Truri i femrave zvogëlohet gjatë shtatëzanisë

Gjatë shtatëzanisë truri i femrave zvogëlohet në përmasa. Kjo është arsyeja pse disa femra gjatë kësaj periudhe mund të vënë re se kanë deficite tepër tepër të vogla në kryrjen e disa detyrave, si për shembull të kujtuarit e çështjeve nga një listë që kanë studiuar, apo të mbajturit mend për të bërë diçka në të ardhmen.
Pas përfundimit të periudhës së shtatëzanisë dhe nxjerrjesë së bebes, duhen deri në gjashtë muaj kohë që truri i femrës të fitojë sërisht përmasat e veta origjinale.

12-pregnancy-brain

Burimi:

  • Change in brain size during and after pregnancy: study in healthy women and women with preeclampsia. Oatridge A, Holdcroft A, Saeed N, Hajnal JV, Puri BK, Fusi L, Bydder GM. AJNR Am J Neuroradiol. 2002 Jan;23(1):19-26.

Tjetërsimet e lëngut cefalo-rakidian në rast meningjiti

Tjetërsimet e lëngut cefalo-rakidian në rast meningjiti

Meningjiti është një proces infiamator e cipëzave (të holla) të trurit, që shkaktohet nga vendosja e drejtëpërdrejtë e një agjenti infektiv mbi to.

Një ndër testet apo më mirë të them procedurat kryesore që kryhen për të marrë të dhëna mbi procesin e dyshuar meningjitik është edhe rakicenteza -në mënyrë që të nxirret një sasi e caktuar lëngu cefalo-rakidian dhe të ekzaminohet.
Lëngu cefalo rakidian është i rëndësishëm, madje thelpësor, për të kryer një diagnozë korrekte të meningjitit, dhe akoma më tej, një diagnozë etiologjike korrekte, sepse duhet identifikuar edhe agjenti shkaktar për ta trajtuar me skemën e duhur kemioantibiotike.

I vetmi element që mund të na ndalojë së ekzekutuari këtë procedurë mjekësore është dyshimi që mund të lindi nga shenja dhe simptoma që flasin për një proces brendakafkor ekspansiv (zgjerues). Ekzekutimi i procedurës në një gjendje të tillë do të shkaktonte një herniacion të elementit nervor për shkak të presionit të rritur që ekziston në kavitetet ku qëndron dhe qarkullon lëngu cefalo-rakidian.

Kështu, për të larguar këto dyshime, në rast se ato ekzistojnë, ekzekutohet më parë një elektroencefalogram, një ekzaminim i fundit të syrit ose një TC trunore.

 

Lëngu cefalo rakidian LCR në gjendje normale

Lëngu cefalo-rakidian në gjendje normale paraqitet i kthjellët (si ujë shkëmbi, pra i qartë); ka një presion që shkon nga 8 deri në 14 cm H2O në rast se gjatë procedurës pacienti qëndron shtrirë në brinjë; përmban proteina, glukoz dhe kripëra, në sasi të tilla që vështirë se mund të përkufizohet një kufi ndryshueshmërie normale, meqë ndryshojnë nga pacienti në pacient dhe për më tepër janë në varësi të përqëndrimeve përkatëse hematike.

4 provëza me lëng cefalo rakidian normal

4 provëza me lëng cefalo rakidian normal

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për qelizat që mund të gjenden brenda lëngut cefalo-rakidian, të cilat nuk duhet të kalojnë 3-5 elementë/mm3.

Në rast meningjiti, që në momentin e rakicentezës mund të merret një konfirmim i parë mbi këtë dyshim diagnostik, pjesërisht për shkak të presionit likuoral të rritur, pjesërisht për shkak të pamjes së LCR-së që na mundëson të orientohemi drejt njërit prej dy grupeve kryesore: meningjit me LCR të kthjellët dhe meningjit me LCR të turbullt.

