Semiotikë mjekësore – Auskultimi i kraharorit

Semeiotikë mjekësore – Auskultimi i kraharorit

Auskultimi (dëgjimi) i kraharorit është një veprim me rëndësi themelore në mjekësi. Çdo mjek, por edhe çdo student që i futet praktikës klinike duket të ketë njohuri mbi zhvillimin korrekt të këtij akti, dhe komponenti të ekzaminimit objektiv të pacientit.

Këtu do të flas, më së shumti, për auskultimin e kraharorit në relatë me mushkëritë. Dëgjimi i kraharorit kryhet në duke krahasuar njërin gjysmë-kraharor me tjetrin; pra në mënyrë krahasuese. Kjo sepse çdo njëri, çdo pacient ka një kuadër personal, fiziologjik, i cili bën pjesë në ndryshueshmërinë normale, e që nuk është medoemos i njëjtë me atë të një pacienti tjetër.

Mënyra e auskultimit (dëgjmit) të mushkërive

Mënyra e auskultimit (dëgjmit) të mushkërive

Auskultimi fillohet nga maja, duke zbritur drejtë bazave të mushkërive. Në auskultimin e pjesës së pasme të kafazit të kraharorit duket patur kujdes që diafragma e stetofonendoskopit të vendoset korrektësisht duke përjashtuar zonat e shpatullave, pra në brendësi të këtyre. Ndërsa në auskultimin e pjesës së përparme të kafazit të kraharorit duhet patur kujdes nga zona e projektimit të zemrës.

Gjatë dëgjimit pacienti duhet të marrë frymë thellë, me gojë hapur dhe pa bërë zhurma me këtë të fundit. Nëse pacienti ka shumë qime në kraharor, për të shmangur zhurma që i detyrohen fërkimit të diafragmës së stetofonendoskopit me qimet, këshillohet njomja e sipërfaqes së auskultimit.

Çfarë dëgjohet gjatë auskultimit të kraharorit?

Zhurmat fiziologjike

Zhurma frymëmarrëse normale, e cila njihet edhe si murmurimë fshikore (fshikëzore). Murmuritja (murmurima) fshikore gjenerohet nga “përplasja” e ajrit mbi hojëza, të cilat mund të thuhet se sillet si një filtër poroz ku ajri kanalizohet. Murmurima fshikore dëgjohet, auskultohet në të gjithë rajonin mushkëror, por më qartë në zonat periferike të mushkërive.

Murmurima fshikore është më e fortë në fazën e frymëthithjes, ndërsa në fazën e frymënxjerrjes dobësohet dhe kjo për shkak se frymëthithja realizohet falë komponentëve muskulorë (diafragma, muskuj ndërbrinjorë dhe m aksesorë të frymëshkëmbimit), duke prodhuar një fluks ajri më të shpejtë krahasuar me frymënxjerrjen që nga ana e vetë është një fenomen fiziologjik pasiv.
Murmurima fshikore mund të zvogëlohet në intensitet kur ajri pengohet të hyjë në hojëza apo në rast të reduktimit të përbërësit elastik mushkëror. Murmërima fshikore rritet në intensitet, në rast se zgavra e kraharorit ka një seksion të tërthortë të hollë apo të holluar. Ndërsa kur ajri nuk hynë në disa zona të mushkërisë, për shembull për shkak të bllokimit të një bronku, perceptohet e ashtuquqjtura heshtje respiratore.

Zhurma bronkofshikore e cila prodhohet në zonat e kalimit nga pema bronkiale në zonën e hojëzave. Pra është një zhurmë e përzierë mes asaj bronkiale dhe zhurmës alveolare (hojëzore). Zhurma bronkofshikëzore dëgjihet më mirë në zonat e majës së mushkërive apo në dy hapërsirat e para ndërbrinjore.

