Njeriu me mëlçinë e artë

Njeriu me mëlçinë e artë 

Para ca kohësh shkruajta mbi mënyrën se si e preferonte pijen agjenti sekret britanik James Bond. Një Martini, i tundur jo i trazuar.

Sot, do të shkruaj mbi disa të dhëna të reja, konkluzione të një studimi shkencor të botuar në British Medical Journal vetëm pak ditë më parë, 12 dhjetor 2013.

mëlçi e artëAutrorët e studimit i kanë nxjerrë të dhënat e analizuara duke lexuar dhe hetuar nëpër librat e Flemingut, krijuesi i Bondit. Kështu dy nga autorët e studimit për të cilin po shkruaj kanë lexuar çdonjëri nga 7 libra; në total 14 duke përjashtuar “The Spy Who Loved Me and Octopussy” dhe “Living Daylights” (tregime) meqënëse tek njëra Bondi shfaqet vetëm si një figurë periferike, ndërsa tek tjetra sepse nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Gjatë leximit kanë mbajtur shënime në mënyrë sistematike.

Konkluzioni i autorëve është se James Bondi pinte shumë, po shumë ama saqë mund fare mirë të klasifikohet si pijanec i kategorisë së tretë (standarde britanike). Kështu dyshimi nëse Bondi ishte thjeshtë një njohës i mirë i pijeve pa qenë pijanec apo nëse ishte efektivisht pijanec e kështu edhe njohës i mirë mund të themi se merr fund.

Autorët e studimit, duke lexuar dhe hetuar imtësisht me sens kritik nëpër librat e 007 gjetën se agjenti sekret britanik pinte mesatarisht 92 njësi alkoli në javët kur ishte në mision. Konsumi ishte i ekzagjeruar në dy misione në veçanti, në “You Only Live Twice” dhe mëpastaj “On Her Majesty’s Secret Service”, përkatësisht 225.8 dhe 179.8 njësi alkoli.

Agjenti 007 me mënyrë e vet të të bërit të gjërave rezulton një njeri krejt i papërgjegjshëm; sa më shumë pije alkolike konsumohen mbi një kufi të caktuar, aq më shumë ritet rreziku për të zhviluar patologji si ciroza hepatike, helmimi apo edhe forma malinje.

Edhe pse akti i të pirit tek filmat e 007, në mbrëmjet festive apo edhe nëpër diskoteka ku gumëzhojnë rinia na shfaqet në një sens integrimi në aktivitetin përkatës, njëfarë kufiri që duhet kaluar për ta gëzuar festën edhe më shumë, konsumimi i tepruar i alkolit është një problem shoqëror në të gjithë botën; i cili problem shkakton skajëzim shoqëror, vuajtje, vdekje…

Për t’u rikthyer tek “zero zero shtata”: autorët e studimit mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga leximi i librave, shtrojnë një tezë interesante. Mendojnë se James Bondi i kërkonte pijet e veta të tundura e jo të trazuara (shaken, not stirred) ngase ishte i paaftë që t’i trazonte për shkak të dridhjeve që mund të ketë patur 007 nga konsumimi i pakriter i alkolit.

Të dhënat tregojnë se dridhja esenciale mund të lehtësohet nga doza të vogla alkoli; ndërsa të tjera të dhëna tregojnë se ata që konsumojnë doza të larta alkoli kanë katër herë më shumë mundësi që të shfaqin dridhje të gjymtyrëve. Raportohet se kjo vjen ngaqë helmet, toksinat, alkoli shkaktojnë dëme në trurin e vogël, i cili është aktori dhe modulatori më i rëndësishëm i lëvizjeve.

Përfundimet që dalin nga analiza janë të qarta: konsumi i alkolit nga 007 është katër herë më i lartë se niveli i këshilluar për një mashkull të pjekur. 007 ka një rrezik të lartë për të zhvilluar cirozë hepatike, impotencë apo indicente të tjera, si ai që Bondi pësoi në misionin Casino Royale. Për më tepër që impotenca e shkaktuar nga alkoli do t’i ulte shumë pikë si joshës femrash.

