Terapia gjenike; azhurnim mbi terapinë gjenike

Terapia gjenike

Azhurnim mbi terapinë gjenike

Shumë sëmundje janë të lidhura vetëm me një fraksion të ADN-së, një gjen që sillet në mënyrë anormale (Fibroza cistike, Sëmundja e Huntingtonit, Anemia me qeliza ne formë drapëri).

gjenPër këtë arsye gjatë fundit të viteve ’80 kërkuesit shkencorë të fushave biomjekësore shtruan pyetjen nëse ishte e mundur apo jo zëvendësimi i materialit gjenetik të dëmtuar me atë të shëndetshëm. Kjo, me qëllim parandalimin, ngadalësimin apo kurimin e plotë të sëmundjeve të caktuara, pra që kanë një substrat gjenetik.

Bëhet fjalë për terapinë gjenike. Terapaia gjenike, është ende një sektor i pazbuluar i Mjekësisë. Për të mësuar më shumë mbi terapinë gjenike, mbi aplikueshmërinë dhe më e rëndësishmja mbi efektshmërinë e saj, janë në zhvillim e sipër shumë studime.

Terpaia gjenike, mund potencialisht të kurojë shumë sëmundje; sëmundje të trashëgueshme, sëmundje kardiovaskulare, sëmundje neurodegjenerative dhe disa tipe tumoresh.

Por, si mund të modifikohet apo të zëvendësohet një pjesë e materialit tonë gjenetik?

Dihet se materiali gjenetik është kontrollori i aktivitetit të qelizës. Ne, për shembull, kemi zbuluar se një gjen sillet në mënyrë anormale sepse prodhon një proteinë jo-aktive ose të dëmshme për organizmin.

Kur jemi në gjendje të izolojmë gjenin e shëndetshëm, pra si-vëllain e të dëmtuarit, mund të fusim në qelizat e organizmit të sëmure, që janë edhe vet të sëmura. Këtë, pra futjen e materialit të “ri” gjenetik brenda një qelize e bëjmë me anë të një vektori.

Vektori mund të jetë vektor viral ose jo viral.

vektori viral dhe qelizat

Vektori viral dhe qelizat

Vektorët jo viralë prodhohen më thjeshtë, dhe kanë më pak mundësi refuzimi nga ana e qelizave të sëmura.  Vektorët viralë janë më efiçientë në transmetimin e materialit gjenetik për tek qelizat e sëmura, sepse shfrytëzojnë karaktaristika specifike të viruseve. Në rastin e vektorëve viralë zgjidhen viruse të pa dëmshëm për trupin e njeriut dhe që njohin në mënyrë specifike qelizav shënjestër. Disa tipe vektorësh viral bëjnë pjesë tek familjet virale: retrovirus, adenovirus dhe herpesvirus.

Vektori viral, sapo futet në aksion, bën atë që di të bëjë më mirë, si një makinë e vërtetë infektuese. Futet në qelizë dhe replikohet. Mëpastaj infekton qelizat fqinje dhe përhap gjenin e shëndetshëm. Pasoja? Efekti terapeutik! 🙂

Në dhjetëvjeçarin e parë të këtij mijëvjeçari janë realizuar shumë studime që përdornim terapinë gjenike (Sukseset e para me SCID, 2002)(Trajtimet e para të melanomës metastatike, National Institute of Health, Bethesda) (Zhvillimi i një protokolli që parandalon refuzimin, Instituti San Raffaele – Telethon, Itali).

Pavarësisht  rezultateve pozitive dhe numrit të madh të studimeve (Triali i parë për sëmundjet e trashëgueshme të rrjetëzës, University College, Londër), shumë pak prej tyre kanë mbërritur në stadin e eksperimentimit tek njeriu (Arrihet t’i jepet një ketri vizioni trikromatik, University of Washington, University of Florida, 2009).

Sigurisht, me kalimin e kohës kemi arritur të rrisim efiçencën e transferimit gjenetik, të rrisim kohëzgjatjen e shprehjes së gjenit “të ri”, dhe të rrisim sigurinë e procedurës. Po ashtu janë bërë hapa përpara në zvogëlimin e reaksioneve imunitare, pra rezufimin e trajtimit.

Puna e bërë deri më tash është shumë e madhe.
Gjenetistë, virologë, biologë qelizorë, bioinxhenierë dhe mjekë janë në punë… janë ata që identifikojnë gjenet përgjegjës për patologji të caktuara, pra me substrat gjenetik; janë ata që përpiqen të zbulojnë dhe krijojnë vektorë sa më të efektshëm për inokulimin e gjeneve të shëndetshëm dhe ata që shpien përpara studimet dhe trials-at klinikë. Sidosi ka ende shumë punë për të bërë.

