Burgim për guru-n alternativ

Kevin Trudeau, një guru i mjekësisë alternative, dënohet nga autoritetet amerikane me 10 vite burg

Kevin kush? Kevin Trudeau?

Kopertinë libri që ilustron se si z Trudeau i bënte reklamë/bujë bëmave të veta... "alternative".

Kopertinë libri që ilustron se si z Trudeau i bënte reklamë/bujë bëmave të veta… “alternative”.

Kevin Tudeau, i cili ka qenë dhe do të jetë simboli perfekt i atyre që duke shfrytëzuuar propagandën kundër mjekësisë zyrtare, të vetmes mjekësi, asaj të bazuar në prova dhe fakte, pra duke ngritur një propagandë kundër mjekësisë dhe mjekëve, shesin shpifësirat dhe sharlatanizmat e veta, duke i cilësuar si alternative.

Pikërisht ky Kevin Trueau ka marrë një dënim me 10 vite burg për mashtrimet e veta.

Një kurë alternative, nga guru Kevin Trudeau”, “Një dietë alternative nga guru Trudeau”, e kështu me rradhë… Të gjitha alternative, asnjë zyrtare, sepse sipas komplotomanëve, zyrtare do të thotë se është e mjekëve mazokistë, ose e big pharma-s, ose e ndonjë komploti që do të mbarështrojë njerëzit si me qenë lopë stallash.

Z. Trudeau është i famshëm në Amerikë meqë ka shitur një det me libra të tipit “Dieta që ‘ata’ nuk duan që ti të njohësh” apo “Kura natyrore që ‘ata’ nuk duan që ti të njohësh”… Kuptohet se me ‘Ata’ u referohet ‘klikave dhe aleancave të errëta’ mes mjekëve ‘të korruptuar’ dhe shtëpive farmaceutike. Shembull klasik i komplotomanisë, që këto kohët e fundit, më shumë se kurrë, gjen një përhapje të madhe edhe në Shqipëri, me njërëz dhe personazhe publikë që sheshin dieta, përqasje, mendime, të gjitha alternative, si zëvendësuese të fakteve dhe të vërtetave mjekësore e shkencore.

Duke shfrytëzuar adiencën e tyre, të përftuar jo nga dijet mbi mjekësinë por nga llafollogjia, këta personazhe publikë shërbejnë si shtojzovalle me pankarta ku reklamojnë alternativa si, gjëmbi i gomarit, krimba kinezë që kurojnë çekuilibrat e humoreve të trupit, muhabeti me shokun që kuron depresionin, soda e bukës që kuron kancerin apo një copë fekalesh elefanti që të ndihmojnë në pastrimin e trupit nga papastërtitë…

Megjithatë kthehemi sërish tek z. Trudeau, i cili ka qenë i dënuar më parë me një gjobë prej 2 milion dollarësh, për mashtrime të ndryshme. Kësaj radhe, për mashtrimet e veta, dënohet sërisht të paguajë një gjobë të kripur, dënim të cilin nuk e kryen, e kështu e fusin në burg për 10 vite.

Ndërkohë keqardhja është për ata të cilëve u ngrin buzëqeshja në fytyre kur marrin vesh se e kanë ngrënë sapunin për djathë. Por edhe më shumë keqardhje ka për ata që, edhe pas ndalimit të këtyre sharlatanëve mashtrues nga autoritetet amerikane, vazhdojnë dhe shikojnë ëndrra tek alternativat jo-shkencore.

Lajmi: TV pitchman Kevin Trudeau sentenced to 10 years in federal prison for bilking customers

——————————————————————————————–

Reklama

Shkencë dhe antishkencë

Shkencë dhe antishkencë

Antishkenca është “demokratike”, sepse duhet medoemos të plotësojë shkencën, atë të vërtetën, në ato që i mungojnë. Pra si anti-shkencë është “demokratike” duke qenë se mund të përthyhet nën vullnetin e masave. Antishkenca shpesh lind dhe ushqehet pikërisht nga emocionet e masave, nga dëshirat e tyre, nga ato dëshira irracionale që shkenca racionale nuk i kënaq dot, në të kundërt e thotë të vërtetën troç. Antishkenca e vë theksin tek rezultati, ndërsa shkenca tek metoda.

Antishkenca, siç thashë, mund të përthyhet para vullnetit tonë, duke na bërë të harrojmë se çdo herë që përplasemi me natyrën, me ligjet e universit, këtyre as që u bëhet vonë për pritshmëritë tona. Kështu, antishkenca nuk interpreton ligjet e natyrës ashtu siç janë, por i keqinterpreton, duke i sakatuar e deformuar sipas vullnetit, dëshirave dhe projeksioneve tona, duke mbyllur një ose të dy sytë mbi pasojat që kjo sjellje ka.

Shkenca nuk ndërtohet mbi opinione e aq më tepër nuk është demokratike, për shumë arsye. Demokracia nuk mund të aplikohet në shkencë, përndryshe kjo humbet autoritetin e vet mbi përshkrimin dhe interpretimin e realitetit dhe bëhet vetëm një përkthyese ëndrrash irracionale, sikundër antishkenca.

Shkenca nuk i ka qejf formulimet absolute e nuk njeh princip autorteti; me metodologjinë e saj, të mban të mbërthyer pas realitetit të ftohtë e të ashpër. Antishkenca të çon ku të duash, të bën të ndihesh i mbështetur nga “autoritetet”, të jep kiartësi absolute e nuk të detyron të logjikosh në terma probabiliteti e dyshimi. Të gjithë do të donin të besonin në një gjë të tillë…

Duam që të ekzistojë një kurë universale me efektshmëri 100% për të gjitha format e kancerit, që të gjendet në bahçen tonë, pa nevojë për kërkime të kushtueshme, pa implikime etike, pa efekte anësore… ja që shkenca nuk e ofron dot këtë zgjidhje, as nuk pretendon ta ofrojë. Këtu futet në lojë antishkenca, me ofertën e saj… mirëbërëse, të magjishme. Nëse kjo ofertë është e realizueshme apo jo, kjo pak rëndësi ka. Detaje të vogla, krejt të parëndësishme.  😉

 

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————–