Anemia nga humbjet hematike

Anemia nga humbjet hematike

Humbjet hematike akute dhe anemia

Ilustrim i elementëve të gjakut.

Ilustrim i elementëve të gjakut.

Humbjet hematike akute, të menjëhershme, të dallueshme nga humbjet hematike kronike, shkaktojnë kryesisht një zvogëlim të nivelit apo më saktë të vëllimit të gjakut brenda-enëzor. Si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të gjakut brendaenëzor mund të shkaktohet një kolaps kardiovaskular, shok (shock) apo edhe vdekje e pacientit/individit.

Karakteristikat klinike, dhe jo vetëm,  varen nga intensiteti dhe nga lloji i gjakderdhjes, që mund të jetë e jashtme ose e brendshme.

Nëse pacienti mbijeton nga episodi i humbjes hematike akute, vëllimi i gjakut (kujdes: flitet për vëllimin, duke i anashkaluar karakteristikat cilësore) priret të rritet nëpërmjet zhvendosjes brenda-enëzore, brendavaskulare të ujit që zakonisht gjendet në hapësirën ndërqelizore. Një zhvendosje e këtillë e lëngut intersticial, ndërqelizor, shkakton hollim të gjakut, i ashtuquajtiru “hemodiluicion”, dhe si pasojë edhe një zvogëlim të parametrit të hematokritit.

Zvogëlimi i numrit total të eritrociteve (rruazave të kuqe të gjakut) bën që nëpër indet e trupit të shkojë më pak oksigjen nga sa shkon zakonisht, kjo sepse, siç e dimë oksigjeni transportohet kryesisht nëpërmjet hemoglobinës që gjendet në citoplazmën e rruazave të kuqe të gjakut. Zvogëlimi i transportit të oksigjenit indukton një rritje të nivelit të prodhimit të eritropoietinës në veshka. Eritropoietina stimulon shumimin e prekursorëve të rruazave të kuqe të gjakut në palcën e kockave (CFU-E); pra është një hormon i rëndësishëm në procesin e gjakpërftimit (hematopoiezës).

Pas lëshimit dhe veprimit të eritropoietinës, duhen disa ditë që të vihen re efektet… e kështu, në qarkullimin e gjakut do të vihen re një numër disi i rritur retikolocitesh. Retikolocitet janë eritrocite që nuk kanë përfunduar akoma stadin e vet maturues. Zakonisht në gjak gjenden në një përqindje nga 0.5 në 1.5.

Sapo palca e kuqe rrit aktivitetin e vet, nën stimujt e eritropoietinës, vihet re një rritje e  numrit të retikolociteve, që mbërrin në nivele prej 10-15% pas 7 ditësh.

Retikolocitët kanë përmasa më të mëdha se eritrocitet (makrocitë) dhe karakterizohen nga një citoplazmë polikromatofile, me ngjyrim blu të kuq.

Humbjet hematike kronike dhe anemia

Humbjet hematike kronike shkaktojnë anemi vetëm në rastet kur entiteti i humbjes hematike kalon tej aftësive ripërtëritëse të palcës apo kur rezervat e hekurit në organizëm mbarojnë dhe shfaqet, si pasojë, e ashtuquajtura anemi sideropenike, pra nga mungesa e hekurit (hekuri është element thelpësor në sintetizimin e hemoglobinës).

Rinstinkt, 2014.

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

——————————————————————————

Hemorragjia

Hemorragjia

Dëmtimi i një ene gjaku dhe dalja e gjakut... (hemorragjia).

Dëmtimi i një ene gjaku dhe dalja e gjakut… (hemorragjia).

Me hemorragji kihet parasysh dalja e gjakut nga enët  (e gjakut) në të cilat lëviz/qëndron zakonisht.

Dalja e gjakut nga sistemi enëzor mund të verifikohet për shkak të dëmtimit të një arterie, të një vene apo të një kapilari… i shkaktuar ky dëmtim nga plagë apo nga fenomente të tjera patologjike që në një mënyrë ose në një tjetër dëmtojnë murin enëzor.

Shkaqet e dëmtimit mund të jenë të llojllojshme; kryesisht kanë të bëjnë me plagë, procese infiamatore, me procese zvetënuese/degjenerative, metastaza tumorale, aneurizma (zgjerim i lokalizuar i murit enëzor), variçe (zgjerim i venave) etj.