 

Meningjit me LCR të turbullt

Në këto raste meningjiti, lëngu cefalo rakidian është i turbullt ose i qelbëzuar. Numri i qelizave, që përbëhen kryesisht nga neutrofile, është tej mase i rritur – deri në 10.000/mm3 dhe më tepër. Përmbajtja proteinikie (proteinorrakia) është e rritur. Glokorrakia (përmbajtja e glukozit) është e zvogëluar, dhe ndonjëherë e papërcaktueshme. Një zvogëlim i tillë i përqëndrimit të glukozit nuk vjen vetëm për shkak të konsumit të i bëjnë bakteret por edhe për shkak të tjetërsimit të mekanizmave të transportit dhe të rritjes së konsumit nga ana e indit nervor.

Siç edhe mund të jetë kuptuar, ky kuadër i lëngut cefalo rakidian është karakteristik për meningjitet e provokuara nga bakteret, gram-pozitivë dhe gram-negativë, aerobë ose anaerobë. Përjashtim bëjnë meningjiti tuberkular, meningjiti nga brucela, leptospira dhe Tr. pallidum.
Po ashtu, janë meningjite me lëng cefalo-rakidian të turbullt edhe ato të shkaktuara nga kërpudha të llojeve Candida dhe Mucor dhe meningjitet e shkaktuara nga protozoarë si Naegleria dhe Acanthamoeba.

 

Meningjit me LCR të kthjellët.

Këto raste meningjiti dallohet nga ato që përshkruara më parë sepse lëngu cefalo rakidian nuk është i turbullt në asnjë fazë të sëmundjes.
Meningjitet me lëng të kthjellët (të kulluar, të qartë) janë si format virale ashtu edhe disa forma meningjiti bakterial. Përcaktim i glikorrakisë, që është i zvogëluar në format bakterore dhe normal ose i rritur në format virale, na mundëson që të dallojmë këto dy grupe etiologjike të meningjiteve me lëng cefalo rakidian të kthjellët.
Meningjit me LCR të kthjellët dhe glikorraki të zvogëluar: Prototipi është meningjiti tuberkular.
Meningjit me LCR të kthjellët dhe glikorraki normale ose të rritur: Karakteristike janë meningjitet me agjent eziologjik viral dhe meningjite të ralla nga rickettsia, clamidia dhe forma parazitare si toxoplasma apo tripanosoma.
Në raste tepër të jashtë zakonshme, edhe meningjitet bakterore pjesërisht të trajtuara, dhe infeksionet tuberkulare në fazë fillestare mund të shfaqin një kuadër lëngu cefalo rakidian të këtij tipi.

© Rinstinkt, 2015

 

Sindroma e dridhjes fantazmë

Sindroma e Dridhjes Fantazmë

E quajnë “Phantom Vibration Syndrome“, pra Sindroma e Dridhjes Fantazmë dhe ka të bëjë me përshtypjen se celulari apo një tjetër pajisje elektonike po dridhet (vibron), edhe kur nuk është e vërtetë. Pra ndjesia jonë rezulton në këtë rast e pabazë, edhe pse është mjaft e përhapur mes njerëzve.

Pothuaj të gjithë, gjatë ditës, jemi në kontakt me pajisje elektronike, dhe shumë pqeli-fonirej nesh duhet ta “heshtin” herë pas here telefonin e vet, duke e vendosur në modalitetin “vibracion”. Vibracioni kështu kthehet në një sinjal alarmi. Por ka raste kur dridhjen e perceptojmë edhe kur nuk ka dridhje – të gjithëve u ka ndodhur mendoj.

Shkencëtarët thonë se kjo përshtypje e dridhjes së një aparati elektronik është mjaft e përhapur, dhe prek rreth 70% të njerëzve (që kanë kontakt me këto) të paktën një herë në javë.

Ekzistojnë disa “shkolla mendimi” mbi arsyen e një perceptimi të tillë të gabuar. Disa mendojnë se kjo i detyrohet valëve elektromagnetike të lëshuara nga pajisja e cila është vazhdimisht në kontakt me rrjetin (kur rrjeti është i dobët pajisja sforcohet më shumë, për të mos humbur sinjalin). Valët elektromagnetike duket se ndrëveprojnë me terminacionet nervore të zonës që gjendet në afërsi të pajisjes elektronike – e cila në pjesën më të madhe të rasteve është një telefon celular – duke prodhuar këtë perceptim të shtrembëruar.

