Një botë e vogël dhe e ndërlidhur

Një botë e vogël dhe e ndërlidhur.

Vendet e ndryshme të botës e menaxhojnë peshkimin sikur të jetë një resurs vendor, dhe në njëfarë mënyre ky lloj menaxhimi e reflekton realitetin e ujrave që gjenden brenda territorit të vendit përkatës, por për peshqit detarë çështja është më e ndërlikuar duke qenë se peshqit detarë janë ndoshta vertebratët qe janë të ndërlidhur më shumë se çdo gjë tjetër nëpërmjet deteve dhe rrymave oqeanike nëpër distanca të gjata.

Studiuesit Ramesh et al., kanë një model se si këto rryma ndërlidhëse shpërndajnë larvat e më shumë se 700 lloje peshqish.

Këta studiues bënë një analizë rrjetesh për të përcaktuar shkallën me të cilën popullatat që gjendeshin në një pjesë të botës mund të kenë ardhur nga një pjesë tjetër e botës.

Duket se popullatat botërore të peshqve përfaqësojnë një rrjet të vogël botëror në të cilin lidhjet nëpërmjet këtyre popullatave janë të ngushta dhe ku qendra të caktuara produktiviteti janë shumë të rëndësishme.

Ky ndërkomunikim dhe ndërlidhje ka implikime me shtrirje të gjerë për konservimin, menaxhimin dhe furnizimin me ushqim botërisht.

 


Përshtatur nga Revista Science 21 qershor 2019

Reklama

Minjtë e prerive, hormonet dhe komunikimi ndërqelizor

Minjtë e prerisë, monogamia, hormonet dhe komunikimi ndërqelizor

Sinjalizimi ndërqelizor është një veçanti e organizmave shumëqelizorë. Edhe tek organizmat më të thjeshtë shumëqelizorë diferencimi i grupeve të ndryshme të qelizave në inde të specializuara duhet të integrohet me pjesën tjetër të organizmit si një gjë e vetme.

Përgjigjia e një qelize ndaj një molekule sinjalizuese ndodh në tre hapa të njëpasnjëshëm. Së pari, molekula sinjalizuese (peptidi) lidhet me një receptor në sipërfaqen e membranës së qelizës. Së dyti, lidhja e molekulës sinjalizuese me receptorin tejçon një mesazh brenda qelizës. Dhe së treti, qeliza ndryshon aktivitetin e vet në përgjigje ndaj sinjalit. Në një organizëm shumë qelizor këto hapa shpienë në ndryshime në mënyrën se si ai organizëm funksionon.

Minjtë e fushës apo minjtë e prerive (Microtus ochrogaster) janë brejtës të vegjël që jetojnë në klima të temperuara. Në këto zona ata gërmojnë tunele nëpër fusha. Gjatë sezonit përkatës të riprodhimit, kur një mashkull miu prerie çiiftëzohet me një femër, ndodh një fenomen interesant që na ndihmon shumë të kuptojmë komunikimin ndërqelizor tek organizmat shumëqelizorë.

minjë prerie minjë fushe

Pas çiftëzimit minjtë e prerisë kanë një lidhje jetëgjatë. Kjo sjellje induktohet prej disa peptideve/homoneve që veprojnë si sinjale ndërqelizore.

Pas çiftëzimit, që mund të zgjasi deri në një ditë të plotë, çifti i minjve të prerisë qëndron bashkë. Lidhja mes dy minjëve të prerisë është aq e fortë saqë ata qëndrojnë bashkë për githë jetën. Se përse ndodh kjo dhe cilave mekanizma biologjië i detyrohet fortësia e kësaj lidhje, do ta shpjegojmë më poshtë…

Por është interesante që këtë lidhje të përjetshme të çiftit të minjëve të prerisë/fushës ta krahasojmë me sjelljen e miut të malit (M. montanus) që është një i afërm i minjëve të fushës por që jeton nëpër kodra. Në kët specie çiftëzimi është i shpejtë dhe mëpastaj çifti ndahet. Mashkulli i miut të llojit M. montanus kërkon për partnere të tjera, ndërsa femra i braktis të vegjlit e vet jo shumë më vonë pasi lindin.

