Shpretka, anatomia dhe fiziologjia normale; Patologjitë më të shpeshta të shpretkës

Shpretka: anatomia dhe fiziologjia normale e shpretkës

Shpretka anatomikisht dhe fiziologjikisht përbën një filtër për gjakun dhe një vend për reagimet imunitare ndaj antigjeneve të sjellë nga gjaku.

Normalisht, tek i rrituri, shpretka ka një peshë prej 150 gramësh dhe është e kufizuar nga një kapsulë gri e shndritshme prej indi lidhor.

Struktura e shpretkës (Thieme)

Struktura e shpretkës (Thieme)

Në një prejrje tërthore, sipërfaqja e prerjes tregon një palcë të kuqe mjaftë të përhapur me gjurmë (si pika) të vogla gri, që janë shakujt e shpretkës (Malpighianë), të palcës së bardhë.
Këta janë të përbërë nga një arterie me një qafëz jashtëqëndërzore prej lnfocitesh T, e ashtuquajtura veshje linfatike rretharteriolare. Në intervale, kjo veshje zgjerohet për të formuar nyje linfatike të përbbërë kryesisht nga linfocite B, që janë në gjendje të transformohen – në përgjigjje të stimulimit antigjenik – në qendra germinative (burimore?) identike me ato të vëzhguara në linfonyjet e tjera të organizmit.

Palca e kuqe e shpretkës tejkalohet nga një shumësi sinusoidësh vaskularë me mure të hollë, të ndarë nga kordontet e shpretkës, të quajtur edhe kordone të Billroth-it.

Veshja endoteliale e sinusoidëve është jo e vazhdueshme, pra me ndërprerje, dhe u mundëson qelizave hematike të kalojnë mes sinusoidëve dhe kordoneve. Kordonet përmbajnë një labirint makrofagësh të ndërlidhur nëpërmjet procesesh dentritike që krijojnë një filtër fizik dhe funksional.

Nëpër palcën e kuqe të shpretkës, gjaku ndjek dy rrugë për të mbërritur në venat e shpretkës.  Një pjesë rrjedh nëpërmjet kapilarëve të kordoneve të shpretkës, nga ku mëpastaj gradualisht filtron jashtë në sinusoidët që e rrethojnë për të mbërritur tek venat (e shpretkës); ky është i ashtuquajturi qarkullim “i hapur” apo kompartiment i ngadaltë.
Rruga tjetër që ndjek gjaku, është një qark “i mbyllur” në të cilin gjaku kalon me shpejtësi dhe drejtëpërdrejtë nga kapilarët në venat e shpretkës.

Edhe pse një pjesë e vogël e gjakut, që hynë në shpretkë, ndjek rrugën e hapur, në harkun e një dite i gjithë vëllimi hematik kalon përmes shtretërve të filtrimit të kordoneve të shpretkës, ku qelizat hematike (të gjakut) i nënshtrohen inspeksionit nga makrofagët e palcës së kuqe.

Shpretka kryen katër funksione që mund të marrin një rol të rëndësishëm në kushte të ndryshme patologjike; ato janë:

  • Fagocitoza e qelizave hematike dhe e materialit thërrmijor. Rruazat e kuqe të gjakut (eritrocitët) kur kalojnë nëpër kordonet dhe sinusoidët e shpretkës pësojnë një deformim ekstrem. Në kushtet kur elasticiteti eritrocitar është i  zvogëluar, eritrocitët mbeten të ngecur, të bllokuar në kordonet e shpretkës nga ku fagocitohen menjëherë nga makrofagët. Makrofagët e shpretkës janë përgjegjës edhe për “pitting-un” (shpimin) e rruazave të kuqe, proces me anë të cilit largohen inkluzione sikundër trupat e Heinz-it dhe të Howell-Jolly-t, dhe materiali thërrmijor që gjendet në gjak, si bakteret.
  • Prodhim i kundërtrupave. Qelizat dentritike të pranishme në veshjen linfatike rreth-arteriolare kapin (bllokojnë) antigjenet dhe i paraqesin (prezantojnë) tek linfocitet T. Ndërveprimi mes qelizave B dhe T, në skajet e shakujve (folikujve) të palcës sëë bardhë të shpretkës, shpie në prodhimin e plazmaqelizave, që vendosen më së shumti në gjinjtë e palcës së kuqe.
  • (Gjakpërftimi) Hemopojeza. Gjakpërftimi nga shpretka normalisht ndalon përpara lindjes, por mund të riaktivizohet në raste anemish të rënda.
  • Sekuestrimi i qelizave hematike të pjekura. Shpretka normalisht përmban vetëm 30-40 ml eritrocite, por ky vëllim mund të rritet shumë në prani të splenomegalisë (zmadhimit të shpretkës). Shpretka normalisht mban edhe rreth 30-40% të masës së pllakëzave të gjakut (trombocitëve). Në rast zmadhimi të shpretkës (splenomegalie), mund të sekuestrohet, në hapësirat ndërqelizore të palcës së kuqe, deri në 80-90% e masës totale të pllakëzave duke shkaktuar trombocitopeni, pra zvogëlim të trombociteve në gjak. Në mënyrë analoge një shpretkë e zmadhuar mund të sekuestrojë një numër të tillë leukocitesh (qelizash të bardha të gjakut) sa të shkaktojë leukopeni.

