Ilaçet antipsikotike konvencionale dhe jo konvencionale

Ilaçet antipsikotike

Ilaçet antipsikotike janë zbuluar rastësisht, dhe termi ‘antipsikotik’ është një term relativisht i ri.

Ganglioplegjikë (bllokues ganglionikë) ose neuroplegjikë – për aftësinë e tyre për të induktuar një gjendje indiference në drejtim të ndërhyrjes kirurgjikale.

Ilaçet antipsikotike janë të aftë që nga një anë të prodhojnë një gjendje qetësie (karakteristikë e dalluar e vetive të tyre qetësuese/sedative) dhe nga ana tjetër të provokojnë disa efekte motore, të ngjashme me ato të sëmundjes së Parkinsonit. Është pra e njëjta veti që është përgjegjëse si për efektet terapeutike ashtu edhe për përkeqësimin motor. Ndaj u fut në përdorim termi ‘neuroleptik’ për shkak të efekteve të tyre inhibitore mbi aktivitetin motor.

Atipik – është një term që përdoret për të treguar një nënklasë të antipsikotikëve. Aty futet Clozapina, e cila konjugon një efikasitet më të madh me një aftësi më të vogël ose nulle për të induktuar katalepsi tek kafsha apo efekte esktrapiramidale (jashtëpiramidale) tek pacientët.

Shënim: Do të ishte më me vend përdorimi i terminologjive si ‘konvencional’ dhe ‘jo konvencional’ për t’iu referuar kategorive të ndryshme të antipsikotikëve. Clozapina është prototipi i antipsikotikëve jo konvencional. Një tjetër përbërje antipsikotike jo konvencionale është Risperidoni.

 

Farmakodinamika e ilaçeve antipsikotike konvencionale

Hipoteza dopaminergjike, sipas të cilës antipsikotikët zbusin simptomat e psikozës duke reduktuar aktivitetin dopaminergjik. Kjo hipotezë lind prej vëzhgimit se Clorpromazina dhe Aloperidoli rrisnin përqëndrimin e metabolitëve të dopaminës (DA) në zonat trunore të pasura me atë neurotransmetitor.

Të tjera studime demonstrojnë se, fuqia antipsikotike e neuroleptikëve konvencionale bashkëlidhet në mënyrë të drejëtpërdrejtë me afinitetin/afrimitetin për receptorin e tipit 2 (D2) të dopaminës, duke e treguar këtë të fundit si vendin vendimtar për aktivitetin e këtyre përbërjeve.

Antipsikotikët e gjeneratës së parë shfaqin afinitet për një gamë të gjerë receptorësh (H1 histaminikë, muskarinikë, alfa-1, alfa-2 adrenergjikë, dhe serotoninergjikë). Sidosi nuk është mundur të dallohet me siguri një rol domethënës në aktivitetin antipsikotik. Besohet se ndërveprimi me këta receptorë mund të bashkëlidhet me efektet mbi arousal-in, me ato ekstrapiramidale, konjitive, kardiovaskulare, gastrointestinale dhe gjenito-urinare.

 

Farmakodinamika e ilaçeve antipsikotike jo konvencionale

Clozapina është modeli i referencës.
Në doza terapeutike, antipsikotikët jo konvencionalë, ushtrojnë një zaptim më të vogël të receptorit D2 të dopaminës; kjo kur krahasohen me përbërjet antipsikotike konvencionale.

Clozapina shfaq një afinitet më të madh për receptorin D1 krahasuar me D2, veti kjo që së bashku me ndërveprimin D1/D2 ka tërhequr vëmendjen për vendëndodhjen prevalente të këtij receptori në korteksin prefrontal. Po ashtu ka kontribuar në propozimin e D1 si një vend i mëtejshëm për aktivitetin e përbërjeve jo tipike/jo konvencionale.

 

Farmakokinetika e ilaçeve antipsikotike

Metabolizmi i tyre është gjerësisht hepatik, dhe ndodh nëpërmjet procesesh konjugimi me acidin glikuronik, hidroksilimi, oksidimi, demetilimi/çmetilimi dhe formimi sulfoksidesh.

Disa ndryshore që ndikojnë në farmakokinetikën e ilaçeve antipsikotike:

Mosha – pacientët e moshuar shfaqin një ndryshueshmëri më të madhe në eleminimin e ilaçit.

