Semeiologji – Semeiotika e (rajonit të) qafës

Semeiotika e  (rajonit të) qafës

Ekzaminimi fizik i rajonit të qafës përfshin: Inspektimin, palpimin dhe auskultimin.

Inspektimi (kontrolli)

Qafa ndahet semeiologjikisht në disa rajone. Dallohen dy rajone mesore (të mesit), të klasifikuar në raport me kockën joid; ai mbi-joid dhe ai nën-joid apo laringo-trakeal.

Dallohen katër rajone anësore të cilët janë: nënmaksilar, parotid, karotid dhe mbiklavear. Ekziston edhe rajoni i pasëm i qafës.

Gjatë inspektimit (kontrollit) të qafës vlerësohen: konfromacioni, qëndrimi i mbajtur nga pacienti, dalje (spikatje) apo depresione strukturash, lëvizje të vetvetishme, mbufatje apo fryrje anormale, dëmtime të lëkurës etj.

Palpimi (prekja me dorë)

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) duhet të vlerësohen kocka joide, kërci krikoid, gjëndra tiroide, arteria karotide, muskuli sternokleidomastoid.

Kërkohen edhe pulsacione të aortës dhe/apo të arteries suklavie. Hetohen linfonyjet dhe kryhet më me thellësi ekzaminimi i tiroides.
Vlerësohen mbufatje abnormale, të cilat mund të kenë shkaqe të ndryshme: linfiadenit akut, linfoadenti kronik jospecifik, linfoadenit kronik specifik, sëmundja e Hodgkin, leuçemi limfatike, limfosarkoma , metastaza tumorale, tumor i karotides, ciste anësore brankiale, ciste të mesme të qafës etj.

Palpimi i rajoinit mbijoid

Palpimi i rajoinit mbijoid

Shembull: cistet dhe fistulat e mesme të bashkëlindura të qafës. Lindin nga dukti tireogloss i Bochdalek-ut. Janë të mëdha sa një veë pëllumbi, me sipërfaqe të lëmuar dhe konsistencë elstike (të tendosur). Cistet janë të lëvizshëm në planet sipërfaqësorë, më pak të lëvizshëm në planet e thella duke qenë se janë solidar me kockën joid. Në rast se preken nga procese flogjistike shkaktojnë dhimbje gjatë palpimit.

Cist i mesëm i rajonit mbi-joid

Cist i mesëm i rajonit mbi-joid

Gjatë palpimit (prekjes me dorë) të qafës vlerësohen edhe limfonyjet çervikale. Vlerësohen linfonyjet çervikale sipërfaqësorë, të thellë, të pasëm, të përparmë, dhe linfonyjet nën-nofullorë.

Tek linfonyjet vlersohet: vëllimi, forma, dhembja gjatë palpimit, lëvizshmëria dhe konsistenca.

 

Auskultimit (dëgjimi)

Gjatë auskultimit të qafës duhet të vlerësohen zhurmat respiratore, zhurmat vaskulare etj.

Ekzaminimet instrumentale

Radiografia, ekografia, dopleri, TAC, angjiografia, endoskopia etj.

© mbi tekstin, Rinstinkt

Reklama

Semiotika e dhimbjes (3)

Semeiotika e dhimbjes (3)

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme

Dhimbja somatike dhe ajo e përbrendshme paraqesin karakteristika të ndryshme, siç edhe thashë në shkrimin e mëparshëm, të cilat mund të ndihmojnë në dallimin e tyre.

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja somatike vjen nga struktura të inervuara nga nervat somatikë, si lëkura, muskujt, artikulacionet dhe nga nervat frenikë (të diafragmës). Dhimbja somatike është sipërfaqësore, e mirë lokalizuar dhe perceptohet ng apacienti si dypërmasore. Cilësitë që pacienti i jep dhimbjes somatike janë të tipit përçarës, piçkues e gjithsesi të ndryshueshme në varësi të stimulit dëmtues. Si refleks i dhimbjes somatike pacienti mund të vë re ngurtësi muskulore në zonën përkatëse.

