Dyzet vjet pas revoltës së Spaçit – Agim Musta

Dyzet vjet pas revoltës së Spaçit – Agim Musta*

Kampi i Spaçit u ndërtua nga të burgosurit ordinerë në fillim të vitit 1968. Kampi ishte ndërtuar në gropë, në një shpat mali të zhveshur, rrethuar nga të gjitha anët me male, ku shikohej vetëm një kupë qielli. Fillimisht, si kapanonë fjetjeje shërbenin disa baraka të vjetra të ndërmarrjes së gjeologjisë, ndërtuar në vitin 1953. Të burgosurit e parë politikë që u dërguan për të punuar në galeritë e Spaçit, në maj të vitit 1968, për të nxjerrë nga thellësia e tokës bakër dhe pirit, ishin nga kampi-burg i Elbasanit, që punuan dhe ndërtuan fabrikën e çimentos. Ata u pritën me thirrje në kor: “Ja u bëmë varrin! Ja u bëmë varrin!” nga të burgosurit ordinerë, që vazhdonin të rrethonin kampin e punës me tel me gjemba dhe truproja.
Sigurisht, atyre mjeranëve ua kishin mësuar parullën oficerët e Sigurimit, dikasteri i të cilëve e kishte projektuar Spaçin si “varri i armiqve të partisë dhe të popullit”. Të burgosurit, që në fillim ishin 600 veta, punonin me tri turne, me mjete primitive dhe pa asnjë masë të sigurimit teknik. Për 3 muaj të vitit atje zotëronte bora dhe akulli. Temperatura në dimër zbriste deri në 15 C. Në acarin e dimrit, të burgosurit që nuk realizonin normën, i lidhnin nëpër shtylla me kavo çeliku, duke i mbuluar me borë dhe akull gjersa humbisnin ndjenjat. Kushtet higjieno-sanitare në kampin e Spaçit ishin të vajtueshme. Të burgosurit që kundërshtonin urdhrat e gardianëve rriheshin barbarisht. Një torturë tjetër që ushtrohej mbi të burgosurit e Spaçit për çdo ditë ishte qëndrimi në këmbë me orë të tëra, me pretekst numërimi. Kështu orari ditor i punës arrinte nga 8 deri në 10-11 orë. Kur iu drejtoheshin të burgosurve, gardianët dhe oficerët e kampit e kishin në  majë të gjuhës thënien: “Nga Spaçi s’keni për të dalë as të gjallë, as të vdekur”. (Kufomat e të burgosurve që vdisnin pa mbaruar dënimin, nuk u jepeshin familjarëve). Birucat e kampit ishin gjithmonë plot me të dënuar për shkaqe nga më absurdet. Ata mbaheshin atje deri në një muaj me bukë thatë dhe vetëm një batanije. Para se të ndodhte revolta e 23 majit 1973, të burgosurit e Spaçit i ishin drejtuar shumë herë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve të larta të Partisë-shtet, për ndalimin e dhunës pa shkak që ushtrohej mbi ta. Kërkesat e tyre binin në vesh të shurdhër dhe dhuna vazhdonte të ushtrohej si më parë.
Fillimi i revoltës së Spaçit nisi pikërisht me shpërthimin e birucave nga i burgosuri guximtar Hulësi Pashollari. Ai mundi të lironte 12 të burgosur që vuanin dënimin pas asnjë shkak ose motiv serioz, pikërisht më 21 maj 1973. Atje filloi dhe përleshja me rojet e brendshme të kampit, të cilët u zmbrapsën para turmës së revoltuar të të dënuarve dhe më pas revolta u zhvendos jashtë kampit. Ambientet e brendshme ranë në duart e të burgosurve. Revolta shpërtheu si një erupsion vullkanik. Ishte kulmi i protestës së të burgosurve për shkeljen më të rëndë të të drejtave njerëzore, marrjen nëpër këmbë në mënyrë çnjerëzore të dinjitetit njerëzor, ishte revoltë për torturat dhe skamjen në kufijtë e vdekjes. Puna e detyruar skllavëruese dhe dhuna e përditshme që ushtrohej mbi të dënuarit e kishin çuar në kockë thikën e diktaturës së proletariatit. Nuk durohej më. Edhe më të frikësuarit nga terrori u bënë trima dhe u hodhën në ballë të turmës së revoltuar. Më mirë një vdekje e menjëhershme, sesa një torturë pa fund, kampi gjëmonte nga thirrjet dhe krismat për liri: “Rroftë liria, poshtë komunizmi, poshtë diktatura”.
