Tumori i Wilmsit

Tumori i Wilmsit

tumori i Wilmsit, nefroblastoma

Tumori i Wilmsit në dy prerje të tërthorta të veshkave. (Wikipedia)

Tumori i Wilmsit është një tumor i moshës pediatrike që prek veshkat, dhe që është fortësisht i lidhur me mutacionet e gjenit dhe proteinës WT-1. Tumori i Wilmsit paraqitet në dy forma kryesore, në atë të trashëgueshme dhe në formën sporadike. Sidosi, në të dyja rastet, është vëzhguar një çaktivizim mutacional i gjenit WT-1, që me produktin e vet proteinik rregullon tranzicionin e qelizave të veshkës nga fenotipi mezenkimal në atë epitelial – tranzicion që ndodh gjatë zhvillimit të organit.

Mbetjet nefrogjenike, mbetje nga stade më të hershme të zhvillimit të organit të veshkës, konsiderohen si “dëmtime” që paraprinë zhvillimin e tumorit të Wilmsit – kështu që kanë një domethënie të fortë paraneoplastike.

Është mjaft i rëndësishëm dokumentimi i pranisë së mbetjeve nefrogjenetike në mostrat e prelevuara meqënëse pacientët në fjalë kanë një rrezik të rritur për të zhvilluar tumorin e Wilmsit në veshkën e kundërt, e kështu kërkojnë një vezhgim të rregullt dhe të shpeshtë.

Nga pikëpamja morfologjike tumori i Wilmsit priret të paraqitet si një masë e madhe, e vetme dhe e izoluar, edhe pse në rreth 10% të rasteve, në momentin e diagnozës, ka një paraqitje dyanësore dhe shumëqendore.

Tumori është i butë dhe homogjen, me një ngjyrë kafe-gri, me zona të rastësishme hemorragjike, sikundër edhe zona cistike dhe nekrotike.

Nga pikëpamja mikroskopike karakterizohet nga struktura në stade të ndryshme nefrogjeneze. Paraqitja klasike është ajo trefazëshe, me një përbërëse blastike (qeliza që shfaqen me një nuancë blu), një stromale (qeliza të natyrës fibroblastike) dhe një epiteliale (që paraqitet në formën e e tubujve dhe të lëmshëzve abortivë, pra jo të zhvilluar).

Në rreth 5% të rasteve gjendet anaplazi; prani e bërthamash qelizore të mëdha, hiperkromike, pleomorfe dhe mitozash jonormale. Kjo paraqitje bashkëlidhet me mutacionet e p53.

Pjesa më e madhe e pacientëve të prekur nga tumori i Wilmsit mund të ketë pritshmëri të mira terapeutike, ndërkohë që tumoret me histologji anaplastike paraqesin një faktor vendimtar për një prognozë jo të mirë.

 

Rinstinkt, nëntor 2014

[Nëse postimi të pëlqeu, dhe do të qëndrosh i/e azhornuar, mos harro të vendoshësh një “Like” tek faqja e blogut në Facebook.]

Sistemi i frymëshkëmbimit

Sistemi i frymëshkëmbimit

Të gjitha qeniet e gjalla janë të varura nga furnizmimi me oksigjen për të kryer aktivitetet e veta kimike. Mushkëritë punojnë si zona e shkëmbimit të gazeve. Oksigjeni kalon nga mushkëritë në gjak dhe në të njëjtën kohë dioksidi i karbonit kalon nga gjaku në mushkëri nga ku, mëpastaj, nxirret jashtë orgnizmit me anë të frymënxjerrjes. Frymëthithja dhe frymënxjerrja zakonisht kryhen me anë të hundës.

Qelizë epiteliale me cilie (qerpikë) nga zgavra e hundës – © 2007 Dennis Kunkel

Zgavra e hundës është e veshur me qime dhe me cilie (qerpikë). Nga rrugët e hundës ajri kalon në faring dhe nga aty në laring. Nga laringu ajri lëviz drejt trakesë. Trakeja është një tub i gjatë membranoz  me unaza indi kërcor për të parandaluar kolapsin (rënien, prishjes e strukturës tubulare) gjatë frymëthithjes. Trakeja çon në bronke, të cilët ndahen në bronkiole(a).