Dhimbja e përbrendshme vjen nga struktura të inervuara nga fibra që shkojnë tek organet e brendshme, qofshin të tipit simpatik apo parasimpatik. Dhimbja e organeve të brendshme është e thellë dhe e keq-lokalizuar dhe perceptohet nga pacienti si trepërmasore. Pacienti i jep dhimbjes së përbrendshme cilësi si: e shurdhët, shtypëse apo e gjerë (sikur përpiqet të zgjerohet). Kur pacienti ka dhimbje nga organet e brendshme merr një qëndrim sikur “paloset më dysh”. Dhimbja nga organet e brendshme projektohet në linjën e mesit të trupit.

Projektimi i dhimbjes në periferi ndjek ligjin e metamerëve: nervi i përbrendshëm dhe nervi somatik që ndajnë të njëjtin metamer hyrës, ndajnë në mënyrë trashanike të njëjtin territor të perceptimit të dhimbjes.

Pavarësisht diferencave mes dy tipave të dhimbjes, jo gjithnjë është e mundur të dallhet e diferencohet dhimbja somatike nga ajo e përbrendshme. Kjo për shkak të mënyrës sesi stimuli algogjen – apo më mirë të them, ndjenja alogogjene ngase kjo mund të lind edhe në mungesë të një stimuli mirëfilli të identifikueshëm – përpunohet nga koreja trunore dhe se si projektohet në periferi.

Kjo mënyrë e perceptimit të ndjenjës algogjene shpesh nuk e bën të mundur dallimin mes zonave të interesuara.

Për shembull, nëse ekziston një dëmtim i nervit somatik që inervon pjesën lëkurore të zonës prekordiale, ku në shembullin tonë është e pranishme dhimbja, perceptimi i dypërmasorllëkut dhe sipërqasësisë së dhimbjes nuk është është i qartë, e kështu mjeku apo kushdo që i shërben të mirës së pacientit duhet të ketë gjithnjë parasysh se kjo dhimbje mund të ketë origjinë nga organet e përbrendshme si zemra apo aorta etj.

Kjo është arsyeja për të cilën përballë një dhimbjeje të perceptuar në zonën prekordiale, ku nuk mund të identifikohet një shkak apo origjinë somatike e qartë, është gjithnjë e këshillueshme ekzekutimi i një elektrokardiogrami (EKG) për të përjashtuar kardiopatinë iskemike. Sidomos nëse nuk flitet për një pacient në moshë të re; ndryshoret janë të shumta e një mjek i mirë duhet të eliminoj më parë ato më të rrezikshmet për jetën e pacientit.

Për të qenë plotësisht të ndërgjegjshëm, apo për të patur një kuadër më të plotë, duhet të përmend edhe një veçori anatomike e fiziologjike të rëndësishme. Atë që shpesh në një metamer hyjnë nerva të përbrendshëm (visceral) nga organe mjaft të largët nga zona sipërfaqësore e inervuar nga nervo somatik përkatës.

Për shembull, dhimbja kardiake përçohet nga nervat kardiakë, disa nga të cilët kanë aferenca drejtë metamerëve të kraharorit, ndërsa disa të tjerë drejt metamerëve çervikalë (të qafës). Kështu, mund të kuptohet se si dhimbja e evokuar apo e ngjallur nga një infarkt kardiak mund të perceptohet edhe në nivel mandibular (të nofullës së poshtme), ose vetëm mandibular, e kështu të ngatërrohet me një problem odontoiatrik.Një tjetër shembull përfaqësohet nga dhimbja frenike: nervat frenikë, ata që inervojnë kupolat diafragmatike, hyjnë në metamerët çervikalë , e kështu një dëmtim i njërës prej kupolave diafragmatike jep një dhimbje qëprojektohet lartë, në rajonin akromial dhe në sjakin e përparëm të muskulit trapez; pra një rajon anatomik mjaft i largët nga diafragma apo projektimi i kësaj në sipërfaqen lëkurore.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————-

Semiotika e dhimbjes (2)

 Semeiotika e dhimbjes (2)

Zakonisht dhimbja ndahet në dy kategori: dhimbje noxiceptive dhe neuropatike.

