Përgjigjje për një pyetje – Lëvizja ameboidale e leukociteve dhe amebave

Përgjigjje për një pyetje – lëvizja ameboidale e leukociteve dhe amebave

Një anonim interneti, ka lënë kohë më parë në një blog  shqiptar komentin e mëposhtëm, i cili në thelb shpreh pamundësinë e komentuesit në fjalë për të rrokur mekanizmin që u mundëson qelizave lëvizjen nëpër indet e trupit tonë. 

Pyetja që kërkon përgjigjje...

Pyetja që kërkon përgjigjje…

Komentuesi tregon se kohë më parë po i shpjegohej

“sesi […] diktohen dhe azgjesohen trupat e huaj.[…][Ç]’e shtyn hiçin, qelizën e bardhë, psh, të veprojë ashtu si vepron?”.

Natyrisht, siç ndodh shpesh nëpër blogosferë pyetjet mbeten pa përgjigje. Shumë futen për të thënë të tyren, për pak muhabet, për shumë pak dëgjim, dhe shumë shumë llomotitje.

Do të përpiqem t’i jap një përgjigje kësaj pyetje, që tek e fundit është mjaft elementare, dhe gjithkush që ka kaluar prej gjimnazit duhej të dinte t’i vetpërgjigjej. Kjo sepse gjimnazi ofron një substrat, një tërësi njohurish bazë, pa të cilin do të ishte  e pamundur të kuptoheshin mekanizmat e tjerë, më të ndërlikuar.

Qeliza në lëvizje

Shumë tipe qelizash janë të afta për lëvizje, në një mënyrë ose në një tjetër. Më karakteristiket janë ato të gjakut. Ndër qelizat e gjakut, leukocitet apo qelizat e bardha të gjakut janë më të veçantat sepse mund të lëvizin me shpejtësi jashtë rrymës hematike për t’u drejtuar nga një plagë apo infeksion.

Qelizat e bardha të gjakut kanë shumë funksione, por më kryesori është ai i mbrojtjes së trupit nga infeksionet. Kështu, leukociteve u duhet të spostohen, për të lëvizur dhe mbërritur në vendin e infeksionit, i cili luftohet në mënyra dhe me mjete të ndryshme: duke prodhuar kundërtrupa, duke gëlltitur baktere apo duke lëshuar lëndë kimike mbi mikrobet.
Për kuriozitet, dhembja nga inflamacioni, sikundër ajo e shkaktuar nga djegia e diellit, është një pasojë e lëvizjes së leukociteve drejt vendit të dëmtimit/ infeksionit.

Por si arrijnë qelizat e bardha të lëvizin vrullshëm drejtë plagës? Ndokujt mund t’i duket e çuditshme, por leukocitet përdorin për të lëvizur, të njëjtin proces sikundër organizmat primitiv, si amebat.

Lëvizje ameboidale – një mikrografi me mikroskopi optike e Amoeba proteus, një protozoar që lëviz me anët ë zgjatjes së pseudopodeve.

Lëvizje ameboidale – një mikrografi me mikroskopi optike e Amoeba proteus, një protozoar që lëviz me anët ë zgjatjes së pseudopodeve.

Organizmat njëqelizorë, si amebat, lëvizin drejtë burimit të ushqimit falë një procesi të quajtur kemiotaksi. Amebat janë organizma-model të shkëlqyer për të studiuar lëvizjen qelizore ngase lindin, hanë, jetojnë dhe vdesin shumë shpejtë.

Biologët kanë mësuar se qelizat e bardha të gjakut lëvizin duke zgjatur fillimisht një pjesë të vetën, si këmbë. Ky pseudopod shërben si një shqisë kimike për ambientin rrethues, duke diskriminuar drejtimin me përqëndrimin më të lartë të molekulave tërheqëse. Molekulat tërheqëse, për amebat janë ato ushqyese, ndërsa për qelizat e bardha të gjakut (leukocitet) është “aroma” e mikrobeve pushtues. Pseudopodi i ndjekur nga e gjithë qeliza, lëviz drejt molekulave shënjestër, duke alternuar ngjitjen dhe shqitjen mbi sipërfaqen në të cilën lëviz.

