Njeriu me mëlçinë e artë

Njeriu me mëlçinë e artë 

Para ca kohësh shkruajta mbi mënyrën se si e preferonte pijen agjenti sekret britanik James Bond. Një Martini, i tundur jo i trazuar.

Sot, do të shkruaj mbi disa të dhëna të reja, konkluzione të një studimi shkencor të botuar në British Medical Journal vetëm pak ditë më parë, 12 dhjetor 2013.

mëlçi e artëAutrorët e studimit i kanë nxjerrë të dhënat e analizuara duke lexuar dhe hetuar nëpër librat e Flemingut, krijuesi i Bondit. Kështu dy nga autorët e studimit për të cilin po shkruaj kanë lexuar çdonjëri nga 7 libra; në total 14 duke përjashtuar “The Spy Who Loved Me and Octopussy” dhe “Living Daylights” (tregime) meqënëse tek njëra Bondi shfaqet vetëm si një figurë periferike, ndërsa tek tjetra sepse nuk ka të dhëna të mjaftueshme. Gjatë leximit kanë mbajtur shënime në mënyrë sistematike.

Konkluzioni i autorëve është se James Bondi pinte shumë, po shumë ama saqë mund fare mirë të klasifikohet si pijanec i kategorisë së tretë (standarde britanike). Kështu dyshimi nëse Bondi ishte thjeshtë një njohës i mirë i pijeve pa qenë pijanec apo nëse ishte efektivisht pijanec e kështu edhe njohës i mirë mund të themi se merr fund.

Autorët e studimit, duke lexuar dhe hetuar imtësisht me sens kritik nëpër librat e 007 gjetën se agjenti sekret britanik pinte mesatarisht 92 njësi alkoli në javët kur ishte në mision. Konsumi ishte i ekzagjeruar në dy misione në veçanti, në “You Only Live Twice” dhe mëpastaj “On Her Majesty’s Secret Service”, përkatësisht 225.8 dhe 179.8 njësi alkoli.

Agjenti 007 me mënyrë e vet të të bërit të gjërave rezulton një njeri krejt i papërgjegjshëm; sa më shumë pije alkolike konsumohen mbi një kufi të caktuar, aq më shumë ritet rreziku për të zhviluar patologji si ciroza hepatike, helmimi apo edhe forma malinje.

Edhe pse akti i të pirit tek filmat e 007, në mbrëmjet festive apo edhe nëpër diskoteka ku gumëzhojnë rinia na shfaqet në një sens integrimi në aktivitetin përkatës, njëfarë kufiri që duhet kaluar për ta gëzuar festën edhe më shumë, konsumimi i tepruar i alkolit është një problem shoqëror në të gjithë botën; i cili problem shkakton skajëzim shoqëror, vuajtje, vdekje…

Për t’u rikthyer tek “zero zero shtata”: autorët e studimit mbi bazën e të dhënave të nxjerra nga leximi i librave, shtrojnë një tezë interesante. Mendojnë se James Bondi i kërkonte pijet e veta të tundura e jo të trazuara (shaken, not stirred) ngase ishte i paaftë që t’i trazonte për shkak të dridhjeve që mund të ketë patur 007 nga konsumimi i pakriter i alkolit.

Të dhënat tregojnë se dridhja esenciale mund të lehtësohet nga doza të vogla alkoli; ndërsa të tjera të dhëna tregojnë se ata që konsumojnë doza të larta alkoli kanë katër herë më shumë mundësi që të shfaqin dridhje të gjymtyrëve. Raportohet se kjo vjen ngaqë helmet, toksinat, alkoli shkaktojnë dëme në trurin e vogël, i cili është aktori dhe modulatori më i rëndësishëm i lëvizjeve.

Përfundimet që dalin nga analiza janë të qarta: konsumi i alkolit nga 007 është katër herë më i lartë se niveli i këshilluar për një mashkull të pjekur. 007 ka një rrezik të lartë për të zhvilluar cirozë hepatike, impotencë apo indicente të tjera, si ai që Bondi pësoi në misionin Casino Royale. Për më tepër që impotenca e shkaktuar nga alkoli do t’i ulte shumë pikë si joshës femrash.

Ndër të tjera autorët e studimit, thonse se, e kuptojnë që kur punon me terroristë ndërkombëtarë të cilët tentojnë të godasin Mbretëreshën dhe më tej gjithë Botën, nivelet e stresit dhe presioni shoqëror për të pirë alkol është i lartë por do t’i sugjeronin që ta ulte konsumimin e alkolit në nivele më të moderuara, për të mirën e tij dhe tonën.