Shkëmbimi i gazeve, për të qenë më të saktë, ndodh në trasta të vogla ajri – hojëzat. Hojëzat janë të grupuara në degë përreth skajeve (fundeve) të bronkiolave më të vogla. Çdo hojëz është rreth 1 ose 2 mm e gjerë dhe është e rrethuar nga kapilarë gjaku. Muret e kapilarëve të gjakut dhe të hojëzave përbëhen nga një shtresë e vetme qelizash epiteliale të sheshta të ndara vetëm nga një cipë (membranë) e hollë. Barriera mes ajrit në hojëza dhe gjakut në kapilarë është 0.3 mm.

Mikroskopi elektronike e nje bronkiole dhe hojëzave që i qëndrojnë përreth – © 2007 Dennis Kunkel

Mushkëritë janë të vendosura në zgavrën e kraharorit. Mushkëritë kanë një strukturë kon-ngjashme dhe shtrihen nga çifti i parë i brinjëve e deri mbi diafragmë. Diafragma është muskuli më i madh i frymëmarrjes dhe është i pozicionuar në fundin e zgavrës së (kafazit të) kraharorit.

Mushkëria e djathtë është e ndarë në një lob të sipërm, një lob të mesëm dhe një lob të poshtëm. Mushkëria e majtë është e ndarë në dy lobe, një të sipërm dhe një të poshtëm. Të gjithë lobet, e të dyja mushkërive janë  më tej të ndarë në lobtha.

Një çift mushkërish njerëzore ka rreth 300 milion hojëza, të cilat sigurojnë, apo japin, rreth 70m2 sipërfaqe frymëshkëmbyese. Gjatë frymëshkëmbimit normal një person mesatar përdor vetëm 12-14% të kapacitetit të përgjithshëm të mushkërive. Volumi rezervë i mushkërive është mjaftueshëm i madh sa për të lejuar jetën me vetëm një mushkëri. Volumi i ajrit që gjendet në mushkëri ndryshon gjatë frymëshkëmbimit. Këto ndryshime mund të dalohen me anë të një spirometri.

Mushkëritë janë të veshura nga një membranë (cipë) e hollë – pleura. Pleura është e përbërë nga dy shtresa – një shtresë e brendshme (visherale) dhe një e jashtme (parietale apo murore). Dy shtresat krijojnë një zgavër të quajtur zgavra pleurale e cila la një presion negativ. Presioni negativ parandalon kolapsin e mushkërive. Pleura sekreton (tahit) një lëng që lubrifikon muhskëritë dhe i lejon që të zgjerohen dhe tkurren duke rrëshkitur njëra mbi tjetrën dhe mbi pleurën.

© mbi tekstin, Rinstinkt

——————————————————————————————

Fëmijët e Hënës – Individët me xeroderma pigmentosum

Fëmijët e Hënës – Individët me xeroderma pigmentosum

Sëmundja xeroderma pigmentosum

Për herë të parë lidhja mes riparimit jo të saktë të ADN-së dhe predispozitës ndaj kancerit u vu re në një sëmundje të rrallë të trashëgueshme të quajtur xeroderma pigmentosum. Individët që trashëgojnë këtë gjendje janë aq shumë të ndjeshëm ndaj rrezeve ultravjollcë të diellit (radiacionit ultravjollcë) saqë ekspozimi për pak minuta ndaj dritës së diellit është i mjaftë për të shkaktuar djegie të rënda të lëkurës dhe kancer të lëkurës.

Duke qenë se këta individë (me xeroderma pigmentosum) janë të sigurt nga rrezet e diellit, për ta të dëmshme, vetëm gjatë natës – pra mund të dalin vetëm natën – ata janë quajtur edhe “fëmijët e hënës”. Për këta fëmijë (individë) aktivitetet argëtuese fillojnë në orare të ndryshme nga ato të fëmijëve të tjerë. Aktiviteti i fëmijëve me xeroderma pigmentosum fillon në perëndim dhe zhvillohet gjatë natës. Shkencëtarë të NASA-s kanë zhvilluar dhe dizenjuar një kostum (hapsinor) special që u siguron mjaftueshëm mbrojtje nga rrezet e diellit fëmijëve me xeroderma pigmentosum në mënyrë që të mund të luajnë jashtë edhe gjatë ditës.

