Si i përgatisin biologët vaksinat?

Biologët aplikojnë praktikisht teorinë evolutive për të përgatitur vaksinat kundër virusit të gripit.

Ekzistojnë shumë varietete të virusit të gripit që qarkullojnë ndër popullatën njerëzore dhe kafshë të tjera vertebrate çdo vit, por vetëm pak prej këtyre varieteteve virale janë në gjendje të mbijetojnë dhe të lënë kopje të vetes së vet.

Siç e kemi përshkruar edhe më parë, një nga mënyrat se si virusi i gripit ndryshon, pra evoluon, është duke ndryshuar konfiguracionin e proteinave në sipërfaqen e vet. Proteinat sipërfaqësore të virusit janë shenjestra e cila njihet nga sistemi imunitar i organizmit bartës. Kur ndodh ndonjë ndryshim në këto proteina sipërfaqësore të virusit të gripit sistemi imunitar i organizmit bartës mund të mos jetë më në gjendje ta njohi virusin mësymës, kështu që virusi ka më shumë gjasa që ttë shumohet në mënyrë të suksesshme, duke shkaktuar edhe probleme specifike tek qelizat dhe indet ku shumohet, replikohet.

Varietetet e virusit të gripit me më shumë ndryshime në këto proteina sipërfaqësore janë në gjendje t’u shpëtojnë detektimit nga sistemi imunitar i organizmit bartës, dhe si pasoj shumohen më lehtësisht dhe po ashtu kanë më shumë gjasa që të përhapen midis individëve të ndryshëm të popullatës bartëse duke rezultuar kështu në një epidemi gripi.
Me fjalë të tjera, disi më teknike, ekziston një seleksion pozitiv për ndryshime në proteinat e sipërfaqes së viruseve të gripit.

Biologët krahasojnë normën e mbijetesës dhe të shumimit të varieteteve të ndryshme të viruseve të gripit të cilët kanë sekuenca gjenike të ndryshme që kodifikojnë për proteinat sipërfaqësore – në këtë mënyrë ata mnd të studiojnë përshtatjen e viruseve në kalimin e kohës.

Nëse biologët arrijnë të parashikojnë se cilat varietete qarkulluese të virusit të gripit janë më me gjasa që t’i shpëtojnë detektimit nga bartësi, atëherë ata mund të identifikojnë varietetet që janë më probabël të shkaktojnë epideminë e ardhshme të gripit dhe kështu t’i shënjestrojnë ato nëpërmet prodhimit të një vaksine.

Si janë biologët të aftë të bëjnë parashikime të tilla rreth varieteteve virale?

Duke përcaktuar raportin e zëvendësimeve sinonimike/josinonimike në gjenet që kodifikojnë për proteinat sipërfaqësore tek virusi i gripit. Në këtë mënyrë biologët janë të aftë të përcaktojnë se ndryshime në kodone (mutacione) janë nën një seleksion pozitiv.

Mëpastaj shkencëtarët mund të përcaktojnë se cilat nga varietete virale që qarkullojnë aktualisht shfaqin numrin më të madh të ndryshimeve, pra mutacioneve, në këto kodone të selektuara pozitivisht. Janë pikërisht këto varietete virale që janë më me gjasa që të mbijetojnë, të shumohen dhe të shpienë në një epidemii gripi në të ardhmen. Kështu që këto varietete janë shënjestra logjike për të cilat duhet përgatitur një vaksinë.

Sa përshkruam më sipër nuk është gjë tjetër veçse një aplikim praktik i teorisë evolutive, që shpie në përgatitjen paraprake dhe të suksesshme të vaksinave duke reduktuar çdo vit numrin e sëmundjeve dhe të vdekjeve nga gripi.

© Rinstinkt blog

Epidemiologji – Testet e screening-ut (hetimit të popullatës)

Testet e screening-ut (hetimit të popullatës)

Çfarë është një test screening-u?

