Mikobakteret, Mycobacterium tuberculosis

Mikrobiologji: mikobakteret

Morfologjia e mikobaktereve

Mikobakteret janë bacile të gjatë e të hollë. Disa lloje prodhojnë forma filamentoze të gjata nga 10 deri në15 mikrometra. Janë gram pozitivë pavarësisht se nuk ngjyrosen me ngjyrosjen e Gramit për shkak të murit qelizor të pasur me lipide.

Disa lloje mikobakteresh janë saprofitë të patëkeq të shtresave sipërfaqësore të dheut apo komensalë në organizma të tjerë.

Mikobakterët që janë shkaktarë të patologjive të ndryshme tek njeriu mund të ndahen në dy grupe. Në grupin e parë, që quhet M. Tuberculosis complex, përfshihen M. Tuberculosis, agjent etiologjik i tuberkulozit tek njeriu; M. Africanum, variant i mikobakterit të tuberkulozit njerëzor; M. Bovis agjent etiologjik i tuberkulozit të lopëve, i transmetueshëm nëpërmjet rrugës ushqimore si mishi apo qumështi që nuk është pastorizuar.

Në grupin e dytë të quajtur Mycobacterium Other Than Tuberculosis (MOTT), pra mikobaktere jo-tuberkularë, futen mikobakterë të cilët mund ta infektojnë njeriun vetëm në kushte të favorshme, si në rastin e Imunodefiçencës së Fituar. Këtu futet edhe M. Leprae që është agjenti etiologjik i lebrës.

Mycobacterium tuberculosis

M. tuberculosis merret me rrugë ajrore. Kur mikobakteri i tuberkulozit gjendet në mushkëri shkakton një proses infiamator eksudativ, me një komponente vaskulare të konsderueshme, dhe me akumulim qelizash fagocituese, kryesisht makrofagë.

Makrofagët e mushkërisë fagocitojnë bakteret acid-rezistente dhe prezantojnë antigjenet tek linfocitet Th (ndihmës), duke i dhënë shkëndijën reaksionit imunitar.

Bakteret që mbijetojnë ndaj sulmit fillestar të makorfagëve shumëfishohen, në vakuolat brendaqelizore të makrofagëve, duke i vrarë këta të fundit. Më pas përhapen dhe shkaktojnë dëme në indet rrethues.

Ndërkohë reagimi imunitar shkon përpara. Shfaqen makrofagë të aktivizuar dhe linfocite T CD8+, pra citotoksikë specifikë, të cilët arrijnë të kufizojnë infeksionin tuberkular. Nga ana tjetër nmikobakteret nuk mund të shkatërrohen plotësisht, dhe kështu i jepet fillesë procesit infiamator kronik, i cili quhet edhe granulomatoz (apo thërrmijor). Procesi infiamator kronik paraqitet si një infiltrim qelizash monobërthamore që qarkojnë qelizat epiteloide dhe qelizat gjigande të Langhansit. Ky entitet infiamator merr emrin “tuberkul” apo gungëz nëse kërkojmë një ekuivalent shqip. Gungëza e infiamacionit kronik tuberkular qarkohet nga fibroza, ndërsa nëpjesën e vet më qëndrore i nënshtrohet nekrozës e mëpastaj precipitimit që kripërave të kalciumit.

Tek subjektet rezistentë procesi infiamator kronik, ose qëndron i lokalizuar ose maksimumi përfshin linfonyjet mediastinike satelite, duke formuar të ashtuquajturin kompleks parësor.

Nëse kompleksi parësor nuk sterilizohet plotësisht dhe përfundimisht, dëmtimi granulomatoz përkthehet në një infeksion kronik josimptomatik, i karakterizuar nga baktere të gjallë, që jetojnë edhe për dhjetra vite.