Lëvizja realizohet nga zëvendësimi apo shtimi i disa lloje të caktuara lyrash në fragmentin e membranës që i përket pseudopodit në zgjatje e sipër. Njëkohsësisht, qartësisht për shkaqet kimike, endoskeleti qelizor pëson ndryshime, me tubtha që diku ndërtohen e diku tjetër prishen, për të mundësuar shiftimin e formës së qelizës. Formimi i mikrotubthave, mikrofilamenteve dhe agregatëve të aktinës ndodh në afërsi të këmbës në zgjatje e sipër, e cila quhet lamelipod apo filopod (prodhimi i polarizuar i mikrotubthave, mikrofilementeve dhe aktinës).

E gjithë kjo ndodh sepse qeliza në normalitetin e vet funksional është, përveç të tjerash, edhe një tërësi reaksionesh kimike dhe stukturash brendaqelizore, natyrisht të ndërlidhura me ambientin e jashtëm.

Elementi kimik, sikundër një molekulë e lëshuar nga mikrobi i një infeksioni, futet detyrimisht në qelizë dhe modifikon/influencon mekanizmat e formësuar evolutivisht. Mekanizmat janë së pari kimikë; substanca influencon një rrugë kimike. Kjo e fundit mund, nga ana e saj, të influencojë një tjetër rrugë kimike brendaqelizore,e cila në përfundim influencon metabolizmin e proteinave të citoskeletit. Citoskeleti i modifikuar flet për një modifikim të formës së qelizës, dhe modifikimi i formës është gjithçka i duhet një entiteti për të lëvizur, ngase përmban në mënyrë intrinseke një ndërveprim me ambientin rrethues.

Thelbi në procesin e migrimit të qelizave në trup qëndon në migrimin e drejtuar. Siç u tha më sipër një nga mënyrat për të realizuar migrimin e drejtuar është ajo e zgjatimit (protruzionit) kryesisht në një kah të qelizës.

Molekulat e shpërhapura në ambient mund të shërbejnë si shenja të rëndësishme për të orentuar mirgimin e drejtuar. Kur një qelizë migruese lëviz drejt një gradienti më të madh apo më të vogël të përqëndrimit të një kimikati, thuhet se i nënshtrohet procesit të kemiotaksis.

Molekulat që shkaktojnë përgjigjen e qelizës ameboidale quhen: kemiotërheqës, kur qeliza lëviz drejt përqëndrimit më të madh të molekulave; kemiorepelentë, kur qeliza lëviz larg përqëndrimit më të madh të molekulave.

Më lartë u përmendën amebat, si shembull i shkëlqyer studimor. Ameba në të cilën më së shumti është studiuar fenomeni të cilin po tentohet t’i jepet shpejgim është Dictyostelium. Në rast ndyshimi të përqëndrimit të molekulave kemiotërheqëse, ndodhin (pasojnë) ndryshime dramatike në citoskeletin prej aktine, duke përfshirë ndryshimet biokimike tek proteinat aktin-lidhëse dhe migrimin e qelizës drejt burimit të molekulave kemiotërheqëse. Ndryshimet në përqëndrimin e kemiotërheqësit jashtë qelizor përçohen në brendësi që qelizës nëprmjet receptorëve të pozicionuar në sipërfaqen e membranës qelizore. Janë receptorë të lidhur me proteina G. Aktivizimi i receptorëve në fjalë shpie në akumulimin lokal të fosfoinozitideve , që mendohet se është shkaku i rekrutimit të polarizuar të makinerisë citoskeletike, duke rezultuar kështu në një migrim të drejtuar qelizor.

Bibliografi minimale:

  • Taylor, D. L., and J. S. Condeelis. Cytoplasmic structure and contractility in amoeboid cells. Int. Rev. Cytol. 56 (1979): 57.