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja noxiceptive induktohet kur receptorët noxiceptivë (noxa) stimulohen nga një proces indor dëmtues. Dhimbja noxiceptive, pra që varet nga stimuj dëmtues, klasifikohet më tej në dhimbje viscerale (e përbrendshme; që u përket organeve të brendshme, viscera) dhe somatike.

Pra, dhimbja viscerale (e përbrendshme) e ka origjinën në organet e brendshme; shpesh ka një lokalizim trashanik, jo të saktë, të shpërhapur dhe përshkruhet si ngërç-ngjashëm, shtypëse apo kolike nëse lind nga organet zgavrore (si kupshoreja veshkore, ureteri); ose përçarëse apo e shurdhët nëse dhimbja lind nga organe parenkimatoze, solide, si mëlçia për shembull.

Dhimbja somatike, në të kundërt, lokalizohet më mirë dhe përshkruhet si akute, përçarëse, e menjëhershme, pulastive apo e shurdhët.

Dhimbja neuropatike lind kur sistemi nervor qëndror apo periferik ka pësuar çrregullime fiziopatologjike, të cilat e bëjnë funksionimin e tij të pamundur apo jo-efektiv. Dhimbja me origjinë neuropatike përshkruhet si një ndjesi akute, pickuese, djegëse apo elektrike që në shumicën e rasteve rrezatohet në territorin e inervimit përkatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————————-

Semiotika e dhimbjes (1)

Semeiotika e dhimbjes

(Blue Nude - P.P.)

(Blue Nude – P.P.)

Dhimbja është një gjendje njerëzore e pranishme pothuaj kudo. Pa të rrezik nuk do të dinim të vlerësonim as jo-dhimbjen, pavarësisht formave në të cilat artikulohet kjo e fundit.

Dhimbja pra, meqënëse e kudondodhur dhe kurdondodhur është edhe një nga arsyet më të shpeshta për të cilat një pacient drejtohet për asistencë tek mjeku.

Sipas International Assiciacion for the Study of Pain, dhimbja përkufizohet si: “një eksperiencë ndijore dhe emotive e pakëndshme, e shoqëruar nga një dëm indor aktual apo aventual, apo e përshkruar në terma të një dëmi të tillë.”

Nga përkufizimi kuptohet se dhimbja është një fenomen kompleks, ndijor, emotiv, konjitiv e mbi të gjitha subjektiv. Dhimbja e perceptuar nga një pacient jo gjithnjë përket mirë me dëmin indor, e në disa raste ky nuk mund të identifikohet fare.

Dhimbja shërben edhe si shkak i mjaftë për humbjen e qetësisë e më tej produktivitetit në jetën personale-familjare dhe në punë, duke i shkaktuar kështu një dëm jo të paktë gjithë shoqërisë.

Përmirësimi i trajtimit të dhimbjes, edhe pse shpesh herë thjeshtë e vetëm simptomatik, kërkon para së gjithash një njohje dhe përdallim të saktë të llojeve të saj.

© mbi tekstin, Rinstinkt

————————————————————————–

Francisco Goya dhe doktor Arrieta

Francisco Goya dhe doktor Arrieta

Një pikturë mbi raportin mjek-pacient

Në vitin 1819, piktori i famshëm spanjoll Francisco Goya (1746-1828) pëson një episod pamjaftueshmërie ventrikulare të majtë (kardiopati) me shumë gjasa me origjinë luetike. Goya me këtë rast duket se provon mbi vete një ndjenjë vdekjeje iminente, përtej simptomave të tjera si vështirësi në frymëmarrje, dobësi fizike etj.