Zhurma bronkiale – zhurmë që shkaktohet nga kalimi i ajrit nëpër rrugët e ajrit me diametër të madh, si bronket. Dëgjohet mirë në auskultimin e pjesës së përparme të kafazit të kraharorit. Kur zhurma bronkiale dëgjohet në periferi të mushkërive atëhere jemi përballë një rasti patologjik. E njëjta gjë thuhet për rastin kur është një-anësore, meqënëse mund të jetë shenjë e një dëndësimi të parenkimës mushkërore.

Zhurmat e patologjike apo të shtuara

Zhurmat jo të vazhdueshme, të cilat dallohen në zhurma me tonalitet të ulët e që janë shenjë bronkiti. Këto zhurma prodhohen nga kalimi i ajrit nëpër mukusin e prodhuar nga mushkëritë. Tek zhurmat jo të vazhdueshme përfshihen edhe zhurmat me tonalitet të lartë të cilët formohen nga vonesa në hapjen e hojëzave; tipike të bronkopolmonitit.

Zhurmat e vazhdueshme. Edhe këto dallohen në zhurma me tonalitet të ulët ku futen zhurmat e prodhuara kur ajri kalon nëpër rrugët e ajrit të ngushtuara nga bronkospazma apo mukusi, dhe zhurmat me tonalitet të lartë të ciltë formohen në rastet kur ajri kalon nëpër bronke të zvogëluar; kryesisht gjatë fazës së frymënxjerrjes.

Rinstinkt

——————————————————————

Reklama

Semeiotika abdominale

Semeiotika abdominale

Si fillim lipsen disa koncepte anatomie topografike me anë të cilave të orientohemi në kuptimin e simptomave dhe shenjave.
Në pamjen ballore rajoni abdominal përket me zonën që qëndron apo shtrihet nën diafragmë. Duke përdorur disa linja, jo edhe aq imagjinare, rajoni abdominal mund të ndahet në disa kuadrante.

Kuadrantët abdominalë

Këtu, do të përshkruaj vetëm ndarjen në nëntë (9) kuadrante e cila përftohet nda ndërprerja e katër linjave.
Për këtë nevojitet linja paraqëndrore e cila shtrihet midis linjës së mesme dhe asaj që kalon nga gjëmbi* iliak antero-superior. Në gjysmë-abdomenin e djathtë ndërprerja e kësaj linje me harkun brinjor ndodh në nivelin e kërcit të brinjës së IX dhe identifikon pikën paraqëndrore, që përket me fundin apo bazën e fshikëzës së vrerit.
Nevojiten linjat horizontale transpilorike (ndërpilorike) e cila shtrihet ekzaktësisht midis gropës jugulare (zgjedhore të qafës) dhe pubisit. Në pikën e vetë mesatare identifikon trupin e vertebrës së parë lumbare. Linja transgungëzore, e cila kalon mbi dy gungëzat iliake e në pikën e vetë më të mesme identifikon trupin e vertebrës së pestë lumbare.

Emërtimi i nëntë rajoneve të kuandrantëve abdominalë

Fasha e sipërme përbëhet nga hipokondri i djathtë, epigastri, dhe hipokondri i majtë.
Fasha e mesme përbëhet nga ija e djathtë, mezogastri apo zona rreth-ombelikale dhe ija e majtë.
Fasha e poshtëme përbëhet nga gropa ilake e djathtë, hipogastri dhe gropa iliake e majtë.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Ekzaminimi objektiv i abdomenit

Si për cdo aparat apo organ tjetër, edhe për aparatin tretës apo më mirë të them, abdomenin në përgjithësi (meqë në zgavrën abdominale ndohen edhe organe të tjerë si pankreasi, shpretka, organet gjinore etj), ndiqet sekuenca e inspektimit (hetimit), palpimit (prekjes), perkusionit (goditjes) dhe auskultimit (dëgjimit).