Gjenetika – ekziston një ndryshueshmëri e madhe individuale në citokromet përgjegjëse për metabolizimin. Kështu ekzistojnë edhe diferenca etnike në metabolizimin e ilaçit.

Duhanpirja – duhanpirësit shfaqin një aftësi metabolike të rritur.

Një fluks hematik i reduktuar në mëlçi dhe/apo në veshka mund të reduktojë metabolizmin dhe eleminimin e këtyre ilaçeve. Po ashtu, sëmundje hepatike si cirroza, hepatitet etj., mund të reduktojnë metabolizmin e tyre.

Induktorë enzimatikë janë: Carbamazepina, Fenitoina, Etambutoli, Barbiturikët.
Inhibitorë enzimatikë janë: Inhibitorët selektivë të rithithjes së serotoninës, Antidepresivët triciklikë, Cimetidina, Beta-bllokuesit.

 

Indikacionet dhe modalitetet e përdorimit të ilaçeve antipsikotike

Antipsikotikët konvencionalë (kanë aftësi të përmirësojë pjesën më të madhe të çrregullimeve pozitive gjatë episodeve akute.) Indikacionet e tyre kryesore janë në sëmundjen e skizofrenisë, sindromat skizoafektive, faza maniakale e çrregullimeve afektive bipolare dhe psikozat senile.

Në trajtimin e psikozave rezultatet më të mira në terma të balancës mes efikasitetit dhe reaksioneve anësore përftohen me dozat më të vogla (aftësi për të zvogëluar çrregullimet pozitive pa induktuar reaksiona anësore domethënëse).
Gjithsesi, duhen konsideruar edhe faktorë të tjerë si; përmirësimi i simptomave negative, depresioni, ideacioni vetëvrasës dhe mbi të gjitha funksionet konjitive.

Neuroleptikët konvencionalë nuk i përmirësojnë në mënyrë domethënëse simptomat negative me përjashtim të atyre dytësore ndaj çrregullimeve pozitive dhe nuk sjellin benefite për çrregullimet konjitive që prekin të paktën 85% të pacientëve skizofrenikë.

Shënim: nuk ekzitojnë prova të qarta për të thënë se në fushën e neuroleptikëve konvencionalë një përbërje është apo mund të jetë me efikase se një tjetër në trajtimin e psikozave.

Shënim 2: femrat priren të kenë një përgjigje më të mirë dhe kërkojnë dozazhe më të vogla.

Antipsikotikët konvencionalë mund të administrohen nëpërmjet rrugës orale apo injektive, në formulime me veprim të shkurtër ose të gjatë.

 

Antipsikotikët jo konvencionalë – Clozapina për shkak të reaksioneve anësore të mundshme kërkon kontrolle hematologjike të afërta njëra me tjetrën. Clozapina për shkak të reaksioneve të veta anësore nuk përdoret si zgjedhje e parë.

Përjashtuar Clozapinën, antipsikotikët e tjerë jo konvencionalë përdoren në trajtimin e skizofrenisë, të depresionit me trakte psikotike dhe të çrregullimeve skizoafektive, si dhe të maniakalitetit.

Risperidoni –

Olanzapina – është një antipsikotik jo tipik; konsiderohet zgjedhja e parë për trajtimin e të gjitha formave klinike të psikozave. Është efikas si për sa i përket çrregullimeve pozitive ashtu edhe për ato negative. Është gjithashtu efikas në terapitë mirëmbajtëse (terapi të vazhdueshme që tentojnë të ruajnë gjendjen e ekuilibrit të arritur) duke reduktuar kështu numrin e rasteve me rikthim të sëmundjes. Olanzapina administrohet një herë të vetme gjatë ditës.

 

Terapia me antipsikotikë gjatë shtatëzanisë

Ngurrim në parashkrimin dhe në marrjen e antipsikotikëve gjatë shtatëzanisë për shkak të fetotoksicitetit të dyshuar të këtyre ilaçeve.

Studime të ndryshme dhe meta-analiza, tregojnë se përdorimi i fenotiazinave dhe butirrofenonëve nuk duket se sjellë rreziqe të shtuara ndaj dëmeve keqforumese apo funksionale të pasardhësve të cilët janë ndjekur deri në moshën shkollore.