© Rinstinkt 2013

————————————————————————————–

Qelizat burimore (staminale)

Qelizat burimore (staminale)

Çfarë janë qelizat staminale apo burimore? Nga vijnë ato? Përse dhe si pëdoren qelizat staminale? Pak informacion mbi qelizat staminale (burimore).

Në organizmin tonë ka qeliza primitive që mund të transformohen në qeliza kardiake, kockore, hepatike (të mëlçisë) etj. për të ripërtëritur indet e dëmtuara ose të vjetra – janë qelizat staminale apo burimore.

Qelizat staminale (burimore) edhe pse njihen prej kohësh, filluan të studiohen nga kërkimi shkencor në vitet ’90 për të shfrytëzuar aftësitë e tyre të jashtëzakonshme për qëllime terapeutike.

  • Në vitin 1992 u zbulua tek minjtë një burim i ri qelizash burimore (staminale), në tru. (University of Calgary – Kanada)
  • Në vitin 1998 u izoluan dhe u shumëfishuan in vivo qeliza burimore embrionale që në këtë mënyrë mund të mbahen në laborator. (University of Wisconsin – SHBA)

Sot qelizat burimore shfrytëzohen me sukses në trajtimin e dëmtimeve të lëkurës (psh. në trajtimin e djegieve), të kockave (kockore), e të leucemive.

Qelizat burimore konsiderohen edhe si një mjet që në të ardhmen mund të përdoret me sukses për të trajtuar sëmundje sot të pashërueshme si ajo e Parkinsonit, të disa sëmundjeve kardiake, të diabetit e të imunodefiçencave të trashëguara.

Çfarë janë dhe si përdoren qelizat burimore (staminale)?

Në organizmin e njeriut gjejmë qeliza të ndryshme mes tyre, në strukturë e në funksion; si ato të lëkurës, të muskulit, të kockave, të trurit (neuronet e qelizat gliale) e të shumë indeve të tjerë. Nëse shkojnë pas në historinë e zhvillimit të organizmit do të shohim se të gjithë indet, të gjitha qelizat kanë një origjinë të përbashkët, në të cilën qelizat nuk janë të diferencuara, të përdalluara nga njëra tjetra, pra nuk i janë nënshktuar akoma procesit të specializimit.

Qeliza staminale (burimore) totipotente

Gjatë zhvillimit të embrionit, nga ndarja e zigotës formohen disa qeliza totipotente, që mëpastaj duke u përdalluar do të formojnë indet e ndryshme të trupit të rritur. Këto janë qelizat burimore embrionale, të cilat fillimisht mund të shndërrohen/përdallohen në gjithçka. Por duke avancuar në zhvillim çdonjëra nga këto do të ndahet në nënndarje të tjera, duke formuar psh. endodermën nga e cila derivojnë indet epidermike dhe sistemi nervor, mezodermën nga e cila derivojnë muskujt, kockat, gjaku dhe aparati urogjenital dhe endodermën nga e cila derivojnë mushkëritë, pjesa e brendshme e stomakut dhe trakti gastrointestinal.

Në terapitë që bazohen mbi qelizat burimore (staminale) shfrytëzohet pikërisht ky proces përdallimi, kjo aftësi që kanë këto qeliza primitive për t’u shndërruar në gjithçka, e kjo në varësi të mikroambientit në të cilin vendosen.

Qelizat burimore adulte, të palcës së kockave e të kordonit umbelikal për të dhënë dy shembuj, trapjantohen në një organizëm të sëmurë për qëllime terapeutike, për riparimin e indeve të sëmura.

Dy janë problemet kryesore akoma të pazgjidhura. Së pari, si në çdo lloj trapianti ekziston mundësia për refuzim nga trupi. Së dyti, duke qenë se qelizat burimore janë në fillimin e jetës së vet, janë shumë të vështira për tu kontrolluar dhe mund t’i shpëtojnë kontrollit të ndarjes qelizore të indit ku janë trapjantuar e të formojnë kësisoj masa tumorale nga ndarja e pakriter.