Ka të bëjë me aplikimin e një testi, një ekzaminimi apo të një tjetër procedure mbi subjekte josimptomatikë me qëllim identifikimin e një patologjie potenciale në fazën e vet më të hershme, kur një ndërhyrje mund të modifikojë në mënyrë të ndjeshme historinë e saj natyrore.

Objektivi parësor i një testi screening-u (hetimi të popullatës) është që të zvogëloj incidencën (goditjen) dhe vdekshmërinë e një sëmundjeje nëpërmjet diagnozës paraprake (të hershme) dhe më pastaj ndërhyrjes terapeutike të rrufeshme.

Ekzistojnë disa nivele parandalimi për sëmundjet…

Përpara se sëmundja të vendoset. Parandalimi parësor – heqja e faktorëve të rriskut, si për shembull: fushata kundër tymit të duhanit apo kundër alkolizmit. Apo reduktimi i efekteve të ekspozimit, për shembull vaksinimi.

Sëmundja është vendosur, por nuk është ende e dukshme nga pikëpamja klinike. Parandalimi dytësor – gjetja e hershme e rasteve të sëmura që nuk e shprehin sëmundjen klinikisht, nëpërmjet një testi screening-u (hetimi të popullatës). Për shembull: Pap test, mamografia, gjak okult në fekale, PSA etj.

Sëmundja shfaqet klinikisht. Parandalimi tretësor – ka të bëjë me dhënien e një terapie adekuate dhe rehabilitimin e pacientit për të zvogëluar apo parandaluar pasojat negative të vet sëmundjes. Për shembull: asistimi i individëve që kanë pësuar infarkt të miokardit.

Llojet e testeve të screening-ut

Testi i screning-ut mund të jetë një pyetësor i përëbërë nga një bashkësi pyetjesh mbi gjendjen e shëndetit/sëmundjes (për shembull: testi mbi konsumin e alkolit i Michigan-it – MAST).
Mund të jetë edhe një ekzaminim klinik. Për shembull: matja e presionit arterioz të gjakut, të presionin brendaokular etj.
Apo një test laboratori – si ai i matjes së nivelit të sheqerit në gjak – apo akoma më tej imazherik, si ekografia.

Testi i hetimit të popullatës (screening test) i klasifikon subjektet që i nënshtrohen hetimit në dy kategori: pozitivët që kanë një probabilitet të lartë për të qenë të sëmurë, dhe negativët që kanë një probabilitet të lartë për të qenë të shëndetshëm.

Që një sëmundje të mund të hetohet hershëm nëpërmjet një test screening-u duhet që ajo të ketë: pasoja të rënda, prevalencë të lartë, histori natyrore të njohur, një periudhë të gjatë latence, mundësi trajtimi, prognozë më të mirë nëse diagnoza kryhet në DPCP (Detectable Preclinical Phase).

Një test screening-uu duhet të plotësojë disa kritere: të kushtojë pak, të jetë i lehtë për t’u kryer, të jetë pak invaziv për pacientin, të jetë i pranuar nga popullata që do të hetohet, të jetë i sigurt, dhe të jetë i vlefshëm.

Si vlerësohet një test screening-u?

Tabelë ndihmëse

Tabelë ndihmëse

Testet e screening-ut vlerësohen në terma të vlefshmërisë, të performancës dhe të efikasitetit.

Vlefshmëria e një programi screening-u (hetimi) matet nga sensibiliteti (ndjeshmëria) dhe specificiteti.

Sensibiliteti – probabiliteti për të patur një test pozitiv në prani të sëmundjes (a/a+c).

Specificiteti – probabilitetit për të patur një test negativ në mungesë të sëmundjes (d/d+b) .

Sensibiliteti dhe specificiteti pjesërisht përcaktohen nga i ashtuquajturi “kriter i pozitivitetit”. Me kriter pozitiviteti kishte parasysh vlera për të cilën testi i screening-ut (hetimit) konsiderohet pozitiv. Kjo vlerë është një pikë nga spektri i rezultateve të mundshme të testit, i cili spektër shtrihet nga “artësisht normal” tek “qartësisht patologjik”.