© Rinstinkt, mbi tekstin

[Postim shkruar fillimisht në Shtator, 2012]

———————————————————————————————————

Origjina e qytetërimit minoik – origjina e Agamemnonit

Origjina e qytetërimit minoik – origjina e Agamemnonit

Një grup shkencëtarësh amerikanë dhe grekë përdorën analizën e ADN-së mitokondriale të mbetjeve skeletike minoike, për të përcaktuar origjinën e  paraardhësve të mundshëm  të këtyre popujve antikë.

maska e agamemnonitRezultatet u botuan, para disa ditësh, në revistën Nature Communications, dhe sugjerojnë se qytetërimi minoik ka lindur 5,000 vite më parë në Kretë, nga një popullatë ancestrale neolitike që kishte mbërritur në rajon rreth 4,000 më përpara. Studimi tregon edhe se, popullata neolitike që qëndron në origjinë të minoikëve, është e njëjta që u ka dhënë origjinë popujve të tjerë modern europianë.

Diçka mbi mitokondritë dhe mtADN

Mitokondritë janë organele qelizore, që kanë funksionin e centraleve energjitike të qelizave, dhe përmbajnë ADN (mtADN).
ADN-ja mitokondriale mund të trashëgohet vetëm në linjën mëmësore, pra nga nëna, kjo sepse, kur qeliza vezë bashkohet me spermatozoidin (pllenimi) mitokondritë e këtij të fundit nuk derpëtojnë në brendësi të vezës.
Kështu mitokondritë e organizmit të ri që do të zhvillohet, janë të gjitha nga ana e nënës.

Kërkuesit shkencorë kanë analizuar mostra të ADN-së të përftuara nga 37 skelete të gjetura në një shpellë në Kretë, që datojnë 4.400-3.700 vite më parë. Këto mostra ADN-je janë krahasuar me sekuenca të ADN-së mitokondriale të 135 popullatave njerëzore të lashta dhe moderne.

Analiza e polimorfizmave të ADN-së mitokondriale e kryer duke përdorur dy metoda të ndryshme, për më tepër të aplikuara në dy laboratorë të ndryshëm, dhe kalkulimi i mëpasshëm i distancave gjenetike, treguan se, banorët aktualë të ishullit janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të minoikëve të lashtë. Gjithashtu u përjashtua mundësia  e origjinës veriafrikane.

Për shumë kohë ekzistonte bindja se kultura minoike kishte origjinë veriafrikane, me shumë mundësi Egjiptiane, nga një migrim i kohëve më të vona.

File:Snake Goddess Crete 1600BC.jpg

Perëndesha e gjarpërinjve – Wikipedia

Origjina e bindjes se qytetërimi i parë i madh i lindur në tokë europiane kishte origjinë veriafrikane i përket fillimeve të shekullit të kaluar, kur sër Arthur Evans zbuloi mbetjet e tempullit të Knosit. Evans-i kishte vëzhguar ngjashmëri të ndryshme mes artit minoik dhe atij egjiptian. Dalloi se, varret rrethore të banorëve të parë të anës jugore të Kretës ishin të ngjashme me varret e ndërtuar nga banorët e brigjeve libiane (të Libisë). Duhet thënë se ka patur edhe teorira të tjera  mbi origjinën e qytetërimit minoik, deri edhe një që fliste për zhvillim autokton, të pavarur.

Rikthehemi tek rezultatet e studimit në fjalë. Nga analiza rezulton se ka një afinitet të lartë gjenetik me popullatat europiane neolitike dhe moderne, veçanërisht me grekët e ishullit Eubea e të Peloponezit. Themeluesit e qytetërimit minoik, pra, duket se. janë pasardhësit e bujqve të parë indoeuropianë të neolitikut, të cilët mbërritën në Kretë gjatë migrimit përmes Anatolisë e më pas u përhapën në tërë Europën.