Si përfundim, meqënëse shpretka është një njësi më e madhe e sistemit të fagocitëve-mononukleatë, ajo përfshihet në të gjitha infiamacionet sistemike, në sëmundjet e gjeneralizuara të gjakpërftimit dhe në shumë shqetësime metabolike. Në çdonjë prej këtyre gjendjeve, shpretka pëson zmadhim të përmasave të veta, pra splenomegali, që është manifestimi kryesor i patologjive të këtij organi. Shpretka rrallëherë përbën vendin primitiv të një sëmundje.

Sëmundjet që më shpesh prekin shpretkën

Spelnomegalia (zmadhimi i shpretkës)

Nëse shpretka arrin në përmasa mjaftë të mëdha, shkakton, në kuadrantin abdominal të sipërm të majtë, një ndjenjë peshe (sikur diçka peshon); dhe, për shkak të presionit të ushtruar mbi stomak nga zmadhimi i shpretkës një ngacmim pas të ngrënit.

Për më tepër, rritja e përmasave të shpretkës mund të shkaktojë një sindromë të quajtur si hipersplenizëm, e karakterizuar nga anemi, leukopeni, trombocitopeni, veças apo në kombinime të ndryshme.

Shkaku më probabël i citopenive  sëthë rritja e sekuestrimit të këtyre qelizave hematike dhe rritja e mëpasshme e fagocitozës nga ana e makrofagëve të shpretkës.

Shkaqe të splenomegalisë (zmadhimit të shpretkës)

Rritja e vëllimit të shpretkës lind në çdonjë infeksion të shpërhapur me rrugë hematike. Reaksioni splenik jospecifik në këto infeksione shkaktohet si nga agjentët mikrobikë vetë ashtu edhe nga citokinat që lëshohen si pjesë e përgjigjes imunitare.

Bllokimi venoz kronik shkakton një formë të zmadhimit të shpretkës. Bllokimi venoz mund t’i detyrohet patologjive intrahepatike, që vonojnë drenazhin venoz portal, apo  patologjive ekstrahepatike, që ndërhyjnë drejtëpërdrejtë me  venat portë dhe splenike.

Shpretka mund të zmadhohet edhe në rast bllokimi venoz sistemik apo qëndror.

Cirroza hepatike është shkaku kryesor i spelnomegalisë (zmadhimit të shpretkës). Fibroza hepatike shkakton splenomagali. Edhe procesi i shpërhapur i vrajëzimit fibroz që ndodh, apo pason, rastet e cirrozës alkolike dhe të cirrozës hemokromatozike  shkakton një rritje të vëllimit të shpretkës.

Anomalitë e bashkëlindura

Mungesa e plotë e shpretkës është e rrallë dhe përgjithësisht lidhet me anomali të tjera të bashkëlindura, si situs viscerum inversus dhe keqformime kardiake. Hipoplazia haset më shpesh.

Shpretkat aksesore, shtesë, janë të shpeshta, duke qenë se janë të pranishme, të vetme apo të shumëfishta, në 20-30% të ekzaminimeve autoptike.
Shpretkat aksesore janë struktura sferike, histologjikisht dhe funksionalisht identike me shpretkën normale. Mund të gjenden në çdo pjesë të zgavrës abdominale. Shpretkat aksesore janë të një rëndësie të madhe në disa patologji hematologjike, si sferocitoza e trashëgueshme, në të cilat splenektomia (heqja e shpretkës) përdoret si trajtim.