Në qendër të kampit u valëvit flamuri kuq e zi me përkrenaren e Skënderbeut, pa yllin komunist, e para herë në Shqipëri pas instalimit të diktaturës. Byroja Politike u zu në befasi nga kjo revoltë e padëgjuar dhe e pamenduar se mund të trondiste themelet e terrorit komunist. Dy net e tri ditë të burgosurit bënë një rezistencë heroike, luftuan me krenari e dinjitet për të rrëzuar telat e gjembave dhe hekurat e burgut. Byroja Politike dha urdhër që revolta të shtypej sa më parë dhe me çdo mjet. Më 23 maj të vitit 1973 qindra forca speciale dhe efektivë të policisë u vërsulën si kafshë të tërbuara brenda kampit duke rrahur e goditur çnjerëzisht të burgosurit e rraskapitur nga beteja për liri. Ata ishin të pangrënë e të rrënuar nga goditjet fizike. Rezistenca u shtyp egërsisht me bilanc tronditës, u dënuan me vdekje katër të burgosur: Hajri Pasha, Dervish Bejko, Pal Zefi dhe Skënder Daja. Ata u ekzekutuan brenda pak ditëve, ndërsa 111 të burgosur të tjerë u dërguan në hetuesinë qendrore në Tiranë, ku iu bënë tortura dhe hetuesi me mjete nga më të dhunshmet. Terrori kishte rilindur edhe më i ashpër se para revoltës. Ata u nxorën në një gjyq të inskenuar në Rrëshen dhe u ridënuan me 1700 vjet burg.
Ky ishte fundi fatal i revoltës së Spaçit, por jo i shpirtit të saj. Ideali dhe fryma e shenjtë e luftës për liri mbajti gjallë me mijëra mendje e zemra të të burgosurve politike në Spaç, Burrel, Qafë-Bar, Tiranë e në të gjithë Shqipërinë. Revolta ka hyrë në analet e historisë sonë kombëtare si revolta më e madhe në historinë e burgjeve dhe kampeve me punë të detyruar në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Por hulumtimet dhe studimet e kryera në këtë disiplinë e shënojnë revoltën e Spaçit si revoltën më historike në ish-vendet komuniste të Europës Lindore që i dha jehonë jo vetëm Burgut të Spaçit, por gjithë Shqipërisë si vend me vetëdije të lartë kombëtare, me besim të thellë te vlerat e lirisë dhe parimeve njerëzore. Por fatkeqësisht diktatura komuniste në Shqipëri ishte më dramatikja dhe ndër më jetëgjatat, që solli pasoja të paimagjinueshme për rrënimin dhe humbjet e mijëra viteve jetë të pafajshme nga kalvaret e pafundme të burgjeve dhe internimeve.
Pas revoltës dhuna dhe terrori në Burgun e Spaçit u thelluan edhe më tepër. Gjashtë vite pas revoltës, në Spaç u inskenua një tjetër gjyq makabër, u dënuan me vdekje intelektualët Vangjel Lezho, Fadil Kokomani dhe Xhelal Koprencka. Burgu-minierë i Spaçit vazhdoi të mbahej në këmbë nga komunistët dhe për afro çerek shekulli. Ai ka hyrë në histori si burgu më rrëqethës për të burgosurit politikë dhe familjarët e të afërmit e tyre. Por jehona bëmëkeqe e burgut mbante pezull dhe zemrat e shqiptarëve, të cilët edhe pse jashtë kangjellave, e vuanin privimin e lirisë pak më egër se vetë të burgosurit politikë.
Bilanci i Burgut të Spaçit, me dhjetëra të burgosur të ekzekutuar, të vrarë në minierë, të torturuar çnjerëzisht dhe të mbajtur vazhdimisht në gjendje urie, është një thirrje shtesë për meaculpan e vonuar të byroistëve që jetojnë dhe pasardhësve të tyre që duan ta mbajnë gjallë frymën e diktaturës. Sot Shqipëria e lirë, demokratike, anëtare në NATO, është amaneti i çuar në vend për luftëtarët e lirisë në Burgun e Spaçit dhe në dhjetëra burgje e kampe pune e internimi shqiptare.
Nga ana tjetër, një homazh i përjetshëm nderimi, i merituar për ta dhe të gjithë të burgosurit e të persekutuarit politikë, do të ishte ndërtimi i Burgut muze në Spaç dhe Burrel. Kurrë nuk është vonë për të vënë tullat e ndërtesës simbol të kujtesës historike.