  • Hughey, J. R. et al. A European population in Minoan Bronze Age Crete.Nat. Commun. 4:1861 doi: 10.1038/ncomms2871 (2013).

© Rinstinkt 2013

————————————————————————

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Anestezia në eksperimentimin me/mbi kafshët

Kamë vënë re se shumë herë bëhet konfuzion mes realiteti të fakteve dhe legjendave urbane sipas të cilave laboratorët kërkimorë janë dhoma torture.

Gënjeshtra më e akredituar është ajo sipas të cilës brenda laboratorëve nuk përdoret anestezia sepse është tepër e shtrenjtë. Gënjeshtra qëndron tek togfjalëshi “tepër e shtrenjtë”.

Anestetikët blihen me vështirësi; kërkojnë në fakt, disa formalizma dhe rrugëtime me dredha në relacion me faktin se i gjithë rrugëtimi i blerjes duhet të jetë i gjurmueshëm duke qenë se bëhet fjalë për substanca narkotike (drogëra). Gjithsesi, kostot e anestetikëve nuk janë edhe aq të larta; fillohet nga 1,50 euro për qetësuesit e thjeshtë për të shkuar në çmime relativisht më të larta për opioidët. Them relativisht sepse në të gjithë eksperimentimin/studimin kanë një peshë (monetare) minimale; kështu do të ishte budallallëk që për pak “qindarka” të rezikoheshin sanksione të kripura, për respektimin e munguar të një ligji që i ka themelet në një normativë europiane mbi eksperimentim. Pastaj, anestetikët ndihmojnë në lehtësimin e punës së eksperimentuesit. Po ashtu, sepse një njeri që punon në këto ambiente, nuk ka aspak dëshirë të shikojë një qenie të gjallë të vuajë për shkak të punës së vet.

Atëherë përse disa herë anestetikët nuk përdoren?

Përgjigjia është e thjeshtë: sepse mund të ndërhyjnë në vlefshmërinë e eksperimentin.

Në çfarë mënyre?

Duke mos lejuar një vlerësim të reaksioneve të kafshës (të reksioneve që ka kafsha për shkak të substancës të testuar) sepse e droguar, apo sepse anestetikët ndërhyjnë me rrugën që substanca e përdorur në test do të kryente në mungesë të anestetikut (për shembull: mund të shkaktojë një ndryshim të dozës së substancës që është realisht e nevojshme, mund të shkaktojë rritjen e shpejtësisë së eliminimit, mund të ndërhyjë me thithjen e substancëa po me receptorët me të cilet ajo lidhet etj.).

Disa shembuj të tjerë, që ndihmojnë në sqarimin e çështjes. Le të mendojmë për një eksperimentues që po studion një anestetik të ri. Nëse kafsha do të drogohej (me një anestetik) si do të arrijë studiuesi të kuptojë nëse substanca që po testohet vepron apo jo, pra nëse ka apo jo efekte qetësuese, anestetizuese? Apo si mundet të testohet një substancë kundra dhimbjes, nëse refleksi i dhimbjes është shuar, nga anestetiku?

Po kur kryhen studime mbi epilepsinë, që bazohen mbi analizën e sjelljes së miut (komportamentale), nëse miu është i anestetizuar (droguar), si mund ta marr vesh eksperimentuesi sjelljen e modifikuar të miut?

Si ia bëhet në këto raste?

Mbi të gjithave, para se të fillojë një eksperimentim duhet që dokumentacioni dhe protokolli që mendohet të ndiqet t’i prezantohet një komiteti etik. Komiteti etik, edhe mbi bazën e motivimeve që i shtyjnë eksperimentuesit të ndërrmarin një kërkim të tillë, nëse i konsideron të panevojshme disa eksperimente mund të sugjerojë (disa) ndryshime ndaj protokollit ose edhe të mohojë dhënien e lejes për fillimin e studimit. Për më tepër në rastet kur është ngushtësisht e nevojshme eksperimentimi pa ndihmën e anestezisë atëherë duhet të merren masat që vuajtjet të jenë sa më të pakta.