Nëse një shpretkë aksesore injorohet apo nuk identifikohet në momentin e ndërhyrjes splenektomike, benefici terapeutik që vjen nga heqja e shpretkës së vërtetë e të mirëfilltë mund të zvogëlohet apo të zhduhet plotësisht.

Thyerja e shpretkës

Thyerja e shpretkës  përgjithësisht shkaktohet nga trauma të dukshëm, ndonjëherë masivë.

Më rrallë thyerja e shpretkës vihet re edhe në mungesë aparente të ngjarjeve traumatike.

Thyerja e shpretkës është një ngjarje dramatike që shpesh precipiton në një emorragji brendaperitoneale, e cila duhet të trajtohet menjëherë me heqjen e shpretkës (splenektomi) për të parandaluar vdekjen nga shoku hemorragjik.

Shpretkat me vëllim të rritur kronik, janë pak të ndjeshme ndaj thyerjes për shkak të fenomeneve të fibrozës raktive që shpien në një trashje e kështu në një fortësim të kapsulës e palcës së shpretkës.

[Të pëlqeu postimi? Atëhere vendos një “Like” tek Faqja e Blogut në Facebook]

Reklama

Semeiotika abdominale

Semeiotika abdominale

Si fillim lipsen disa koncepte anatomie topografike me anë të cilave të orientohemi në kuptimin e simptomave dhe shenjave.
Në pamjen ballore rajoni abdominal përket me zonën që qëndron apo shtrihet nën diafragmë. Duke përdorur disa linja, jo edhe aq imagjinare, rajoni abdominal mund të ndahet në disa kuadrante.

Kuadrantët abdominalë

Këtu, do të përshkruaj vetëm ndarjen në nëntë (9) kuadrante e cila përftohet nda ndërprerja e katër linjave.
Për këtë nevojitet linja paraqëndrore e cila shtrihet midis linjës së mesme dhe asaj që kalon nga gjëmbi* iliak antero-superior. Në gjysmë-abdomenin e djathtë ndërprerja e kësaj linje me harkun brinjor ndodh në nivelin e kërcit të brinjës së IX dhe identifikon pikën paraqëndrore, që përket me fundin apo bazën e fshikëzës së vrerit.
Nevojiten linjat horizontale transpilorike (ndërpilorike) e cila shtrihet ekzaktësisht midis gropës jugulare (zgjedhore të qafës) dhe pubisit. Në pikën e vetë mesatare identifikon trupin e vertebrës së parë lumbare. Linja transgungëzore, e cila kalon mbi dy gungëzat iliake e në pikën e vetë më të mesme identifikon trupin e vertebrës së pestë lumbare.

Emërtimi i nëntë rajoneve të kuandrantëve abdominalë

Fasha e sipërme përbëhet nga hipokondri i djathtë, epigastri, dhe hipokondri i majtë.
Fasha e mesme përbëhet nga ija e djathtë, mezogastri apo zona rreth-ombelikale dhe ija e majtë.
Fasha e poshtëme përbëhet nga gropa ilake e djathtë, hipogastri dhe gropa iliake e majtë.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Dy ndarje alternative të sipërfaqes abdominale në kuadrante.

Ekzaminimi objektiv i abdomenit

Si për cdo aparat apo organ tjetër, edhe për aparatin tretës apo më mirë të them, abdomenin në përgjithësi (meqë në zgavrën abdominale ndohen edhe organe të tjerë si pankreasi, shpretka, organet gjinore etj), ndiqet sekuenca e inspektimit (hetimit), palpimit (prekjes), perkusionit (goditjes) dhe auskultimit (dëgjimit).

Inspektimi i abdomenit

Gjatë inspektimit të rajonit abdominal duhet të vlerësohen gjendja e lëkurës; për shembull të shihet nëse ekzistojnë vraja apo shenja të lëna nga ndërhyrje të mëparshme kirurgjike, ndryshime të nuancës natyrore të lëkurës etj.
Duhet të shihet nëse ekzistojnë fryrje apo mbufatje jo simetrike apo qoftë edhe simetrike.
Duhet të shihet nëse abdomeni është i fryrë, jashtë normalitetit të subjektit që kemi përballë apo nëse fryrja është pjesë normale e konstitucionit të tij. Të shihet nëse kjo fryrje mund t’i detyrohet meteorizmit apo ndonjë derdhjeje apo akumulimi lëngu në kavitetin peritoneal. Abdomeni që i ngjan barkut të një bretkose (batrakos) me kërthizën të sheshuar apo të nxjerrë jashtë (pra, jo normale) apo prania e qarkullimit hematik kolateral të tipit “caput medusae” janë shenja të një akumulimi lëngjesh në këtë kavitet.
Siç edhe e përmenda më sipër, abdomeni “i fryrë” mund t’i detyrohet edhe shëndetit të subjekt-pacientit, i cili manifestohet kryesisht në rajonin abdominal; në këtë rast kërthiza do të jetë normale, pra e brenda-futur.
Po ashtu një fryrje e abdomenti mund të jetë shenjë e një bllokimi intestinal, pra e bllokimit të zorrëve.

