Masa që bima krijon vjen prej ajrit

Masa që bima krijon vjen prej ajrit.

Në vitet 1770të shkencëtari Jan Ingenhousz ishte ndër të parët që u përpoq dhe në njëfarë mënyre arriti të kuptojë se si bimët arrijnë të rrisin masën e vet. Ai shkoi në Angli dhe e kreu kërkimin e vet në Bowood House – në të njëjtin vend ku një tjetër shkencëtar me emin Joseph Priestley zbuloi oksigjenin në vitin 1774. Atje ai u përpoq të zbulonte dhe kuptonte atë proces të rëndësishëm që sot ne njohim me emrin fotosintezë… sikundër edhe elementet themelorë që marrin pjesë në këtë proces, që janë drita e diellit, dioksidi i karbonit dhe oksigjeni.

Ingenhousz kishte lexuar se si bimët e gjendura në ujë prodhojnë flluska gazi, megjithëse përbërja e saktë e këtyre fluskave ishte ende e paqartë. Në një seri eskperimentesh ai vuri re gjethet e gjendura nën dritën e diellit krijojnë më shumë fluska ajri se sa ato që gjendeshin në errësirë. Ai e mblodhi këtë gaz të prodhuar nga gjethet në prani të dritës së diellit dhe gjeti se ai ishte oksigjen.

fotosinteza baza

Ilustrim i thjeshtë i fotosintezë

Ingenhousz e dinte se bimët e rrisin masën e vet duke shkaktuar fare pak ndryshim në masën e terrenit ku ato rriten. Në vitin 1779 ai argumentoi në mënyrë të saktë se shkëmbimi i gazeve me atmosferën, veçanërisht thithja e dioksidit të karbonit, ishte të paktën pjesërisht burimi i rritjes së massës organike të bimëve – që dmth se bimët e shfrytëzojnë këtë dioksid karboni për të rritur masën e vet.

Sot ne dimë shumë mirë se bimët e krijojnë ushiqmin e vet nëpërmjet procesit të fotosintezës, duke shfrytëzuar energjinë e diellit – duke përdorur edhe ujë – për të kthyer molekulat e dioksidit të karbonit në molekula glukozi dhe duke lëshuar oksigjen. Si rezultat bimët janë burimi i oksigjenit që është jetësor për pjesën më të madhe të gjallesave; por bimët janë edhe burim parësor për shumë gjallesa të tjera, ndër të cilat barëngrënësit (herbivorët) dhe gjithëçkangrënësit (omnivorët).