Inspektimi i abdomenit

Gjatë inspektimit të rajonit abdominal duhet të vlerësohen gjendja e lëkurës; për shembull të shihet nëse ekzistojnë vraja apo shenja të lëna nga ndërhyrje të mëparshme kirurgjike, ndryshime të nuancës natyrore të lëkurës etj.
Duhet të shihet nëse ekzistojnë fryrje apo mbufatje jo simetrike apo qoftë edhe simetrike.
Duhet të shihet nëse abdomeni është i fryrë, jashtë normalitetit të subjektit që kemi përballë apo nëse fryrja është pjesë normale e konstitucionit të tij. Të shihet nëse kjo fryrje mund t’i detyrohet meteorizmit apo ndonjë derdhjeje apo akumulimi lëngu në kavitetin peritoneal. Abdomeni që i ngjan barkut të një bretkose (batrakos) me kërthizën të sheshuar apo të nxjerrë jashtë (pra, jo normale) apo prania e qarkullimit hematik kolateral të tipit “caput medusae” janë shenja të një akumulimi lëngjesh në këtë kavitet.
Siç edhe e përmenda më sipër, abdomeni “i fryrë” mund t’i detyrohet edhe shëndetit të subjekt-pacientit, i cili manifestohet kryesisht në rajonin abdominal; në këtë rast kërthiza do të jetë normale, pra e brenda-futur.
Po ashtu një fryrje e abdomenti mund të jetë shenjë e një bllokimi intestinal, pra e bllokimit të zorrëve.

Palpimi (prekja) e abdomenit

Palpimi i rajonit abdominal mund të jetë sipërfaqësor apo i thellë. Palpimi kryhet me pëllëmbën e dorës, e kryesisht me sipërfaqen e brendshme të gishtrinjëve, por duke treguar kujdes për të aplikuar presion në mënyrë uniforme me të gjithë pëllëmbën e jo me majat e gishtave.
Gjatë palpimit eksplorohen sektorët e ndryshëm (kuadrantët abdominalë). Palpimi ka dy qëllime kryesore: së pari lokalizimin e dhimbjeve sponten apo të provokuara dhe lokalizimin e organeve abdominal të eksplorueshëm dhe gjykimin mbi ndonjë zmadhim eventual të këtyre apo praninë e masave brenda-abdominale.
Ndonjëherë palpimi, prekja e abdomenit (barkut) nuk mund të kryhet me lehtësi meqënëse disa subjekte janë veçanërisht të ndjeshëm dhe mund të ushtrojnë rezistencë nëpërmjet tkurrjes së muskujve abdominalë. Ndjeshmëria e subjektit mund t’i detyrohet edhe dhimbjes së shkaktuar nga prekja e ekzaminatorit. Në këto raste thuhet se abdomeni është jo i prekshëm; ky fakt paraqitet edhe në kartelën apo dokumentin e shtrimit të pacientit.

Palpimi i mëlçisë – prekja e mëlçisë

Kur pacienti nuk ka probleme nga mëlçia, pra kur mëlçia është me përmasa fiziologjike, ajo mund të preket vetëm duke e ftuar pacientin të kryejë një frymëmarrje të thellë. Frymëmarrja e thellë me tkurrjen e diafragmës bën që kjo e fundit të zbresë poshtë duke ushtruar presion mbi oranet nën-diafragmatike, e kështu edhe mbi mëlçinë që gjendet në krahun e djathtë, menjëherë nën diafragmë. Si pasojë mëlçia zbret poshtë dhe mund të preeket nga mjeku ekzaminator.
Manovra e përshkruar më sipër mundëson që gjatë prekjes së mëlçisë të perceptohet konsistenca dhe parregullsi eventuale të saj.
Mëlçia, kur ka një konsistencë normale, që përkufzohet si parenkimatoze, i shpëton prekjes; ndërsa rritja e konsistencës hepatike, që është ndër të tjera edhe parametër klinik i një rëndësie të veçantë, bën që mëlçia të perceptohet lehtësisht.
Gjatë palpimit të mëlçisë, skaji i poshtëm ndiqet në të gjithë gjatësinë e tij, deri në kufirin e majtë. Kur jemi përballë një rasti zmadhimi që mëlçisë, pra hepatomegali, për të treguar gradën e zmadhimit përdoret vendosja e gishtave në mënyrë trasversale me harkun brinjor. Për shembull, hepatopatitë kronike të cilat shpesh evoluojnë në cirozë japin hepatomegali.

