Ilaçet për terapinë e dhimbjes (2) – Analgjezikët opioidë

Ilaçet për terapinë e dhimbjes (2) – Analgjezikët opioidë

Termi ‘opioid’ përdoret për të treguar substanca që kanë një profil farmakodinamik si ai i morfinës.

Peptidet opioide derivojnë nga katër prekursorë/pararendës: nga proopiomelanokortina (POMC), nga proencefalina A, nga proencefalina B, dhe nga prekursorë që u japin origjinë endorfinave të tjera.

Opioidet aktivizojnë receptorë specifikë metabotropë që janë të çiftëzuar me proteina G dhe që shprehen në zona të caktuara trunore.

Receptorët opioidë që janë më shpesh të përfshirë me modulimin e dhimbjes janë ata të tipit N, që janë të pranishëm në zonën gri periakueduktale dhe në substancën xhelatinoze të Rolandit.

Shënim (diferenca në terma):
Opiumi –
Opiatet – derivate gjysmësintetike si Buprenorfina dhe Diacetilmorfina
Opioidet e mirëfillta – janë ilaçe të sintetizuara si Metadoni dhe Petidina (Meperidina).

Opioidët e ‘dobët’ apo të ‘dhimbjes të moderuar’

Në këtë grup futet Kodeina që është një alkaloid natyral që merret me anë të gojës. Kodeina është dhjetë (10) herë më e dobët se Morfina.
Kodeina ka disa metabolitë të ndryshëm, një pjesë e të cilëve janë aktivë. Tek kafshët me defiçit të enzimave demetiluese, sikundër edhe në subjektet me një shprehje të reduktuar të citokromit CYP2D6 Kodeina ka një aktivitet të dobët analgjezik. Ky fakt sugjeron se Kodeina mund të jetë një pro-ilaç i Morfinës dhe që sasia e Kodeinës e biotransformuar në Morfinë mund të luhatet nga 2-10%, edhe në relacion me shkallën individuale të metaboët

Opioidët e ‘fortë’ apo të ‘dhimbjes së fortë’

Në këtë grup futen si opioidë me gjysmëjetë të shkurtës si për shembull morfina, fentanili; por edhe opioidë me gjysmëjetë më të gjatë si metadoni dhe levorfanoli.

Morfina dhe derivatet e saj

Morfina është alkaloidi më aktiv dhe më gjerësisht i gjetur tek opiumi (10%). Është një ilaç klasik me veprim analgjezik qëndror, kortikal dhe nënkortikal, që nëpërmjet stimulimit selektiv të receptorëve të opioidëve të pranishëm në të gjitha nivelet e nevraksit është në gjendje të reduktojë dhimbjen somatike të bashkëlidhur me një përbërëse afektive domethënëse.

Morfina konsiderohet ilaçi analgjezik që zgjidhet i pari për dhimbjet shumë të forta. Ilaçet e tjerë kundër dhimbjes (në rast dhimbje të fortë) përdoren vetëm kur nuk ka disponibilitet të menjëhershëm morfine, apo në raste kur mund të shfaqet intolerancë (hipereksitueshmëri, delirium, konfuzion) në drejtim të Morfinës.

Morfina është një molekulë relativisht pak lipofile. Jepet/merret me rrugë orale. Ka thithje maksimale në 2-3 orë me njëgjysmëjetë prej rreth 3 orësh. Lidhet me proteinat plazmatike në masën 30%. Ka një metabolizim hepatik (në mëlçi), ku glikuronohet nga enzimat hepatike në pozicionet 3 dhe 6. Morfina-3-glicuronid është totalisht pa asnjë aktivitet agonist. Në të kundërt Morfina-6-glicuronid është edhe më aktive se vet Morfina. Morfina ekskretohet kryesisht nëpërmjet veshkave, dhe ndaj duhet treguar kujdes ndaj pacientëve me pamjaftueshmëri veshkore.

Ekzistojnë derivate të ndryshme të morfinës: idromorfoni, oksimorfoni.
Një tjetër derivat i Morfinës është Diacetilmorfina e cila njihet gjerësisht me emrin Heroina. Heroina në vetvete është shumë pak aktive për shkak të pranisë së një acetilimi të dyfishtë, i cili duke qenë një pengesë sterike domethënëse e pengon Heroinën që të lidhet me receptorët opioidë. Gjithsesi, një karakteristikë e tillë kimike bën të mundur që Heroina të ketë një kalim të shpejtë të barrierës hematoencefalike. Pasi mbërrin në sistemin nervor qëndron Heroina deacetilohet nga enzimat përkatëse dhe kthehet në Morfinë dhe kështu mund të aktivizojë receptorët e vet opioidë.