*Historian, i burgosur politik, bashkëvuajtës në Spaç

(Burimi: Gazeta Panorama)

————————————————————————

Reklama

Standardizimi i gjuhës – Read Me

Gjuha si një konstrukt, produkt shoqëror, ka pasur si shoqërues të kahershëm debatin mbi normimin dhe standardizimin e saj. Gjuha ka një arsye – raison d’être – për të ekzistuar siç është nën ndikimin e normave e standardeve sociale të cilat përherë ndryshojnë.

Siç dëshmohet, edhe ajo “më e latuara, e skalitur në gur”, gjuhës të Virgjilit dhe Ciceronit, i erdhi koha që të arkivohej, një ditë të mirë, humbi pushtetin për të imponuar rregullat e veta. Ndryshimet në strukturën e gjuhës janë pasoja të kontributit kulturor e gjuhësor të mbartësve, folësve të gjuhës. Nën shtysën e rrethanave të reja, lind nevoja për forma e mënyra të reja për të thënë të njëjtën gjë, apo për të evoluar mendimin.

Konstruksioni social i gjuhës, i komplikon edhe më shumë debatet në linguistikë. Gjuhëtarët janë ndarë në dy kampe: ata që mendojnë se njehsimi, standardizimi duhet imponuar si një hap i menjëhershëm e njëherazi, dhe pjesa tjetër që e konsideron të padrejtë e të pamundur këtë mënyrë të imponuari. Mungesa e një mendimi të përbashkët, lidhet me pamundësinë e dhënies të një përgjigje, që shterueshëm hedh dritë mbi vetë standardin: Çfarë është standardi? Përgjigja mund të jetë e ndryshme. Kjo pyetje të qet telashe të tjera: Si duhet të jetë pra, standardi?

Përderisa sjelljet, normat dhe standardet sociale evoluojnë, folësit e gjuhës vazhdimisht krijojnë, japin e marrin fjalë dhe struktura të reja, të tjera, duke negociuar vazhdimisht përdorimin, paraqitjen dhe aspektet kuptimore në marrëdhëniet e tyre të përditshme.

[…]

Gjuha, si konstruksion social, si mjeti më efikas i zhvillimit të inteligjencës njerëzore (shqiptare në rastin tonë), rrit natyrshëm entropinë e vet nëpërmjet kombinacioneve, dhënie-marrjen gjuhësore midis individëve, grupimeve dhe komuniteteve shoqërore. Vazhdimisht midis tyre krijohen dhe negociohen fjalë, shprehje, norma e standarde të reja të paplanifikuara gjuhësore. Në ndryshim nga standardi i planifikuar – si proces – gjuha (shqipe) në tërësi, nuk ka ndonjë objektiv, ndonjë paraqitje të përkryer të fundme. Asnjëherë nuk mund të arrihet në një produkt përfundimtar, përderisa përditë, gjuha vazhdimisht ndryshon, në formë dhe në përmbajtje, prej vetë përdoruesve të saj.