Ligji imponon, ndër të tjera, që eksperimenti mbi një individ të kryhet vetëm një herë të vetme. Pra, për shembull, nëse protokolli kërkon shkaktimin e një krize epileptike, të gjitha kafshët do t’i nënshtrohen këtij eksprimenti vetëm një herë të vetme gjatë jetës së tyre.

Të gjitha këto me shpresën se do të kuptohet që, laboratorët kërkimorë nuk janë dhoma torture në të cilat veprojnë sadistë, por janë vendi ku punohet për të mirën e të gjithëve (edhe të kafshëve) dhe është ky ndërgjegjësim që e lejon shkencëtarin që të kapërcej vuajtjen e shkaktuar nga fakti se shpesh duhet të sakrifikojë kafshë.

Rinstinkt 2012

———————————————————————————

Reflekset

Reflekset

Një refleks është një aksion i trupit që ndodh vetvetiu (automatikisht). Sinjalet kalojnë përmes neuroneve dhe palcës kurrizore duke u treguar pjesëve të ndryshme që të lëvizin, pa e përfshirë trurin. Disa reflekse janë aksione që ndodhin në çdo kohë, sikundër rrahja (të rrahurat) e zemrës (tkurja e muskulit të zemrës). Të tjera reflekse janë aksione urgjence për të mbrojtur trupin nga dëmtimet.

Si punojnë reflekset? (një shembull)

Një receptor i dhimbjes në dorën tuaj ndjen një objekt të mprehtë. Sinjali kalon përmes neuronit ndjior (ndijimor) dhe shkon në palcën kurrizore. Një neuron lidhës (apo bashkues) i palcës kurrizore (apo në palcën kurrizore) e kalon sinjalin tek një neuron motor. Motoneuroni (neuroni motor) e transporton sinjalin deri në muskul, në rastin tonë në një muskul në gjymtyrën e sipërme, duke bërë që ai të tkurret, si pasojë krahu juaj do të tërhiqet pas. Mëpastaj një sinjal shkon në tru dhe ju ndjeni dhimbjen pasi refleksi ka ndodhur.

Nga sëmundjet infektive tek sëmundjet e zemrës


Çrrënjosja e epidemive

Për mijëra vite sëmundjet infektive ishin shkaku numër një i vdekjeve dhe miliarda e miliarda njerëz vdisnin prej tyre.

Për mijëra vjet njerëzit besonin se shkaku i këtyre epidemive ishte një dënim nga qielli.

Pastaj, 150 vite më parë Luis Pastër (Louis Pasteur) zbuloi se këto epidemi shkaktoheshin nga bakteret dhe mikroorganizma të tjerë.

Zbulimi i hapi rrugë implementimit të metodave parandaluese si dhe atyre të zhvillimit të vaksinave dhe antibiotikëve.

Pak vite më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) deklaroi se ishte çrrënjosur (përfundimisht) sëmundja e parë infektive (“smallpox”).

Sot: çrrënosja e sëmundjeve të zemrës

Gjatë shekullit të 20-të, sëmundjet kardiovaskulare u bënë shkaktari numër një i vdekjeve në botën e industrializuar. Në mbarëbotën, mbi një miliardë njerëz kanë vdekur gjatë shekullit të fundit nga ataku i zemrës dhe nga infarktet.

Duke qenë se shkaku kryesor i sëmundjeve kardiovaskulare ishte i panjohur deri para pak kohësh, “epidemia” kardiovaskulare vazhdon të përhapet në shkallë botërore.

Kafshët nuk goditen nga ataku i zemrës, sepse – në të kundërt të njerëzve – ato e prodhojnë vet vitaminën C, në trupat e tyre. Ataku i zemrës dhe infarktet nuk janë sëmundje mirëfilli, por pasoja të defiçencës kronike të vitaminave dhe kështu që janë të parandalueshme.

rinstinkt