Diacetilmorfina është pra një pro-ilaç i Morfinës që për shkak të veprimit të vet të shpejtë tepër të veçantë nuk gjen një justifikim të mjaftueshëm për t’u përdorur në terapinë e dhimbjes (flitet gjithënjë për trajtime kronike të dhimbjes).

Fentanyli dhe derivatet

Fentanyli është një derivat sintetik i Meperidinës dhe sikundër Morfina është një agonist preferencial i receptorëve μ. Ështëë 100 herë më e fortë se Morfina dhe shfaq një gjysmëjetë prej 20-30 min. Jepet nëpërmjet rrugës sistemike gjatë ndërhyrjeve kirurgjike dhe në ‘anestezinë e kontrolluar nga pacient’, si dhe në rrugën transdermike si leukoplast/plaster në dhimbjen nga kanceri.

Fentanyli sikundër opioidët e tjerë, indukton reaksionet anësore tipike të kësaj klase ilaçesh (shiko më poshtë).

Metadoni

Metadoniështë një opioid me gjysmëjetë të gjatë. Përveçse stimulon receptorët opioidë μ, është edhe antagonist jo kompetitiv i receptorëve NMDA të glutamatit dhe një bllokues i rithithjes së serotoninës. Metadoni është një përzierje racemike; forma L-metadon duket të jetë përgjegjësi për aktivitetin analgjezik.
Metadoni i dhënë nëpërmjet rrugës orale shfaq gjysmën e fuqisë analgjezike në krahasim me metadonine dhënë nëpërmjet rrugës intramuskolare.
Metadoni ka një shpërndarje të gjerë, më pak se 1% mbetet në plazmë. Ajo pjesë që gjendet në plazmë ka një lidhje tepër të lartë me proteinat plazmatike, 60-90%.
Në vijim të administrimeve të përsëritura Metadoni ka një prirje për t’u grumbulluar në inde duke krijuar një rezervë të mirëfilltë të ilaçit – kjo natyrisht krijon probleme prej grumbullimit të ilaçit. Metadoni ka një gjysmëjetë të gjatë, prej 16-20 orësh.

Veprime të tjera të opioidëve dhe reaksionet anësore

Kapsllëku – është problemi më i shpeshtë që shoqërohet me administrimin e opioidëve analgjezikë. Kjo është pasojë e një rritje të përgjithshme tl tonit të sfinkterëve të muskulaturës gastroenterike që shoqërohet me një reduktim të lëvizshmërisë dhe me një reduktim të sekretimit/tahitjes së acidit klorhidrik në stomak.

Qetësimi/sedacioni – paraqitet në mënyrë kalimtare me rritjen e dozazheve dhe shoqërohet me një tolerancë të shpejtë.

Nauzea dhe të vjella

Depresion respirator

Veprim anti-kollë – veprimi kundër kollës zotërohet nga të gjithë opioidët megjithëse ai më i përdoruri në praktikën klinike është Kodeina. Përveç rasteve të kollës patologjike, ajo mund të përdoret edhe gjatë manovrave kirurgjikale, për shembull, vendosja e një tubi endotrakeal, për të rritur kompliancën e pacientit.

 

© Rinstinkt blog

Reklama

Ilaçet për terapinë e dhimbjes (1); Ilaçet antinfiamatore jo steroidike

Ilaçet për terapinë e dhimbjes (1) – Ilaçet antinfiamatore jo steroidike

Ilaçet antipiretike analgjezike jo opioide – janë ilaçet antinfiamatore jo steroidike (NSAID), dhe janë analegjezikë jo drogues/narkotikë. NSAIDët kanë katër efekte kryesore: efektin antinfiamator, antipiretik, analgjezik dhe antiagregant piastrinash (pllakëzash të gjakut).

Farmakodinamika e ilaçeve NSAID dhe analgjezia

Efektet terapeutike të NSAIDëve varen në pjesën më të madhe nga inhibimi/frenimi i ciklo-oksigjenazave dhe kështu nga një reduktim i biosintezës endogjene të prostaglandinave, të trombosanëve dhe të prostaciklinës.

Prostaglandinat veprojnë në nivel të terminacioneve nervore periferike por edhe në nivelin spinal (të palcës kurrizore) dhe sovra spinal nëpërmjet një serie modifikimesh post receptoriale që shkaktojnë një modifikim fenotipik të fibrave dhe të neuronëve mbi të cilat veprojë. Këto ndryshime manifestohen në aspektin funksional si një sensibilizim neuronal.

Pra, të inhibuarit me anë të ilaçeve NSAID sintezën e disa prostanoidëve të veçantë do të thotë të parandalosh sensibilizimin neuronal dhe induktimin e hiperalgjezisë dhe të allodinisë.