[…]

Dobishmëria e përvetësimit të standardit lidhet me aspekteve utilitare të kontekstit politik dhe arsimor-edukativ të vetë shtetit. Por për ta bërë pjesë të kulturës të sistemit kompleks politik, arsimor, juridik për të promovuar kohezionin shoqëror duhet të shihet si një proces që nuk arrin kurrë fundin. A duhet menduar se ka apo do të ketë një gjuhë shqipe standarde si produkt i fundmë? Pavarësisht përpjekjeve, gjuha e planifikuar standarde, standardizimi i gjuhës, kurrsesi nuk mund të universalizohet, qoftë edhe brenda kufijve të një shteti të fuqishëm apo totalitar. Gjuha standarde do të bashkëjetojë, do të zhvillohet përkrah universit të varianteve te folura jostandarde dhe nuk do të mund t’i mbivendoset atyre.

Gjuha standarde si produkt i përfundimtar, është vetëm një gjuhë e vdekur, pa përdorues e mbartës të saj, si gjuha standarde e Virgjilit dhe Ciceronit, përdoruesit e fundit te cilës kanë vdekur kohë më parë e sot nuk ka kush tjetër gjallë që ta flasë, ta zhvillojë dhe ta evoluojë si gjuhë.

Shënim: Inteligjenca si mënyrë sjelljeje e komunikimi(qoftë edhe tek njeriu) përparon cilësisht kur një sistemi i mban të gjitha opsionet hapur për të përzgjedhur midis tyre. Kjo ndodh kur entropia e sistemit është e lartë. Sa më i organizuar sistemi, aq me e vogël entropia. Ka shkencëtarë që punojnë me modele e formulime matematike për të ilustruar e lidhur entropinë me teorinë evolucioniste, zhvillimin e gjuhës, etj. pavarësisht se lidhja mund të tingëllojë fillimisht si ide paradoksale.

[Standardizimi i gjuhës – nga Read Me]

(nënvizimet janë të miat)

Korrupsioni, paria keqqeverisëse dhe marria kolektive – Grid Rroji

Një sondazh ndërkombëtar i organizatës amerikane Pju Risërç (Pew Research) tregon se 90 % të shqiptarëve ndjehen shumë apo mjaftueshmërisht të shqetësuar nga korrupsioni në vend. Shifra është alarmante dhe kjo duhet të ishte një nga temat më të nxehta të fushatës zgjedhore e cila ka hyrë në fazën e vet më intensive. Por klanet e parisë së Tiranës e kanë injoruar krejtësisht këtë sondazh dhe e kanë dënuar me heshtje. As qeveria e as opozita nuk e kanë përmendur sondazhin dhe gjasat janë që edhe po e përdorën në të ardhmen e afërt do t’a instrumentalizojnë për qëllime të ngushta përfitimi politik.

Sakaq, në një vend normal demokratik, të injorosh një problem që shqetëson fort shumicën dërrmuese të qytetarëve është e pakonceptueshme. Në një vend normal demokratik shqetësimet e qytetarëve kanë përparësi tërësore për politikën. Mirëpo në oligarkinë hajnore të Shqipërisë, paria nuk dëshiron qeverisjen e mirë për shkak se kërkon të shfrytëzojë me çdo kusht pushtetin për pasurim personal. Përplasja zgjedhore edhe në këtë fushatë i shërben luftës së tyre për zotërimin e të mirave publike që garanton kontrolli i shtetit, por nuk synon arritjen e së mirës publike. Ndaj, dhe palët do të vazhdojnë t’a injorojnë shqetësimin e qytetarëve të vet.

Qeveria ka kohë që e ka gjetur armën retorike kundër  sondazheve të perceptimit të korrupsionit. Propagandistët e saj përsërisin ad nauseam se “kjo është çështje perceptimi dhe nuk përfaqëson realitetin”. Mirëpo një perceptim i 90% të shqiptarëve është statistikisht i rëndësishëm sepse shpreh ndjesitë dhe eksperiencat e shumicës së stërmadhe të shqiptarëve. Gjithashtu,  Shqipëria është vend i vogël dhe në shumicën e rasteve populli e di se sa dhe si vjedhin qeveritarët. Askush nuk ka nevojë për sondazhe perceptimi për të parë se si dhe ku vjedhin qeveritarët e sotëm dhe familjarët e tyre, si dhe cilat klane kriminale i mbështesin apo sa vila kanë ndërtuar gjatë viteve në pushtet. Siç jam shprehur më parë, qeveria e “duarve të pastra” u shndërrua në “kopenë me putra të mëdha”. Pra qeveria nuk mundet t’a bëjë kauzë korrupsionin përveçse kur akuzon qeveritarët socialistë se ata vidhnin më shumë.

