Si ta shikojmë Nobelin e Mjekësisë 2013?

Si ta shikojmë Nobelin e Mjekësisë 2013?

Mbase, në këto ditë të pas Nobelit, shumë pak e dinë historinë e gjatë, të lodhshme, të mërzitshme të punës së tre shkencëtarëve të vlerësuar me çmimin Nobel për Mjekësinë 2013.

Së pari, kujt iu dha çmimi Nobel për Mjekësinë?

Thomas Südhof, James Rothman dhe Randy Schekman - çmimi Nobel per Mjekesine 2013 (PNAS)

Thomas Südhof, James Rothman dhe Randy Schekman – çmimi Nobel per Mjekesine 2013 (PNAS)

Iu dha tre kërkesve shkencorë; Thomas Südhof-it, James Rothman-it dhe Randy Schekman-it, mbi punën e kryer në 30-40 vitet e shkuara mbi makanizmat e imët të punës së transportit brendaqelizor.

Nga sapo pohova më sipër, them se lind një pyetje tjetër, më se e justifikuar: përse ky Nobel vjen kaq vonë, dhe a është vërtet i merituar?

Janë të dyja pyetje themelore, të cilat kërkojnë përgjigje, të cilat gazetave apo edicioneve të lajmeve të mbrëmjes pak iu interesojnë, meqënëse këto, lajme të tilla, i kanë sa për të mbushur faqen apo për të plotësuar minutazhin e edicionit të lamjeve, e kështu nuk interesohen asfare për historikun apo për mësimet që mund të nxirren nga të tilla ngjarje.

Do të shkruaj së pari nja dy gjëra mbi punën e zhvilluar, ndër vite, nga kërkuesit në fjalë.

Randy Schekman, në përpjekje për të kuptuar se si fshikëzat brendaqelizore e transportonin përmbajtjen e tyre në vendin dhe kohën e caktuar, eksperimenton, në vitet 1970-të, mbi qelizat e majasë. Qelizat e majasë, – që për kuriozitet është majaja e përdorur për të bërë bukën apo birrën – në këtë rast shërbejnë si “kavie”, si organizëm model për të eksperimentuar mbi një fenomen ende të panjohur mirë, për kohën të cilën po flasim (vitet 1970-të).

Puna seminale e Schekman-it realizohet gjatë viteve 70-80-të. Ai zbulon, duke eksperimentuar mbi majanë Saccharomyces cerevisiae, gjenet përgjegjës për transportin e fshikëzave brenda qelizave.

Ndërsa James Rothman eksperimentonte një tjetër askpekt të fenomenit, asokohe të panjohhur, atë të proteinave përgjegjëse të transportit.

Südhof, nga ana tjetër ishte i interesuar të zbulonte  se si neurotransmetuesit lëshoheshin nga neuronet në mënyrë të saktë, nën impulse të caktuar.
Kështu, u zbulua se sinjalet elektrike lëvizin nëpërmjet neuroneve, e kur mbërrijnë në terminalin presinaptik shkaktojnë brenda-hyrjen e joneve kalcium në qelizën nervore duke vepruar mbi kanalet jonikë të aktivizuar, pra, nga voltazhi.

Jonet kalcium aktivizojnë proteina të pranishme në sipërfaqen e fshikëzave që përmbajnë neurotransmetues, të rreshtuara në terminalin pre-sinaptik gati për lëshim.
Veprimi i kalciumit mbi këto proteina bën që fshikëzat me neurotransmetues të shkrihen me membranën qelizore presinaptike duke u shpërhapur në hapësirën sinaptike.

Kjo është baza e tejçimit të impulseve nga një neuron tek tjetri (ekziston, përveç kësaj rruge kimike, edhe një mënyrë elektrike e tejçimit të impulseve ndërmjet neuroneve – gap junctions).

Ajo çfarë nuk dinin këta tre zotërinj ishte impakti i jashtëzakonshëm që zbulime të tilla do të kishin në biologji, në fiziologji e më tej mjekësi e patologji… Për këtë natyrisht duhet të kalonte pak kohë.

Sot njihen dhe studiohen edhe më tej implikimet në sëmundjen e diabetit, në sëmundjet neurodegjenerative si Parkinsoni, Alzaimeri dhe Huntingtoni etj.
Po ashtu, siç e përmenda disi edhe më sipër, trafiku i fshikëzave është i rëndësishëm sidomos në funksonimin e sistemit sinaptik.