Palpimi (prekja) e abdomenit

Palpimi i rajonit abdominal mund të jetë sipërfaqësor apo i thellë. Palpimi kryhet me pëllëmbën e dorës, e kryesisht me sipërfaqen e brendshme të gishtrinjëve, por duke treguar kujdes për të aplikuar presion në mënyrë uniforme me të gjithë pëllëmbën e jo me majat e gishtave.
Gjatë palpimit eksplorohen sektorët e ndryshëm (kuadrantët abdominalë). Palpimi ka dy qëllime kryesore: së pari lokalizimin e dhimbjeve sponten apo të provokuara dhe lokalizimin e organeve abdominal të eksplorueshëm dhe gjykimin mbi ndonjë zmadhim eventual të këtyre apo praninë e masave brenda-abdominale.
Ndonjëherë palpimi, prekja e abdomenit (barkut) nuk mund të kryhet me lehtësi meqënëse disa subjekte janë veçanërisht të ndjeshëm dhe mund të ushtrojnë rezistencë nëpërmjet tkurrjes së muskujve abdominalë. Ndjeshmëria e subjektit mund t’i detyrohet edhe dhimbjes së shkaktuar nga prekja e ekzaminatorit. Në këto raste thuhet se abdomeni është jo i prekshëm; ky fakt paraqitet edhe në kartelën apo dokumentin e shtrimit të pacientit.

Palpimi i mëlçisë – prekja e mëlçisë

Kur pacienti nuk ka probleme nga mëlçia, pra kur mëlçia është me përmasa fiziologjike, ajo mund të preket vetëm duke e ftuar pacientin të kryejë një frymëmarrje të thellë. Frymëmarrja e thellë me tkurrjen e diafragmës bën që kjo e fundit të zbresë poshtë duke ushtruar presion mbi oranet nën-diafragmatike, e kështu edhe mbi mëlçinë që gjendet në krahun e djathtë, menjëherë nën diafragmë. Si pasojë mëlçia zbret poshtë dhe mund të preeket nga mjeku ekzaminator.
Manovra e përshkruar më sipër mundëson që gjatë prekjes së mëlçisë të perceptohet konsistenca dhe parregullsi eventuale të saj.
Mëlçia, kur ka një konsistencë normale, që përkufzohet si parenkimatoze, i shpëton prekjes; ndërsa rritja e konsistencës hepatike, që është ndër të tjera edhe parametër klinik i një rëndësie të veçantë, bën që mëlçia të perceptohet lehtësisht.
Gjatë palpimit të mëlçisë, skaji i poshtëm ndiqet në të gjithë gjatësinë e tij, deri në kufirin e majtë. Kur jemi përballë një rasti zmadhimi që mëlçisë, pra hepatomegali, për të treguar gradën e zmadhimit përdoret vendosja e gishtave në mënyrë trasversale me harkun brinjor. Për shembull, hepatopatitë kronike të cilat shpesh evoluojnë në cirozë japin hepatomegali.

Palpimi i shpretkës – prekja e shpretkës

Në kushte normale shpretka nuk mund të preket meqënëse është e mbuluar, nga brinjët. Palpimi (bimanual) mund të kryhet vetëm në rast zmadhimi të shpretkës, splenomegali, e ka një rëndësi të madhe semeiologjike meqënëse jep të dhëna mbi konsistencën dhe madhësinë e organit në fjalë.

Perkusioni i abdomenit

Gjatë perkusionit të abdomentit, në përgjithësi dëgjohet një tingull timpanik për shkak të një sasie të vogël ajri të ndodhur në tubin tretës. Timpanizmi është shumë më evident në zonën që përket me projektimin e stomakut në sipërfaqen abdominale – e ashtuquajtura zona gjysmëhënore e Traubes.
Perkusioni i abdomenit kryhet me pacientin që qëndron i shtrirë me shpinë. Goditjet jepen në mënyrë rrezore përgjithësisht duke filluar nga kërthiza e duke vazhduar më pastaj drejt periferisë.