Shpjegimi për këto ndyshime dramatike në sjelljen e këtyre dy specieve të minjëve gjendet në trurat e tyre. Kur çiftëzohen minjtë e prerive, në trurin e mashkullit dhe femrës lëshohen peptide specifikë prej 9 aminoacidesh. Tek femra peptidi është oksitocika, ndërsa tek mashkulli është vazopresina. Këto peptide qarkullojnë në gjak dhe mbërrijnë në indet e ndryshme të trupit të minjëve të prerive, por lidhen vetëm me disa lloje specifikë qelizash. Në sipërfaqen e tyre këto qeliza kanë proteina që kanë funksionin e repectorëve, dhe mbi të cilat lidhen peptidet oksitocinë dhe vazopresinë, sikur lidhet çelësi me kyçin e vet.

Ndërveprimi mes peptideve dhe receptorëve shkakton një aktivizim dhe një ndryshim në formën e receptorit, i cili shtrihet përmes membranës plazmatike/qelizore të qelizës. Brenda citoplazmës ky ndryshim forme i receptorit shkakton një seri ngjarjesh që si përfundim rezultojnë në ndryshime në qelizat specifike. Mëpastaj këto qeliza nga ana e vet shkaktojnë ndryshime të tjera që janë përgjejgëse për ndryshime në sjelljen e minjëve të prerive.

Receptorët për oksitocinën dhe vazopresinën tek minjtë e prerive janë më shumë të përqëndruar në disa rajne të trurit që janë përgjegjëse për sjellje si lidhja në çift dhe kujdesja për të vegjëlit.

Tek minjtë e malit/kodrës, ka shumë më pak receptorë për këta dy peptide, dhe si pasojë do të ketë një manifestim tepër të reduktuar të sjelljeve që shfaqnin minjtë e prerive; pra minjtë e malit do të kenë një lidhje më të dobët në çift dhe do të kujdesen më pak për të vegjëlit e vet.

Është e qartë se oksitocina dhe vazopresina janë shkakëtarët, pra sinjalet që induktojnë këto lloj sjelljesh.

 

© Rinstinkt Blog

Gjeni Egoist

Në vitin 1976 Richard Dawkinsi botoi librin e tij me titull The Selfish Gene (Gjeni egoist) që i bëri idetë e Darwinittë kuptueshme për një audiencë shumë më të gjerë. Libri përveç meritave të popullarizimit të koncepteve biologjike dhe evolutive, pati edhe një meritë tjetër që pak vetë e kuptojnë: atë të zgjerimit të mëtejshëm të një fushe të quajtur psikologjia evolutive, apo më thjeshtë të zgjerimit të idesë se modelet e sjelljes njerëzore sikundër trajtat morfologjike të njeriut janë kryesisht rezultat i forcave evolutive.

Libri The Selfish Gene (Gjeni egoist) nuk përgënjeshtronte asgjë prej atyre çka pohonte Darwini. Në fakt, Dawkinsi shfaqet si një Darwinist i mirëfilltë.
Ajo që kishte rëndësi nga ky libër ishte se sa të aksesueshme ishin për audiencën modern idetë që libri përmbante – dhe farat që ai mbolli kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në ndikimin që pati mbi psikologjinë evolutive dhe fusha të tjera të ndërlidhura me procesin evolutiv.
Në thelp libri i Dawkinsit ishte një përmbledhje dhe prezantim fantastik i ideve të Darwinit rreth natyrës së evolucionit.

Koncepti i gjenit egoist është ideja se gjenet janë njësia bazë përsëritëse (replikuese) e të gjitha formave të jetës (qenieve të gjalla), dhe se ne mund ta kuptojmë natyrën e jetës nëpërmjet të kuptuarit e vetive konceptuale të gjeneve.