Çmimi Nobel vjen 30-40 më vonë nga koha e botimit të punëve shkencore. Kjo tregon se impakti real dhe vlera e një zbulimi bazë si ky nuk mund kurrsesi të vihen re në mënyrë imediate.

Kjo, mendoj se duhet të jetë mënyra e të parit  të këtij Nobeli për Mjekësinë. Një shembull se si kërkimi shekncor nuk duhet të vendoset nën presionin e buxheteve të vendeve përkatëse.

Një shembull se kërkimi shekencor bazë në një moment të caktuar mund të mos gjejë aplikime praktike, e në një tjetër të jetë thelbësor për të kuptuarit e fenomeneve të univerisit njerëzor e jo vetëm.

Një shembull se kërkim shekncor ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve e jo vetëm të Nobelit.

© mbi tekstin, Rinstinkt

—————————————————————————————–

Reklama

Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Kolagjeni, vitamina C dhe roli i saj në stabilizimin e strukturës së kolagjenit

Skorbuti shkaktohet nga mungesa e vitaminës C, apo thënë ndryshe acidit askorbik (askorbatit). Vitamina C përveç të tjerash është e nevojshme edhe për oksidrilimin e prolinës dhe lizinës në molekulën e kolagjenit.

Skorbuti është një sëmundje defiçiti, si shumë të tjera, që karakterizohet nga degjenerimi (prishja) e përgjithshme e indit lidhor. Skorbuti shfaqet (manifestohet) me shenja si: hemorragji të shumta të shkaktuara nga dobësia e enëve të gjakut, pra nga dobësia e mureve të enëve të gjakut. Skorbuti shfaqet edhe me humbjen e dhëmbëve, pamundësinë e krijimit të eskarave (vrajave, mbresave) nga plagët apo rihapjen e të vjetrave, dhimbje dhe prishje të kockave dhe, në fund, pamajaftueshmëri kardiake. Janë vëzhguar edhe depresion dhe rritja e ndjeshmërisë ndaj stimujve të llojeve të ndryshme.

Rastet me të moderuara me mungesë të vitaminës C shfaqen me lodhje të përgjthshme, acarueshmëri dhe rritje të gravitetit të infeksioneve respiratore.

Pjesa më e madhe e kafshëve e prodhon vitaminën C, vet, në sasi të mëdha, nëpërmjet transformimit të glukozit në askorbat. (Transformimi kryhet nëpërmjet katër hapave enzimatike.)

Gjatë evoluimit të vet, njerëzit – dhe kafshë të tjera si gorrilla, kaviet, laskuriqët – e kanë humbur enzimën e fundit të rrugës enzimatike që realizon sintezën e askorbatit nga glukozi. Kështu acidi askorbik (askorbati) duhet të merret nga dieta.

Formula kimike e vitaminës C

Formula kimike e vitaminës C

Acidi askorbik (vitamina C) në formën e vet fizike është një pluhur i bardhë, kristalin, i paerë. Vitamina C shkrihet me lehtësi në ujë, ndërsa me pak më shumë vështirësi në tretës të tjerë organikë.

Përdorimi i duhur ditor i vitaminës C është ende nën diskutim. Në SHBA doza e rekomanduar ditore është prej 60 mg, në Australi dhe Mbretërinë e Bashkuar 30-40 mg, në Rusi prej 100 mg. Ndonjëherë jepen doza të larta të vitaminës C pavarësisht se benefici që vjen nga një veprim i tillë është nën diskutim.

Kafshët që e sintetizojnë vet vitaminën C ruajnë nivele të larta të kësaj vitamine, aq sa njeriut do t’i duhej të merrte doza qindra herë më të larta se doza ditore e rekomanduar për të mbërritur në një nivel të tillë.

Përveç agrumeve dhe pjesës më të madhe të frutave të freskëta, edhe ushqime të tjera përmbajnë doza të konsiderueshme vitamine C. Ndër to janë: piperi, domatet, patatet dhe brokolit.

Vitamina C që gjendet në fruta dhe preime degradohet (prishet) pas gatimit të këtyre. Po ashtu edhe gjatë konservimit të zgjatur.

Po përse vitamina C (acidi askorbik) është kaq i rëndësishëm për shëndetin e njeriut?