Nëse kriteri i pozitivitetit është i ulët, testi i hetimit të popullatës do të jetë shumë i ndjeshëm (sensibël), e kështu do të jetë në gjendje të identifikojë të gjithë subjektet me presion të lartë, për shembull. Në këtë rast testi do të ketë detyrismisht specificitet të ulët dhe do të identifikojë, gabimisht, si me presion të lartë, shumë subjekte që presionin  e gjakut e kanë normal. Në rastin e anasjelltë (të kundërt), testi do të jetë shumë pak sensibël dhe shumë specifik.

Vlera e kriterit të pozitivitetit vendoset sipas nevojave shëndetësore. Preferohet sensibilitet më i lartë kur të humbasësh raste është një gjë e rëndë, kur ndërhyrja në fazat e hershme është e rëndësishme (në raste tumori), apo në rastin e sëmundjeve infektive si SIDA apo sifilisi.
Preferohet specificitet më i lartë kur ekzaminimet e mëpasshëm për diagnozën janë tepër invazivë apo tepër të kushtueshëm.

Performanca – Performanca e një testi screening-u vlerësohet nga:

Vlera parashikuese pozitive VPP – probabiliteti që një person të jetë realisht i sëmurë kur ka një test pozitiv (a/a+b).

Vlera parashikuese negative VPN – probabiliteti që një person të jetë realisht i shëndetshëm kur ka një test negativ  (d/d+c).

Efikasiteti – Efikasiteti i një programi screening-u vlerësohet nëpërmjet matjes së zvogëlimit (reduktimit) të incidencës dhe vdekshmërisë së një sëmundje të caktuar tek personat që i nënshtrohen hetimit (screening-ut).

Gjatë vlerësimit të efikasitetit të një programi hetimi të popullatës duhet të kemi kujdes nga prania e bias-ve të mëposhtëm: self-selection, lead time bias, length time bias.

© Rinstinkt, mbi tekstin

————————————————————————————————–

Epidemiologji – Masa asociacioni të përdorura në epidemiologji

Masa asociacioni të përdorura në epidemiologji

Me asociacion kuptohet grada e varësisë tratistike mes dy ndryshoreve (variablave). Asociacioni mund të jetë ekzistojë dhe të jetë pozitiv ose negativ ose mund të mos jetë i pfanishëm fare.

Masat me anë të cilave vlerësohet asociacioni mes ndryshoreve janë: Risku Relativ, Risku i Atribuar dhe Odds Ratio.

Risku relativ (RR) – shpreh rëndësisnë e një asociacioni mes ekspozimit dhe sëmundjes, dhe tregon probablitetin për të zhvilluar sëmundjen mes subjekteve të ekspozuar përkundrejt atyre jo të ekspozuar.

Risk Ratio – është raporti mes incidencave kumulative, ose thënë ndryshe raporti mes risqeve. Pra raporti mes incidencës së sëmundjes tek të ekspozuarit dhe incidencës së sëmundjes tek jo të ekspozuarit.
Pamje ekuacioni

Rate Ratio (RR) – raporti mes dendësive të incidencës, apo thënë ndryshe raporti mes normave. Rate ratio ka të bëjë me raportin mes normës së incidencës (I-PY) të sëmundjes së të ekspozuarve me normën e incidencës së sëmundjes mes jo të ekpozuarve.
Pamje ekuacioni

Risku i Atribuar (RA) – është diferenca mes incidencës tek të ekspozuarit dhe incidencës tek jo të ekspozuarit. Risku i atribuar shpreh numrin e rasteveve mes të ekspozuarve që mund të shpëtohet nëse do të eliminohej ekspozimi. (RA=Ie–I0).
Në pjesën më të madhe të studimeve C-C (rast-kontroll) RA nuk mund të llogaritet sepse incidencat e sëmundjes mes të ekspozuarve dhe jo të ekspozuarve nuk janë disponibël.