Një tjetër “shkollë mendimi” thotë se perceptimi i dridhjeve vjen ngase pajisja duke qenë në kontakt me trupin, fërkohet pas këtij, e kështu meqnënse sistemi ynë nervor qëndron gajtë ditës është i ekspozuar ndaj një numri të madh stimujs ndijorë, duhet medoemos ta filtrojë një pjesë të tyre për të seleksionuar ato më domethënësit. Mbi këtë bazë, truri ynë, i interpreton këto lëvizje minimale si një dridhje të pajisjes, duke e amplifikuar…

Perceptimi i dridhjeve të këtilla, edhe pse në dukje i patëkeq, mund të rezultoj një problem shëndetësor i rëndësishëm. Kërkuesit shkencorë thonë se impakti është relevant, meqënëse rreth 2/3 e njerzve që kanë kontakt me pajisje elektonike si telefoni celular peceptojnë dridhje fantazmë të pajisjes. Kështu, do të duhen më shumë kërkime për të përkufizuar më mirë në terma sasiorë dhe cilësorë këtë fenomen, por edhe për të saktësuar etiologjinë e sindromës së dridhjeve fantazmë.

Bibliografi:

———————————————————————-

Evolucioni i njeriut: evolucioni i trurit të njeriut

Evolucioni i trurit të njeriut

Kur flitet për evolucionin njerëzor, dhe në veçanti për evolucionin e trurit – që është organi më kompleks i trupit tonë, dhe për shumë aspekte ende i panjohur – është e vështirë të identifikosh një kauzë të vetme selektive që të mund të justifikojë këtë farë zhvillimi të pësuar.

Në këtë rast, pra në rastin e evolucionit të trurit, do të ishte më mirë të flitej, në vend të “shkaqeve”, për unaza me prapaverpim, katalizuese apo inhibuese. Pra për një zinxhir ngjarjesh të cilat duke vepruar në mënyrë pozitive apo negative mbi fenomenin fillestar mund të përshpejtojnë apo ngadalësojnë të gjithë procesin.

Kështu, jeta e primatëve në pyll, kishte përcaktuar zhvillimin e gishtit të madh të përthyeshëm, i cili mundësonte manipulimin e imët të objekteve së bashku me kapjen e forcës.

Gjithsesi, edhe pse i rëndësishëm, ky modifikim evolutiv nuk ishte i vetmi që kishte prekur “të afërmt” tanë evolutiv primitivë.
Në pyll, për shembull, mungonin predatorët e egër dhe të super-specializuar të savanës, por ishte thelbësore për ushqyerjen dhe mbijetesën njohja e saktë e frutave të ngrënshme dhe aq më tepër kapja e tyre “në fluturim” e sipër, pra pa rënë nga dega.
Natyrisht për të patur një perceptim sa më të saktë të thellësisë në të cilën një objekt ndodhet në plan dhe hapsirë, gjallesa (kafsha) duhet të zotërojë një shikim stereoskopik i cili mundësohet nga patja e të dy syve në pozicion sa më ballor. Vizioni trepërmasor krijohe nga mbivendosja e pjesshme e fushave pamore të syve.

Jo vetëm kaq; ndërsa paraardhësit e primatëve e zhvillonin aktivitetin e vet kryesisht natën, primatët e zhvillonin veprimtarinë e tyre ditën duke u bërë të ndjeshëm ndaj një spektri të gjërë ngjyrash (lidhja me qelizat receptoriale të rrjetëzës).

Njëkohësisht ndjeshmëria ndaj erërave apo aromave, filloi të dobësohej, ngase më pak e nevojshme; në pyll erëra kishte me bollëk.😀 kështu turiri (hunda) filloi të bëhej gjithnjë e më shumë e sheshtë…

Ndalëngadalë, nën presionin evolutiv, nën presionin e një mizërie faktorësh rrethanorë dhe sistemeve të ndërlikuara me prapaveprim, primatët morën pamjen që kanë sot, që ne njohim.