Gjenet kodojnë për organizma specifikë, dhe nëpërmjet riprodhimit gjenet replikohen, përsëriten. Kështu, perspektiva që Dawkins trejton në librin e vet merret me çështjen se cilët gjene replikohen dhe cilët jo. Në arsyetimin e tij Dawkins arrin në përfundimin se gjenet e mira replikuese, pra ato që përsëriten nga gjenerata në gjeneratë, kanë cilësitë e pjellorisë (pra gjene që janë të afta të krijojnë shumë replika të vetvetes gjatë jetës së organizmit), të jetëgjatësisë (pra të jetuarit e një jete të gjatë, e cila rrit mundësitë replikuese apo riprodhuese), besnikërisë apo përpikmërisë (që i referohet aftsisë për të mbikqyrur procesin e krijimit të proteinave duke transkriptuar dhe translatuar me saktësi informacionin gjenetik, në mënyrë që gjenerata e ardhshme të ketë sa më pak gabime në kopjimin e këtij informacioni).

Tani, duke marrë një perspektivë më të gjerë mbi evolucionin, ne mund të marrim një kënd tjetër përtej gjeneve dhe ta aplikojmë këtë arsyetim mbi çdo entitet replikues. Entitetet replikuese që prodhojnë shumë, që zgjasin për një kohë të gjatë, dhe që replikohen me saktësi, me përkufizim, do të kenë më shumë gjasa që të ekzistojnë në të ardhmen.

Kjo është ideja bazike, e thjeshtëzuar, e evolucionit. Logjikisht entitetet replikuese do të jenë më shumë prevalente në të ardhmen krahasuar me entitetet jo-replikuese, pra që nuk lënë pas kopje të vetes së vetë. Një paraqitje e thjeshtë dhe elegante e procesit evolutiv.

Koncepti i gjenit egoist është i njëjti koncept i entiteteve replikuese. Ideja është se gjenet që kodifikojnë për cilësi që lehtësojnë replikimin e vetvetes janë, me përkufizim, më me gjasa që të ekzistojnë në të ardhmen, duke arritur deri në pikën kur dominojnë si cilësi brenda një popullate dhe arrijnë deri aty sa karakterizojnë një specie të veçantë.

Kështu, gjenet që me efikasitet shpienë në replikimin e suksesshëm të vetvetes, siç janë gjenet egoist, pra, kanë më shumë shance të selektohen nga forcat evolutive për të ekzistuar në të ardhmen. Ky është edhe kuptimi i fjalës egoist në kontekstin e Gjenit Egoist.

Darwini, evolucioni, feja e të tjera…

Darwini, evolucioni, feja e të tjera…

Natyralisti britanik Charles Darwin nuk ishte i pari shkencëtar që sugjeroi dhe argumentoi se bimët, kafshët dhe të tjera organizma nuk janë të fiksuara, pra statike, të pandryshueshme. Pra Darwini sikundër të tjerë individë përpara tij propozoi se llojet e organizmave ndryshojnë apo evoluojnë në kohë… Por kontributi i tij i madh, dhe i veçantë është se ai tregoi dhe argumentoi se një nga mjetet apo mekanizmat kryesore nëpërmjet të cilave evolucioni ndodh është ai proces që mori emrin seleksion natyror. Këtë ide qëndrore ai e paraqiti në librin e tij “On the Origin of Species by Means of Natural Selection, or the Preservation of Favoured Races in the Struggle for Life” që u botua në 1859 në Londër. Vetë Darwini e përshkroi librin si “një argument i gjatë”.

Pas botimit, libri “On the Origin of Species” hasi opozicion akademik dhe popullor jo të pakët, pavarësisht faktit se libri nuk përmendte asnjë doktrinë fetare, të cilat këmbëngulnin se speciet/llojet e gjallesave janë të fiksuara, statike të pandryshueshme dhe të dizenjuara nga Zoti.