Palpimi i shpretkës – prekja e shpretkës

Në kushte normale shpretka nuk mund të preket meqënëse është e mbuluar, nga brinjët. Palpimi (bimanual) mund të kryhet vetëm në rast zmadhimi të shpretkës, splenomegali, e ka një rëndësi të madhe semeiologjike meqënëse jep të dhëna mbi konsistencën dhe madhësinë e organit në fjalë.

Perkusioni i abdomenit

Gjatë perkusionit të abdomentit, në përgjithësi dëgjohet një tingull timpanik për shkak të një sasie të vogël ajri të ndodhur në tubin tretës. Timpanizmi është shumë më evident në zonën që përket me projektimin e stomakut në sipërfaqen abdominale – e ashtuquajtura zona gjysmëhënore e Traubes.
Perkusioni i abdomenit kryhet me pacientin që qëndron i shtrirë me shpinë. Goditjet jepen në mënyrë rrezore përgjithësisht duke filluar nga kërthiza e duke vazhduar më pastaj drejt periferisë.

Auskultimi i abdomenit

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Gjatë auskultimit të abdomenti mund të dëgjohen zhurmat që i detyrohen aktivitetit peristaltik, të cilat zhduken në rast ileumi paralitik. Po ashtu mund të dëgjohen zhurma vaskulare, fishkëllima që i detyrohen stenozave, për shembull të arteris veshkore apo mezenterike, apo aneurizmave të aortës abdominale.

Rinstinkt Rat, 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————-

Semeiologji – Semeiotika e (rajonit të) qafës

Semeiotika e  (rajonit të) qafës

Ekzaminimi fizik i rajonit të qafës përfshin: Inspektimin, palpimin dhe auskultimin.

Inspektimi (kontrolli)

Qafa ndahet semeiologjikisht në disa rajone. Dallohen dy rajone mesore (të mesit), të klasifikuar në raport me kockën joid; ai mbi-joid dhe ai nën-joid apo laringo-trakeal.

Dallohen katër rajone anësore të cilët janë: nënmaksilar, parotid, karotid dhe mbiklavear. Ekziston edhe rajoni i pasëm i qafës.

Gjatë inspektimit (kontrollit) të qafës vlerësohen: konfromacioni, qëndrimi i mbajtur nga pacienti, dalje (spikatje) apo depresione strukturash, lëvizje të vetvetishme, mbufatje apo fryrje anormale, dëmtime të lëkurës etj.

Palpimi (prekja me dorë)

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) duhet të vlerësohen kocka joide, kërci krikoid, gjëndra tiroide, arteria karotide, muskuli sternokleidomastoid.

Kërkohen edhe pulsacione të aortës dhe/apo të arteries suklavie. Hetohen linfonyjet dhe kryhet më me thellësi ekzaminimi i tiroides.
Vlerësohen mbufatje abnormale, të cilat mund të kenë shkaqe të ndryshme: linfiadenit akut, linfoadenti kronik jospecifik, linfoadenit kronik specifik, sëmundja e Hodgkin, leuçemi limfatike, limfosarkoma , metastaza tumorale, tumor i karotides, ciste anësore brankiale, ciste të mesme të qafës etj.

Palpimi i rajoinit mbijoid

Palpimi i rajoinit mbijoid

Shembull: cistet dhe fistulat e mesme të bashkëlindura të qafës. Lindin nga dukti tireogloss i Bochdalek-ut. Janë të mëdha sa një veë pëllumbi, me sipërfaqe të lëmuar dhe konsistencë elstike (të tendosur). Cistet janë të lëvizshëm në planet sipërfaqësorë, më pak të lëvizshëm në planet e thella duke qenë se janë solidar me kockën joid. Në rast se preken nga procese flogjistike shkaktojnë dhimbje gjatë palpimit.

Cist i mesëm i rajonit mbi-joid

Cist i mesëm i rajonit mbi-joid

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) të qafës vlerësohen edhe limfonyjet çervikale. Vlerësohen linfonyjet çervikale sipërfaqësorë, të thellë, të pasëm, të përparmë, dhe linfonyjet nën-nofullorë.

