe një gjuhë të gjatë të ngjithshme për të kapur insektet. Por këto kafshë kanë evoluar nga paraardhës mjaft të largët të rendeve të gjitarëve.

Tiparet e përafërta strukturore që nuk janë homologe por kanë funksione të ngjashme që aknë evoluar pavarësisht në organizma mjaft të largët, quhen tipare homoplastike. Ngjashmëri të tilla, në specie të ndryshme, quhen homoplazi (një term më i vjetër, më pak i saktë, i përdorur nga disa biologë është: analogji).

Për shembull, krahët e disa organizmave të ndryshëm si insektet dhe zogjtë, i ngjajnë njëri-tjetrit, në pamje të parë; por ato nuk janë tipare homologe, janë tipare homoplastike që kanë evoluar në kohë për të kryer funksionin e përbashët të ffluturimit.

Krahët e zogjve janë parakrahë të modifikuar, të mbështetur nga kocka, ndërsa krahët e insekteve mund të kenë evoluar nga struktura velëza-ngjashme të pranishme në paraardhës ujor të insekteve.

Sikundër homologjia, homoplazia ofron prova të rëndësishme për evolucionin. Tiparet homoplastike janë me interes për evolucionin sepse demonstrojnë se organizmat me paraardhës jo të përbashkët mund të përshtaten në rrugë të ngjashme në kushte ambientale të ngjashme.

Anatomia krahasuese tregon praninë e strukturave “të mbetura”, pa asnjë funksion por që një funksion e kanë patur. Shumë organizma kanë organe ose pjesë organesh që në pamje të parë janë jofunksionalë ose të degjeneruar, të prishur, dhe që shpesh janë me përmasa të zvogëluara ose me mungesë pjesësh thelbësore. Strukturat atavike, “e mbetura” janë mbetje të strukturave më të zhvilluara që kanë qenë të pranishme dhe funksionale në organizma të së shkuarës.

Për shembull, në trupin e njeriut mël shumë se 100 struktura konsiderohen si atavike, apo mbetje të evoluconit, përfshirë kërbishtjen (kockat e shkrira të bishtit), dhëmballën e tretë (molarin e tretë, apo dhëmbin e pjekurisë) dhe muskujt që lëvizin veshët tanë. Balenat dhe pitonët kanë kocka atavike të gjymtyrëve të pasëm. Derrat kanë gishta atavikë, të mbetur, të cilët nuk e prekin tokën. Zogjtë jo-fluturakë si kiwi kanë kocka atavike të krahëve. Po ashtu, shumë kafshë që jetojnë nën tokë, në tunele të ndërtuar nga ato vetë kanë sy jofunksionalë.

Prania e strukturave atavike, apo të mbetura, që nuk kryejnë më asnjë funksion në trupin e një organizmi, është normaliteti për specie që përshtaten ndaj kushteve të ndryshuara të jetës. Disa struktura bëhen më pak të rëndësishme për mbijetesën dhe disa të tjera kthehen në mbetje të evolucionit, pa asnjë funksion, struktura atavike. Kur një strukturë nuk jep më asnjë avantazh selektiv, ajo mund të zvogëlohet dhe të humbas mjaf nga funksioni i vet me kalimin e kohës. Meqënëse prania e strukturave atavike zakonisht nuk është e dëmshme për organizmin, presioni për eleminimin e plotë të tyre është i dobët, dhe strukturat atavike gjenden në mjaft braza pasardhës.

—————————————————————————————————-

Fosilet dhe dokumentimi i zhvillimit të evolucionit

Fosilet japin prova të rëndësishme në dokumentimin e zhvillimit të evolucionit

Në fillim të shekullit të 19-të, natyralistët vëzhguan se fosilet gjendeshin në një renditje të caktuar në shtresat e shkëmbinjve sedimentarë. (Shkëmbinjtë sedimentarë janë formuar nga depozitimi i shresave të njëpasnjëshme të materialeve të derdhura në det nga lumenjtë e ndryshëm. Ndryshimet tektonike, të pllakave të Tokës, bëjnë që këto shtresa të dalin mbi det, duke formuar malet apo kodrat – që ne shohim sot, e ku gjejmë edhe fosilet.).Materialet më të vjetër janë të depozituar më në thellesi dhe shtrihen më afër fundit të shkëmbit sedimentar  krahasuar me sedimentet e depozituara në një kohë të mëvonshme, të cilët janë më sipërfaqësore. Gjithsesi,  ndonjëherë shkëmbinjtë më të vjetër mund të gjenden sipër shkembinjve më të rinj; kjo ndodh atje ku ka patur thyerje dhe njëkohësisht ngritje ose zbritje të një shtresë në raport me një tjetër.