Sidosi, me kalimin e kohës idetë e librit ndikuan në perspektivën shkencore mbi botën natyrore, dhe kështu nocioni i seleksionit natyror qëndron sot në bazë të gjithë biologjisë moderne dhe shkencave apo fushave të dijes që rrotullohen dhe nëdërthuren me të. Kjo sepse nocioni i seleksionit natyror dhe evolucionit japin një shpjegim të thjeshtë dhe elegant por njëkohësisht të fuqishëm mbi format e jetës aktuale dhe të së shkuarës.

Duhet thënë se Darwini, edhe gjatë kohës që shkruajti librin, ishte mjaft i ndërgjegjshëm për potencialin blasfemik të punës së tij. Për shembull, 15 vite përpara botimit të librit, ai i shpjegonte botanistit Joseph Hooker se teoria e tij nuk kishte nevojë për një Zot apo për specie të pandryshueshme: “At last gleams of light have come, & I am almost convinced (quite contrary to opinion I started with) that species are not (it is like confessing a murder) immutable.”

Puna e Darwinit kërkoi një kohë të gjatë dhe të kujdesshme. Nga shënimet e tij është zbuluar se ai procedoi hap pas hapi duke mbledhur sasi të mëdha informacioni dhe provash…

Në 30 vite punë ai i integroi prova dhe informacione mbi fosilet, gjeologjinë, bimët, kafshët me të tjera njohuri nga fusha si demografia, ekonomia dhe shumë fusha të tjera. Sot, duke konsideruar të gjitha këto, teoria e evolucionit nëpërmjet seleksionit natyror mbahet si një nga gjetjet shkencore më të rëndësishme të njerëzimit.

 


seleksioni natyror karikature zotiRoli i Zotit

Në ambientet Viktoriane të shekullit të 19të fosilet njiheshin dhe diskutoheshin gjerësisht. Disa i konsideronin fosilet si forma shkëmbi të formuara vetvetisht, pra që nuk kishin fare të bënin me organizmat e gjallë. Të tjerë i shikonin fosilet si punë të Krijuesit të vendosura në Tokë për të testuar besimtarët. Të tjerë mendonin se fosilet ishin mbetje të organizmave ende të gjallë diku nëpër botë…

Në vitin 1796 natyralisti francez Georges Cuvier pranoi dhe argumentoi se disa fosile si për shembull ato të mamuthëve ishin mbetje të kafshëve tanimë të zhdukura. Ai e paqëtoi këtë nocion me besimin e vet fetar duke invokuar katastrofa si përmbytjet e pikturuara në Bibël. Thuhej se, çdo përmbytje shfarosi një sasi të madhe qeniesh të gjalla; më pas Zoti i dha Tokës qenie dhe organizma të tjerë… Mes çdo katastrofe çdo specie e krijuar prej zotit, thuhej se, qëndronte fikse, pra e patjetërsuar. Kjo teori, që në njëfarë mënyrë përpiqej të paqëtonte mbetjet fosile me besimin në Zot dhe kreacionizmin njihej si “katastrofizëm” dhe u përhap gjerësisht pas botimit nga Cuvier të “Preliminary Doscourses” në vitin1813.

Pavarësisht kësaj, gjatë kohës kur Cuvier merrej me shkimin e teorisë së tij, ide të tjera po përhapeshin… ide që bazoheshin mbi koncepte evolucioni. Për shembull, vetë gjyshi i Darwinit, Erasmus Darwini, një “free-thinker” kishte një teori të vetën idiosinkratike.
Një tjetër ide që kishte më shumë ndikim ishte ajo e paraqitur nga Jean-Paptiste Lamarck, që në atë kohë ishte profesor zoologjie në National Museum of Natural History në Francë. Në librin e tij Philosophie Zoologique të botuar në vtin 1809 ai artikuloi të parën teori të evolucionit të gjallesave. Ai teorizoi se qeniet e gjalla evoluan nga qenie më të thjeshta duke kaluar në stade gjithnjë e më të sofistikuara për shkak të një “force ndërlikuese”.