Odds Ratio (OR) – është i barabartë me raportin mes propabilitetit të ekspozimit mes rasteve (të sëmurët) dhe propabilitetit të ekspozimit mes kontrolleve.
Odds Ratio përdoret në studimet e tipit retrospektivë (rast-kontroll: case-controll) ku nuk është e nevojshme mbledhja e të dhënave në kohë, e kështu kalkulimi është i pavarur nga faktori kohëzgjatje.
në studimet prospektive, për të njëjtin qëllim, përdoret kalkulimi i Riskut Relativ (RR).

Shënim: për vlerësimin e masës së asociacionit:

  • RR apo OR = 1 – nuk ka asociacion.
  • RR apo OR > 1 – asociacion pozitiv.
  • RR apo OR < 1 – asociacion negativ.

© Rinstinkt, mbi tekstin

————————————————————————————————-

Epidemiologji: Prevalenca, Incidenca

Epidemiologji: Prevalenca, Incidenca

Shënime: Me popullatë në rrezik kihet parasysh bashkësia e individëve biologjikishtë të aftë për të shprehur ngjarjen (infektimin, sëmundjen, vdekjen etj.).

Me popullatë në rrezik të lartë kihet parasysh bashkësia e individëve të popullatës në rrezik, që u nënshtrohen një ose më shumë “faktorëve të riskut”.

Prevalenca (përhapja) – bashkësia e të gjitha rasteve ekzistente në një moment të caktuar në një popullatë të caktuar. Prevalenca apo përhapja është e thjeshtë të përcaktohet dhe mat praninë e ngjarjes/eventit në popullatë. Kështu prevalenca kuantifikon proporcionin e individëve të sëmurë në një popullatë, në një moment të caktuar, dhe jep kësisoj një vlerësim të probabilitetit apo riskut që një individ ka për t’u sëmurur. Prevalenca merr vlera nga 0-1.

Prevalenca e një sëmundje apo gjendjeje patologjike mund të llogaritet edhe nëpërmjet prodhimit të Incidencës me Kohëzgjatjen e sëmundjes (Prevalenca P = Incidencë I x Kohëzgjatje K). Kështu, prevalenca e një patologjie rritet me rritjen e kohëzgjatjes së sëmundjes. Rritet me rritjen e incidencës së sëmundjes. Po ashtu edhe me zvogëlimin e vdekshmërisë dhe përmirësimin e aftësive diagnostikuese.

Incidenca – ka të bëjë me verifikimin e rasteve të reja. Incidenca përfaqëson proporcionin e individëve që goditen nga sëmundja në një periudhë të caktuar kohore. Ndryshe incidenca mund të kuptohet edhe si shpejtësia e tranzitit nga  gjendja e shëndetshme në atë të sëmurë.

Për llogaritjen e incidencës nevojiten të paktën dy hetime të distancuara në terma kohorë; pra follow-up i popullatës nën studim. Incidenca nuk varet nga kohëzgjatja e sëmundjes. Incidenca është e rëndësishme për të vlerësuar përhapjen e një sëmundjeje apo gjendjeje patologjike ose/dhe për të studiuar përcaktorët (determinantët) e një patologjie.

Dallohen dy lloje incidence: Incidenca kumulative (grumbulluese) dhe Norma e Incidencës (Incidenca PY).

Incidenca Kumulative jep probabilitetin që një individ të zhvillojë sëmundjen gjatë një periudhe të caktuar kohore. Për kalkulimin e incidencës kulumative merret i mirëqenë fakti se e gjithë popullata në rrezik në fillim të studimit, ndiqet gjatë të gjithë kohëzgjatjes së follow-up-it, me qëllim vlerësimin e zhvillimit të ngjarjes apo eventit (outcome).

Shpesh follow-up-i nuk është i njëjtë për të gjithë subjektet… kështu lind nevoja për Normën e Incidencës, apo Incidencën PY.