Auskultimi i abdomenit

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Ekzaminimi i rajonit abdominal

Gjatë auskultimit të abdomenti mund të dëgjohen zhurmat që i detyrohen aktivitetit peristaltik, të cilat zhduken në rast ileumi paralitik. Po ashtu mund të dëgjohen zhurma vaskulare, fishkëllima që i detyrohen stenozave, për shembull të arteris veshkore apo mezenterike, apo aneurizmave të aortës abdominale.

Rinstinkt Rat, 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————-

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Punktura lumbare dhe anestezia epideurale

Punktura lumbare dhe anestezia epideurale

Nga lëngu cerebrospinal mund të përftohet dhe ekzaminohet një mostër duke kryer një punkturë (shpim) lumbare.

punktura lumbareGjilpëra futet në hapsirën subaraknoidale të cisternës lubare, në mesvijë midis proceseve spinalë të vertebrave L3 dhe L4 apo midis proceseve spinalë të vertebrave L4 dhe L5.

Duke qenë se palca kurrizore (apo spinale) përfundon afërsisht në nivelin L1, L2 gjilpëra e futur në nivelet e shtyllës kurrizore të përshkruar më sipër nuk do ta dëmtojë palcën kurrizore.

Punktura lumbare mund të kryhet për të përftuar një mostër të lëngut cerebrospinal, ose për të kryer anestezinë epidurale. Kjo e fundit realizohet duke futur në hapsirën epidurale (mbi dura meter) agjentë anestetikë, duke anestetizuar fibrat nervore të cauda equina-s.

Anestezia epidurale është një formë e njohur e anestezisë që përdoret gjatë lindjeve në vendet Perëndimore. Anestetiku epidural infiltrohet nëpër trastën epidurale për të mbërritur në rrënjët e nervave duke i bërë të pandjeshëm.

Rinstinkt

—————————————————————————

Hernia e diskut intervertebral

Hernia e diskut intervertebral (Hernia diskale)

Disqet intervertebralë janë të përbërë nga një zonë qëndrore prej kolagjeni dhe proteoglikanësh të hidratuar, e ashtuquajtura nucleus pulposus, e cila nga ana e saj është e rrethuar nga fletëza bashkëqëndrore të përbëra nga fibra kolagjeni që përbëjnë anulus fibrosus.

Nucleus pulposus është i hidratuar dhe vepron si “thithës shocku”, duke u shtypur në prani të peshës dhe duke u relaksuar kur kjo largohet.

hernia e dikut intervertebror - hernia diskale, nucleus pulposus, anulus fibrosus

Anatomia patologjike e Hernies Diskale (© Netter)

Me kalimin e kohës mund të ndodh që anulus fibrosus të dëmtohet, nga ciklet e vazhdueshme të kompresionit dhe relaksimit, gjë që lejon daljen, pra hernien, e nucleus pulposus xhelatinoz.

Ky proces zakonisht ndodh kur individ plaket ngase bërthama xhelatinoze e disqeve ndërvertebrorë dehidratohet dhe transferon më shumë forcë drejt anulus fibrosus-it. Pikërisht ky stress i shtuar shkakton hollimin progresiv dhe mëpastaj dëmtimin e anulusit.

Shumica e hernieve diskale ndodhin në drejtimin posterolateral ngase pas disqeve ndërvertebrorë, pra pas trupit të vertebrave kalon në mënyrë gjatësore ligmenti gjatësor i pasëm (posterior longitudinal ligament) i cili në nëjfarë mënyrë përforcon rolin e anulus fibrosus.

Herniet diskale ndodhin më së shumti në pjesën çervikale të shtyllës kurrizore, veçanërisht në nivelet C5-C6 dhe C6-C7, që shkaktojnë dhimbje në shpatull dhe gjymtyrën e sipërme. Po ashtu janë të shpeshta edhe herniet diskale që prekin nivelet L4-L5 dhe L5-S1 të shtyllës kurrizore lumbare.
Duhet të saktësoj se herniet diskale të pjesës lumbare të shtyllës kurrizore janë, në terma absolutë, më të shpeshtat dhe rezultojnë në dhimbje të artikulacionit sakroiliak, të pjesës së pasme të kofshës dhe të këmbës.

Rinstinkt, 2013

——————————————————————-