Fosilet që u ngjajnë organizmave bashkëkohorë shfaqen në sedimentet e reja,  ndërsa fosilet që ngjajnë shumë pak me organizmat bashkëkohorë shfaqen në sedimentet më të vjetra. Bazuar në këto vëzhgime, shumë natyralistë, përfshirë gjyshin e Çarls Darvinit, propozuan teorinë sipas së cilës orgaznimat ndryshojnë me kalimin e kohës. Por, duhet thënë se ishin Çarls Darvini i dhe Alfred Russeli të parët që identifikuan seleksionin natyror si forcën tërheqëse që qëndronte pas evolucionit, ose atë që Darwini quajti “prejardhje me modifikim” (“descent with modification”).

Kur Darvini publikoi librin (studimin) e vet “Mbi Origjinën e Specieve” (On the Origin of Species) në vitin 1859, paleontologjia ishte ende një shkencë rudimentare, në fillimet e veta. Shkëmbinjë sedimentarë nga periudha të ndryshme kohore ishin të panjohur ose nuk ishin studiuar në mënyrën e duhur, bazuar mbi metoda shkencore. Darvini kaloi rreth 20 vite të jetës së vetë duke mbledhur prova që mbështesnin idenë e tij përpara se ta bënte atë publike.

Një shekull e gjysmë që prej atëhere, paleontologët kanë gjetur shumë forma të ndërmjetme që nuk ishin të njohura në kohen e Çarls Darvinit. Në një sërë vendesh, shkëmbinjtë sedimentarë që janë midis 540 milion dhe 635 milion vite të vjetër, përmbajnë gjurmë të organizmave shumëqelizorë me trup të butë, dhe shenja apo gjurmë të fosilizuara në sedimente me të hershme (rreth 1 miliard vite më parë) që tregojnë për një krijese krimb-ngjashme (të ngjashme me krimibin). Disa nga këto organizma, ka shumë mundësi  që  të kenë qënë forma të ndërmjetme midis organizmave shumë qelizorë, që ishin banorët e vetëm të Tokës për 2 ose me shumë miliard vitet e para të historisë së jetës në të, dhe organizmave me trup të fortë që shfaqen me shumicë në fosilet me vjetërsi rreth 540 milion vite. Në mënyrë të ngjashme disa nga organizmat që u shfaqën gjatë asaj periudhe ishin forma tranzitore, kalimtare, midis organizmave më të hershëm me trup të butë dhe linjave evolutive më të mëdha si peshqit, artropodët (këmbënyjëtuarit) dhe moluskët që kanë mbijetuar deri në ditët tona.

Fosili i Tiktaalik-ut

Sikundër mund të shihet në fotografinë përkrah, Tiktaalik-u[1] është një formë tranzitore, pra kalimtare, midis peshqve dhe tetrapodëve të hershëm që jetuan në Tokë. Fosilet prej 330 milion vitesh më parë dokumentojnë evolucionin e amfibëve nga katërkëmbëshve të hershëm. Skelete të mirëmbajtur nga shkembinjë që janë 230 milion vite të vjetër, tregojnë dinozaurët duke evoluar nga një linjë zvarranikësh, paraprirëse. Një shembull jetëgjatë i një formë kalimtare (tranziti) është Arkeopteriksi, një fosil i vjetër 155 milion vite që ka skeletin e një dinozauri të vogël por edhe krahë dhe pupla.


[1] Skeleti pothuajse i plotë i një fosili kalimtar zog-ngjashëm që u zbulua në Kinë në 2006-ën.

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————————-