Por nuk po ndryshonte vetëm pamja e jashtme. Cilësia dhe sasia e informacioneve dhe stimujve që shkonte drejt sistemit nervor qëndror, dhe në veçanti drejt trurit, ishte rritur ndjeshëm. Kjo falë manipulimit të objekteve – i mundësuar nga gishti i madh i përkulshëm – i cili lejon lëvizje më komplekse, më të ndërlikura…

Për më tepër, fluksi i mesazheve pamore dhe dëgjimore u rrit dhe u bë gjithnjë e më shumë i artikuluar: për të përpunuar këtë lum stimujsh, informacionesh, truri duhej të transformohej dhe të bëhej më i shpejtë, më i fuqishëm, pra të ishte në gjendje që të rriste fuqinë e vet (kujdes intencionin po ia japim ne!) në mënyrë proporcionale me rritjen e fluksit të informacioneve.

Gjatë evolucionit truri është zhvilluar kryesisht në strukturat cerebrale të përparme dhe sipërfaqësore. 1-Makako 2-Shmpanze 3-Gorillë 4-njeri.

Gjatë evolucionit truri është zhvilluar kryesisht në strukturat cerebrale të përparme dhe sipërfaqësore. 1-Makako 2-Shmpanze 3-Gorillë 4-njeri.

Sistemi neuronal, i vjetri le të themi, nuk ishte në gjendje të suportonte sasinë e madhe të informacioneve. Kështu “mbijetonin” individët më të aftë për të u përshtatur ndaj këtyre kushteve të reja, të pjesshme – fitness-i i famshëm. Atyre me sistemin “e vjetër” neuronal, u shkonte truri në qark të shkurtër.  :D

Rritja e stimujve të perceptuar imponoi, kështu, riorganizmin e rrjetave neuronale, duke ushtruar një presion selektiv që shpinte në zhvillimin e një truri cilësisht të ndryshëm, më të madh, dhe mbi të gjitha të organizuar më mirë.

Ndryshe nga sa ndodh, apo ka ndodhur zakonisht, pra sipas “normës” evolutive, evoluimi i trurit nuk kishte lidhje me ngjarje “të jashtme” ndaj organizmit. Në të kundërt i detyrohet ndryshimeve “të brendshme” të prodhuar nga modifikimet fizike të primatëve të parë.

Neokorja (neokorteksi), që është zona e trurit ku përpunohen perceptimet ndijimore,  zgjerohej gjithnjë e më shumë. Si korolar i ndryshimeve cerebrale pati edhe një ndryshim të sjelljes.

Në mënyrë jo të drejtëpërdrejtë, zhvillimi i trurit, dhe pasojat komportamentale që ky zhvillim solli, kontribuan në ruajtjen, pra konservimin e morfologjisë së pjesëve të tjera të trupit.

Pra, nëse ndryshimet e sjelljes mjaftojnë, të vetme, për të përballuar dhe kaluar vështirësitë e mbijetesës, trupi nuk pëson më presione selektive. Këtu, mëpastaj, futet në lojë kultura (ah, jo kultura në terma të letrarucëve).  :)

Rinstinkt 2013

Transplanti i kokës

Sergio Canavero, neurokirurg me famë botërore, është gati për transplantin e parë të kokës.

Sergio Canavero është një doktor me famë ndërkombëtare. Në vtin 2008 arriti të zgjonte nga gjendja vegjetative  prej dy vitesh një njëzetëvjeçare. Sot prezanton një ekskluzivë botërore, transpalantin e kokës, që me siguri do të ndez një debat të ri etik.