Në disa momente të caktuara të jetës personi që mban brenda vetes bacilet tuberkularë, pëson për një arsye apo një tjetër një defiçencë apo keqfunksionim të sistemit imunitar. Në këto raste ndodh riaktivizimi i kompleksit parësor dhe formimi i dëmtimeve granulomatoze të shumëfishta që mëpastaj bashkë-derdhen me nekrozë dhe lëngëzim të pjesës së vet qëndrore.

Dëmtimet granulomatoze mund ta derdhin përmbajtjen e vet edhe në qarkullimin e gjakut (kjo varet nga afërsia me enët e gjakut) duke shkaktuar shpërhapje të infeksionit tuberkular edhe në pjesë të tjera të mushkërise dhe më tej të vet organizmit – tuberkulozë e veshkave e kockave etj. Gjithashtu në këtë moment specifik të sëmundjes tuberkulare kihet edhe ekspektorat infektues.

Epidemiologjia

Tuberkulozi aktualisht është një patologji infektive që po rilind. Bakteri i tuberkulozit u zbulua nga Robert Koch në vitin 1882, në nder të të cilit quhet ndryshe edhe bacili tuberkular. Sëmundja e tuberkulozit deri më sot është mbajtur nën kontroll në vendet e zhvilluara, por nuk është arritur të zhduket.

Për sëmundjen e tuberkulozit është e rëndësshme verifikimi i pranisë së imunitetit qelizor specifik; gjë që realizohet nëpërmjet inokulimit intradermik të tuberkulinës – i ashtuquajturi reaksion i Mantoux-it.

Infeksioni tuberkular provokon zhvillimin e një hiperndjeshmërie të vonuar kundër antigjeneve të bakterit. Hiperndjeshmëria mund të evidentohet, siç përmendet më sipër, nëpërmjet testimit lëkuror me tuberkolinë. Pas rreth 2-4 javësh, injektimi intradermik i derivatëve të purifikuar proteinikë provokon shfaqjen e një “gungëze” të prekshme.

Testi pozitiv ndaj tuberkulinës tregon për një imunitet qelizor përkundrejt antigjenëve tuberkolarë, por nuk jep mundësi për të përdalluar mes infeksionit dhe sëmundjes së mirë-zhvilluar.

 

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

————————————————————————————–

 

Advertisements

Një retrovirus i rëndësishëm

Një retrovirus i rëndësishëm

Virusi HIV (AIDS)

Të gjithë kanë dëgjuar për AIDS-in. AIDS-i, apo thënë ndryshe sindroma e imunodefiçencës së fituar, është një sëmundje që shkaktohet nga infektimi i individit me virusin HIV (virusi i imunodefiçencës humane).

HIV - miktoskopi elektronike

HIV – miktoskopi elektronike

HIV e ka prejardhjen nga virusi i imunodefiçencës së majmunit (SIV). Virusi HIV mund të transmetohet nëpërmjet rrugës seksuale, hematike apo vertikalisht nga nëna tek fëmija.

AIDS-i është një sëmundje që godet aktualisht gjithë botën, e kështu quhet një sëmundje pandemike. Deri më sot AIDS-i ka prekur mbi 60 milionë subjekte dhe ka shkaktuar mbi 20 milionë vdekje.

Virusi i imunodefiçencës godet disa qeliza të veçanta të organizmit të quajtura linfocite CD4+ (meqënëse këto shprehin në sipërfaqen e tyre receptorin CD4+), që janë qeliza të sistemit imunitar.

Këto linfocite luajnë rolin e koordinatorit të përgjigjeve imunitare, meqnënse janë përgjegjës për reklutimin e përbërësve të ndryshëm të sistemit imunitar, në varësi të mikroorganizmit apo entitetit infektiv që mësyn organizmin.

Sëmundja e imunodefiçencës instalohet kur numri i qelizave T CD4+ bie nën një kufi të caktuar, meqënëse përgjigjet imunitare bëhen të pa-realizueshme.