Gjaku që del nga enët ku zakonisht qarkullon, del me njëfarë shpejtësie nga enët arterioze, ndryshe nga ato venoze, nga ku del më ngadalë.

Nëse gjaku nuk derdhet jashtë trupit ai infiltron (brendafutet) nëpër indet rrethues duke formuar një masë të ngurtë të qajtur hematomë/hematoma. Ndërsa kur gjaku mblidhet apo grumbullohet në një zgavër apo thënë ndryshe kavitet celomatik të organizmit formohet hemoperitoneumi apo hemoperikardi.

Një nga mekanizmat homeostatikë që marrin pjesë në rregullimin e procesit të hemorragjisë është ngushtimi, apo thënë më mirë, tkurrja e murit të enës arterioze. Për më tepër hemorragjia ndalet nga aktivizimi i sistemit homeostatik koagulativ/mpikës.

Rinstinkt, 2014

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————————

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Hipofiza, hormoni antidiuretik dhe oksitocina

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Ilustrim i pozicionit të gjëndrës hipofizare. (Wikipedia)

Hipofiza quhet ndryshe edhe gjëndra pituitare. Hipofiza është një gjëndër e vogël e vendosur në bazë të kafkës. Peshon rreth 0.5 g dhe është e vendosur në gropën pituitaresella turcica. Gjëndra e hipofizës lidhet me hipotalamusin me anë të infundibulumit. Gjëndra përbëhet nga tre pjesë: adenohipofiza, lobi i ndërmjetëm dhe neurohipofiza.

Pjesa e përparme e gjëndrës së hipofizës përmban qeliza histologjikisht të diferenciuara (përdalluara). Pjesa e ndërmjetme (pars intermedia) tek njeriu është rudimentale. Ndërsa pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës përmban ind lidhor neural – qeliza gliale, fibra nervore të pamjelinizuara dhe enë gjaku.

Pjesa e pasme e gjëndrës së hipofizës nuk ka qeliza sekretuese. Neurohipofiza pret hormonet e lëshuar nga bërthamat paraventrikulare dhe supraoptike të hipotalamusit. Këta hormone janë, hormoni antidiuretik dhe oksitocina. Pjesa e pasme e hipofizës është e përbëra nga pituicitë, fibra nervore dhe trupa hialinë. Trupat hialinë (qelqëngjashëm) shërbejnë si rezervuar për hormonet. Hormonet antidiuretik dhe oksitocinë lirohen në kapilarë dhe mbërrijnë në qarkullimin e përgjithshëm të gjakut.

Këto hormone kryejnë (kanë) tre funksione kryesore:

  • efekt antidiuretik – reduktojnë nxjerrjen e urinës
  • efekt vazopresor – tkurrin muskujt e lëmuar të enëve të gjakut, duke rritur presionin e gjakut
  • efekt oksitocik – tkurrje e muskulit të lëmuar, të mitrës pas lindjes, dhe të gjëndrave të qumështit

Një stimul i rëndësishëm për sekretimin e hormonit antidiuretik (ADH) është rritja e përqëndrimit të kripës në gjak.

Kjo mund të shkaktohet nga:

  • Mungesa e ujit (nga dieta)
  • Humbja e ujit të trupit
  • Tepria e kripës në dietë

Rritja e përqëndrimit të kripës në plasmën e gjakut, rezulton në rritjen e presionit ozmotik  të gjakut, që si pasojë stimulon ozmoreceptorët e bërthamës (grupit të neuroneve) supraoptike të hipotalamusit.

ADH-ja (hormoni antidiuretik – vazopresina) vepron drejtëpërsëdrejti edhe në nefron, në veshkë. Në saktësisht, vepron në qelizat që veshin tubujt e largët dhe tubat kolektorë (mbledhës) të nefronit. ADH-ja rrit përshkueshmërin e tyre nga uji. Rrit po ashtu edhe thithjen e ujit nga filtrati glomerular (lëmshëzor) në tubulin (tubthin) e përdredhur dytësor. ADH-ja redukton sasinë e urinës së nxjerrë duke rivendorus presionin e gjakut në parametra optimalë.