Nga ana tjetër, opozita nuk e ka bërë kauzë korrupsionin për dy arsye. E para sepse një pjesë e madhe e funksionarëve të lartë të saj janë të akuzuar për korrupsion si gjatë qeverisjes Nano ashtu edhe gjatë drejtimit të Bashkisë së Tiranës nga Rama. Ata e dinë se kundërshtarët e tyre politikë do t’jua përmendin bëmat dhe loja shndërrohet kush është më pak i pistë se tjetri. Sikurse, ithtarët e Ramës kanë pritur me durim pushtetin tetë vjet në opozitë. Tani ata nuk dëshirojnë që të kenë kalë beteje korrupsionin kur mezi po presin të zëvendësojnë të korruptuarit e PD-së në poste ku mund të sigurohet jeta e stërnipërve. Ndaj, në vend që opozita të merret seriozisht me fenomenin, lufta kundër korrupsionit reduktohet qëllimisht në luftë personale kundër Berishës dhe familjes së tij. Ndonëse ka shumë fakte mbi lidhjet e tyre  ekonomike dhe kriminale, fenomeni i korrupsionit përfshin shumë më tepër se sa fëmijët e Berishës. Po ashtu, shqiptarët e kanë të vështirë të besojnë se kryebashkiaku Rama “kursen” vetëm treqind dollarë në vit. Kësisoj, opozita bën sikur denoncon, sa për sy e faqe por në realitet kërkon rotacionin për të qenë ajo në krye të aferave.

[…]

Pasojat e sjelljes së parisë janë tepër të rënda për qytetarët. Për shkak të vullnetit të parisë për të sunduar e jo për t’i shërbyer qytetarit kemi sot një sistem politik oligarkik. Në këtë sistem vidhet dhe tjetërsohet vota, mbahet populli në një perde të trashë propagande, keqpërdorohen dhe vidhen burimet natyrore të vendit dhe ç’është më e rëndësishmja mohohen dhe shpërfillen vlerat morale. Më tej, kjo pari e kriminalizuar  kërkon t’ja imponojë të gjithë shqiptarëve kulturën kriminale si rruga e vetme drejt kapitalizmit. Pra, siç ka thënë Shinasi Rama, paria është gjarpri që po i kafshon një e nga një shqiptarët për t’i bërë si vetja. Mirëpo në fund të kësaj helmatisje sistematike përfundojmë në një botë gjarpërinjsh ku jo vetëm pjesëtarët e shoqërisë por edhe mjedisi është i helmatisur. E në këtë mjedis mund të jetojë vetëm një bashkësi e marrosur kolektivisht.

Fatmirësisht, sondazhi i perceptimit të korrupsionit tregon se puna sistematike e parisë për të na helmatisur nuk ja ka dalë të na deformojë si popull. Nëntëdhjetë përqind e shqiptarëve e kanë shprehur qartë neverinë e tyre për keqqeverisjen, korrupsionin, hajninë dhe mungesën e vlerave të parisë. Mirëpo të qenit i ndërgjegjshëm për situatën e rënduar nuk mjafton. Duhet vepruar për t’a ndalur sundimin e parisë e për të dalë nga qerthulli helmatisës ku po mundohen të na fusin. Siç ka thënë shkrimtari amerikan Dejvid Ignatius “historia është e pamëshirshme me popujt pasivë”. Sado fort të mundohemi t’a shmangim zvetënimin dhe deformimin që na ka taksur paria e Tiranës, mosveprimi i shërben asaj. Sa më në heshtje të rrimë aq më shumë ja rrisim shanset parisë që t’ja dalë në këtë ndërmarrje djallëzore.