Funksionet antinociceptive – Ilaçet NSAID janë në gjendje ta fuqizojnë këtë aksion antinociceptiv nëpërmjet bllokimi të COX duke shkaktuar spostimin e një kuote më të madhe të prekursorëve të prostanoidëve drejt 12-lipo-oksigjenazave. Në këtë mënyrë do të rritet sinteza e 12-HPETE në kurriz të një reduktimi të sintezës së prostaglandinave pro nociceptive.

Farmakokinetika e NSAIDëve dhe analgjezia

Paracetamoli lidhet shumë pak me proteinat e plazmës. Shpërndahet në mënyrë shumë homogjene në të gjithë organizmin dhe është në gjendje që ta kalojë me lehtësi barrierën hematoencefalike, duke patur kështu një akses të menjëhershëm derjt sistemit nervor qëndror.
NSAIDët janë ilaçet që duhet të jenë zgjedhja e parë në dhimbjen e lehtë deri në të moderuar me origjinë të ndryshme (infimatore, post-kirurgjike, cefalike).

Duhet theksuar se, në veçanti acidi acetilsalicilik dhe derivatet e tij janë totalisht jo efikase në dhimbjet viscerale (pra të organeve të brenshme), si për shembull në rast abdomeni akut, kolike renale, apo infarkti miokardiak.

Nëse në rrënjë të dhimbjes qëndron një proces infiamator, si për shembull në rast artriti apo osteoartriti, atëherë janë efikase ibuprofeni, diklofenaku.

 

© Rinstinkt blog

Semiotika e dhimbjes (3)

Semeiotika e dhimbjes (3)

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme paraqesin karakteristika të ndryshme, siç edhe thashë në shkrimin e mëparshëm, të cilat mund të ndihmojnë në dallimin e tyre.

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja somatike vjen nga struktura të inervuara nga nervat somatikë, si lëkura, muskujt, artikulacionet dhe nga nervat frenikë (të diafragmës). Dhimbja somatike është sipërfaqësore, e mirë lokalizuar dhe perceptohet ng apacienti si dypërmasore. Cilësitë që pacienti i jep dhimbjes somatike janë të tipit përçarës, piçkues e gjithsesi të ndryshueshme në varësi të stimulit dëmtues. Si refleks i dhimbjes somatike pacienti mund të vë re ngurtësi muskulore në zonën përkatëse.

Dhimbja e përbrendshme vjen nga struktura të inervuara nga fibra që shkojnë tek organet e brendshme, qofshin të tipit simpatik apo parasimpatik. Dhimbja e organeve të brendshme është e thellë dhe e keq-lokalizuar dhe perceptohet nga pacienti si trepërmasore. Pacienti i jep dhimbjes së përbrendshme cilësi si: e shurdhët, shtypëse apo e gjerë (sikur përpiqet të zgjerohet). Kur pacienti ka dhimbje nga organet e brendshme merr një qëndrim sikur “paloset më dysh”. Dhimbja nga organet e brendshme projektohet në linjën e mesit të trupit.

Projektimi i dhimbjes në periferi ndjek ligjin e metamerëve: nervi i përbrendshëm dhe nervi somatik që ndajnë të njëjtin metamer hyrës, ndajnë në mënyrë trashanike të njëjtin territor të perceptimit të dhimbjes.

Pavarësisht diferencave mes dy tipave të dhimbjes, jo gjithnjë është e mundur të dallhet e diferencohet dhimbja somatike nga ajo e përbrendshme. Kjo për shkak të mënyrës sesi stimuli algogjen – apo më mirë të them, ndjenja alogogjene ngase kjo mund të lind edhe në mungesë të një stimuli mirëfilli të identifikueshëm – përpunohet nga koreja trunore dhe se si projektohet në periferi.

Kjo mënyrë e perceptimit të ndjenjës algogjene shpesh nuk e bën të mundur dallimin mes zonave të interesuara.

Për shembull, nëse ekziston një dëmtim i nervit somatik që inervon pjesën lëkurore të zonës prekordiale, ku në shembullin tonë është e pranishme dhimbja, perceptimi i dypërmasorllëkut dhe sipërqasësisë së dhimbjes nuk është është i qartë, e kështu mjeku apo kushdo që i shërben të mirës së pacientit duhet të ketë gjithnjë parasysh se kjo dhimbje mund të ketë origjinë nga organet e përbrendshme si zemra apo aorta etj.

Kjo është arsyeja për të cilën përballë një dhimbjeje të perceptuar në zonën prekordiale, ku nuk mund të identifikohet një shkak apo origjinë somatike e qartë, është gjithnjë e këshillueshme ekzekutimi i një elektrokardiogrami (EKG) për të përjashtuar kardiopatinë iskemike. Sidomos nëse nuk flitet për një pacient në moshë të re; ndryshoret janë të shumta e një mjek i mirë duhet të eliminoj më parë ato më të rrezikshmet për jetën e pacientit.