Clozapina nuk mund të këshillohet gjatë shtatëzanisë për shkak të rrezikut të rritur që ka për të induktuar ‘floppy infant syndrome’, konvulsione dhe agranulocitozë të porsalindur.

Gjatë ushqyerjes me gji, dihet se për sa i përket antipsikotikëve konvencionalë, më pak se 10% e përqëndrimit të ilaçit që qarkullon në gjakun mëmësor është në gjendje të mbërrijë tek fëmija nëpërmjet qumështit.
Ndërsa për sa i përket antipsikotikëve jo konvencionalë, studime të realizuara me Olanzapinën dhe Risperidonin kanë treguar përqëndrimie aq të ulëta sa të mos jenë të matshme. (Clozapina nuk rekomandohet.)

 

Efektet anësore – Antipsikotikët konvencionalë

Sindroma ekstrapiramidale akute. Format më domethënëse nga ana klinike janë të përfaqësuara nga akatisia, distonitë dhe parkinsonizmi.
Akatisia – është një efekt anësor i antipsikotikëve, me një freqkuencë prej 9-35%, që shfaqet si siklet/parehati e brendshme apo shqetësim/nervozizëm që shtyn drejt lëvizjes së gjymtyrëve të poshtëme dhe drejt nevojës për të ndryshuar pozicion, apo për t’u ngritur nga karrigia, apo për të hedhur hapa nëse individi gjendet në këmbë. Akatisia mendohet se është e lidhur me tjetërsime të transmisionit dopaminergjik në nyjet nervore/ganglionet e bazës së trurit.
Distonitë akute – paraqiten në 10% të rasteve në orët e para të trajtimit, dhe në 90% të rasteve në tre ditët e para. Distonitë akute nuk janë gjë tjetër veçse tkurrje, të herëpasëherëshme apo të zgjatura të muskujve të trungut, të qafës, mandibulës, gjuhës, së bashku me kriza okulogjire (deviacion i pavullnetshëm i sipërm i syve.).
Parkinsonizmi – është një efekt anësor që zhvillohet mesatarisht në 9-36% të rasteve. Ka të bëjë mbi të gjitha me shfaqjen e ngurtësisë dhe bradikinezisë (dhe dridhje). Mekanizmi përgjegjës është bllokimi i transmetimit dopaminergjik nigrostriatal.

Sindroma malinje nga neuroleptikët. Përfaqëson një reaksion anësor të rëndë dhe shpeshherë fatal ndaj kësaj klase ilaçesh (1% ). Kjo sindromë karakterizohet nga hipertermi, nga shenja estrapiramidale, gjendje e tjetërsuar e ndërgjegjies, acidozë metabolike, hiperpotasihemi, rritje të numërit të rruazave të bardha, luhatje të presionit, aritmi, dispne, diaforezë dhe inkontinencë. Zakonisht shfaqet në fillim të terapisë.

Reaksionet kardiake. Neuroleptikët me fuqi të ulët janë shfaqur më shumë përgjegjës për reaksionet kardiotoksike në krahasim me ata me fuqi të lartë.
Kardiotoksiciteti i antipsikotikëve ndërmjetësohet nga një efekt inotropik negativ, nga tjetërsime enzimatike të qelizave kardiake, nga një zgjatje e kohëve të tejçimit atrial dhe ventrikular si dhe e periudhave refraktare.
Tioridazina shkakton aritmi të rënda dhe torsade de pointes.

Reaksionet endokrine dhe seksuale. Tahitja/sekretimi i prolaktinës rregullohet nga një ton inhibitor i ushtruar nga Dopamina (DA) nëpërmjet receptorit D2, kështu që bllokimi i këtij receptori provokon një rritje të niveleve qarkulluese të hormonit prolaktinë.
Tek femrat hiperprolaktinhemia shpie në një mbufatje të gjirit, galaktorrhe, çrregullsi menstruale dhe cikle jo-ovulatorë.
Tek meshkujt rritja e niveleve të prolaktinës provokonë gjinekomasti, humbje të libidos dhe pafuqi seksuale/impotencë për shkak të zvogëlimit të prodhimit të testosteronit.