Tek linfonyjet vlersohet: vëllimi, forma, dhembja gjatë palpimit, lëvizshmëria dhe konsistenca.

 

Auskultimit (dëgjimi)

Gjatë auskultimit të qafës duhet të vlerësohen zhurmat respiratore, zhurmat vaskulare etj.

Ekzaminimet instrumentale

Radiografia, ekografia, dopleri, TAC, angjiografia, endoskopia etj.

© mbi tekstin, Rinstinkt

Semeiologjia e kraharorit – Semeiotika e gjëndrës së gjoksit (gjirit)

Semeiologjia e kraharorit – Semeiotika e gjëndrës së gjoksit (gjirit)

 

Anamneza e pacientes

Gjatë realizimit të anamnezës pacientes i drejtohen pyetje mbi moshën, moshën e menarkës dhe/ose të menopauzës, mbi karakteristikat e ciklit të vet menstrual (pra nëse ësthë i rregullt apo jo, nëse ka dhimbje, dizmenorrea etj.), mbi shtatëzaninë, mbi abortet që mund të ketë patur, mbi zakonet e saj seksuale, mbi përdorimin apo jo të kontracpeptivëve (oralë), mbi ushqyerjen me gji, mbi terapi të mundshme hormonale të ndjekura nga pacientja.
Së fundi i drejtohen pyetje për të hetuar ndonjë familjaritet të mundshëm për patologji neoplastike beninje ose malinje të gjëndrës së gjirit (për shembull:mamaja ka vdekur nga kanceri i gjirit në moshën X).

Ekzaminimi fizik

Inspektimi (kontrolli)

Çdo gji (gjoks) mund të ndahet semeiologjikisht në katë kuadrantë, si një orë në qendër të së cilës ndodhet areola dhe thitha. Kuadranti i sipërm-i jashtëm dhe zgjatimi sqetullor i gjëndrës janë vendi i 60% të patologjisë që prek gjirin.

kuadrantet ne te cilet ndahet gjendra e gjirit

Gjatë inspektimit (kontrollit të pacientes) kjo duhet të qëndrojë në ortostatizëm me duart afër hijeve dhe më vonë pas kokës, me një përthyerje të lehtë përpara të bustit.

Qëndrimi i pacientes gjatë hetimit

Qëndrimi i pacientes gjatë hetimit

Thitha (thumbi) është i përbër nga ind erektil (ngrehës) i mbuluar nga lëkurë e pigmentuar. Në majë apo një afërsi të saj mund të vihen re hapjet e dukteve galaktoforik (të qumshtit).

Areolat përreth thithës janë edhe këto të pigmentuara; intensiteti i pigmentimit ndryshon drejtëpërdrejtë në varësi të ngjyrës së errët të pacientes. Pigmentimi është më i vogël tek subjektet bionde, ndërsa rritet gjatë shtatzanisë dhe në rast pamjaftueshmërie të mbiveshkores.

Hetimi i kryer nga ekzaminatori realizohet duke proceduar në sens orar.

Gjatë kontrollit (inspektimit) vëzhgohet simetria e gjëndrave mamare, pamja sipërfaqësore, lëkura, pigmentimi, thitha dhe tërheqjet (rrudhjet) lëkurore.