Qelizat burimore embrionale, krahasuar me ato adulte, kanë disa përparësi ndër të cilat më të rëndësishmet: aftësia më e madhe ripërtëritëse dhe aftësia më e madhe përdalluese, diferencuese.
Për këto arsye shihen si më premtuese në kërkimin shkencor biomejkësor.
Gjithsesi, janë pikërisht këto që hapin edhe debate etike. Për të prelevuar qelizat burimore embrionale embrioni duhet të shkatërrohet… Pra, këtu fillon përballja mes qëndrimeve të ndryshme. Kur fillon jeta? Një grup qelizash në ndarje e sipër a ka të njëjtat të drejta me ato të një personi tashmë të lindur?  A është etike të prodhosh embrione e t’i përdorësh për kërkimin shkencor?

Rinstinkt  2013

—————————————————————————-

A është i mundur klonimi i dinozaurve?

A është i mundur klonimi i dinozaurve?

Paleoart, Duria Antiquior

Duria Antiquior – Henry De la Beche (Wikipedia)

Ndokujt i kujtohen filma dhe vepra fantashkencore në të cilat tregohej se si shkencëtarët, duke u nisur nga një fragment ADN-je, arrinin të riprodhonin për së gjalli qenie prehistorike tanimë plotësisht të zhdukura.

Natyrisht, të shumtë janë ata që risjellin në memorjen e vet filmin fantastiko-shkencor “Jurassic Park”, të 1993-it, të krijuar nga Michael Chricton.

Në këtë film, mjaft të njohur për publikun e gjerë e jo vetëm për fansat e veprave fantastiko-shkencore, në fillim të tij, tregohet se shpikësi i parkut të lojrave u shfaq protagonistëve një video në të cilën përshkruhet një procedurë për nxjerrjen e materialit gjenetik nga fosile insektesh të rrëshirosura. Nga materiali gjenetik i nxjerrë nga mushkonjat (!) e fosilizuara në rrëshirë përftohej një organizëm kopje e zvarranikëve të lashtë, dinosaurve.
(Këtu gjendet një video e pjesës ku përshkruhet klonimi hipotetik i dinozaurve.)

Tani, përtej pëlqimit të jashtëzakonshëm të filmit nga publiku, qoftë për risitë që solli nga ana vizuale, për elegancën e dinozaurve të shfaqur në të, qoftë për faktin se “dilnin në skenë” qenie të zhdukura miliona vite më parë, arsyeja e përmendjes së “Jurassic Park” është një tjetër.

Ka të bëjë në fakt me idenë nga e cila lind mëpastaj e gjithë qenësia e filmit vetë, si me thënë premisa mbi të cilën bazohej, sadoqë tërësisht fantashkencore. Filmi supozonte se ishte teknikisht i mundur klonimi i gjallesave, kafshve parahistorike duke u nisur nga një mbetje fosile në të cilin ishte burgosur ADNja e gjallesës për të cilin lindte interesimi.

Por, a është aktualisht, realisht, shkencërisht e mundur kjo gjë?

Përgjigje na jep një artikull shkencor i botuar në revistën shkencore Plos One, i cili mohon se një gjë e tillë është e faktueshme. Pra një përgjigje negative.

Negativiteti nuk varet aq nga aftësitë e shkencëtarëve për të kryer me saktësi dhe realizëm hapat e nevojshëm… sepse nëse teorikisht materiali gjenetik do të ekzistonte, nëse teorikisht  materiali gjenetik mund të nxirret prej fosilit, po teorikisht, në varësit të sasisë së gjetur, mund të tentohet shprehja e tij në terma biologjikë.

Në studimin e cituar, i cili nuk ka lidhje me dinozaurët, janë analizuar fosilet e dy bletëve pa thumb, të fosilizuara në një lëndë rrëshirore, në kopal. Njëri insekt kishte 1000 vite, ndërsa tjetri vetëm 50 vite.

Puna e kërkuesve shkencorë ka konsistuar në shkrirjen e lëndës rrëshirore, në izolimin e insekteve, në nxjerrjen e materialit gjenetik (ADN-së) dhe në analizimin e tij me anë të një sekuenciatori të gjeneratës së fundit.

Rezultati? Asnjë gjurmë prej ADN-së së bletëve…

Për t’u paraprirë kritikave të paskrupullta shkencëtarët shkruajnë: “We do not believe that our negative results, from two sequencing libraries prepared from four extracts, can be ascribed entirely to technical incompetence.”