 

Efektet anësore – Antipsikotikët jo konvencionalë

Reaksione ekstrapiramidale. Neuroleptikët jo konvencionalë u zhvilluan me qëllimin që të kishim ilaçe të pajisura me një efikasitet dhe manovrueshmëri më të madhe në krahasim me përbërjet antipsikotike konvencionale. Kështu, Clozapina, provokon reaksione ekstrapiramidale domethënëse tepër rrallë ose asnjëherë.
Risperidoni dhe Olanzapina, mund të induktojnë reaksione ekstrapiramidale në varësi të dozës, që gjithsesi rezultojnë më pak të shpeshta dhe të rënda krahasuar me ato të induktuara nga përbërjet antipsikotike tipike/konvencionale.
Pra, antipsikotikët jo konvencionalë shfaqin një prirje më të vogël për të shkaktuar reaksione ekstrapiramidale.

Reaksione hematologjike. Clozapina është shkaktare agranulocitoze (8.000/milionë). Gjatë trajtimit me këtë ilaç është i nevojshëm një monitorim i ngushtë i krasisit hematik. Rreziku i këtij efekti anësor është më i madh në 3 muajtë e parë, por pa u zhdukur asnjëherë gjatë terapisë. Rreziku është më i madh në seksin femëror.

Reaksionet metabolike, endokrine dhe kardioqarkullatore. Antipsikotikët jo konvencionalë shkaktojnë një rritje domethënëse të peshës trupore. Clozapina dhe Olanzapina janë agjentët më tepër të implikuar me këtë aksion.
Nëpërmjet rritjes të peshës trupore mund të shkaktojnë rezistencë ndaj insulinës, me hiperinsulinhemi dytësore dhe hiperlipid’hemi, që mund të shkaktojnë diabet dhe patologji kardioqarkullatore.
Antipsikotikët më të rinjë mund të shkaktojnë çekuilibëra metabolikë për sa i përket homeostazës glicidike dhe lipidike, me shfaqje të diabetit të mirëfilltë.

Të tjera efekte anësore. Clozapina, Olanzapina, Quetiapina kanë edhe veti qetësuese/sedative.

 

© Rinstinkt blog

Reklama

Simon Baron-Cohen; Diferenca neuroanatomike mes trurit mashkullor dhe trurit femëror

Diferenca neuroanatomike mes trurit mashkullor dhe trurit femëror

[…]

Përpara së gjithash unë fillova duke parë neuroanatominë, për të parë se çfarë po na thotë neuroshkenca rreth trurit të mashkullit dhe femrës. Nëse merrni grupe vajzash dhe grupe djemsh dhe, për shembull, i vendosni ata në skanera Rezonance Magnetike (MRI) për të parë trurin, ju do të shikoni diferenca në mesatare. Merrni idenë se sekset janë identike nga qafa e sipër, edhe pse ata janë shumë qartësisht të ndryshëm nga qafa e poshtë: neuroshkenca po na thotë se kjo ide është veçse një mit, se aty ka diferenca, qoftë edhe në terma të vëllimit trunor dhe numrit të lidhjeve mes qelizave nervore në tru, në strukturën e trurit, mesatarisht, mes meshkujve dhe femrave.

E them këtë me kujdes sepse është ende një fushë që është e prirur për keqkuptime dhe keqinterpretime, por thjeshtë po u jap disa shembuj të gjetjeve që kanë dalë prej fushës së neuroshkencës në diferencat mes dy sekseve; gjendet se truri i mashkullit, mesatarisht, është rreth tetë (8) përqind më i gjerë se truri i femrës. Po flasim për një diferencë volumetrike (në vëllim). Nuk do me thënë medoemos ndonjëgjë, por është thjeshtë një fakt që gjendet në mënyrë konsistente. E gjejmë këtë diferencë që prej pikës më të hershme kur foshnjet mund të vendosen nën skaner, kështu që disa prej studimeve janë në fëmijë të moshës dy javëshe.

Gjendet gjithashtu se nëse shikojmë në indin post-mortem (pas vdekjes), duke parë trurin njerëzor në terma të indit post-mortem, gjejmë se truri mashkullor ka më shumë lidhje, më shumë sinapse mes qelizave nervore. Është rreth një tridhjetë (30) përqind diferencë mesatarisht mes mashkullit dhe femrës. Këto diferenca janë atje.