  • Forma – është është diskoide apo konike (ndryshueshmëri fiziologjike).
  • Numri i gjinjve – përdoren termat: amasti, normomasti apo polimasti.
  • Numri i thithave – përdoren termat ateli, normoteli apo politeli.
  • Simetria (anizometria) – edhe pse shpesh simetria tregon apo “flet” për një jo-simetri fiziologjike të zhvillimit të gjinjve, rritja e vëllmit të një gjjiri mund t’i detyrohet një anomalie zhvillimi, pranisë së ndonjë cisti, mastitit apo ndonjë mase tumorale, të kufizuar apo të përhapur.
    Asimetria e gjinjve bëhet më e dukshme kur pacientja qëndron drejtë, në këmbë.
  • Vëllimi – përshkrimi i vëllimit realizohet duke përdorur termat: hipomasti, normomasti, hipermasti, gjigantomasti etj.
    Duhet të vëzhgohet nëse ka alteracione të profilit të gjëndrës; rilieve, mbufatje, tërheqje apo depresione.
  • Pamja sipërfaqësore – Duhet të vihet re dhe të sinjalizohet nëse ka rrjeta venoze të dukshme, eritema, ulçera, lëkurë si zhapë portokalli etj.
    Në rast mastiti, vihet re një skuqje e shpërhapur apo eritemë e lëkurës së gjirit. Një rrudhje (tërheqje) lëkurore lokale mund t’i detyrohet një tumori që prek ligamentet varës (mbajtës, pezullues) të gjëndrës.
Forma e gjinjve mund të jetë, ndër të tjera, diskoide apo konike.

Forma e gjinjve mund të jetë, ndër të tjera, diskoide apo konike.

Edema e gjoksit mund të jetë shprehi e një bllokimi të kanaleve limfatike të lëkurës, të cilat mund t’i detyrohen qelizave neoplastike.

  • Thithat – duhet vëzhguar vëllimi, forma, pigmentimi dhe simetria. Ndonjëherë në vend që të jenë të spikatura, të dala mund të jenë të tërhequra, të rrudhura. Mund të vëzhgohen ulçeracione bilaterale që zakonisht janë shprehje e një sëmundje dermatologjike beninje. Apo ulçeracione unilaterale që mund të jenë shprehi e një procesi malinj.
    Në inspektimin e thithave duket të vihet re dhe të referohet edhe mbi sekretimin e mundshëm dhe llojin e tij.
  • Tërheqja lëkurore – Për të dhënë një vlerësim të saktë mbi tërheqjen lëkurore të gjinjve duket mbajtur mend pak anatomi. Duhet mbajtur mend se gjëndra përshkohet nga ligamentet suspensorë (mbajtës) të Cooper-it. Kur këto ligamente tkurren si pasojë e pushtimit nga një masë tumorale, në sipërfaqe vihet re rrudhja e lëkurës.Ekzistojnë disa manovra për të bërë më evidente fenomenin e tërheqjes së lëkurës. Nëpërmjet tkurrjes së muskujve të kraharorit… njëra metodë kërkon që pacientja të shtypi pllëmbët e duarve përkundrejt njëra-tjetrës, në mënyrë që të forcohen dhe të tkurren muskujt e kraharorit. Metoda tjetër kërkon që pacientja të ushtrojë forcë në hijet e veta për të njëjtë arsye si më sipër. Këto manovra duhet të përsëriten më shumë herë për të eksploruar të katër kuadrantët e gjinjve.
Manovra për evidentimin e ndonjë tërheqjeje lëkurore

Manovra për evidentimin e ndonjë tërheqjeje lëkurore

Palpimi (prekja me dorë)

Palpimi, pra prekja me dorë e kraharorit, duhet të jetë sipërfaqësor dhe të kryhet me lkujdes të madh në mënyrë që ndonjë dëmtim të mos kaloj i pavëzhguar.

Palpimi (prekja me dorë) zakonisht realizohet “në spirale”, duke filluar nga thitha e mëpastaj duke kaluar nga kuadranti në kuadrant.

Në palpimin e thithës vlerësohet elasticiteti që, për shembull, në rast karçinomi subareolar humbet.

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) të zonës areolare të gjinjve, vlerësohet duke ushtruar presion, sekrecioni eventual dhe natyra e tij.

Gjëndra mamare – Prekja me dorë e gjëndrës realizohet pra në spiral, në sens orar. Pacientja duhet të qëndrojë shtrirë me shpinë ose në këmbë, me gjymtyrët e dipërme fillimisht të lënë të lirë anash hijeve e pastaj të ngritur mbi kokë.