Shkencëtarë të NASA-s kanë zhvilluar dhe dizenjuar një kostum (hapsinor) special që u siguron mjaftueshëm mbrojtje nga rrezet e diellit fëmijëve me xeroderma pigmentosum në mënyrë që të mund të luajnë jashtë edhe gjatë ditës.

Ndjeshmëria apo predispozita ndaj kancerit të lëkurës, që është vula (apo shenja) e xeroderma pigmentosum-it, mund të lidhet me defekte të trashëguara në riparimin e ADN-së.

Dihet se rrezatimi ultravjollcë mund të shkaktojë dëme tek molekulat e ADN-së duke lehtësuar formimin e dimerëve të pirimidinës – që do të thotë formimi i lidhjeve kovalente mes bazave pirimidike që gjenden afër njëra-tjetrës. Nëse nuk riparohen, këto mutacione mund të shpien në zhvillimin e kancerit. Një mënyrë për të riparuar dëmtimin – pra dimerët e pirimidinave – është nëpërmjet  excision repair-it, një proces riparimi i ADN-së që përdor një sërë enzimash për të prerë rajonin e dëmtuar dhe për ta mbushur boshllëkun me sekuencën korrekte të nukleotideve.

Në fundvitet 1960, u raportua se qelizat nga shumica e individëve me xeroderma pigmentosum  ishin të paafta për të kryer excision repair–in (riparimin me anë të largimit). Si pasojë, akumuloheshin mutacione të vazhdueshme të ADN-së duke rezultuar më pas në lindjen e kancerit.

Defektet  e trashëguara nga fëmijët me xeroderma pigmentosum në riparimin e ADN-së shpien në probabilitete për shfaqjen e kancerit deri 2000 herë më të larta se normalisht. Individët e prekur e zhvillojnë kancerin mesatarisht në moshën 8 vjeçare. Mosha mesatare e zhvillimit të kancerit të lëkurës tek individët normal është 60 vjeç.

Përtej impaktit më të lartë të kancerit të lëkurës, defektet në riparimin e ADN-së tek fëmijët me xeroderma pigmentosum shkaktojnë një rritje deri në 20 herë të riskut për leuçemi dhe kancere të trurit, të mushkërive të gjirit, mitrës dhe testikujve (testeve).

 

Rinstinkt 2013

———————————————————————————————-

Klerokineza – një lloj i ri ndarje qelizore

Klerokineza

klerokinezaNë laboratorët e Universitetit të Wisconsin-it është bërë një zbulim i rëndësishëm në fushën e biologjisë. Mark Burkard & kollegë, vëzhguan një lloj ndarjeje qelizore (ose më mirë të them, një stad të ndarjes qelizore) të paparë më përpara; i pahasur më parë.

Zbulimi u bë publik më 17 dhjetor (2012) me rastin e kongresit vjetor të American Society of Cell Biology (Shoqata Amerikane e Biologjisë Qelizore).

Zbulimi u bë nga një grup onkologësh që ishin në kërkim të metodave për luftimin e një tipi kanceri që indukton ndarjen jonormale të qelizave të veta, një gjendje e njohur si poliploidi. Kjo gjëndje haset në rreth 14% të tumoreve (kancereve) të gjoksit dhe në rreth 35% të tumorevepankreasit.

Zbulimi ishte i rastësishëm. Ndodhi në tentativë për të përftuar eksperimentalisht qeliza njerëzore me kromozome të mbinumërt (me më shumë se një komplet kromozomik). Qëllimi ishte ai i riprodhimit të një “kanceri” artificial, mbi të cilin të kryheshin eksperimente të tjera për të kërkuar terapi të reja.

Disa qeliza epiteliale të retinës (rrjetëzës), u detyruan të ndërmerrnin rrugëtimin e ndarjes mitotike (ndarja qelizore më banale, e zakonshme), por duke inhibuar procesin e kariokinezës, që normalisht mundëson ndarjen e dy qelizave bija; pra ndarjen e citoplazmave të tyre.

Kështu qelizat e përftuara përmbanin secila nga dy bërthama, pra me dyfishim të numrit të të gjithë kromozomeve (set të dyfishtë të kromozomeve).