Bibliografia:

  • Were James Bond’s drinks shaken because of alcohol induced tremor? – BMJ 2013;347:f7255 doi: 10.1136/bmj.f7255
  • Rehm J, Gmel G, Sempos CT, Trevisan M. Alcohol-related morbidity and mortality. Alcohol Res Health 2003;27:39-51.
  • Louis ED, Benito-Leon J, Bermejo-Pareja F. Population-based study of baseline ethanol consumption and risk of incident essential tremor. J Neurol Neurosurg Psychiatry 2009;80:494-7.
  • National Institute for Neurological Disease and Stroke. Tremor fact sheet. http://www.ninds.nih.gov/disorders/tremor/detail_tremor.htm.
  • Azagba S, Sharaf M. The effect of job stress on smoking and alcohol consumption. Health Econ Rev 2011;1:15.

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

 —————————————————————————————–

I tundur, jo i trazuar!

I tundur, jo i trazuar!

Përse James Bondi është kaq jetëgjatë?

“I tundur, jo i trazuar”, thënë kështu, mund të mos thotë asgjë prej gjëje. Nuk besoj se ndonjë ka shkruar apo folur, ndonjëherë për të. Ndërsa mua, dhe shumë të tjerëve, si fansa të librave, filmave, pra historive me spiunazh, diçka na thotë, patjetër.

James Bond - a eshte Martini qe ka ndikuar ne jetegjatesine e 007

I tundur, jo i trazuar

Bëhet fjalë për një togfjalësh të përsëritur qindra, nëmos mijëra herë, nëpër serinë e gjatë të historive të agentit më të famshëm të spiunazhit botëror.
Flas, padyshim, për 007. Për James Bondin e Ian Fleming; agjenti i shërbimeve sekrete britanike, pija e preferuar e të cilit ishte Martini. Mënyra e pregatitjes: Shaken, not stirred! (I tundur, jo i trazuar!) – të paktën ajo që mbizotëruesja.

Fraza haset për herë të parë në romanin e katërt të serisë së Fleming-ut, Diamonds are Forever (1956), por nuk del drejtëpërdrejtë nga goja e 007; ky e thotë këtë frazë vetëm në romanin e gjashtë, atë të vitit 1958, “Dr. No”.

Ndërsa duket se hera e parë kur shprehja haset në versionin kinematografik të 007 është tek filmi Goldfinger (1964), me të famshmin Sean Connery, i cili thotë: “Just a drink. A Martini, shaken, not stirred.”

Por a mund njeri vallë të shpjegojë këtë jetëgjatësi të spiunit 007?

Mbase. Le të shohim…

Disa biokimistë të departamentit të Biokimisë në Universitetin e Western Ontario në Kanada, kanë zhvilluar, kohë më parë, një studim mbi vetitë e Martinit të tundur, dhe jo të përzier. Bëhet fjalë për vetitë antioksiduese të pregatitjes në fjalë të pijes. Nga studimi rezultoi se Martinit e tundur ishin më të aftë në thyerjen e peroksidit të hidrogjenit, duke lënë mbas vetëm 0.072% të tij. Martini i trazuar linte pas të pathyer 0.157% të peroksidit të hidrogjenit.[1]

Studimi i sipërcituar u realizua sepse dukej që konsumimi i moderuar i pijeve alkolike reduktonte rrezikun/probablitetin për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, kataraktit etj. ndoshta falë veprimit aktioksidues të përbërësve të pijes (flavonoid apo polifenol).[2][3] Nga aty edhe krahasimi, i mëtejshëm i veprimtarisë antioksiduese, i të tundurit me të trazuarin.

Duket se kjo është arsyeja se përse James Bondi është ende në formë, pas gjithë kësaj kohe të gjatë. 🙂

Këtu gjendet një video-kolazh fantastik, me normalitetin e “Shaken, not stirred” dhe nja dy episode ndryshueshmërie, të diktuara nga rrethanat. 😀

Bibliografia:

[1] Hirst, M.; Trevithick, J. R. (18 December 1999). “Shaken, not stirred: bio-analytical study of the antioxidant activities of martinis”. British Medical Journal 319 (7225): 1600–2.
[2] Klatsky AL. Epidemiology of coronary heart disease—influence of alcohol. Alcohol Clin Exp Res 1994;18:88­96.
[3] Clayton RM, Cuthbert J,Duffy J, Seth J, Phillips CI, Bartholomew RS, et al. Some risk factors associated with cataract in S E Scotland: a pilot study. Trans Ophthalmol Soc UK 1982;102:331­6.

© Rinstinkt, Gusht 2013

——————————————————————–