Në palpimn e gjirit duhen vlerësuar disa karakteristika:

  • Konsistenca dhe elasticiteti – rritja e konsistencës dhe humbja e elasticitetit sygjerojnë një infiltrim të natyrës neoplastike në indin nënlëkuror të gjirit.
  • Dhembshmëria (dhimbje në prekje) – zakonisht është shenjë e një procesi flogjistik apo e një mastopatie cistike. Gjatë periudhës që paraprin menstruacionet mund të ketë dhimbje në prekje, e cila bën pjesë në kuadrin e “tensionit premenstrual”. Ndërsa dëmtimet dhe proceset malinje janë zakonisht jo të dhembshme.

Nëse gjatë palpimit (prekjes me dorë) të gjirit vihen re masa, tek to duhen vlerësuar dhe përcaktuar këto karakteristika:

  • Vendi – lokalizimi kryhet sipas katër kuadrantëve në të cilët ndahet gjëndra e gjirit.
  • Vëllimi – preferohet të jepet një vlerësim sipas tre drejtimeve, gjatësi, gjerësi dhe trashësi. Kështu gjatë ekzaminimeve të ardhshme mund të gjykohet në evolucion vëllimor në sens progresiv apo regresiv.
  • Konturnet – nëse janë të rregullt, të lëmuar, apo jo të rregullt, në formë ylli (kjo e fundit haset zakonisht në rast tumori malinj).
  • Konsistenca – e butë, e fortë, “gëlqerore”, etj…
  • Dhembshmëria (dhimbja gjatë palpimit) – të shihet më sipër.
  • Lëvizshmëria – duhet vlerësuar lëvizshmëria e masës së prekur si në planin sipërfaqësor ashtu edhe në atë të thellë. Kujtoj se pjesa më e madhe e dëmtimeve beninje janë të lëvizshme, ndërsa proceset apo dëmtimet malinje mund të jenë të lëvizshme në fazat e para por bëhen gjithnjë e më statikë, më pak të lëvizshëm në stadet e mëpasshëm, meqnëse infiltrojnë (pushtojnë) indet rrethues.

Palpimit (prekjes me dorë) duhet t’i bashkëngjitet edhe eksplorimi i gropave të sqetullave dhe të rajoneve mbiklaveare dhe çervikale. Ky hetim bëhet për të vlerësuar gjendejen e gjëndrave limfatike; nëse janë të zmadhuar, të shkrirë me njëri tjetrin, nëse ndihet dhimbje gjatë palpimit etj. Po ashtu vlerësohet migrimi apo invazioni i këtyre gëndrave limfatike nga qelizat kanceroze metastazike.

Auskultimi (dëgjimi)

Gjatë auskultimit (dëgjimit) të gjirit mund të dëgjohen “zhurma” të prodhuara nga arteria mamare e brendshme gjatë fazave të avancuara të shtatëzanisë apo gjatë ushqimit të foshnjes me gji (për shkak të kërkesës së rritur për gjak).

 

Ekzaminimi diagnostik

Termografia apo Teletermografia – bazohen mbi vlerësimin e temperaturës sipërfaqësore, lëkurore të gjëndrës. Një rritje e temperaturës me 2 gradë Celsius është shenjë e një procesi patologjik.

Ekografia mamare – kryhet me sondë me frekuencë të lartë (7,5 MHz). Ekografia mamare është një metodikë instrumentale e patëkeq e cil mund të përsëritet pa limit, pa i shkaktuar dëme pacientit. Mundëson evidentimin e nyjeve cistike apo të tumorale. Për këto të fundit duhet të vlerësohen edhe kriteret e beninjitetit apo malinjitetit.

Mamografia – ekzaminim radiologjik që realizohet në tre projeksione me ekrane të posaçëm mbrojtës për të zvogëluar ekspozimin. Mamografia mundëson vlerësimin e modifikimeve të opacitetit të trupit gjëndëror. Po ashtu mund të vlerësohen fryrjet (mbufatjet) e mundshme dhe natyra e tyre, beninje apo malinje.

© Rinstinkt, mbi tekstin

—————————————————————————————–