Rëndësia e vitaminës C tek njeriu qëndron në formimin e kolagjenit. Kolagjeni përbëhet nga përsëritja e tripeptidit Gly-X-Y ku X dhe Y janë përgjithësisht Pro apo 4-Hyp, derivati i Prolinës nga (4R)-L-hidroksiprolina, që ka një rol thelbësor në mbështjelljen e kolagjenit dhe në ruajtjen e strukturës së tij.

Unaza e prolinës normalisht gjendet në në dy konformacione “të përthyera”, të quajtura Cy-endo dhe Cy-ekzo. Struktura e helikës së kolagjenit kërkon që mbetja e prolinës në pozicionin Y të trepeptidit të jetë në konformacionin Cy-ekzo. Ky konformacion i prolinës stabilizohet nga prania e grupit funksional oksidrilik (-OH) në pozicionin C4 të 4-Hyp. Struktura e kolagjenit kërkon edhe që mbetja e prolinës në pozicionin X të trepeptidit të ketë konformacionin Cy-endo.

Në mungesë të vitaminsë C (askorabatit) qelizat nuk mund ta oksidrilojnë, pra nuk mund t’a shtojnë grupin oksidril tel mbetja e prolinës në pozicionin Y. Kështu, mos-shtimi i grupeve hidroksil sjell paqëndrueshmërinë e proteinës së kolagjenit, me të gjitha pasojat që rrjedhin prej kësaj.

Ah, një kuriozitet: kolagjeni është një proteinë, pra njeriu i ka gjenet për ta prodhuar vetë. Po ashtu, kolagjeni është një ndër proteinat me masën dhe strukturën hapsinore më të madhe, kështu që është e pamundur që të kalojë hapsirat ndërqelizore – ndryshe nga sa pretendojnë ata që shesin kremrat me “kolagjen”. Kolagjeni pra nuk thithet nga lëkura. Mos i shpenzoni paratë kot. 🙂

 

© mbi tekstin, Rinstinkt 2013

—————————————————————————————————–

Përse kryhet eksperimentimi shkencor me kafshët?

Përse kryhet eksperimentimi shkencor me kafshët?

Disa rezultare shkencore të kërkimit shkencor mbi kafshët:

  • Demonstrimi i materialit gjenetik – F. Griffith – Eksperimentim mbi minjtë
  • Vaksina kundër li-së – E.A. Jenner – Eksperimentim mbi gjedhët
  • Zbulimi i impulsit nervor – A.L Hodgkin dhe A. Huxley – Eksperimentim mbi kallamarët
  • Rregullimi i të rahurave të zemrës – O.Loewi – Eksperimentim mbi bretkosat
  • Kura e diabetit (insulina) – F:G:Banting – eksperimentim mbi qentë
  • Transfuzioni i gjakut – Mjekë të ndryshëm – Eksperimentim mbi qingjat
  • Studimi i trapienteve të organeve – A:Carrel – eksperimentim mbi lloje të ndryshme kafshësh
  • Vaksina kundër poliomielitit – A.B.Sabin – Eksperimentim mbi majmunat
  • Sieroterapia kundër-tërbimit – L. Pasteur – Eksperimentim mbi specie të ndryshme
  • Zbulimi i neuroneve pasqyrë (empatia) – G. Rizzolatti – Eksperimentimi mbi majmunët
  • Terapia HIV (me antiretroviralë) – Ekipi i R.C. Gallo – Eksperimentimi mbi majmunat

E të tjera, e të tjera…

——————————————————————————–

Enterovirusët, Poliovirusët, Poliomieliti dhe vaksinat e Poliomielitit

Enterovirusët, Pikornavirusët, Poliovirusi, sëmundja e Poliomielitit dhe vaksinat për sëmundjen e Poliomielitit

Poliovirusi bën pjesë tek Pikornaviridae-t (piko-rna-viridae: pra viruse të vegjël me material gjenetik ARNnë), nëngrupimi Enterovirus.

Kristale të një poliovirusi në brendësi të një qelize

Kristale të një poliovirusi në brendësi të një qelize

Enteroviruset janë një grup virusesh të klasifikuar në pesë specie/lloje: Poliovirus dhe enterovirus A, B, C, D. Enteroviruset janë në gjendje të rezistojnë ndaj ambientit të jashtëm, transmetohen nëpërmjet cirkuitit oro-fekal, hyjnë në organizëm nëpërmjet mukozave të oro-faringut apo traktit gastro intestinal. Janë rezistent ndaj lëngut gastrik dhe lëngut të fshikëzës të tamblit.

