Francisco Goya dhe doktor Arrieta

Francisco Goya dhe doktor Arrieta

Një pikturë mbi raportin mjek-pacient

Në vitin 1819, piktori i famshëm spanjoll Francisco Goya (1746-1828) pëson një episod pamjaftueshmërie ventrikulare të majtë (kardiopati) me shumë gjasa me origjinë luetike. Goya me këtë rast duket se provon mbi vete një ndjenjë vdekjeje iminente, përtej simptomave të tjera si vështirësi në frymëmarrje, dobësi fizike etj.

Francisco Goya: Autoportret me doktor Arrieta-n

Autoportret me doktor Arrieta-n

Siç edhe na tregon piktura e F. Goya-s, pikturuar në vitin 1820, mjeku kurues ishte njëfarë doktor Arrieta, kurat e të cilit duket se i japin pacientit tonë një gjendje mirëqenieje minimale, duke rifituar disi normalitetin fiziologjik.

Duket se Goya ndjihet në detyrim ndaj mjekut të vet, Arrietës, e kështu i dedikon këtë pikturë (Autoportret me doktor Arrieta-n), si një falenderim i ndjerë.

Në fund të kuadrit mund të lexohet një shënim i cili thotë: “Goya, mirënjohës mikut të vet Arrieta-s: për aftësinë dhe vëmendjen me të cilën i shpëtoi jetën gjatë sëmundjes së vetë akute dhe të rrezikshme të lindur në fund të 1819 në moshën shtatëdhjetëetre vjeç.”

Pra një pikturë, pjesërisht autoportret i një njeriu në një gjendje të sëmurë dhe të vuajtur, dhe pjesërisht portret i mjekut kurues, empatik dhe i kujdesur për pacientin e vet. Në total, piktura është një fragment i pavdekshëm, një paradigmë, e raportit mjek-pacient. Mes mjekut dhe pacientit të sëmurë krijohet, jo vetëm brenda pikturës, një lidhje e pazgjidhshme, e vetme, e papërsëritshme, e saksionuar nga uniciteti i sëmundjes. Pacienti së pari, e mjeku më vonë, luftojnë të dy krahë për krahë për të luftuar së bashku sëmundjen – ndër të tjera, kështu na thotë edhe mjeku Hipokrat.

Në pikturë tregohet pacienti i ulur në shtrat, i vuajtur dhe me perceptimin e një vështirësie të madhe në frymëmarrje, me lëkurën e fytyrës, të ballit e të qafës të zbehtë e të djerësitur, me një sfumaturë mavi…

Dora e tij e majtë shtrëngon një anë të çarçafit sikur të kapej pas jetës; nga goja gjysmë e hapur duket se dalin gërgërima fine… të shkaktuara nga lëngu traksudativ – pasojë e rritjes së persionit në enët e gjakut mushkërore – i cili ngjitet lartë e më lartë nëpër bronke.

Nga pas qëndron mjeku Arrieta, i cili e mbërthen pacientin e pafuqi prej jakës së këmishës, duke e mbështetur e njëkohësisht i afron një gotë me ilaç – opium mendohet! – për ta qetësuar, për t’i lehtësuar frymëmarrjen dhe për të reduktuar bllokimin e mushkërive e rrugëve të ajrit nga traksudati.

Nga gjysmë-hija e sfondit duket se zgjasin lehtësisht fytyrën, disa entitete; një prift e mbase disa gra të plakura, që ngjajnë me figura funebre që mezi presin të qajnë pacientin tonë, me lëkurë mavi nga oksigjenimi i paktë i indeve të trupit e lëkurës. Sipas disa komenteve këto plaka simbolizojnë Parkat në boshtin e të cilave varet, sikundër një fill, edhe jeta e pacientit të sëmurë. Goya duhet të ketë qenë duke pritur vdekjen në ato momente, por duket se kurat e Arrieta-s e kanë surprizuar e dhuruar shëndet, të paktën akoma për disa vite.

Natyrisht, i sëmuri Francisco Goya e kalon këtë vështirësi, këtë krizë shëndetësore. Piktura në fjalë ishte një dhuratë për doktor Arrieta-n, dhe u realizua për ta falenderuar mjekun për “dhurimin” e jetës.

Goya jeton deri në prill të vitit 1828, duke na dhënë përveç këtij këtu, të cilin unë rrekem ta popullarizoj pak nëpërmjet këtyre rreshtave, edhe vepra e kryevepra të tjera të pikturës, disa nga të cilat paralajmërojnë ardhjen e impresionistëve të parë të gjysmës së dytë të shekullit të XIX.


[Versioni PDF: Goya dhe Arrieta]

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————————————–

Reklama