Këtë herë duhet të mos sillemi sikur na ka kapluar marria kolektive. Në këto zgjedhje, ka ardhur koha që populli t’i verë kryqin parisë dhe veglave të saj e të gjithë bashkë të fillojmë ndërtimin e një të ardhmeje të re. E ardhmja e shqiptarëve duhet të mbështetet mbi baza të shëndetshme morale dhe demokratike dhe tek ndërtimi i shtetit komb. Askush nuk do na e ketë fajin nëse e lejojmë parinë e Tiranës të na shtyje përsëri drejt marrisë kolektive.  Zgjedhja është e jona.

[Shkrimi gjendet tek Rrethi i FerritKorrupsioni, paria keqqeverisëse dhe marria kolektive – Grid Rroji]

————————————————————————————————–

Përsëri rrethi vicioz i zgjedhjeve pa zgjidhje – Ilir Demalia

[…]

Shikoni fjalimet hidh e prit nga të dy palët, pa asnjë program të qartë konkret, pa ide, pa koncepte politike, pa përballje me realitetin e zymtë, pa koncepte të qarta ekonomike, sociale, kombëtare. Më e rëndësishmja, këto fjalime janë pa asnjë lloj trasparence per luksin e madh të shpenzimeve për këtë fushatë në vendin më të varfër të Europës. 
Ana etike e fushatës të habit. Flitet me terma si  veshi, leshi, preshi, ngjalat, halat, fyti, gurmazi, Blloku, Lazari debili dhe militantët që mbushin sallat e bajraktarit kryeministër apo të beut që do të bëhet kryeminister. Flitet për koalicionet dhe diskutohen si marrja në aleancë e Rilindjes me Beun e pardjeshem që u kthye në Nën/Bajraktar me Bajraktarin e “Kohës për Ndryshim” për të rilindur si Allajbe o me së paku si Subash me Bllokun e 21 Janarit dhe shumë blloqe të tjera të abuzimit dhe krimit të 22 Vjetëve te Ram-Ti-Met-Lindja. Në këtë bashkim, kemi dhe prostitutat e vogla, partitë tip mikrobuzi që rrinë të gatshëm për të marrë shpërblimin e rradhës mbas 23 qershorit nga bajraktari apo beu i rradhës që do marrë fronin e ri.

Mirëpo, ky mentalitet bajraktaro-feudo-komunist i Oligarkisë post-komuniste tashmë është i diskredituar, i korruptuar, i inkriminuar dhe totalisht i degjeneruar e i zvetënuar…. Vetëm ai që është i lidhur ose i kapur nga kjo Oligarki do të pohonte ndryshe. 
Në këto 22-vjet Oligarkia sunduese e Tiranes në vend të shtetit të së drejtes ka ngritur shtetin e të fortit.

[…]

Shkrimi i plotë gjendet tek bloguRrethi i Ferrit – Probleme shqiptarePërsëri rrethi vicioz i zgjedhjeve pa zgjidhje – Ilir Demalia

———————————————————————————————-

Koalicionet, AK, FRD dhe frika e parisë së Tiranës – Grid Rroji

[…] ka ardhur koha që ne shqiptarët t’I tregojmë palëve të parisë se ata nuk mund të luajnë më me vullnetin e popullit. Shqiptarët duhet t’i thonë jo parisë në këto zgjedhje duke përdorur mjete sa më demokratike. Ne duhet të ngrihemi mbi simpatitë personale, mbi të kaluarën familjare dhe përfitimet meskine dhe t’i themi parisë se ne meritojmë shumë më tepër. Ne duhet të bashkohemi në një koalicion qytetar dhe të rebelohemi ndaj llumit të parisë. Në qoftë se AK-ja apo FRD arrijnë të bëhen pishtarmbajtëse drejt një fillimi të ri ato duhen mbështetur.  […] Ka ardhur koha të veprojmë tani për një fillim të ri.

Shkrimi gjendet i plotë tek blogu i prof. Shenasi Ramës, këtu: Koalicionet, AK, FRD dhe frika e parisë së Tiranës

———————————————————————————————————-