Por, siç mund të jetë kuptuar nga titulli, nuk do të shkruaj për AIDS-in, por për virusin e HIV. I cili është një lloj i veçantë virusi, një retrovirus.

Virusi është i përbërë nga një kapsulë proteinike e quajtur kapsid, e cila mbështjell materialin gjenetik të virusit i cili është i përbërë nga disa gjene. Gjenet virale kodifikojnë për proteinat e kapsidit dhe disa enzima thelpësore për replikimin e materialit gjentik të virusit.

Kur virusi infekton një qelizë, injekton në të materialin gjenetik. Është pikërisht materiali gjenetik që indukton ndryshimin gjelizor… me anë të shprehjes së këtij të fundit nga mekanizmat replikativë të qelizës bujtëse.

Kështu, virusi duke integruar ose jo materialin e tij gjenetik në atë qelizor, fillon dhe replikohet duke formuar kopje të vetvetes, të cilat mëpastaj duke kodifikuar për kapsidin, formojnë thërrmijat virale. Këto duke u grumbulluar e duke arritur një numër të caktuar dëmtojnë menbranën plazmatike të qelizës duke shkaktuar vdekjen e saj – citolizën. Pason infektimi i qelizave të tjera, të ndjeshme ndaj virusit.

Për të kuptuar se çfarë është një retrovirus dhe ku ndryshon ky nga një virus (“normal”) duhet të njihemi me atë që quhet Dogma Qëndrore e Biologjisë Molekulare apo thjesht Central Dogma.

Dogma Qëndrore ka të bëjë me mënyrë e procesimit të informacionit; nga ai gjenetik, i shprehur në njëpasnjëshmërinë e bazave të azotuara në atë proteinik të njëpasnjëshmërisë së aminoacideve e kështu të strukturave molekulare e mëpastaj indore të organizmit të gjallë. Dogma parashikon se informacioni i materialit gjenetik transkriptohet nga ARN-ja mesazhere mARN e nga kjo në proteina duke kaluar nga ribozomet.

Por Dogma Qëndrore nuk është në të vërtetë një dogmë. Sepse ekzistojnë përjashtime nga dogma qëndrore. Një nga këto përjashtime është rasti i retroviruseve, materiali gjenetik i të cilëve është në një gjendje kushtetuese prej ARN-je, dhe jo ADN-je. Kështu, kur kapsidi proteinik i retrovirusit të HIV-it futet në brendësi të qelizës kjo arn duket më përpara të shndërrohet në ADN e mëpastaj t’i “nënshtrohet” Dogmës Qëndrore. Kalimi i informacionit gjentik viral nga ARN-ja në ADN realizohet nga një enzimë e veçantë e quajtur retrotranskriptazë inverse.

Ky material i retrotranskriptuar, integrohet në materialin gjenetik të qelizës nga ku shprehet së bashku me këtë të fundit, duke e i përthyer mekanizmat e replikimit të qelizës nën “vullnetin” viral.

Kuriozitet: Një nga strategjitë terapeutike për të ndaluar përhapjen e infeksionit të HIV në organizmin e individëve të infektuar, konsiston në inhibimin e enzimës retrotranskriptazë inverse.

© mbi tekstin, Rinstinkt Blog

———————————————————————————

Sërisht mbi John Snow-n, epidemiologjinë dhe kolerën

Sërisht mbi John Snow-n, epidemiologjinë dhe kolerën

John Snow konsiderohet një nga themeluesit e epidemiologjisë, ajo dishiplinë e mjekësisë që studion, jo pacientët e vetëm, por popullata të tëra, dhe këtë për të kuptuar se cilat mund të jenë shkaqet apo faktorët e riskut për sëmundjet.

Në Londrën e vitit 1832 e pas, pati një sërë epidemish të kolerës që vrisnin nga 10,000 deri në 20,000 banorë çdo 4-5 vite. Faji sipas shumicës ishte i “miazmave”, substanca ajrore të kqija apo me erë të keqe që liroheshin nga grumbujt e plehrave apo nga pusetat, kalonin në qiell dhe përhapeshin në të gjithë qytetin.