Lamarcku argumentonte se orrganizmat përballeshin me sfida ambentale mbi trupin e vet dhe prej këtu doli ideja e përdorimit dhe mospërdorimit në një individ. Lamarcku thoshte se përdorimi më i shpeshtë dhe i vazhdueshëm i një organi e përforcon këtë të fundit në mënyrë graduale, e zhvillon dhe madje edhe e zmadhon… ndërsa mospërdorimi i përhershëm i çdonjë organi e dobëson në mënyrë të paperceptueshme, shkallë-shkallë, deri sa ai organ zhduket plotësisht. E gjithë kjo ndodhte tek një individ i vetëm. Kështu shkruante Lamarcku ky organ i fuqizuar nga përdorimi i vazhdueshëm që një indivd bënte më pas kalonte tek pasardhësit – fenomen i emërtuar si “trashëgimi e karakteristikave të fituara”. Në pamje të parë kjo teori duket se ngjan mjaft me atë të propozuar nga Darwini, por duhet specifikuar se ndryshon në pika të ndryshme themelore.

Ayn Rand dhe Objektivizmi (shkurtimisht)

Ayn Rand dhe Objektivizmi (shkurtimisht)

Nuk ka asgjë që mund t’ia mohojë lirinë njeriut, veçse njerëz të tjerë. (Ayn Rand 1905-1982)

Gjatë shekullit të 20-të forcat binjake të fashizmit dhe komunizmit bënë që shumë intelektualë në Perëndim të vinin në dyshim etikën përfshirjes shtetërore në jetët e individëve.

ayn_rand_2Filozofja dhe novelistja russo-amerikane Ayn Rand besonte në një formë individualizmi etik, i cili e konsideronte ndjekjen e interesit personal (vet-interesit) si moralisht të drejtë.

Sipas Ayn Randi, çdo tentativë për të kontrolluar veprimet e të tjerëve nëpërmjet rregulloreve shtetërore korruptonte aftësinë e individëve për të punuar lirisht si anëtarë produktivë të shoqërisë. Me fjalë të tjera ishte e rëndësishme që të ruhej liria e njeriut prej ndërhyrjes së njerëzve të tjerë.

Më në veçanti Rand mendonte se monopoli që zotëron shteti në ushtrimin ligjor të dhunës është i pa moralshëm, sepse minonte përdorimin praktik të llogjikës dhe arsyes prej individëve. Për shkak të kësaj, Rand dënonte taksimin, sikundër edhe rregullimin shtetëror të bizneseve dhe shumë fusha të tjera të jetës publike.

Objektivizmi
Kontributi kryesor politik i Ayn Rand në mendimin politik është një doktrinë që ajo e quante Objektivizëm. Ajo e mendoi Objektivizmin si një “filozofi praktike për të jetuar në Tokë” që siguronte një set parimesh që qeverisnin të gjitha aspektet e jetës, përfshirë politikën, ekonominë, artin dhe marrëdhëniet ndërpersonale.

Objektivizmi është ndërtuar mbi idenë se arsyeja dhe racionaliteti janë të vetmet absolute në jetën e njeriut, dhe si rezultat, çdo formë e “thjeshtë e di” bazuar në fe apo instinkt, si për shembull besimi fetar/religjioni, nuk mund të siguronte një bazë adeguate për ekzistencën.

Puna e saj më me ndikim ishte Atlas Shrugged; në të artikulohen idetë e saj për sa i përket Objektivizmit. Ngjarjet e novelës zhvillohen në një versione të Shteteve e Bashkuara të Amerikës të sakatosura prej ndërhyrjes qeveritare dhe biznesmenëve të korruptuar; heronjtë e novelës janë industrialistët dhe sipërmarrësit prodhueshmëria e të cilëve mbështet shoqërinë dhe korporatat e të cilëve ushqejnë civilizimin.

Në ditët e sotme idetë e Ayn Rand rezonojnë ende fuqishëm në qarqet libertariane sikundër edhe në qarqe më të vogla liberale dhe konservatore amerikane.