Ndër të tjera autorët e studimit, thonse se, e kuptojnë që kur punon me terroristë ndërkombëtarë të cilët tentojnë të godasin Mbretëreshën dhe më tej gjithë Botën, nivelet e stresit dhe presioni shoqëror për të pirë alkol është i lartë por do t’i sugjeronin që ta ulte konsumimin e alkolit në nivele më të moderuara, për të mirën e tij dhe tonën.

Bibliografia:

  • Were James Bond’s drinks shaken because of alcohol induced tremor? – BMJ 2013;347:f7255 doi: 10.1136/bmj.f7255
  • Rehm J, Gmel G, Sempos CT, Trevisan M. Alcohol-related morbidity and mortality. Alcohol Res Health 2003;27:39-51.
  • Louis ED, Benito-Leon J, Bermejo-Pareja F. Population-based study of baseline ethanol consumption and risk of incident essential tremor. J Neurol Neurosurg Psychiatry 2009;80:494-7.
  • National Institute for Neurological Disease and Stroke. Tremor fact sheet. http://www.ninds.nih.gov/disorders/tremor/detail_tremor.htm.
  • Azagba S, Sharaf M. The effect of job stress on smoking and alcohol consumption. Health Econ Rev 2011;1:15.

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

 —————————————————————————————–

Meduza dhe Caput Medusae

Caput Medusae

Meduza - Arnold Böcklin (rreth 1878)

Meduza – Arnold Böcklin (rreth 1878)

Mitologjinë e Meduzës e njohin pothuaj të gjithë. Një femër aq e bukur dhe krenare saqë pati guximin të krahasohej me bukurinë e Athinës. Për të ndëshkuar vanitetin e Meduzës, perëndesha e Olimpit, bija e Zeusit, Athina, e ndëshkoi duke ia transformuar flokët e bukur në gjarpërinj (nepërka) helmues; ndërsa shikimin e Meduzës e transformoi në një armë vdekjeprurëse – kushdo që do të gxonte ta shihte në sy do të gurëzohej menjëherë, duke u kthyer në një statujë të pajetë.

Gjithsesi mua më intereson më shumë koka e Meduzës si simbol dhe shenjë semeiotike. Caput Medusae, është një emërtim gjerësisht i njour për  mjekët, studentët e mjekësisë, biles edhe për infermierët që shërbejnë nëpër reparte të Semejotikës, Mjekësisë interne etj.

Caput medusae vihet re tek subjektet me hipertension portal (gradient mbi 12 mmHg), pra të venës portë – vena që shpie gjakun venoz nga zorrët drejtë mëlçisë. (Një ndër shkaqet e hipertensionit portal është cirroza e mëlçisë.)

Pei-Ming Yang, M.D., Ph.D., and Ding-Shinn Chen, M.D. - N Engl J Med 2005; 353:e 19November 24, 2005 DOI: 10.1056/NEJMicm050651

N Engl J Med 2005

Caput medusae nuk është gjë tjetër veçse manifestimi sipërfaqësor i një cirkuiti kolateral të përbërë nga venat peri-ombelikale (pra rreth kërthizore).
Këto vena, si pasojë e hipertensionit portal, zgjerohen dhe krijojnë një qarkullim alternativ të gjakut; gjaku pra për të mbërritur në mëlçi shfrytëzon një rrugë tjetër, atë të venave sipërfaqësore peri-ombleikale. Venat mund të bëhen dredha-dredha, varikoze, sikundër gjarpërinjtë e kokës së Meduzës legjendare.

  • Meduza Arnold Böcklin (rreth 1878)
  • Caput Medusae – Pei-Ming Yang, M.D., Ph.D., and Ding-Shinn Chen, M.D. – N Engl J Med 2005; 353:e 19November 24, 2005 DOI: 10.1056/NEJMicm050651

Rinstinkt 2013

————————————————————————————–