Pra autorët janë absolutisht të idesë se në ato materiale nuk kishte gjurmë ADNje. Shpjegojnë edhe se, degradimi i ADN-së mund të ndikohet nga faktorë të shumtë, mes të cilëve oksigjeni, temperatura, lagëstia dhe koha e kaluar që prej vdekjes së organizmit nga i cili kërkohet të nxirret materiali genetik për t’u analizuar.
Po ashtu duke qenë se dimë shumë pak mbi procesin e fosilizimit me anë të rrëshirës nuk dimë pra, si korolar të padijes, as efektet që ky proces mund të ketë mbi degradimin e ADN-së.

Përfundimi që na intereson neve, fansave të dinozaurve dhe të Jurassic Park është se, klonimi i zvarranikëve gjigand që mbizotëronin Tokën miliona vite më parë, është i pamundur, të paktën bazuar mbi të dhënat e derisotme. Kjo për shkak të degradimit të materialit gjenetik.

Shënim: koha e gjysmëjetës së ADN-së është 521 vite. (Edhe ADNja, që është një makromolekulë, si çdo molekulë tjetër ka një kohë specifike të gjysmëjetës). Një tjetër goditje e ashpër kjo për ata që shpresonin të shihnin ndonjë dinozaur të klonuar. 😀

Bibliogafi:

  • Penney D, Wadsworth C, Fox G, Kennedy SL, Preziosi RF, et al. (2013) Absence of Ancient DNA in Sub-Fossil Insect Inclusions Preserved in ‘Anthropocene’ Colombian Copal. PLoS ONE 8(9): e73150. doi:10.1371/journal.pone.0073150
  • DNA has a 521-year half-life (Matt Kaplan) – Genetic material can’t be recovered from dinosaurs — but it lasts longer than thought.

Rinstinkt

—————————————————————————————

Si ta shikojmë Nobelin e Mjekësisë 2013?

Si ta shikojmë Nobelin e Mjekësisë 2013?

Mbase, në këto ditë të pas Nobelit, shumë pak e dinë historinë e gjatë, të lodhshme, të mërzitshme të punës së tre shkencëtarëve të vlerësuar me çmimin Nobel për Mjekësinë 2013.

Së pari, kujt iu dha çmimi Nobel për Mjekësinë?

Thomas Südhof, James Rothman dhe Randy Schekman - çmimi Nobel per Mjekesine 2013 (PNAS)

Thomas Südhof, James Rothman dhe Randy Schekman – çmimi Nobel per Mjekesine 2013 (PNAS)

Iu dha tre kërkesve shkencorë; Thomas Südhof-it, James Rothman-it dhe Randy Schekman-it, mbi punën e kryer në 30-40 vitet e shkuara mbi makanizmat e imët të punës së transportit brendaqelizor.

Nga sapo pohova më sipër, them se lind një pyetje tjetër, më se e justifikuar: përse ky Nobel vjen kaq vonë, dhe a është vërtet i merituar?

Janë të dyja pyetje themelore, të cilat kërkojnë përgjigje, të cilat gazetave apo edicioneve të lajmeve të mbrëmjes pak iu interesojnë, meqënëse këto, lajme të tilla, i kanë sa për të mbushur faqen apo për të plotësuar minutazhin e edicionit të lamjeve, e kështu nuk interesohen asfare për historikun apo për mësimet që mund të nxirren nga të tilla ngjarje.

Do të shkruaj së pari nja dy gjëra mbi punën e zhvilluar, ndër vite, nga kërkuesit në fjalë.

Randy Schekman, në përpjekje për të kuptuar se si fshikëzat brendaqelizore e transportonin përmbajtjen e tyre në vendin dhe kohën e caktuar, eksperimenton, në vitet 1970-të, mbi qelizat e majasë. Qelizat e majasë, – që për kuriozitet është majaja e përdorur për të bërë bukën apo birrën – në këtë rast shërbejnë si “kavie”, si organizëm model për të eksperimentuar mbi një fenomen ende të panjohur mirë, për kohën të cilën po flasim (vitet 1970-të).

Puna seminale e Schekman-it realizohet gjatë viteve 70-80-të. Ai zbulon, duke eksperimentuar mbi majanë Saccharomyces cerevisiae, gjenet përgjegjës për transportin e fshikëzave brenda qelizave.

Ndërsa James Rothman eksperimentonte një tjetër askpekt të fenomenit, asokohe të panjohhur, atë të proteinave përgjegjëse të transportit.

Südhof, nga ana tjetër ishte i interesuar të zbulonte  se si neurotransmetuesit lëshoheshin nga neuronet në mënyrë të saktë, nën impulse të caktuar.
Kështu, u zbulua se sinjalet elektrike lëvizin nëpërmjet neuroneve, e kur mbërrijnë në terminalin presinaptik shkaktojnë brenda-hyrjen e joneve kalcium në qelizën nervore duke vepruar mbi kanalet jonikë të aktivizuar, pra, nga voltazhi.