Diferenca e dytë më e madhe mes meshkujve dhe femrate ka të bëjë me sa shumë materie/substancë gri dhe materie/substancë të bardhë ne shikojmë tek truri: se meshkujt kanë më shumë substancë/materie gri dhe më shumë substancë/materie të bardhë sesa ka truri i femrave, mesatarisht duke folur. Substanca e bardhë, për të qenë konçizë, ka kryesisht të bëjë me lidhjet mes pjesëve të ndryshme të trurit. Substanca gri ka të bëjë më shumë me trupat qelizorë (trupat e neuroneve) në tru. Por, këto difereca ekzistojnë. Pastaj, kur sondojmë/hetojmë pak më tej, gjejmë se aty ka diferenca mes trurit mashkullor dhe trurit femëror në lobe të ndryshme, në lobin frontal (ballor), në lobin temporal, në terma të sa shumë substancë/materie gri dhe të bardhë ka aty.

Mund gjithashtu të disektojmë trurin për të parë në rajone specifike. Disa prej jush mund të kenë dëgjuar për rajone si amigdala, të cilën njerëzit e mendojnë si një lloj qendre të emocioneve, që priret të jetë më e gjerë në turin mashkullor sesa në atë femëror, sërisht, në mesatare (mesatarisht, kur konsiderohen grupe femrash dhe meshkujsh në agregat). Është edhe një rajon tjetër që shfaq një motiv/model të kundërt, më i gjerë tek femrat sesa tek meshkujt: planum-i temporal, një zonë e përfshirë në gjuhë (të folur). Këto diferenca strukturore ekzistojnë, dhe unë fillova t’i shikoja këto diferenca në terma të neuroanatomisë, sepse mendova se të paktën këto janë diferenca që janë të rrënjosura në biologji, dhe aty mund të ketë më pak horizont për mosmarrëveshje rreth këtyre diferencave qëndrore/themelore.

Teoria e Empatizimit-Sistematizimit formuluar nga Simon Baron-Cohen

Fola pakëz për neuroanatominë, por në terma të psikologjisë, gjithashtu ka edhe aty diferenca mes sekseve që janë raportuar. Në mesatare, femrat e zhvillojnë empatinë në një ritëm më të shpejtë sesa meshkujt. Unë vazhdoj të përdor fjalën “në mesatare” sepse asnjë nga këto gjetje nuk i aplikohet të gjitha femrave apo të gjithë meshkujve. Ne thjeshtë i shikojmë këto diferenca të shfaqen kur krahasojmë grupe meshkujsh dhe grupe femrash. Empatia duket se zhvillohet më shpejtë tek vajzat, dhe në kontrast, tek djemtë duket se ka një shtysë më të fortë për të sistematizuar. Unë përdor fjalën “sistematizuar/sistemizuar” që ka të bëjë me përpjekjen për të gjetur se si punojnë sistemet, të magjepsurit me sistemet. Dhe sistemet mund të marrin një varietet formash të ndryshme. Mund të jetë një sistem mekanik, si një kompjuer; mund të jetë një sistem natyror, si moti; mund të jetë një sistem abstrakt, si matematika; por djemtë duket se kanë një interes në informacionin sistematik. Unë po ballafaqoja këto dy procese psikologjike krejt të ndryshme, empatinë dhe sistematizimin. Dhe kjo është sa larg shokova, dhe kjo tanimë ishte 11 vite më para.

[…]

 

Burimi (shkëputur prej): TESTOSTERONE ON MY MIND AND IN MY BRAIN – A Conversation With Simon Baron-Cohen (Arkivuar)

Ushtrimi fizik pas studimit rrit aftësinë memorizuese

Ushtrimi fizik pas studimit rrit aftësinë memorizuese

ushtrimi-fizik-dhe-memorja-te-mesuaritNjë studim i ri ka krahasuar efektin e dy llojeve të ndryshme aktiviteti pas një detyre memorizimi në studentë të seksit mashkull. Në këtë studim, 60 studentë, pasi mbaruan detyrën e tyre të të mësuarit u ndanë në mënyrë të rastësishme në tre grupe, ku secili grup do të kryente një aktivitet të ndryshëm. Tre aktivitetet ishin: të luajturit e një videoloje, një periudhë vrapimi dhe një periudhë bashkëbisedimi (ky grupi i fundit shërbeu si grup kontrolli). Pas periudhës së aktivitetit (e cila nga ana e vet pasonte periudhën e studimit/leximit) subjektet nën studim plotësuan një test memorje.

