Njerëzit që vuajnë nga depresioni shprehen ndryshe nga njerëzit e tjerë…

Njerëzit që vuajnë nga depresioni e përdorin gjuhën, pra të folurit dhe të shkruarit, ndryshe nga njerëzit e tjerë…

Ndoshta të gjithë e dinë se depresioni (sëmundja e depresionit, dhe jo thjeshtë një ndjenjë mërzie kalimtare) shkakton ndryshime tek mënyra se si njerëzit sillen, si ndërveprojnë me të tjerët, se si, sa dhe kur flenë gjumë etj.

Por ndoshta asnjë nuk e di se depresioni ndyshon edhe mënyrën se si individi flet, shkruan dhe shprehet. Dhe ky ndryshim në mënyrën e të folurit natyrisht që ndikon në mënyrën se si të tjerët na perceptojnë.

Shkencëtarët janë përpjekur prej kohësh që të hetojnë këtë bashkëlidhje mes depresionit dhe ndryshimeve që individët pësojnë në mënyrën se si ata shprehen, por kjo ka qenë një punë e vështirë deri para pak kohësh, sepse analizat gjuhësore, pra analizat linguistike, kryheshin duke lexuar dhe duke mbajtur shënime – që natyrisht për të realizuar studime domethënëse me monstra të mëdha kërkon një kohë të gjatë dhe një impenjim tepër të ekzagjeruar.

Ndërsa në ditët e sotme këto analiza/hetime bëhen më të thjeshta falë teknologjisë dhe metodave kompjuterike që janë të afta ta analizojnë tekstin, apo pjesë të gjëra teksti, në pak minuta.

Dhe kështu mbërrijmë tek studimi në fjalë, që është botuar në Clinical Psychological Science, dhe që ka identifikuar një klasë fjalësh që mund t’i ndihmojnë shkencëtarët në parashikimin nëse dikush është duke vuajtur nga depresioni apo jo. Thekoj: mund, sepse këto parashikime janë akoma tepër rudimentale dhe kanë nevojë për zhvillim të mëtejshëm dhe për rafinime të mëtejshme të medotës.

Cilat janë zbulimet?

Individët që vuajnë nga depresioni përdorin një sasi të ekzagjeruar fjalësh që përçojnë emocione negative.

Individët me simptoma depresioni e përdorin më shumë përemra vetorë të vetës së parë njëjës, si për shembull: ‘unë’, ‘vetvetja’, ‘mua’. Gjithashtu përdorin më pakë përemra vetorë si ‘ata’ apo ‘ato’.  ( Stephanie Rude, Eva-Maria Gortner & James Pennebaker (2004) Language use of depressed and depression-vulnerable college students, Cognition and Emotion, 18:8, 1121-1133, DOI: 10.1080/02699930441000030 )

Ky model i përdorimit të përemrave vetorë nga personat që vuajnë nga depresioni sugjeron se këta individë janë më shumë të fokusuar tek vetvetja, dhe më pak tek të tjerët, ose më pak të ndërlidhur me të tjerët.

Studime të mëparshme kanë treguar se përemrat janë më të saktë në identifikimin e depresionit në krahasim me fjalët që konotojnë emocione negative. Pra krahasojmë përdorimin e vetëm fjalëve me emocione negative dhe përdorimin e vetëm përemrave, këto të fundit janë më të sakta në identifikimin e depresionit.

(Dihet se ‘ruminacioni’ apo më shqip ripërtypja, pra të menduarit në vazhdimësi mbi problemet personale, si dhe izolimi shoqëror janë karakteristika të shpeshta të depresionit.)

depresioni ndryshimet në mënyrën e të shprehurit dhe gjuhës

Depresioni, përveç ndryshimeve të tjera, shkakton edhe  ndryshime në mënyrën e të shprehurit dhe gjuhës

Për sa i përket stilit të të shprehurit, studiuesit dhe studimi në fjalë gjetën se, fjalët absolutiste, që përçojnë probabilitete absolute, si për shembull ‘gjithnjë’, ‘asgjë’, ‘plotësisht’ etj, janë identifikues më të mirë të forumeve që merren me shëndetin mendor.

(Studimi në fjalë përqëndrohej në analizën e tekstit prej 64 forumeve online që merren me shëndetin mendor, duke analizuar tekstin e 6400 anëtarëve.)

Në njëfarë mënyre këto rezultate priteshin prej shkencëtarëve, sepse individët me depresion kanë një pikëpamje të botës më bardhë e zi, krahasuar me individët e tjerë, dhe natyshisht kjo do të shfaqej edhe në stilin e tyre të gjuhës, të të shprehurit.

 

Studimi: In an Absolute State: Elevated Use of Absolutist Words Is a Marker Specific to Anxiety, Depression, and Suicidal Ideation

© Rinstinkt Blog 2018