Tani vjen pjesa interesante, sepse Burkard & kolegë mendonin se kishin përftuar qeliza jonormale, me pjesën më të madhe të funksioneve biologjike të korruptuara dhe paaftësi për të vazhduar drejt një ndarjeje normale qelizore: pra njëfarë grupi qelizash tumorale. Pra, sikundër parashikon(te) teoria e Theodor Boveri-së.

Por, papritmas, disa qeliza filluan të sillen ndryshe nga sa pritej, duke i lënë shkencëtarët me gisht në gojë. Një e treta e qelizave filloi të ndahej në qeliza bija, pa nevojën (pa praninë) e proteinave që normalisht janë të nevojshme për ndarjen e membranës plazmatike së qelizës mëmë, gjatë citokinezës.

U desh pak kohë për t’u bindur për atë ç’ka po shihnim, sepse nuk ishte përshkruar në asnjë tekst – deklaroi Burkard – dhe në fund konkluduam se po vëzhgonim një tip të ti ndarjeje qelizore”.

Hipoteza është se, qelizat e përdorin këtë mekanizëm si strategji natyrore “back-up-i” që parandalon formimin e tumoreve në rast të keqfunksionimit mitotik. Kërkuesit i dhanë këtij procesi emrin “klerokinezë” (klerokineza).

Klerokineza është një mekanizëm primitiv ndarjeje qelizore që duket se është ruajtur (konservuar) edhe tek njeriu, duke qenë se të tilla ndarje qelizore ishin vëzhguar, deri më sot, vetëm tek disa organizma primitivë.

Këtu gjendet një video e procesit – SPOONFUL OF MEDICINE.

Shpresa është që zbulimi të mos shërbejë vetëm për rishkrimin e teksteve të biologjisë por të ndihmojë edhe në të kuptuarit se si mund të parandalohen tumoret në të ardhmen.

 

Rinstinkt 2012

———————————————————————————-

Ndryshime të membranës bazale

Ndryshime të membranës bazale

Membranat bazale (apo bazilare) janë të përfshira në shumë procese patologjike.

Funksionaliteti veshkor

Lëmshëzi veshkor

Lëmshëzi veshkor

Në veshkë, shkrirja e membranave bazale të qelizave endoteliale dhe të podocitëve formon barierën e filtrimit glomerular (lëmshëzor) që është përgjegjës për formimin e ultrafiltratit të veshkës. Funksioni i veshkës mund të ndryshojë fortësisht nëse menbrana bazale glomerulare dëmtohet. Tek pacientët me diabet mellit, membrana bazale e lëmshëzit të veshkës është e trashur dhe bëhet e përshkueshme, në mënyrë jonormale, nga proteina të vogla.

[Lexo dhe: Veshkat (Anatomia e veshkave)]

Kanceri

Indet epiteliale formohen në vazhdimësi me indet lidhore, nga të cilët ndahen me anë të membranave bazale. Ndryshime gjenetike të qelizave epiteliale i japin shkas një rritjeje jonormale (neoplazi), që shpie në zhvillimin e tumorëve. Një tumor malinj është në gjendje të përhapet nga vendi i origjinës në inde të tjerë. Ky proces, favorizohet nga disa faktorë të sekretuar nga vet qelizat tumorale; faktorët janë në gjendje të degradojnë membranën bazale dhe të lejojnë qelizat tumorale në pushtimin e indit lidhor që gjendet në afërsi.

[Lexo dhe: Tumorë beninj, tumorë malinj]

Sëmundjet gjenetike

Janë identifikuar mutacione gjenetike në gjene për përbërës të ndryshëm të membranë bazale në patologjitë e veshkës (sëmundja e Alport-it), në keq-funksonimet muskulore (distrofia muskulore e bashkëlindur) dhe në patologjitë lëkurore.

Sëmundjet autoimune

sindromën e Goodpasture-s prodhohen autoantitrupa kundër disa përbërësve të membranës bazale si tek lëmshëzi i veshkës po ashtu edhe tek mushkëria; kjo gjendje përcakton ndryshime të funksionalitetit të veshkës dhe mushkërive.

 

© Rinstinkt 2012, mbi tekstin

—————————————————————————————–