Subjekteve iu kontrollua niveli i kortizolit në pështymë (kortizoli salivar) përpara periudhës së leximit dhe pas periudhës së aktivitetit në momentin e testit të memorjes.

Të gjithë subjektet patën një rritje në nivelet e kortizolit në pështymë pas fazës së leximit/studimit (faza e parë), por vetëm grupi që kreu aktivitetin fizik, pra vrapimin, shfaqi një vazhdim të rritjes së kortizolit në pështymë pas fazës së aktivitetit (faza e dytë – në këtë rast aktiviteti fizik i vrapimit). (Nuk është kjo gjetja e studimit; dihej prej shumë kohësh se kortizoli është një nga hormohet që rritet në situata stresi, psh në mëngjez kur ngrihemi nga gjumi apo gjatë një aktiviteti fizik.)

Subjektet që morrën pjesë në aktivitetin fizik të vrapimit performuan më mirë në testin e memorjes krahasuar me grupin e subjekteve që si aktivitet pas leximit/studimit patën videolojërat. I njëjti avantazh – në testin e memorjes – i grupit që kreu aktivitet fizik u demonstrua edhe ndaj grupit të kontrollit (subjektet që si aktivitet pas leximit/studimit patën një bashkëbisedim).

Nuk kishte bashkëlidhje(korrelacion) mes niveleve të kortizolit dhe ruajtjes së memorjes (të gjërave të lexuara/studiuara në fazën e parë).

Autorët e studimin shkruajnë se gjetjet e tyre kanë implikime për mënryën se si mund të strukturohen orët mësimore të fëmijëve gjatë ditëve shkollore. Ata rekomandojnë që ushtrimi fizik (në orën e fizikulturës) të ndjeki, të pasojë, ciklet intensive të mësimit.

.

Studimi:

Kindermann, H., Javor, A., & Reuter, M. (2016). Playing counter-strike versus running: The impact of leisure time activities and cortisol on intermediate-term memory in male students Cognitive Systems Research, 40, 1-7 DOI: 10.1016/j.cogsys.2016.01.002

 

Drejtë një diagnoze gjithnjë e më të hershme të autizmit

Drejtë një diagnoze gjithnjë e më të hershme të autizmit

Autizmi është një problem serioz për shumë familje. Dhe për shkencën është ende një vramendje me zgjidhje të vështirë. Studime të kohëve të fundit mbi origjinën gjenetike të sëmundjes tregokan se simptomat e para të autizmit shfaqen përpara lindjes, duke hapur kështu rrugën ndaj një diagnoze tepër të hershme.

Pjesën më të madhe të rasteve kur flitet për autizmin flitet edhe për vaksinat. Kjo, që prej kohës kur i famshmi (me trishtim) mjek Andrew Wakefield publikoi në revistën Lancet një artikul që kërkonte të demonstronte një lidhje mes autizmit dhe vaksinës trevalente. Sot studimi është tërhequr dhe Wakefield nuk bën më pjesë në urdhërin e mjekëve, që kur u zbulua se të dhënat e përdorura për studimin në fjalë ishin të rreme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se autizmi nuk ekziston. Dhe mbi autizmin dihen ende shumë pak gjëra, aq sa ekziston një ditë botërore përkushtuar për rritjen e ndërgjegjësimit përreth ketij shqetësimi.

Pjesët e trurit të prekura nga autizmi

Pjesët e trurit të prekura nga autizmi

Fakti që dimë mjaft pak nuk habit nga momenti që deri në 1900 nuk ekzistonte as koncepti klinik i autizmit. Sot dimë se është një shqetësim neuro-psikiatrik dhe që ka të bëjë me funksionet cerebrale dhe i përket kategorisë më të përgjithshme të çrregullimeve të përhapura të zhvillimit. Simptomat e autistëve (subjekteve me autizëm), që shfaqen që vitet e para të jetës, janë tepër të larmishme: aftësi e kufizuar shprehie verbale, prirje drejt izolimit dhe mbylljes shoqërore, por edhe hipereksitim dhe sjellje obsesive.