Mjeku John Snow, që në fakt ishte thjeshtë një mjek anestetizues, i ndiqte me vëmendje dinamikat e epidemive të kolerës, dhe nuk ishte aspak i bindur me teorinë e miazmave. Me epideminë kolerike të vitit 1854 – një nga më të egrat – gjeti mënyrën për të treguar se shumica gabohej mbi teorinë e vet të miazmave.

Harta e ndërtuar nga John Snow

Harta e ndërtuar nga John Snow

Ideja e John Snow ishte aq revolucionare sa edhe e thjeshtë dhe efikase. Ai shënoi në hartën e Londrës vendndodhjen e çdo viktime të epidemisë së kolerës, dhe më pas u ul dhe studioi shpërndarjen totale të të gjitha vdekjeve. Ajo që vihej re, menjëherë – dhe kjo falë infografikave – ishte se vdekjet përqëndroheshin në qendër të qytetit. Në veçanti përreth Broad Street (sot Broadwick), dhe akoma më në veçanti, rreth një pompe uji që gjendej në atë rrugë.

Për John Snow fajtori ishte më se i dukshëm. Gjendej pikërisht atje, në atë rrugë, në atë pompë uji. Tha e bëri gjithçka për t’i bindur autoritetet që të hiqnin pompën e ujit, duke përftuar kështu një ngadalësim të epidemisë. Ishe një rezultat i jashtëzakonshëm, duke qenë se atëherë nuk dihej akoma asgjë për bakterin përgjegjës të kolerës, Vibrio cholerae, dhe për faktin se përhapej nëpërmjet ujrave të ndotura.

Gjithsesi John Snow nuk duhet mbajtur mend vetëm për kontributet e veta në epidemiologji. Përtej kolerës, mjeku londinez duke qenë me profesion anestezist interesohej edhe për teknikat e reja në anestezi, ku, sërisht, ka lënë gjurmë. Një rast interesant ka qenë kur John Snow bindi Mbretëreshën Viktoria që lindjen e Leopoldit dhe Beatriçes, dy fëmijët e fundit nga nëntë në total, ta bënte jo me dhimbje por me kloroform.

Më 15 mars 2013 ishte 200 vjetori i lindjes së John Snow-t.

© Rinstinkt Prill 2013

[Lexo dhe: John Snow, William Farr, Joseph Lister dhe teoria mikrobike e sëmundjeve]

———————————————————————————————————————-

John Snow, William Farr, Joseph Lister dhe teoria mikrobike e sëmundjeve

John Snow, William Farr, Joseph Lister dhe teoria e mibrobeve (teoria mikrobike) e sëmundjeve

Gjatë viteve 1800-të në europë u përballën dy teori që shpjegonin origjinën e sëmundjeve: teoria e miazmave dhe teoria e mikrobeve.

Për teorinë e miazmave, origjina e sëmundjeve shkaktohej nga cilësia e keqe e ajrit, ndërsa për teorinë e mikrobeve origjina e sëmundjeve u detyrohej mikrobeve.

Në vitin 1853, në Londër, shpërthen një epidemi kolere dhe William Farr, një zyrtar i censit (censusit), tregon statistikisht se banorët e lagjeve afër lumit Tamiz kishin më shumë mundësi për t’u sëmurur dhe vdekur nga kolera.

Puna e tij ishte një provë e fortë në favor të teorisë së miazmave sepse lagjet më afër Tamizit, në lartësi më të vogla, kishin ajër më të ndenjur, më të ndotur, ndërsa lagjet në pozicione më të larta, si për shembull lagjia Hampstead, kishin ajër më të pastër dhe banorët e tyre kurseheshin nga epidemia e kolerës.