Incidenca PersonaYear (PY) mat rastet e reja të një patologjie mes subjekteve të ndjeshëm, në rrezik. Për kalkulimin e saj, siç u tha pak më parë, nuk është i nevojshëm follow-upi i plotë, me qenë se në këtë rast merret në konsideratë ndryshorja “kohë”.

Ndonjëherë Norma e incidencës (Incidenca PY) preferohet përkunderjt incidencës kumulative edhe kur follow-up-i është i plotë.

Incidenca PY llogaritet si raporti mes numrit të rasteve të reja të sëmundjes gjatë kohës t/ totalin e periudhave të vëzhgimit (PersonaYear).

Shënim: PersonaYear (PY) – shuma e kohëve të ekspozimit të çdo subjekti deri në momentin e shfaqjes së eventit/ngjarjes, vdekjes apo humbjes në follow-up. Nevojitet specifikimi i njësisë së PersonaYear; Për shembull Ditë-Persona, Muajë-Persona etj.

© Rinstinkt, mbi tekstin

——————————————————————————————-

Epidemiologji – Masat e shpeshtisë (frekuencës)

Masat e shpeshtisë (frekuencës) në epidemiologji

Frekuenca (shpeshtia) dhe nurmi i ngjarjeve/eventeve mund të përshkruhet nëpërmjet modaliteteve të ndryshme. Ndër to janë: nurmi i ngjarjeve, raporti, proporcioni dhe norma.

Numri i ngjarjeve (ndodhive) – është sinonim i frekuencës/shpeshtisë absolute (raste sëmundje; raste vdekje). Kjo masë asociacioni nuk u përgjigjet kërkesave epidemiologjike me qenë se vetëm numri i ndodhive nuk jep të dhëna të veçanta nëse nuk raportohet me përmasat e popullatës së cilës i referohen.

Raporti – është masa bazë e shpeshtisë (frekuencës) që përdoret për të vendosur një lidhje mes numrit të rasteve të sëmundjes, apo një ndodhie tjetër, me popullatën që ka prodhuar këto raste.
Raporti është një marrëdhënie mes dy madhësive të pavarura. Pra, ku numëruesi është i pavarur nga emëruesi (për shembull raporti meshkuj/femra).

Thënë ndryshe: raporti është një thyesë në të cilën numëruesi nuk përfshihet në emërues (A/B)

Proporcioni – proporcioni është sinonim i frekuencës/shpeshtisë relative. Proporcioni është një raport në të cilin numëruesi është i përfshirë tek emëruesi. Rezultati i proporcionit merr vlera nga 0 tek 1 (0-100%). (Për shembull, proporcioni individë të infektuar/popullata totale.)

Proporcioni përdoret për të përcaktuar shpeshtinë relative të një fenomeni shëndetësor (% e individëve të prekur nga hipertensioni në një popullatë). Apo për të vlerësuar shpeshtinë në popullatë të subjekteve që zotërojnë një karakterstikë të caktuar (% e meshkujve apo femrave).

Thënë ndryshe: proporcioni është një thyesë në të cilën numëruesi përfshihet në emërues A/A+B

Norma – është një masë shpeshtie (frekuence) që fut ndryshoren “kohë”, si një ndër karakteristikat thelbësore të studimeve epidemiologjike. Pra norma i referohet ngjarjeve (eventeve) që zhvillohen në popullatën në studim gjatë një periudhe kohore të përcaktuar (t0-t1).
Pra, përsëris, nuk është një proporcioni i thjeshtë si: individë të sëmurë/popullata totale.
Në rastin e normës, për të thjeshtuar llogaritjet dhe nxjerrjen e përfundimeve në emërues përdoret e njëjta njësi popullate. (Për shembull: nr rastesh të reja/100.000/vit.)

Thënë ndryshe: norma është një matje dinamike. Norma përfaqëson variacionin e një madhësie në raport me variacionin unitar të një madhësie tjetër (koha) A/(A+B)*kohë

Rinstinkt, mbi tekstin

—————————————————————————————