Sekrecioni i oksitocinës varet nga impulset nervore aferente nga mitra, vulva dhe thithat e sisëve. Impulset bëjnë që oksitocina të lëshohet në qarkullimin e gjakut.

Aksioni kryesor i oksitocinës është mbi mitrën. Oksitocina fuqizon tkurrjen e muskulaturës së mitrës gjatë dhe pas lindjes. Kështu, bën që mitra që rimarrë formën që kishte para shtatëzanisë. Oksitocina vepron edhe mbi gjëndrat e qumështit (të gjoksit) duke shkaktuar tkurrjen e qelizave mioepiteliale të dukteve. Kështu, gjatë thithjes, ekskretohet qumështi. Funksionet e oksitocinës tek mashkulli janë ende të panjohura, edhe pse mendohet se mund të veprojë mbi gjëndrën e prostatës.

© mbi tekstin, Rinstinkt

———————————————————————-

Hipotalamusi, hipofiza dhe kontrolli hormonal

Hipotalamusi

Hipotalamusi së bashku me gjëndrën e hipofizës janë njësia kontrolluese përgjegjëse për rregullimin hormonal.

diencefaliHipotalamusi gjendet në trurin e mesëm, nën talamus. Tek hipotalamusi mund të identifikohen një pjesë e përparme, një pjesë e pasme, një anësore dhe një e mesme.

Gjëndra e hipotalamusit përmban disa bërthama (grupe neuronale).

Hipotalamusi i pasëm është jashtëzakonisht i pasur me fibra nervore të mielinizuara. Në të kundërt pjesa e përparme dhe ajo e mesme e hipotalamusit kanë pak.

Bërthama supraoptike dhe bërthama paraventrikulare gjenden në hipotalamusin e përparëm. Këto bërthama përmbajnë neurone neurosekretorë. Peptidet transportohem nëpërmjet aksonëve direkt e në hipofizën e pasme.

Bërthama e harkuar dhe bërthama infundibulare gjenden mes rajonit të poshtëm dhe atij të mesëm të hipotalamusit. Këto bërthama (grupe neuronesh) rregullojnë sekrecionet e hipofizës së përparme. Gjithashtu, këto grupe neuronesh sekretojnë RH (releasing hormones-hormone nxitës) dhe IH (inhibiting hormones-hormone frenues). Hormonet mbërrijnë në hipofizë nëpërmjet sistemit portal që lidh këto dy gjëndra.

Hipotalamusi i pasëm përfshin trupat mamilarë.

Hipotalamusi prodhon hormone oligopeptidikë.  Hormonet e lëshuara nga hipotalamusi mbërrijnë në hipofizë duke kaluar nëpër sistemin venoz portal hipotalamo-hipofizar. Në hipofizën e përparme, hormonet stimulojnë ose inhibojnë lëshimin e hormoneve të tjerë (proteinikë, të hipofizës).

GRH (GH-RH) stimulon lëshimin e somatotropinës apo hormonit të rritjes. Ndërsa, GIH (GH-IH) inhibon prodhimin (lëshimin) e somatotropinës apo hormonit të rritjes, nga hipofiza e përparme.

PRH stimulon prodhimin e prolaktinës. Ndërsa PIH inhibon prodhimin e prolaktinës.

TRH stimulon prodhimin e tirotropinës.

CRH stimulon prodhimin e kortikotropinës.

GRH stimulon prodhimin e gonadotropinave.

MIH (MSH-IH) inhibon prodhimin e melanotropinës.

Neuronet e bërthamave supraoptike dhe paraventrikulare të hipotalamusit, sekretojnë hormonin antidiuretik apo vazopresinë (ADH) dhe hormonin oksitocinë.

© Rinstinkt blog

—————————————————————-

Sistemi endokrin, gjëndrat endokrine, hormonet

Sistemi endokrin

Sistemi endokrin rregullon ambientin e brendshëm (milieu interieur). Është një sistem komunikimi ku përbërësit sintetizohen dhe sekretohen (tahiten) nga gjëndrat endokrine. Këta përbërës quhen hormone dhe çojnë informacione tek indet apo organet shenjestër. Organet shenjestër dekodifikojnë informacionin kimik dhe mund të përgjigjen në mënyrë specifike.