Ka gradë dhe forma të ndryshe autizmi pak a shumë të rënda, dhe diagnoza është disi e ndërlikuar. Rritja e rasteve të zbuluara e ka transformuar autizmin nga problem “mes të shumtëve” në temë me domethënie të madhe dhe burim shqetësimi për familjet. Shqetësim serioz duke parë se nuk ekziston “pilula” që kuron autistët, pavarësisht se mund të drejtoheni nga soministrimi i ilaçeve të posaçëm për të reduktuar shqetësimet më problematike.

Thelpësisht nuk ekziston mjekimi i lehtë, por një seri indikacionesh dhe trajtimesh të llojeve të ndryshme që, kur shqetësimi nuk është tepër i rëndë, mund të zvogëlojnë në mënyrë domethënëse disa nga simptomat. Dhe janë trajtime jo banale që kërkojnë para së gjithash një vrrullshmëri në të vepruar, meqë efikasiteti i procesit terapeutik rritet në mënyrë domethënëse nëse fillohet herët sapo shfaqen të parat simptoma të qarta. Mëpastaj janë të nevojshme një përfshirje korrekte dhe konstante e familjeve, një mbështetje e psikologëve dhe psikoterapeutëve dhe përdorimi i suporteve konjitive, si të mësuarit nëpërmjet kompjuterit apo përdorimi i gjuhës së shenjave. Të gjitha, ndërhyrje që duhen vlerësuar rast për rast dhe që nuk funksionojnë mbi të gjithë fëmijët, në të gjitha moshat dhe me të njëjtin efikasitet.

Por përse bëhesh autist? Cilat shkaqe të qarta njihen? Fatkeqësisht nuk e dimë ende. Janë formuluar shumë hipoteza, disa fantashkencore, të tjera të besueshme, por nuk kemi mbërritur akoma në një zgjidhje. Megjithatë duket se nuk ekziston një shkak i vetëm, por më tepër shumë shqetësime me shkaqe të ndryshme. Si në vonesën mendore, pra, duket se në rrënjë të shqetësimeve të autizmit janë disa çrregullime trunore të ndryshme mes tyre. Mes hipotezave të ndryshme mund të citohen konteksti prenatal (mosha e prindërve, ekspozimi i nënës ndaj substancave ndotësse gjatë shtatëzanisë etj), kushtet e fëmijës në lindje, alergji apo probleme të tjera të mundshme të sistemit imunitar. Megjithatë, një nga bashkëshkaqet që duket se është vërifikuar është sigurisht origjina gjenetike. Dhe se origjina gjenetika ka një rëndësi domethënëse, së bashku me faktorë ambientalë, duket se është treguar nga një studim i kohëve të fundit i botuar në New England Journal of Medicine[1].

Sipas këtij studimi shenjat e para të autizmit mund të zhvillohen përpara lindjes. Janë analizuar indet trunore të 11 fëmijëve autistë të një moshe nga 2 deri në 15 vjeç, të vdekur parakohe për shkaqet të ndryshme nga autizmi. Falë përdorimit të shenjuesëve molekularë specifikë për formimin e kores, është zbuluar se fëmijët autistë paraqisnin një çorganizim të veçantë të neuroneve dhe një arkitekturë qelizore jo-normale. Në veçanti mungonin disa nga këto shenjuesit e rëndësishëm molekularë të qelizave trunore. Meqë formimi i këtyre zonave specifike fillon që përpara lindjes, sipas kërkuesve shkencorë ekzistojnë mundësi të mira që simptomat e para të autizmit të fillojnë të shfaqen që gjatë shtatëzanisë.

Edhe më i kohëve të fundit, i disa ditëve më parë, është botimi i një studimi në Nature Genetics[2], që duket se tregon se si tjetërsimi i një sekuence të caktuar të ADN-së mund të bashkëlidhet me lindjen e shqetësimeve të spektrit autistik. Kjo duket se konfirmon origjinën kryesisht gjenetike të sëmundjes dhe shpjegon përmirësimet që ndjekin trajtime të hershme dhe të zgjatura, për efekt të rivendosjes së lidhjeve (nervore). Natyrisht të dish paraprakisht nëse një fëmijë do të jetë autistik apo jo nuk është një lajm me pak rëndësi dhe sjell me vete probleme etike me domethënie të madhe.