Për të qenë plotësisht të ndërgjegjshëm, apo për të patur një kuadër më të plotë, duhet të përmend edhe një veçori anatomike e fiziologjike të rëndësishme. Atë që shpesh në një metamer hyjnë nerva të përbrendshëm (visceral) nga organe mjaft të largët nga zona sipërfaqësore e inervuar nga nervo somatik përkatës.

Për shembull, dhimbja kardiake përçohet nga nervat kardiakë, disa nga të cilët kanë aferenca drejtë metamerëve të kraharorit, ndërsa disa të tjerë drejt metamerëve çervikalë (të qafës). Kështu, mund të kuptohet se si dhimbja e evokuar apo e ngjallur nga një infarkt kardiak mund të perceptohet edhe në nivel mandibular (të nofullës së poshtme), ose vetëm mandibular, e kështu të ngatërrohet me një problem odontoiatrik.Një tjetër shembull përfaqësohet nga dhimbja frenike: nervat frenikë, ata që inervojnë kupolat diafragmatike, hyjnë në metamerët çervikalë , e kështu një dëmtim i njërës prej kupolave diafragmatike jep një dhimbje qëprojektohet lartë, në rajonin akromial dhe në sjakin e përparëm të muskulit trapez; pra një rajon anatomik mjaft i largët nga diafragma apo projektimi i kësaj në sipërfaqen lëkurore.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————-

Semiotika e dhimbjes (2)

 Semeiotika e dhimbjes (2)

Zakonisht dhimbja ndahet në dy kategori: dhimbje noxiceptive dhe neuropatike.

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja noxiceptive induktohet kur receptorët noxiceptivë (noxa) stimulohen nga një proces indor dëmtues. Dhimbja noxiceptive, pra që varet nga stimuj dëmtues, klasifikohet më tej në dhimbje viscerale (e përbrendshme; që u përket organeve të brendshme, viscera) dhe somatike.

Pra, dhimbja viscerale (e përbrendshme) e ka origjinën në organet e brendshme; shpesh ka një lokalizim trashanik, jo të saktë, të shpërhapur dhe përshkruhet si ngërç-ngjashëm, shtypëse apo kolike nëse lind nga organet zgavrore (si kupshoreja veshkore, ureteri); ose përçarëse apo e shurdhët nëse dhimbja lind nga organe parenkimatoze, solide, si mëlçia për shembull.

Dhimbja somatike, në të kundërt, lokalizohet më mirë dhe përshkruhet si akute, përçarëse, e menjëhershme, pulastive apo e shurdhët.

Dhimbja neuropatike lind kur sistemi nervor qëndror apo periferik ka pësuar çrregullime fiziopatologjike, të cilat e bëjnë funksionimin e tij të pamundur apo jo-efektiv. Dhimbja me origjinë neuropatike përshkruhet si një ndjesi akute, pickuese, djegëse apo elektrike që në shumicën e rasteve rrezatohet në territorin e inervimit përkatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————————-

Semiotika e dhimbjes (1)

Semeiotika e dhimbjes

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja është një gjendje njerëzore e pranishme pothuaj kudo. Pa të rrezik nuk do të dinim të vlerësonim as jo-dhimbjen, pavarësisht formave në të cilat artikulohet kjo e fundit.

Dhimbja pra, meqënëse e kudondodhur dhe kurdondodhur është edhe një nga arsyet më të shpeshta për të cilat një pacient drejtohet për asistencë tek mjeku.

Sipas International Assiciacion for the Study of Pain, dhimbja përkufizohet si: “një eksperiencë ndijore dhe emotive e pakëndshme, e shoqëruar nga një dëm indor aktual apo aventual, apo e përshkruar në terma të një dëmi të tillë.”

Nga përkufizimi kuptohet se dhimbja është një fenomen kompleks, ndijor, emotiv, konjitiv e mbi të gjitha subjektiv. Dhimbja e perceptuar nga një pacient jo gjithnjë përket mirë me dëmin indor, e në disa raste ky nuk mund të identifikohet fare.

Dhimbja shërben edhe si shkak i mjaftë për humbjen e qetësisë e më tej produktivitetit në jetën personale-familjare dhe në punë, duke i shkaktuar kështu një dëm jo të paktë gjithë shoqërisë.

Përmirësimi i trajtimit të dhimbjes, edhe pse shpesh herë thjeshtë e vetëm simptomatik, kërkon para së gjithash një njohje dhe përdallim të saktë të llojeve të saj.

© mbi tekstin, Rinstinkt

————————————————————————–