Francisco Goya: Autoportret me doktor Arrieta-n

Autoportret me doktor Arrieta-n

Siç edhe na tregon piktura e F. Goya-s, pikturuar në vitin 1820, mjeku kurues ishte njëfarë doktor Arrieta, kurat e të cilit duket se i japin pacientit tonë një gjendje mirëqenieje minimale, duke rifituar disi normalitetin fiziologjik.

Duket se Goya ndjihet në detyrim ndaj mjekut të vet, Arrietës, e kështu i dedikon këtë pikturë (Autoportret me doktor Arrieta-n), si një falenderim i ndjerë.

Në fund të kuadrit mund të lexohet një shënim i cili thotë: “Goya, mirënjohës mikut të vet Arrieta-s: për aftësinë dhe vëmendjen me të cilën i shpëtoi jetën gjatë sëmundjes së vetë akute dhe të rrezikshme të lindur në fund të 1819 në moshën shtatëdhjetëetre vjeç.”

Pra një pikturë, pjesërisht autoportret i një njeriu në një gjendje të sëmurë dhe të vuajtur, dhe pjesërisht portret i mjekut kurues, empatik dhe i kujdesur për pacientin e vet. Në total, piktura është një fragment i pavdekshëm, një paradigmë, e raportit mjek-pacient. Mes mjekut dhe pacientit të sëmurë krijohet, jo vetëm brenda pikturës, një lidhje e pazgjidhshme, e vetme, e papërsëritshme, e saksionuar nga uniciteti i sëmundjes. Pacienti së pari, e mjeku më vonë, luftojnë të dy krahë për krahë për të luftuar së bashku sëmundjen – ndër të tjera, kështu na thotë edhe mjeku Hipokrat.

Në pikturë tregohet pacienti i ulur në shtrat, i vuajtur dhe me perceptimin e një vështirësie të madhe në frymëmarrje, me lëkurën e fytyrës, të ballit e të qafës të zbehtë e të djerësitur, me një sfumaturë mavi…

Dora e tij e majtë shtrëngon një anë të çarçafit sikur të kapej pas jetës; nga goja gjysmë e hapur duket se dalin gërgërima fine… të shkaktuara nga lëngu traksudativ – pasojë e rritjes së persionit në enët e gjakut mushkërore – i cili ngjitet lartë e më lartë nëpër bronke.

Nga pas qëndron mjeku Arrieta, i cili e mbërthen pacientin e pafuqi prej jakës së këmishës, duke e mbështetur e njëkohësisht i afron një gotë me ilaç – opium mendohet! – për ta qetësuar, për t’i lehtësuar frymëmarrjen dhe për të reduktuar bllokimin e mushkërive e rrugëve të ajrit nga traksudati.

Nga gjysmë-hija e sfondit duket se zgjasin lehtësisht fytyrën, disa entitete; një prift e mbase disa gra të plakura, që ngjajnë me figura funebre që mezi presin të qajnë pacientin tonë, me lëkurë mavi nga oksigjenimi i paktë i indeve të trupit e lëkurës. Sipas disa komenteve këto plaka simbolizojnë Parkat në boshtin e të cilave varet, sikundër një fill, edhe jeta e pacientit të sëmurë. Goya duhet të ketë qenë duke pritur vdekjen në ato momente, por duket se kurat e Arrieta-s e kanë surprizuar e dhuruar shëndet, të paktën akoma për disa vite.

Natyrisht, i sëmuri Francisco Goya e kalon këtë vështirësi, këtë krizë shëndetësore. Piktura në fjalë ishte një dhuratë për doktor Arrieta-n, dhe u realizua për ta falenderuar mjekun për “dhurimin” e jetës.

Goya jeton deri në prill të vitit 1828, duke na dhënë përveç këtij këtu, të cilin unë rrekem ta popullarizoj pak nëpërmjet këtyre rreshtave, edhe vepra e kryevepra të tjera të pikturës, disa nga të cilat paralajmërojnë ardhjen e impresionistëve të parë të gjysmës së dytë të shekullit të XIX.


[Versioni PDF: Goya dhe Arrieta]

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————————————–