Konkluzioni i tij ishte se, infeksioni shkaktohej nga një gaz i prodhuar nga ujërat e pisëta dhe pusetat, dhe që përhapej në ajër duke mbërritur tek njerëzit.

Në analizën e vet statistikore doli edhe një e dhënë tjetër e rëndësishme: vdekjet nga kolera ishin më të shpeshta mes banorëve të furnizuar nga dy kompani të ujit, ajo “Southwark & Vauxhall” dhe ajo “Lambeth”.

John Snow e përdori punën e Farr-it, duke i dhënë një interpretim tjetër rezultateve: vdekjet ishin më të shpeshta në lagjet më të ulëta sepse furnizoheshin nga pompa Broad Street që ishte e ndotur nga bacilet e kolerës.

Por Snow duhej të shpjegonte përjashtimet nga teoria e tij: përse kishte të vdekur nga kolera mes banorëve që jetonin larg pompës së Broad Street-it dhe në të njëjtën kohë shumë banorë që jetonin në afërsi nuk sëmureshin.

Të dyja teoritë niseshin nga të dhënat e mbledhura nga Farr-i dhe shpjegonin se përse epidemia ishte më e rëndë në rrethinat e Broad Street-it… por vetëm njëra ishte interpretimi i saktë.

Kur Snow shkëputi pompën e Broad Street-it, piku epidemik kishte kaluar dhe iniciative nuk shërbeu për asgjë. Punimi i Snow-t u publikuar në një libër që më pas u kritikua fortësisht:

There is, in our view, an entire failure of proof that the occurrence of any one case could be clearly and unambiguously assigned to water. Notwithstanding our opinion that Dr Snow has failed in proving that cholera is communicated in the mode in which he supposes it to be, he deserves the thanks of the profession for endeavouring to solve the mystery. It is only by close analysis of facts and the publication of new views, that we can hope to arrive at the truth. (London Medical Gazette, 1849)

Në 1866, në Londër, shpërthen një epidemi e dytë kolere. Snow kishte vdekur prej tetë vitesh por teoria e mikrobeve po fillonte të rritej dhe të fuqizohej falë punimeve të Pasteur-it (Pastërit) dhe Jenner-it. Farr-i ishte kthyer në një mëbshtetës të teorisë mikrobike dhe tregoi se rastet e vdekjeve mund të viheshin në marëdhënie me pompën e ujit sesa me vendin në të cilin banohej.

Teoria e mikrobeve (mikrobike) pati një pasojë të rëndësishme: mikrobet janë mikroorganizma të gjallë që mund të vriten nga substanca antimikrobike apo dizinfektuese. Joseph Lister propozoi përdorimin e acidit fenik (të cilin Listeri e quante carbolic acid) si dizinfektues mbi plagët. Filloi kështu lindja e metodës për të parandaluar infeksionet (asepsi), metodë që revolucionarizoi kirurgjinë dhe kurimin e të sëmurëve.

Titulli i publikimit të Listerit

Titulli i publikimit të Listerit

Këto zbulime u përmblodhën në një artikull të publikuar në 21 shtator të vitit 1867 në British Medical Journal.

Këto zbulime i përdorim edhe sot e kësaj dite, pa e kuptuar, duke shpëtuar  jetën e miliona personave. Lister-i, Snow-i dhe Farr-i aplikuan  ndaj studimeve të problemeve mjekësore një përqasje shkencore, bazuar mbi provat eksperimentale.

Bibliografia:

Lister J (1867). On the Antiseptic Principle in the Practice of Surgery. British medical journal, 2 (351), 246-8

—————————————————————————————————————-

Cfare eshte giardia lamblia (intestinalis)?

Giardia lamblia eshte nje parazit i flagjeluar qe kolonizon dhe riprodhohet ne zorren e holle. Giardia lamblia eshte shkaktari i te ashtuquajtures xhardiaza.

Per me shume lexo kete shkrim: Giardia intestinalis (lamblia)