Hormonet sekretohen nga gjëndrat dhe lëshohen në qarkullimin e gjakut. Kështu, aksionet e hormoneve ndodhin edhe shumë larg vendit të sekretimit të tyre. Hormonet janë të përfshirë në rregullimin e përgjigjeve të shpejta e të ngadalta. Por ata veprojnë edhe në koordinimin e përgjigjeve qelizore në një numër të madh indesh të trupit.

Funksioni rregullator i hormoneve, pra ai i të ruajturit të “ambientit” të brendshëm, kërkon ndreqje të vazhdueshme. Kjo sepse trupi duhet t’i përgjigjet një sërë kushtesh që ndryshojnë embientin e brendshëm të orgnizmit. Në fjalë të tjera, sintetizimi, sekretimi, dhe shkalla e çaktivizimit të hormoneve duhet të  jetë nën rregullim (kontroll) të vazhdueshëm.

Sinteza e hormoneve mund të ndodh në  gjëndra, në grupe qelizash speciale apo edhe në një qelizë të vetme.

Organet apo indet që sintetizojnë hormone janë:

  • Hipotalamusi
  • Gjëndra pituitare (hipofiza)
  • Gjëndra tiroide
  • Gjëndrat paratiroide
  • Gjëndrat mbiveshkore
  • Timusi
  • Ishujt e Langerhansit në pankreas
  • Qelizat intersticiale të Leydigut në testikuj
  • Folikuli dhe trupi i verdhë (corpus luteum) në vezore
  • Placenta

Gjithashtu, është demonstruar se, edhe veshkat dhe atriumi (veshorja) i zemrës  prodhojnë hormone.

Bazuar në strukturën e tyre kimike, hormonet mund të klasifikohen në:

  • hormone peptid-ikë apo protein-ikë
  • hormone steroid-ikë
  • hormone derivate të aminoacidit Tirozinë

Sintetizimi i hormoneve peptidikë dhe proteinikë kryhet nëpërmjet transkriptimit dhe translatimit. Zakonisht, në fillim, sintetizohet një molekulë prekursore – prehormoni. Pastaj prehormoni i nënshtrohet hidrolizës për të formuar hormonin. Në vendin e sintetizimit hormonet ruhen në disa fshikëza dhe sekretohen nëpërmjet ekzocitozës.

Disa hormone sekretohen në mënyrë konstante, si për shembull hormonet e gjëndrës tiroide. Të tjerë sekretohen vetëm nën kërkesë, si për shembull insulina (nga pankreasi). Një tjetër grup hormonesh lëshohet në qarkullim ne një ritëm 24-orësh. Së fundmi, disa hormone sekretohen në cikle mujorë, si hormonet seksuale femërore.

Në gjak, hormonet udhëtojnë të lidhur me proteina transporti specifike.

Hipotalamusi është, zakonisht, organi qëndror që rregullon aktivitetin hormonal. Ai sekreton RH-të (releasing hormones) që stimulojnë një hormon të dytë në gjëndrën hipofizare. Hormonet e sekretuara nga gjëndra e hipofizës quhen edhe hormone tropikë, duke qenë se ata stimulojnë gjëndrat endokrine periferike. Gjëndrat shenjestër, të stimuluara, sekretojnë hormonet në qarkullimin e gjakut. Kështu, hormonet mund të arrijnë në organet apo indet shenjestër dhe të prodhojnë efektin e tyre.

Kemoreceptorët, në hipotalamus, monitorojnë  përqëndrimin hematik (në gjak) të hormoneve. Si pasojë, sekretimi i hormoneve është nën rregullim të vazhdueshëm. Në fakt, kur përqëndrimi hormonal në gjak është i lartë, hipotalamusi redukton lëshimin e RH-ve (releasin hormones). Ndërsa, kur përqëndrimi hormonal në gjak është ii ulët, hipotalamusi rrit lëshimin e RH-ve. Ky mekanizëm quhet mekanizëm me feedback (mekanizëm me prapaveprim).

Gjithsesi, disa hormone nuk e përdorin mekanizmin me feedback hipotalamo-hipofizar.

© Rinstinkt blog

[Të pëlqeu postimi? Nëse po, atëhere mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

———————————————————