Virusi i poliomielitit

Infektimi me virusin e poliomielitit

Poliovirusët , ndër enterovirusët, janë ata më të famshmit. Janë shkaktarë të poliomielitit paralitik, një sëmundje paralizuese deformuese që prek kryesisht fëmijët deri në shtat vjeç.

Virusi i poliomielitit, duke hyrë nëpërmjet mukozës së traktit tretës, mbërrin në nevr-aks (palcën kurrizore) dhe dëmton neuronët motorë (neuronët që përbëjnë rrugën dalëse të impulseve motore, pra ata neurone të eksitojnë indin muskulor) duke shkaktuar paralizë të muskujve përkatës.

Sëmundja e poliomielitit në ditët e sotme dhe vaksinat kundër poliomielitit

Sot poliomieliti është një sëmundje e çrrënjosur falë vaksinimit të detyrueshëm të popullatës.

Vaksina  e parë e zhvilluar për sëmundjen e poliomielitit ishte vaksina e Koprowskit, një virolog. Vaksina konsistonte në një sierotpi të virusit të dobësuar.

Më pas doli vaksina e dytë për poliomielitin; vaksina e Salkut (viruse të inaktivizuar me anë të formalinës). Vaksian e Salk-ut është realizuar duke kultivuar poliovirusin në një kulturë indore të veshkës së majmunit, mëpastaj inaktivizuar me formalinë.

Më pas u pasua nga vaksina e Sabin-it (virus i dobësuar që replikohet por nuk arrin të kalojë përtej mukozës intestinale, dhe që provokon një përgjigje të fortë antikorpale, me pasojë krijimin e imunitetit intestinal).

(Lidhja me eksperimentimin shkencor-me kafshët është e qartë…)

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————

Shkencë dhe antishkencë

Shkencë dhe antishkencë

Antishkenca është “demokratike”, sepse duhet medoemos të plotësojë shkencën, atë të vërtetën, në ato që i mungojnë. Pra si anti-shkencë është “demokratike” duke qenë se mund të përthyhet nën vullnetin e masave. Antishkenca shpesh lind dhe ushqehet pikërisht nga emocionet e masave, nga dëshirat e tyre, nga ato dëshira irracionale që shkenca racionale nuk i kënaq dot, në të kundërt e thotë të vërtetën troç. Antishkenca e vë theksin tek rezultati, ndërsa shkenca tek metoda.

Antishkenca, siç thashë, mund të përthyhet para vullnetit tonë, duke na bërë të harrojmë se çdo herë që përplasemi me natyrën, me ligjet e universit, këtyre as që u bëhet vonë për pritshmëritë tona. Kështu, antishkenca nuk interpreton ligjet e natyrës ashtu siç janë, por i keqinterpreton, duke i sakatuar e deformuar sipas vullnetit, dëshirave dhe projeksioneve tona, duke mbyllur një ose të dy sytë mbi pasojat që kjo sjellje ka.

Shkenca nuk ndërtohet mbi opinione e aq më tepër nuk është demokratike, për shumë arsye. Demokracia nuk mund të aplikohet në shkencë, përndryshe kjo humbet autoritetin e vet mbi përshkrimin dhe interpretimin e realitetit dhe bëhet vetëm një përkthyese ëndrrash irracionale, sikundër antishkenca.

Shkenca nuk i ka qejf formulimet absolute e nuk njeh princip autorteti; me metodologjinë e saj, të mban të mbërthyer pas realitetit të ftohtë e të ashpër. Antishkenca të çon ku të duash, të bën të ndihesh i mbështetur nga “autoritetet”, të jep kiartësi absolute e nuk të detyron të logjikosh në terma probabiliteti e dyshimi. Të gjithë do të donin të besonin në një gjë të tillë…

Duam që të ekzistojë një kurë universale me efektshmëri 100% për të gjitha format e kancerit, që të gjendet në bahçen tonë, pa nevojë për kërkime të kushtueshme, pa implikime etike, pa efekte anësore… ja që shkenca nuk e ofron dot këtë zgjidhje, as nuk pretendon ta ofrojë. Këtu futet në lojë antishkenca, me ofertën e saj… mirëbërëse, të magjishme. Nëse kjo ofertë është e realizueshme apo jo, kjo pak rëndësi ka. Detaje të vogla, krejt të parëndësishme.  😉

 

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————–