Por një gjë është e sigurt: shkenca kërkon zgjidhje dhe shpesh nuk mund të japi përgjigje në kohët që do të donim. Gjithsesi mund të na ndihmojë të kuptojmë më mirë sëmundjet që na godasin. Për këtë arsye duhet lënë që kërkuesit të bëjnë punën e tyre dhe të shmanget besimi në lajme të rreme, alarmiza të pa-justifikuar dhe pseudo-kura jo të verifikuara. Përndryshe, ata që e pësojnë janë pikërisht të sëmurët dhe familjet e tyre.


Federico Baglioni (“Strade”)

Studimet e cituara:
[1] N Engl J Med 2014; 370:1209-1219 (“Patches of Disorganization in the Neocortex of Children with Autism”)
[2] Nature Genetics (2014) doi:10.1038/ng.2980

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

—————————————————————————————–

Baza patogjenetike e sëmundjeve prionike

Sëmundjet prionike

Baza patogjenetike e sëmundjeve prionike

Të gjitha sëmundjet prionike karakterizohen nga prania e formave të tjetërsuara të një proteine specifike (qelizore) e quajtur pikërisht PrP (proteinë prionike) që ka natyrë të trashëgueshme por edhe infektive.

Pra prionët janë forma anomale të një proteine qelizore që është në gjendje të shkaktojë, me grumbullimin e saj, çrregullime neurodegjenerative, nga ku rezulton edhe sëmundja.

Kryesisht sëmundjet nga prionët karakterizohen nga dëmtime sfungjer-ngjashme që shkaktuara nga vakuolat brendaqelizore në neurone dhe në qelizat gliale. Pjesa më e madhe e pacientëve, në terma klinikë, zhvillon një demencë progresive.

Patogjeneza & Gjenetika

Forma normale dhe ajo e tjetërsuar.

Forma normale dhe ajo e tjetërsuar.

PrP-ja është një proteinë qelizore që është normalisht e pranishme tek neuronet. Sëmundja shfaqet kur kjo proteinë pëson disa transformime konformacionale, duke kaluar nga forma (izoforma) normale me alfa-helikë në një izoformë anomale beta-të përthyer.

Si pasojë e këti transformimi në konformacionin e proteinës, kjo e fundit fiton rezistencë ndaj tretjes ptoteazike. Ndodh një akumulim (grumbullim) i proteinës anomale në indin nervor… që mendohet se qëndron edhe në thelp të mekanizmit patogjenetik të këtyre sëmundjeve.

Tjetërsimi konformacional që shpie në PrPsc (proteina prionike scrapie) mund të verifikohet në mënyrë të vetvetishme me një frekuencë jashtëzakonisht të vogël, raste sporadike, apo me një frekuencë të lartë nëse PrPc ka mutacione të ndryshme.

Sidosi, PrPsc (proteina pronike scrapie – e tjetërsuar) pavarësisht origjinës, favorizon në mënyrë koperative transformime analoge të proteinave të tjera prionike PrP (normale, qelizore).

Është pikërisht ky aktiviteti i fundit që i jep sëmundjeve nga proteinat prionike një natyrë infektive.

Skemë që ilustron procesin patogjenetik që sëmundjeve prionike.

Skemë që ilustron procesin patogjenetik që sëmundjeve prionike.

Gjeni që kodifikon për PrP-në quhet PRNP dhe shfaq një grad të lartë konservimi në llojet e ndryshme të gjallesave.

Megjithatë, ekzistojnë mutacione të shumta të gjenit PRNP, sidomos në format e sëmundjeve prionike me natyrë familjare.

Është zbuluar se një polimorfizëm i kodonit 129, që kodifikon për Metioninën ose/dhe Valinën, është i aftë që të infulencojë patologjinë nga proteinat prionike. Kështu, individët që janë homozigotë për kodonin 129, për Met apo Val, përfaqësohen në një shkallë tepër të lartë mes rasteve me CJD (një formë sëmundje prionike), krahasuar me popullatën e përgjithshme.

Ky fakt sugjeron se heterozigoziteti në kodonin 129 është mbrojtës përkundrejt zhvillimit të sëmundjes nga prionët.

Është sugjeruar se aminoacidi në këtë polimorfizëm është i aftë të ndryshojë/ndikojë në kinetikën e agregimit dhe të përftimit të formës së proteinave prionike qelizore (normale).

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————–