Jonet kalcium aktivizojnë proteina të pranishme në sipërfaqen e fshikëzave që përmbajnë neurotransmetues, të rreshtuara në terminalin pre-sinaptik gati për lëshim.
Veprimi i kalciumit mbi këto proteina bën që fshikëzat me neurotransmetues të shkrihen me membranën qelizore presinaptike duke u shpërhapur në hapësirën sinaptike.

Kjo është baza e tejçimit të impulseve nga një neuron tek tjetri (ekziston, përveç kësaj rruge kimike, edhe një mënyrë elektrike e tejçimit të impulseve ndërmjet neuroneve – gap junctions).

Ajo çfarë nuk dinin këta tre zotërinj ishte impakti i jashtëzakonshëm që zbulime të tilla do të kishin në biologji, në fiziologji e më tej mjekësi e patologji… Për këtë natyrisht duhet të kalonte pak kohë.

Sot njihen dhe studiohen edhe më tej implikimet në sëmundjen e diabetit, në sëmundjet neurodegjenerative si Parkinsoni, Alzaimeri dhe Huntingtoni etj.
Po ashtu, siç e përmenda disi edhe më sipër, trafiku i fshikëzave është i rëndësishëm sidomos në funksonimin e sistemit sinaptik.

Çmimi Nobel vjen 30-40 më vonë nga koha e botimit të punëve shkencore. Kjo tregon se impakti real dhe vlera e një zbulimi bazë si ky nuk mund kurrsesi të vihen re në mënyrë imediate.

Kjo, mendoj se duhet të jetë mënyra e të parit  të këtij Nobeli për Mjekësinë. Një shembull se si kërkimi shekncor nuk duhet të vendoset nën presionin e buxheteve të vendeve përkatëse.

Një shembull se kërkimi shekencor bazë në një moment të caktuar mund të mos gjejë aplikime praktike, e në një tjetër të jetë thelbësor për të kuptuarit e fenomeneve të univerisit njerëzor e jo vetëm.

Një shembull se kërkim shekncor ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve e jo vetëm të Nobelit.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————————–

Facebook dhe dëshpërim

Facebook dhe dëshpërimnga Astrit Lulushi

Kush mendon se Facebook-u është mënyrë e mirë për të qëndruar në kontakt me miqtë, nuk është vetëm. Më shumë se një miliard njerëz përdorin këtë rrjet shoqërimi virtual.

Stresi dhe Facebook-u

Por tani, një studim i ri tregon se e gjithë kjo lidhshmëri me njëri-tjetrin nuk i bën njerëzit të ndjehen më mirë apo të gëzuar.

“Të pëlqen një gjë?” – zgjidh “like”. Nëse ke për të thënë diçka – klik “comment” dhe shkruaj. Lehtësia është e madhe, por a sjell kjo kënaqësi? “Ndoshta jo”- përgjigjet studimi i ri nga shkencëtarë të Universitetit të Miçiganit, të cilët zbuluan se sa më shumë kohë që njeriu shpenzon në “Facebook“, aq më pak gjasa ka që të ndjehet mirë.

Shkencëtarët shqyrtuan për 2 javë, 82 të rinj e të reja- që ishin përdorues aktivë të Facebook-ut nëpërmjet aplikimit “facebook mobile” në telefon.

Rezultatet treguan se personat që u angazhuan më shpesh në Facebook, ndjeheshin më të dëshpëruar, më të mërzitur, më melankolikë – ata gjithashtu thanë se ishin më pak të kënaqur me jetën e tyre reale në përgjithësi, në krahasim me të tjerët që e përdornin me pak këtë rrjet social.

Ekspertët thonë se një nga arsyet për pakënaqësi mund të jetë zilia që njeriu provon kur sheh se profili i tjetrit në facebook është më i mirë se i veti – gjithashtu duke shpenzuar shumë kohë në facebook, njeriu shkëputet nga jeta e botës reale dhe kjo e bën të ndjehet keq a i vetmuar.

Studimi nuk këshillon që njerëzit të mbyllin llogarinë në facebook, por as nuk duhet të harrojnë jetën reale, ku lidhjet dhe kontaktet e vërteta janë gjithashtu të rëndësishme.

(Burimi: Facebook dhe dëshpërim)

————————————————————–