The impossible of today will become the possible of tomorrow

-Tsiolkovsky AT (1857-1935; Father of Astronautics)-

Teknikisht transplanti i kokës është i mundur

gray headËshtë një projekt që hap skenarë të denjë për një roman apokaliptik fantamjekësor. Transplanti i kokës tek njeriu është teknikisht i mundur. Dhe pas pak vitesh mund të kthehet në realitet – kështu deklaron doktor Sergio Canavero, neurokirugr në Torino, i cili i është imponuar komunitetit shkencor që prej 2008, kur “rizgjoi” me anë të “elektrostimulimit” një njëzetëvjeçare në gjendje vegjetative permanente nga 2006. Një sukses unik në botë që i mundësoi klasifikimin e pacientit nga gjendje vegjetative permanente në gjendje minimalisht të ndërgjegjshme.

Sfida  e re e transplantit të kokës

Projekti HEAVEN/GEMINI (Head Anastomosis Venture with Cord Fusion), ose  ndryshe mundësia për të shkrirë dy trakte të ndryshme të palëcs kurrizore, atë të një trupi (donator) me palcën kurrizore të trupit marrës (pra që ka trurin). Një transplant koke, ose trupi, varet se si e shikon çështjen…

Sipas Surgical Neurology International, revista onlajnë që ka botuar punën e Canaveros, projekti “hap një fushë komplet të re për mjekësinë bashkëkohore”.

Vështirësi të kapërcyera

palca kurrizore gray“Vështirësitë teknike janë kaluar falë përdorimi të inxhenierisë qelizore”, thotë Canavaro dhe shpjegon se si mund të realizohet kjo lloj ndërhyrje dhe se si rindërtohet integriteti apo vazhdimësia e palcës kurrizore të të dy “subjekteve”. Rivendosja e integritetit të palcës kurrizore, dhe më mikroskopisht rivendosja e integritetit të fibrës nerovre të prerë, është edhe pika kyçe e ndërhyrjes. Kjo tanimë është plotësisht e realizueshme, së pari falë mundësisë për të kryer një prerje jashtëzakonisht pak traumatike, minimale,  mjaftë të hollë. Një prerje e tillë nuk përket me dëmtimin traumatik që pësojnë paraplegjikët dhe tetraplegjikët, në të cilët dëmi në palcën kurrizore është më i përhapur, më kompleks dhe me dëmtime më të thella. Së dyti një ndihmë në rivendosjen e integritetit të fibrave nervore vjen nga shkrirja e zgjatimeve nervore duke shfrytëzuar substanca që janë në gjendje, pra, të rindërtojnë integritetin e fibrave në fjalë.

Ndërhyrja realizohet në hipotermi të thellë (15 gradë celsius) për të ruajtur sistemin nervor (trurin).

Kandidatët e mundshëm për transplantin e kokës

Marrësi mund të jetë një pacient që ka një sëmundje të rëndë  degjenerative neuromuskulore. Por edhe një tetraplegjik mund të kandidojë. Donatori (i trupit) në të kundërt do të jetë një person që, për fat të keq, ka humbur jetën për shkak të një traume të mirëfilltë të kokës, pra pa dëmtime të pjesëve apo organeve të tjera të trupit. Po ashtu një donator do të ishte një individ që ka humbur jetën për shkak të një iktusi fatal.

Debati etik mbi këtë lloj transplanti

Mbi bazën e argumentimeve takniko-shkencore transplanti i kokës duket se në një të ardhme jo shumë të largët mund të realizohet me sukses.
Por nuk duhen lënë mënjanë pështjellimet etike. Projekti HEAVEN hedh baza të reja për zgjatjen e jetës. “Shoqëria duhet të fillojë të mendojë mbi një mënyrë për disiplinuar këtë procedurë” – thotë Canavero, “përpara se kjo ndërhyrje revolucionare, e projektuar për të ndihmuar shumë të sëmurë që vuajnë, të bie në duart e ndonjë kirurgu pa shumë skrupuj”.

Artikulli mbi projektin:

  • Canavero S. HEAVEN: The head anastomosis venture Project outline for the first human head transplantation with spinal linkage (GEMINI). Surg Neurol Int 2013;4, Suppl S1:335-42

Rinstinkt, Qershor 2013 – (Përshtatje nga: Oggi.it)

——————————————————————————-